Deliri grek

Deliri grek

Konstandin Kacifa

“Ujku sulmon me dhëmbë, demi sulmon me brirë, greku sulmon me kishë”/  Fan Noli

Tashmë u bënë disa ditë që një ekstremist grek, Konstandin Kacifa, një lidhje jo e vetme e strukturave të “Agimit të Artë” apo e organizatës ekstremiste MAVI, është bërë lejtmotivi i ultrasve nacionalistë grekë, që tundin flamurin e tij nëpër sheshe dhe në emrin e një “kallashnikovasi”, djegin flamurë shqiptarë, protestojnë, thyejnë xhama, rrihen me shqiptarë, bëjnë thirrje për përzënien e tyre jashtë shtetit grek, sulmojnë këdo që i del përpara dhe, si gjithnjë, bashkë me to, është futur në lojën radikale edhe kisha greke.

Një primar i saj në Konicë, nga një trevë e dikurshme thellësisht shqiptare, nga e cila janë dëbuar vendasit ose janë detyruar të greqizohen edhe pse nënat e tyre kishin gjuhë amtare shqipen, bëri thirrje të pushtohet “Vorio Epiri”.

Dalldi e zgjuar befas nacionaliste apo pritje e një shkëndije për të ndezur një zjarr që mendohej se po shuhej?

Në pak orë, e gjithë ajo që kishte mbetur në skutat e një nacionalizmi ekstrem, u zgjua, mori formën e saj të zakonshme agresive, shpërtheu dhe trajtat e saj po shfaqen në jetzën politike greke, që nga qeveria, që është më e matur, por që mund të detyrohet të jetë e rebeluar, nga strukturat djathtiste brenda parlamentit e deri më tej, ku politika zien në diskutimet e zakonshme greke, të cilët nga athinasit e lashtë kanë marrë vetëm vendin e debatit: rrugët, por jo mendjet e shquara.

Në një shkrim timin të mëhershëm përmenda rastin e ushtarit mirditor Llesh Pali dhe këngën për të dhe një mik i imi i çmuar veçanërisht më shkroi se tani Kacifa u bë Llesh Pali i tyre.

Ata mund të bëjnë kë të duan dëshmor e hero, edhe nëse ka rrëshqitur me kanë i dehur, por që i thonë minoritar; edhe kur ka rrëshqitur nga mendja dhe i thonë paramilitarist, i uniformuar, dhe deliri mund të shfaqet njëlloj.

Sepse nuk kanë kohë për arsye, duan një shkak dhe, këtë shkak, nuk ua dha vendi ku ndodhi e gjithë ngjarja, por mendësia e rrënjosur me forcë, përmes tropitjes së përbashkët, pjesë të kishës greke dhe të politikës së saj në Shqipëri; tropitjen ia dhanë kunetërit që llomotitin nga larg, të paguarit e politikës greke që bëjnë rolin e masonit të pafajshëm, si Dule, Bollano, e pjesëz të Omonias; ia dhanë njerëzit e politikës që votat ua kërkojnë shqiptarëve, por eurot i marrin nga Athina.

Tri gjëra nuk janë thënë si duhet:

Ku u vra ky njeri: në shtetin grek, duke bërë roje në kufi dhe shkuan bandat shqiptare, natën pa hënë, e qëlluan kur flinte gjumë, apo në vendin ku kishte njërën nënshtetësi?

Përse ky njeri, në një ditë feste, si një lëshim i pazakontë i qeverive shqiptare në përkëdhelje të ambicieve greke, ishte i armatosur, i uniformuar, me një armë të modifikuar, i gatshëm për një akt të rëndë terrorist dhe i përgjegjshëm për çfarë po bënte?

Ishte i vetëm në ditën e “JO-së” greke apo i mbështetur edhe nga të tjerë, të cilët, dy herë ekstremistë, edhe ndaj Shqipërisë, edhe ndaj qeverisë greke, kërkonin më tepër se sa një kurban, të cilin, ndoshta edhe e kishin llogaritur?

Nacionalizmi i bën nder një kombi të vogël. Gjithkush, në momente të veçanta, sado i squllët të jetë, ka në vete një ndjenjë që i zgjohet, ndoshta edhe befas, pa e ditur, dhe, do apo nuk do ai, bëhet pjesë e jetës së tij.

Askush nuk i akuzon grekët se duan vendin e tyre. Nëse e duan, mirë bëjnë, por nuk besoj se këto që kaluan në delirin ultranacionalist e duan Greqinë. Të paktën jo Greqinë e një kohe të shkuar, kur helenët vendosnin për botën e tani bota vendos për mbijetesën e tyre.

Është një trinitet i çuditshëm, por jo i panjohur: strukturat ekstremiste deri në akte terrori, si janë Mavi dhe “Agimi i Artë”, pjesë të rëndësishme të Kishës greke që i kap shpejt dalldia nacionaliste dhe struktura politike në Shqipëri.

Përmes këtij triniteti lëviz edhe dalldia e tashme e ultrasve nacionalistë; ajo kapje marramendëse, që kalon kufijtë e çdo lloj arsye dhe bëhet tejet e paarsyeshme.

Dhe, kur pjesë e kësaj dalldie bëhet edhe opozita shqiptare, ajo që nisi si risi e ndjenjës kombëtare dhe u bë kozmopolite deri në harrimin e kombëtares, e di se duhet përsëritur një thënie e lashtë romane, “Armiku është tek porta”.

Ky trinitet, më parë se t jetë rrezik për vendin tonë, është për vetë grekët, dhe, dalldia e tyre ngjan si dy pika uji me dalldinë e ekstremistëve islamik, që , pas çdo ngjarje fillojnë e çartallosen deri në çmenduri.

Të gjithë ekstremet takohen. Që nga Dule e deri tek Nikolas Geixh.

Por kur ata bëjnë flamur të tyre një rast si ky që ndodhi në Shqipëri, do të thotë se flamujt tjerë u janë rreckosur.

Dhe kur, këtij triniteti i bashkohen edhe “ trinitete “ të tjera, brenda llojit, por me kombësinë tonë, atëherë ata nuk kanë kuptuar fillesën e këtij nacionalizmi ultras: dobësia e tyre qëndron pikërisht në mendësinë tipike ballkanike, përmes së cilës ultrasit jo vetëm nuk mësojnë nga fajet e tyre, por as nga koha që u kalon mbi krye, e papërfillshme për to.

Në Shqipëri, për fat të mirë, nuk kishte një dalldi të tillë nacionaliste. Më tepër ajo u mundua të importohej nga politika, se sa ndodhi në të vërtetë. Politika ishte më e interesuar për eksportimin e delirit nacionalist tek pushteti, jo si shenjë qëndrimi tolerant e europian, por si një dinakëri bizantine e mveshur me dëshira të prapshta, edhe pse këto dëshira mund të nxinin kombin e tyre.

Është mirë që ekziston kombi grek. Bile është e domosdoshme ekzistenca e tij. Ashtu si është mirë që ekziston kombi shqiptar, megjithëse i vetmi i ndarë në 5 shtete ballkanike.

Në të gjithë botën rasti Kacifa do të ishte një ngjarje rutinë. Edhe në shtetin grek do të ishte i tillë.

Do të ishte i tillë nëse kokat e ultrasve nuk do të ishin kaq të nxehta./ DITA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e 54-vjeçarit në 2022-in, pezullohen 3 mjekët (EMRAT)