Denoncimi i AKIP: Impianti i
plehrave vjen nga Holanda

Denoncimi i AKIP: Impianti i <br />plehrave vjen nga Holanda
TIRANE- Disa prej nismëtarëve të Aleancës Kundër Importit të P(AKIP)lehrave në vendin tonë, shpjegojnë se përse ata kërkojnë referendum dhe cilat janë pikat që të ligjit që ata kontestojnë. Ata u kanë dhënë përgjigje edhe akuzave të zëvendësministrit të Mjedisit, Taulant Bino, se kjo lëvizje ka sfond politik. Sipas ambientalistëve, i vetmi sfond që ka kjo nismë është ruajtja e jetës së shqiptarëve dhe asaj mund t’i bashkohet kushdo që e ndjen rrezikun që i kanoset vendit tonë nga ky ligj. (Në foto: Aleanca kundër importit të plehrave duke dorëzuar 61 mijë firmat në KQZ)

LAVDOSH FERRUNI
Unë nuk e di që plehrat të kenë sfond politik. Ministrat janë anëtarë partie. Ne nismëtarët e referendumit për importin e plehrave jemi të pavarur, madje në mesin tonë ka edhe me prirje të djathta. Në sondazhet që ne kemi bërë 50 për qind e popullatës kërkojnë që mos lejohet importi i mbeturinave, ndaj edhe ne mendojmë që zgjidhja më e mirë për këtë do të ishte mbajtja e një referendumi dhe të vendosej nëse do të lejohet apo jo importi i mbetjeve nga vendet e tjera. Më konkretisht ne kërkojmë të anulohen nenet 49 dhe neni 22, pika 3, që lejojnë importin e mbetjeve nga vendet e tjera. Arsyeja se përse ne e kërkojmë këtë gjë lidhet me kapacitet që ka vendi ynë për të kontrolluar mbeturinat që mund të futen. E them këtë sepse një gjë e tillë ka ndodhur në vendin tonë, pra janë futur mbeturina të rrezikshme. Siç ishte lajmi që u publikua në mediat e huaja para dy ditësh ku flitej për tonelata mbetjesh të rrezikshme të futura në vendin tonë nga Franca. Pra nëse do të lejohet importi i mbeturinave nga vendet e tjera në Shqipëri, nuk ka besueshmëri që ata do të kontrollohen, gjithashtu ne kërkojmë ndalimin e importit të mbeturinave pasi Shqipëria nuk është në gjendje të menaxhojë importin e plehrave. Nga importi i mbeturinave vendi ynë nuk ka asnjë avantazh, madje ai do të shkatërronte edhe dy kolonat e ekonomisë, që janë bujqësia dhe turizmi.
ANDI TEPELENA
Ne kërkojmë anulimin vetëm të dy neneve dhe jo shfuqizim të të gjithë ligjit, pasi ai është një korpus i tërë kompleks. Kërkesa e bërë nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave është nisur nga një sërë faktorësh që ne nuk i kemi për të kontrolluar këtë proces. Ne nuk kemi infrastrukturë, nuk kemi impiante të përpunimit të mbeturinave, doganat nuk kanë kontrollues të specializuar. Ky ligj shprehet që mund të importohen mbeturina nga vendet e tjera, por midis tyre mund të ketë mbetje të rrezikshme, mund të ketë mbetje spitalore, të cilat nuk mund të hermetizohen dhe të përfundojnë në çezmat e shtëpive tona nëpërmjet damarëve nënujorë, pasi ata mund të kullojnë. Gjithashtu edhe po të riciklohen ata përfundojnë në ajër nëpërmjet tymit, dhe nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë vendi ynë do të braktiset edhe nga turistët. Pra do të jetë një katastrofë për vendin tonë. Ne kërkojmë, ashtu siç e përcakton ligji, që Gjykata Kushtetuese të interpretojë kërkesën tonë, ndërsa Komisioni Qendror Zgjedhor ka të drejtë vetëm të verifikojë vërtetësinë e firmave.
BLENDI KAJSIU
Ky ligj është hartuar që në vitin 2003, kur demokratët ishin në opozitë dhe e kanë kundërshtuar atë. Për ne, si aleancë, janë dy momente kyçe në këtë ligj. Momenti i parë është që për kushtet politike të vendit tonë, kontekstin gjeografik dhe kapacitetet administrative, ky ligj është i dëmshëm. Ligji parashikon të futen mbeturina për riciklim, por midis tyre mund të ketë mbetje të rrezikshme. Është si ligji antiduhan, që është i mirë, por nuk zbatohet. Kudo pihet duhan! Gjithashtu ne nuk kemi as kapacitet doganore inspektuese. Në kontekstin gjeografik ne kemi përballë një vend si Italia, dhe mund të kthehemi në një vend depozitimi për të, pasi dihet se firmat e përpunimit të mbeturinave në Itali drejtohen nga anëtarë të Kamorrës dhe sa e vështirë është të korruptosh një doganier shqiptar, një politikan shqiptar? Ministri aktual i Mjedisit, Fatmir Mediu nuk kontrolloi dot një bombë atomike që shpërtheu në mes të Tiranës, si do të kontrollojë kontenierët me mbeturina? Kjo nismë nuk na përket vetëm neve, por edhe brezave të ardhshëm, pasi mjedisi na përket të gjithëve. Maxhoranca ka deklaruar se ky ligj është i nevojshëm pasi industria e riciklimit duhet të mbijetojë. Ne jemi që industria e riciklimit të jetë në funksion të mbetjeve shqiptare dhe të mbështetet nga shteti, ta zëmë heqja e TVSH-së, ofrimi i kredive të buta apo lënda e parë, dhe nuk ka përse industria e riciklimit të jetë fitimprurëse dhe të hapë vende të reja pune. Aktualisht kompanitë e riciklimit në vendin tonë, tërheqin vetëm 10 për qind të mbeturinave brenda vendit, nëse shteti ofron kushte lehtësuese, kjo që edhe mund të zgjidhet në të kundërt nuk mund të ketë zgjidhje për këtë çështje. Ndërhyrja e shtetit është edhe edukim, të futet edukata e ndarjes së mbeturinave në kurrikulat shkollore si dhe të mësohen këta qytetarë që t’i ndajnë mbeturinat që në momentin që i hedhin në kazanë. Ne jemi që pasi të riciklohen 100% mbeturinat tona, atëherë mund të shikohet mundësia e importit. Pra ne kemi dy pika kryesore që e kundërshtojmë këtë ligj në këtë formë që është: mungesa e besimit dhe logjika e gabuar.
KOZARA KATI
Ne kërkojmë që importi ose jo i mbeturinave të vendoset nga sovrani. Në një demokraci të lirë sovrani, populli, ka të drejtë të vendosë dhe kjo është në radhë të parë një e drejtë kushtetuese. Pra ne kërkojmë një referendum që të jetë populli që t’i thotë “po” ose “jo” importit të plehrave. Në vitin 2004, aleati ynë kundër këtij ligji ishte Partia Demokratike, ndërsa në këtë moment është Partia Socialiste që është më afër lëvizjes sonë dhe që na mbështet. Nisma jonë për referendum nuk është forcë politike, por është vetëm një nismë e shoqërisë civile. Por kjo nuk do të thotë aspak që nëse ke bindje të caktuara politike nuk mund të bëhesh pjesë e lëvizjes sonë, kush e ka ndjerë është bashkuar me ne. Ne duam të mbrojmë vendin nga shkatërrimi. Sipas informacioneve të dhëna nga mediat holandeze aktualisht po çmontohet një impiant djegie, i amortizuar dhe po sillet në Shqipëri. Në ketë duam të ndalojmë. Politikanët mund të luajnë si të duan, por jeta e shqiptarëve është e shtrenjtë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim