Deklarata e plotë e Taulant Ballës

Për sa i përket çështjes së vetos, ka një veto të madhe të PD kundër dy çështjeve themelore që duhet të adresonim të gjithë sëbashku në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme.

Është veto-ja e PD kundër votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilën prej ditës së parë zoti Bylykbashi, si bashkëkryetar, e ka kundërshtuar. Pavarësisht se nuk kishim nevojë të kërkonim ndihmën e ekspertëve, për shkak se ekspertët tanë kishin

gati të gjithë manualin e veprimeve për t'i mundësuar të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë të ishin dhe ata vendimmarës për përbërjen e parlamentit të ardhshëm. Jo vetëm kaq, por shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë të kishin deputetët e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është veto që është përdorur nga Partia Demokratike që prej ditës së parë.

Vetoja e dytë e Partisë Demokratike është për hapin e mirë që mund të hidhnim ne për mirëadminsitrimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, i cili është depolitizimi i komisioneve zgjedhore në nivelin e parë dhe në nivelin e dytë, rekomandim primar i OSBE-ODIHR.

Ajo që ndodhi sot ishte një përpjekje e paskrupullt për të shmangur OSBE-ODIHR nga asistenca dhe opinioni që mund t'i japë këtij komisioni.

Në vendimin për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore, ne e kemi thënë shumë qartë: Për të garantuar konsensusin, duhet të apelojmë tek këshillimi i OSBE-ODIHR, e nëse duhet, edhe tek Komisioni i Venecias. Në mënyrë shumë unilaterale, një propozim që gjeti dakordësi gjatë gjithë mbledhjes. Në momentin e fundit, ky propozim u formulua në mënyrë të gabuar nga zoti Bylykbashi, pavarësisht se unë i kërkova që ne të dy sëbashku të ulemi të zbardhim një vendim i cili të përfshinte të gjitha kërkesat, propozime edhe të deputetëve të djathtë, por edhe të kolegëve të mi. Citoj propozimin e zotit Vasili, propozimin e zotit Halimi, propozimin e zotit Manja, të cilët iu bashkangjitën propozimeve fillestare të ardhura nga zoti Mediu dhe nga zoti Islami. Hapni procesverbalet e mbledhjes, edhe ju mediat, lexoni propozimin e parë të bërë nga zoti Mediu dhe nga zoti Islami; dhe krahasojeni nëse propozimi i tyre është i ngjashëm me propozimin fundor të zotit Bylykbashi.

Ne jemi në një fazë që kemi dakordësi që Shqipëria të mund të shqyrtojë edhe aplikimin e teknologjisë, pavarësisht se kuadri ynë ligjor i reformës së kaluar zgjedhore, sikurse ka qenë ajo e vitit 2012, e ka parashikuar përdorimin e teknologjisë. OSBE-ODIHR dhe Oerd Bylykbashi në 2012, na kanë thënë: "Pa kaluar në një proces pilot në një qark, ne nuk mund të kemi një proces kombëtar". Ky është Oerd Bylykbashi në 2012, kjo është OSBE- ODIHR në 2012, ky jam dhe unë në 2012 e jam njëlloj edhe në 2017. Po, kemi rënë dakord që të kemi një projekt pilot. Dy projektet pilotë, një në Fier dhe një në Tiranë kanë dështuar. Unë ju them sot: Thërrasim dhe KQZ, dhe të na shpjegojë pse kanë dështuar këto dy projekte në 2013. Sepse nëse na dështuan, ne patëm kohë për fat të mirë që procesi zgjedhor të vazhdonte. Sipas OSBE- ODIHR, procesi i 2013 ishte një proces i suksesshëm. Si mund të kalojmë në një proces kombëtar pa bërë këtë testim, këtë konsultim.

Si mund të kërkojë PD, sot në 2017, që ne të përjashtojmë OSBE–ODIHR nga konsulenca, kur mandati i këtij komisioni është i thjeshtë: ne kemi për detyrë të adresojmë, të implementojmë rekomandimet e OSBE- ODIHR. Ky është mandati i këtij komisioni.

Për çudi PD bojkoti, u largua nga mbledhja. Ne e prisnim në fakt të ndodhte me shpejt, që në fillim. Sipas informacioneve do të bëhej një deklaratë në fillim dhe do iknin, por e zgjatën pak më shumë. Ne e kuptojmë shumë qartë këtë.

Sot dua të zbardh përpara të gjithë opinionit publik, që prej ditës së parë që kam marrë këtë komision, në tetor të vitit të kaluar, nga zoti Bylybashi më është thënë shumë qartë: "Kohë për numërim elektronik dhe identifikim biometrik nuk ka! Hajde të merremi me financimin e partive politike." Sot komplet e kundërta, as nuk denjuan të qëndrojnë në sallën e mbledhjes së komisionit për të vazhduar me çështjet e tjera. Biem dakord të gjithë që nëse ka një çështje shumë të rëndësishme që duhet të adresohet menjëherë - dhe kjo nuk ka nevojë për teknologji, por është një vendim që po e morrëm sot, nesër fillon të zbatohet - është financimi i partive politike, financimi i fushatave zgjedhore, ulja e shpenzimeve në fushata zgjedhore. Partia Demokratike është kundër depolitizimit të komisioneve. Është e papranueshme sesi në një vend që aspiron të anëtarësohet në BE, ti ende të kesh komisioner të emëruar nga partitë politike. Vetë partitë politike votohen, vetë partitë politike duhet të numërojnë votat që u japin shqiparët.

Ndërkohë që ne themi ‘JO’! Qytetarë të depolitizuar të këtij vendi, të paasociuar me asnjë parti, të cilët mbi profesionin dhe mbi ushtrimin e profesionit nuk vënë asgjë tjetër, të merren me adminsitrimin e zgjedhjeve. Ky do të ishte një hap shumë i suksesshëm. Ne kemi shfletuar ekspertizë të vyer ndërkombëtare për PO-të dhe JO-të për elektronikën në zgjedhje. Ka zgjedhje në vende të ndryshme që para pak kohësh kanë treguar që teknologjia nuk është çelësi i suksesit përfundimtar, për shkak të ndërhyrjeve që mund të bëhen në një proces elektronik. Por hajde t'i studiojmë të gjitha. Ky ishte propozim i Partisë Demokratike, por nuk ishte i irrituar. Ndërsa sot ishte "hajde të caktojmë, të zgjedhim teknologjinë". A thua se duke filluar nga unë, Oerd Bylykbashi dhe gjithë anëtarët e komisionit jemi ekspertët e teknologjisë së informacionit më të mirët në Europë dhe në botë, që të zgjedhim tekonologjinë më të mirë.

Rrota është shpikur, nuk kemi nevojë ta shpikim ne. Teknologjia është shpikur. Nëse OSBE–ODIHR na sugjeron hapat dhe teknologjinë, dakord.

Unë ju ftoj që vëmendjen që kishit sot, ta keni dhe në mbledhjet e tjera të këtij komisioni, ku ekspertët, nëse nuk vijnë eksepertët e PD dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, ekspertët e Partisë Socialiste t’ju bëjnë një prezantim të të gjithë këtyre. Po ashtu, në fund të mbledhjes me përfaqësuesit e OSBE, përfaqësuesit e BE dhe me përfaqësuesit e Këshillit të Europës, u kam kërkaur që OSBE-ODIHR të sjellë një ekspert dhe të na bëjë një prezantim, sikurse e ka bërë në 2012.

Unë nuk e di se çfarë i kanë bërë Oerd Bylykbashit që në 2012 i dëgjonte dhe bënte çdo gjë që thoshte eksperti i OSBE–ODIHR. Sot as nuk denjon ta dëgjojë. Mandati i këtij komisioni është pikërisht adresimi i këtyre. Në fund të fundit, në këtë vend notën e zgjedhjeve e kemi pranuar të gjithë, e vendos OSBE- ODIHR. Pastaj raportin e OSBE-ODIHR e lexon njësoj edhe Parlamenti Europian, edhe Këshilli Europian, edhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, apo edhe Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E paprecedenta sot është vetëm kjo: si ka mundësi që Partia Demokratike nuk është dakord që të merret një opinion fisibiliteti për këtë çështje nga OSBE –ODIHR?

Për sa i përket teknologjisë, ajo është pasuese, pasi së pari bëhet vlerësimi se kush janë vendet, cilat kanë qenë arsyet që e kanë shtyrë për të aplikuar, sa kohë ka zgjatur. Për të mos thënë pastaj që ka vende të Bashkimit Europian të cilat e kanë aplikuar dhe e kanë hequr teknologjinë për arsye të ndryshme. Dhe të gjitha këto duhen parë me seriozitet.
Ju faleminderit!

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis