DËMET/ Tre konvikte me familjarë tek 'Qyteti Studenti' do të shemben...drejt prishjes edhe 363 banesa në Durrës

DËMET/ Tre konvikte me familjarë  tek 'Qyteti Studenti' do të shemben...drejt prishjes edhe 363 banesa në Durrës

Godina tek 'Qytet Studenti'

Ekspertë të huaj nga Franca, Italia, Zvicra apo Greqia bashkë me ato shqiptarë të FSHZH kanë vijuar inspektimet në terren të objekteve të dëmtuara nga terreni. Ndërkohë në Tiranë, Këshilli Bashkiak  miratoi vendimin duke i dhënë dritën jeshile shembjes me shpërthim të kontrolluar të godinës nr.15 në Qytet Studenti e cila është dëmtuar duke u bërë e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Sot, kryeministri Rama theksoi se në këtë zonë do të ndërtohet Kampusi Universitetit. Për rreth 200 banorët që jetonin në këtë godinë do t'u paguhet qiraja 100%. Për sa i përket Durrësit që është një nga qytetet më të prekura nga tërmeti janë për t'u shembur edhe 363 banesa drejt shembjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
Rama për shembjen e godinave tek 'Qyteti Studenti': Do ndërtohet Kampusi Universitar, familjet do të marrin qira


Tiranë - Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur për të mbështetur financiarisht qiratë njëvjeçare 100% për familjet që nuk kthehen dot në banesat e tyre, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26-nëntorit.

I pranishëm në nisjen e kësaj mbledhje ka qenë edhe kryeministri Rama, i cili ka thënë se për familjet e prekura është gati edhe skema e riparimeve për godinat e padëmtuara në strukturë. Rama ka folur edhe për prishjen e godinave tek 'Qyteti Studenti' duke thënë  pas një zaptimi 30-vjeçar ato godina do të prishen. Ndërkohë që ka shtuar se familjet që ishin aty do të përfshihen gjithashtu në skemat e qirasë 100%.

"Këto familje nuk do të hidhen në rrugë. Do të marrin qira si të gjithë të tjerët. Pas një zbatimit 30-vjeçar, ato konvikte do të prishen. 30 vjet është boll, do lënë dhomën në Qytetin e Studentit për të marrë një apartament në qytet. Ato 3 konvikte do të prishen. Në Qytetin Studenti do të ndërtohet Kampusi universitar. Mos të krijojnë iluzione nga ata që s'dinë të bëjnë gjë tjetër. Ne nuk tërhiqemi para nevojës për zhvillim.Më vjen mirë që procesi i zbukurimit të qytetit në prag të festave ka ecur, duhet bërë kështu edhe në Durrës, Krujë, e kudo, sepse nevoja për normalitet është e domosdoshme për ata që janë të traumatizuar, dhe mërzia dhe zymtësia nuk ndihmon. Kopshtet kanë filluar t'i kthehen normalitetit edhe kopshtet po ashtu. Të hënën fillon edhe shkolla në Tiranë, bashkia t'i qëndrojë pranë nxënësve. Kurajo, energji, forcë se është një moment i një krize të madhe që ka në përmbajtjen e vet një mundësi për të gjithë, për të dalë më të fortë, dhe që të gjithë ata që humbën shtëpinë, kur të kthehen në normalitet të kthehen në kornizë të jetuari me standarde më të mira se ato që kishin" tha Rama.

Ora 18:57
Bilanci/ Ministrja Voda: Në qarkun e Durrësit edhe 363 banesa për t'u prishur

Në një deklaratë për shtyp, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda ka publikuar informacionet e përditësuar për sa i përket bilancit me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Voda shprehet se në qarkun e Durrësit, konkretisht Durrësit, Thumanës dhe të Shijakut janë për tu shembur edhe 363 banesa .

Ndërkohë banesa të pabanueshme sipas ekspertizave në terren janë 1971. Sipas ministres Voda vijon puna dhe përditësimi i të dhënave  në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA DISPEÇER

Deri në orën 17:30 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 440 (Tiranë – 198; Durrës – 204; Lezhë – 36; Elbasan – 1; Shkodër - 1). Sërish, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 385 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

EKIPET PËR VLERËSIMIN E DËMEVE.

Me ngritjen e njësisë së koordinimit për vlerësimin e dëmeve, në vijim po ju përcjellim një pasqyrë të vendeve që kanë dërguar ekipe të vlerësimit me ekspertë: Numri i përgjithshëm i ekspertëve deri tani është 83, përkatësisht:

Franca: 4;

Zvicra: 2;

Italia: 8;

Greqia: 16;

Turqia: 8;

Maqedonia e Veriut: 16;

SHBA: 2;

Kosova: 20;

Izraeli: 7.

Ndërkohë, dy vende të tjera, nga të cilat priten të dërgojnë ekipe të vlerësimit me ekspertë janë: Rumania dhe Hungaria.

Ekipe shqiptare janë nga: Instituti i Ndërtimit, inxhinierët e bashkisë Durrës, Fondi i Zhvillimit dhe Departamenti i Rrugëve (ARRSH), të cilët janë ndarë në ekipe në 11 njësitë administrative Durrës. Inxhinierët ndërkombëtarë janë caktuar për të lehtësuar këto ekipe.

PUNA NË TERREN

Në total në të gjithë Qarkun Durrës, nga data 29.11.2019 - 05.12.2019 me shembjen sot të objektit 3-katësh në Shkozet janë shembur gjithsej 28 objekte: 10 objekte në qytetin e Thumanës, dhe; 18 objekte në Bashkinë Durrës.

Përsa i përket bilancit paraprak të inspektimeve, të dhënat janë si në vijim:

Bashkia Durrës – 1267 Objekte të inspektuara, 406 të pabanueshme, 70 për tu prishur;

Bashkia Krujë – 2185 Objekte të inspektuara, 748 të pabanueshme, 8 për t'u prishur;

Ndërkohë në Krujë qytet po bëhet edhe studimi gjeologjik i kalasë si dhe ka përfunduar inspektimi i të gjitha godinave publike.

Bashkia Shijak – 1497 Objekte të inspektuara, 817 të pabanueshme, 285  për t'u prishur; Në rang qarku, 4949 objekte të inspektuara.

VULLNETARËT INDIVIDË

Që në datën 30 nëntor 2019 u vendos në dispozicion në faqen e-albania një seksion i dedikuar plotësimit të dy formularëve për regjistrimin si individ/OJF vullnetare për të dhënë kontribut në zgjidhjen e situatës problematike të familjeve dhe zonave të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Deri më tani (05.12.2019 - 18h00) kanë mbërritur 336 aplikime individuale.

SIGURIA

Strukturat e rendit dhe sigurisë publike në qarkun e Durrësit  të mbështetura nga efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt dhe efektiv rendi  kanë bërë të mundur sigurimin e rendit dhe qetësisë në parametra normal në qarkun e Durrësit.

Këto struktura janë angazhuar duke  mbështetur gjithë strukturat që po kryejnë veprime në terren për grupet e Inspektimit, strukturat e emergjencave civile, ruajtjen e vendeve të grumbullimit të ndihmave , ruajtjen e hoteleve që janë akomoduar qytetarët, ruajtjen e objekteve të dëmtuara me rrezik të shtuar etj.

Janë shtuar shërbimet policore në terren , është rritur prezenca  dhe partrullimet  duke monitoruar territorin në 24-orë duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale dhe të gjitha tendencave ndaj pronës, bizneseve dhe jetës së qytetarëve.

Duke ju falënderuar edhe njëherë për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju uroj një natë të mirë e të qetë! Faleminderit!

Ora 18:38
Shembja e dy pallateve në Thumanë/ PD: 5 pyetjet që duhet t'u përgjigjet qeveria dhe Bashkia Krujë

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhit i ka drejtuar 5 pyetje Bashkisë së Krujës dhe qeverisë për dy pallatet e shembura në Thumanë nga tërmeti i 26 nëntorit. Të gjitha pyetjet konsistojnë në masat e marra nga qeveria pas tërmetit të 21 shtatorit, sipas së cilit me mosveprimin e tyre morën 24 jetë njerëzish.

"PD ka nisur mbledhjen e informacioneve për mosveprimin kriminal të Qeverisë dhe Bashkisë Krujë për dy pallatet e shembura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019. Qeveria dhe Bashkia Krujë duhet të japë llogari për vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë.

Pas heshtjes së Qeverisë për pyetjet tona publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD z. Gazment Bardhi, i drejtohet me kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë, për 5 çështjet e mëposhtme: 1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?
2. A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.
3. A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?
4. Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?
5. Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo"
, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ora 16:00
Durrës/ Shembet me eksploziv ndërtesa 4-katëshe në Shkozet

Është shembur me eksploziv ndërtesa 4-katëshe në Shkozet të Durrësit. Policia më parë bëri evakuimin e  banorëve të zonës përballë tregut Agro Ushqimor ndërsa shembja është bërë e kontrolluar. Banesa ishte vlerësuar më parë si e pabanueshme për shkak të dëmeve të mëdha që pësoi nga tërmeti i 26-nëntorit. Kjo është ndërtesa e katërt që shembet me eksploziv në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë Forcat e Armatosura dhe  Xhenierët e Komandës Mbështetëse në bashkëpunim me IKMT, vijojnë punën për shembjen e kontrolluar të objekteve të dëmtuara nga tërmeti, të cilat janë klasifikuara si të pabanueshme. Puna në terren po koordinohet edhe me Prokurorinë, e cila në kuadër të hetimeve të nisura, po mbledh prova materiale përpara shembjes së objekteve.

Ora 15:03
Evakuohen banorët pranë tregut ushqimor në Shkozet, pritet shpërthimi i kontrolluar i banesës 4-katëshe

Policia ka bërë evakuimin e  banorëve të zonës përballë tregut Agro Ushqimor në Shkozet për shkak se për pak minuta pritet të bëhet shpërthimi i kontrolluar i një ndërtese 4-katëshe, e cila u vlerësua nga ekspertët pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Ora 14:26
VIDEO/Godina nr. 15 në QS do të shembet me eksploziv, Veliaj: 200 banorëve do u paguhet qiraja (Paralajmërim PD-së)

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin duke i dhënë dritën jeshile shembjes me shpërthim të kontrolluar të godinës nr. 15 në Qytet Studenti e cila është dëmtuar duke u bërë e pabanueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Referuar incidentit mbrëmjen e djeshme me Albana Vokshin, Veliaj e cilësoi si të turpshëm. Përsa i përket 200 banorëve që jetonin në këtë godinë, deri të hënën do të zhvendosen në palestrën e gjimnazit 'Ismail Qemali' ndërsa më pas do u paguhet qiraja.

"Janë tre godina që janë zbatuar prej 30 vitesh, nuk banojnë studentë. Kjo është arsyeja që të kërkon miratimin e kësaj prone e zaptuar në QS por pa pikë lidhje me studentet. Të 200 banorët që janë aty do i kalojmë sot pasdite me qira si familje të prekura nga tërmeti, pavarësisht se kanë zaptuar atë godinë dhe nuk paguajnë as ujë e drita. Por tani do të zhvendosen te palestra e gjimnazit 'Ismail Qemali' ndërkohë në vijim do u paguhet edhe atyre qiraja.

Skenat që pashë mbrëmë ku një ish-deputet therej me policinë dhe zjarrfikësen ishin të pashembullt. Ata nuk duhen parë si dele, apo vota të X partie, por si njerëz që duhen shpëtuar. U them të gjithëve na lini të bëjmë punën se kjo nuk është fushatë. Këtë herë do i padis penalisht nëse dikush pengon zjarrfikësit. Lini forcat e rendit dhe stafin pastaj bëni qira. Ajo parti zaptoi Qytet Studentin dhe i la aty. Demolimi i godinës nr. 15, miratimi i kalimit të kësaj kategorie në bonusin e qirasë. Pasi të miratohet një kopje i dërgohet prokurorisë" tha ai.

Ora 14:25
SHBA: Po vijojmë që të ndihmojmë shqiptarët për vlerësimin e dëmeve pas tërmetit

Ambasada e SHBA-së në Tiranë shkruan në një postim në faqen zyrtare në rrjetet sociale se vijon që të jetë në ndihmë të shqiptarëve në këto ditë të vështira pas tërmetit.  "Qeveria e Shteteve të Bashkuara vijon të mbështesë përpjekjet për rimëkëmbjen pas tërmetit të 26 nëntorit që goditi Shqipërinë. Ekipi i Zyrës për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID po ndihmon me koordinimin e vlerësimit të dëmeve, së bashku me menaxherët shqiptarë dhe ndërkombëtarë të emergjencave. Ata po punojnë për të përshpejtuar dhënien e ndihmës aty ku ka më shumë nevojë dhe për t’u siguruar që ekipet të shpërndahen në mënyrë efikase për vlerësimin e dëmeve pas tërmetit. Shba Qendron Krah Shqiperise" shkruan ambasada.

Ora 13:41
Bilanci i inspektimeve: 1183 banesa të shembura dhe mbi 6 mijë shtëpi e pallate të dëmtuara rëndë nga tërmeti

1575549423_voda.jpg
Zv/ ministrja e Brendshme Rovena Voda ka bërë një bilanc të të gjitha dëmeve që janë konstatuar në total nga inspektimet deri mesditën e sotme në Tiranë, Durrës, Lezhë, Lac dhe Krujë.

SHIFRAT dhe DEMET deri ne 5 Dhjetor ora 13:30
Vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës, bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA DISPEÇER
Deri në orën 11:15 të ditës së sotshme, numri i thirrjeve të përpunuara deri tani nga gjashtë operatorët në dispozicion të qytetarëve për të tre numrat e gjelbër: 0694114100; 0694114101 dhe 0694114040 është aktualisht: 399 (Tiranë – 174; Durrës – 190; Lezhë – 33; Elbasan – 1; Shkodër - 1). Sërish, sikurse edhe gjatë dy ditëve të fundit, shumica dërrmuese prej 348 thirrjesh ka qenë për verifikim dëmesh në banesë.

DËMET NË BANESA
Në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër, bilanci paraprak operativ deri tani (ora 12:00) është si më poshtë:

Shtëpi të shembura:                       1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

Shtëpi të dëmtuara rëndë:          5497 (Tiranë 1311, Durrës 3821, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

Shtëpi të dëmtuara lehtë:            3567 (Tirana 3248, Dibër 73, Elbasan 248)

Pallate të dëmtuara rëndë:         558 (Tiranë 35, Durrës 461, Lezhë 56,                                                                                                       Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

Pallate të dëmtuara lehtë:           337 (Tiranë 330, Elbasan 7)

Shkolla të dëmtuara:                      28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9).

Kabina elektrike të dëmtuara: 15 (Tiranë)

Ndërkohë një përditësim vetëm për Tiranën:

Dëmet në njerëz nga tërmeti:

44 - qytetarë të dëmtuar

3135 - qytetarë të evakuuar

718 - qytetarë në çadra

410 - qytetarë në hotele

395 - qytetarë në qendra sociale

SHËNDETËSIA
913 pacientë të trajtuar në spitale

19 pacientë të shtruar në spitale

(16 pacientë në Spitalin Universitar të Traumës dhe 3 pacientë në Spitalin Rajonal të Durrësit)

3 pacientë të dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit

3,226 vizita të kryera në njësitë akomoduese

377 qytetarë të vaksinuar me vaksinën antigrip (Durrës, Krujë, Lezhë ,Vorë)

402 të sëmurë kronikë të strehuar në qendrat e akomodimit, të cilëve ju është mundësuar ofrimi i barnave me rimbursim

1,669 fëmijë po marrin shërbim psiko-social në të gjithë qendrat e akomodimit ku janë vendosur familjet e prekura nga tërmeti

257 punonjës social dhe psikologë po ofrojnë shërbim psikosocial

340 mjekë dhe infermier të angazhuar në terren

Gjithashtu, vijon me rigorozitet monitorimi i cilësisë së furnizimit me ujë të pijshëm në zonat e prekura dhe njësitë e akomodimit.

Inspektorati i Ndërtimit njofton se kanë pësuar dëmtime nga tërmeti edhe 12 qendra shëndetësore dhe ambulanca në Krujë, Durrës, Laç, Tiranë si dhe disa mjedise në QSUT, Spitali Bashkiak të Krujës dhe

Kurbinit. Spitali i Durrësit, i cili pësoi disa dëmtime, tashmë është i rehabilituar dhe ofron shërbim normalisht. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju njoftoj për takimin e rradhës me përditësimin e informacionit nesër në orën 18:30.

Ora 13:05
Materniteti 'Koço Gliozheni' përgënjeshtron PD-në: Dëmet nga tërmeti jo në strukturë, nënat dhe bebet janë të sigurt

Materniteti "Koço Gliozheni" në Tiranë përgënjeshtroi Partinë Demokratike që përmes ish-deputetit Bardh Spahia, tha se ky institucion ka pësuar dëme nga tërmeti dhe situata është mbajtur e fshehtë.  Me anë të një postimi në Facebook duke e pasqyruar edhe me foto,  materniteti thekson se ka nisur puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e tërmetit dhe se ndryshe nga ç’pretendon Spahia, bëhet fjalë për dëme të rekuperueshme dhe jo dëmtim në strukturë. Me tej, materniteti thekson se nuk ka vend për panik dhe se nënat dhe fëmijët që po marrin shërbim në këtë spital janë të sigurt dhe nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve.

"Në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ ka nisur puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e tërmetit. Por bëhet fjalë për dëme të rekuperueshme dhe jo dëmtim në strukturë. Drejtoria e materniteti ‘Koço Gliozheni’ bën me dije për qytetarët se puna aty vazhdon normalisht. Nënat dhe fëmijët që po marrin shërbim në këtë spital janë të sigurt dhe nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve", thuhet në reagimin e maternitetit.

Punimet në maternitet
Ora 12:48
Ekspertët izraelitë vlerësojnë dy shkolla në Durrës dhe përcjellin një mesazh simbolik për Shqipërinë

Në zonat e prekura nga tërmeti vazhdon intensivisht vlerësimi i banesave nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, të ardhur nga disa shtete të Europës dhe më gjerë.

Ndër ekipet e specializuara që kanë ardhur në vendin tonë për vlerësim banesash janë edhe ato izraelite.

Ditën e sotme një ekip izraelite ka vlerësuar nga afër dy shkolla në Durrës, respektivisht shkollën ‘Bajram Curri’ dhe shkollën ‘Abedin Dino’.

Pas ekspertimit, ata kanë konfirmuar se shkollat janë në rregull për të vijuar procesin normal mësimor.

Në fund, pas punës së kryer në këto shkolla, ekipi izraelit ka bërë me duar edhe shqiponjën, simbolin tonë kombëtar.

Ora 12:21
Tiranë, u dëmtua nga tërmeti, godina në Qytet Studenti do dhembet me tritol (VIDEO)

Godina nr. 15 në Qytet Studenti do të shembet mbrëmjen e sotme pasi është dëmtuar në shkallë të pariparueshme nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në këtë godinë jetojnë 220 banorë, jo studentë. Të gjithëve u është ofruar bonusi i qirasë. Godina është e rrethuar me shirita për të mos lejuar askënd të futet. 

1575544947_7f40ca4dfa9b41cbb02ab670c115d83a.jpg

Të gjithë banorët që do të dalin nga kjo godinë, do të marrin bonus qiraje nga Bashkia. Por për të shkuar deri aty, banorët duhet të shkojnë pranë njësisë administrative numër 2, të plotësojnë formularin dhe të marrin paratë. Strehimi i përkohshëm i tyre deri në përfundim të procesit, do të bëhet paraprakisht tek palestra e gjimnazit "Ismail Qemali" dhe më tej kalimi në banesa me qira bashkiake nga dita e hënë e në vazhdim.

Kujtojmë se këto godina që duhej të ishin për studentët janë zaptuar nga qytetarët të cilët në 30 vjet kanë bërë punime e ndërhyrje që kanë rritur rrezikun e godinës.
1575544961_1812a04d07e446d4b85c0c92cd18d135.jpg

Tek Qyteti Studenti i është vënë shiriti dhe disa prej godinave ku qëndrojnë studentë. Më konkretisht, godinave 20,21 dhe godinave të djemve 22,23.  Këto godina kanë pësuar disa dëme prej lëkundjeve të fuqishme të tërmetit të 26 nëntorit, ndaj është vendosur shiriti deri në riparimin e tyre.

Ora 12:18
Urgjenca e Durrësit me kapacitet të plotë, riparohen dëmet nga tërmeti (VIDEO)

Ka përfunduar riparimi i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Durrësit, pas dëmeve të lehta që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit.  Tashmë reparti i Urgjencës funksionon me kapacitet të plotë.

Tërmeti i fuqishëm nuk shkaktoi dëmtime në strukturë por vetëm në pjesët e mureve.

Ora 11:56
Nis puna për raportin e vlerësimit të dëmeve që do u paraqitet donatorëve, Çuçi: Do bazohet në instrumentin që përdor sot UN dhe BE

Drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë, Bledi Çuçi në fund të mbledhjes së qeverisë mëngjesin e ditës së sotme, bëri me dije se ka nisur puna për të përgatitur një raport për vlerësimin e dëme që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Çuçi deklaroi se dokumenti është shumë i rëndësishëm, pasi do të ju paraqitet donatorëve, e ndërsa kërkoi angazhim maksimal nga ministrat e tjerë, që ky raport të jetë sa më saktë.

Sipas tij, është marrë si bazë instrumenti Post Desaster needs Assessment (PDNA) që është hapi i parë drejt zhvillimit të një programi gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes që përdor UN dhe Bashkimi Europian. “Sot do t’ i propozoj Komitetit një njeri që do të kujdeset për integrimin e plotë”, – tha Çuçi.

Dokumenti, vijoi Çuçi, është shumë dimensional dhe kërkon angazhimin specifik të të gjithë kabinetit qeveritar për t’u bërë në një kohë sa më të mirë dhe cilësi sa më të mirë.

Ora 11:51
Tiranë/ Tërmeti prek edhe 'Koço Gliozhenin', PD: Dëmet po mbulohen me çarçafë (Akti i konstatimit)

Tërmeti që ra në 26 Nëntor ka dëmtuar edhe maternitetin “Koço Gliozheni”. Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia ka publikuar aktin e konstatimit të Institutit të Ndërtimit ku theksohet se godina nuk ka dëmtime në strukturë, por çarje dhe plasaritje që duhet të riparohen pasi nëse ka lëkundje të tjera mund të krijojnë shkëputje apo zhvendosje. Por Spahia akuzon se raporti po mbahet i fshehtë dhe dëmet po mbulohen me çarçafë.

"Këto janë fotot që denoncohen nga personeli i shqetësuar i maternitetit të ri, për dëmet që janë shkaktuar në institucionin që sjell jetë. Instituti i ndërtimit e ka verifikuar godinën, që më 27 nëntor. Në aktin e ekspertimit, thuhet se për shkak të tërmetit, përvec dëmeve në godinën bazë, ka probleme serioze në shtesën 4 katëshe dhe këshillohet ndërhyrje e menjëhershme, sepse lëkundje të tjera mund të sjellin shkëputje të shtesës!!!! Pra situata është tejet serioze. Cfarë bën shteti i papërgjegjshëm?

Përvecse e fsheh, sepse nuk është raportuar në asnjë nga informacionet që Bledi Cuci nxjerr dy herë në ditë, shikoni zgjidhjen mesjetare që i jepet: të carat mbulohen me carcafë operatorë!!!!! Këtu kalohen kufijtë e papërgjegjshmërisë dhe hyhet në kufijtë e një vepre kriminale! Sa të sigurt mund të jenë pacientët e personeli mjekësor në këtë ndërtesë, ku dëmet e tërmetit thjesht mbulohen me carcafë, e nuk ndërhyhet për të siguruar godinën, e sidomos kur nuk raportohet publikisht si dëm serioz?" denoncon ish-deputeti demokrat Bardh Spahia.

Ora 09:55
Krujë, ekspertët mbërrijnë në ambientet e bashkisë, gati për të 'zbarkuar' në terren

1575536594_fushekruje.jpg

Ekipet e ekspertëve kanë mbërritur sot në Bashkinë e Krujës, nga ku do të ndahen listat e godinavë që do të inspektohen në këtë qytet.

Ora 09:34
Kurbin, u dëmtua nga tërmeti, i vihet shiriti godinës së Komisariatit

1575535005_lezhe.jpg

Pas tërmetit të 26 Nëntorit ka pësuar dëmtime godina e Komisariatit të Policisë së Kurbinit. Pas inspektimit godinës i është vënë shiriti. Personeli është larguar dhe aktualisht po punohet zyra e shërbimit të qytetarëve, ku ka më pak probleme nga tërmeti. Ndërkohë godinat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Kurbinit kanë nisur nga puna pasi dëmtimet nuk përbëjnë rrezik. Nga ana tjetërr godina e Gjykatës së Lezhës ende nuk është inspektuar duke sjellë pezullimin e gjyqeve deri në vlerësimin e dëmeve.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • koli: 05/12/2019 19:16

    PO KETA NDYRESIRA KANE ZENE KONVIKTET E STUDENTAVE,,,,PISA NJEREZ,,,KETYRE DUHEJ TU FUTEJ DINAMITI KUR TE ISHIN ne gjume,,,po keshtu te veprohet ne konviktet e universitetit bujqesor,,,aty jane ajka e cecenise te sali gerdalle fytyreqenit…...dinamitin ne tajare te fluturojne…..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë