Deshira Subashi, Kreu i KQZ-së
në dorën e shumicës

Deshira Subashi, Kreu i KQZ-së<br />në dorën e shumicës
Nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" thotë se duhet vullnet politik për realizimin e zgjedhjeve korrekte. Ndërsa në lidhje me ndryshimet në Kod, nënvizon faktin se vendi vuan për zbatimin e ligjeve, jo ligjet.

Eshtë miratuar me konsensus Kodi Zgjedhor. Sa e lehtëson punën e KQZ për menaxhimin e një procesi korrekt dhe të pakontestueshëm?
Institucioni i KQZ, ushtron veprimtarinë e tij bazuar në Kodin Zgjedhor. Ai si dhe të gjitha Kodet e tjera kërkojnë një vendim me kuorum të cilësuar për t'u miratuar, që nënkupton dhe konsesus nga pakica parlamentare. Vetëm një proces zgjedhor korrekt me Kodin sjell domosdodhmërisht një proces të pakontestueshëm. Zgjedhjet në Shqipëri s'kanë vuajtur nga cilësia e ligjit. Ligji zgjedhor në Shqipëri është certifikuar si një ligj i standardeve. Procesi zgjedhor ka vuajtur nga shkeljet e deformimi që i është bërë këtij Kodi, në zbatimin e tij. Konsesusi për miratimin e Kodit përbën një vullnet politik, vullnet i cili duhet ta ndjekë Kodin në fazën e zbatimit të tij.

Ku duhet të ekzistojë ky vullnet politik më shumë....?
Ky vullnet mendoj se duhet të ekzistojë te forcat politike, të cilat kanë peshë të konsiderueshme në procesin e administrimit zgjedhor. Një vullnet i mirë, padiskutim lehtëson punën dhe vendimarjen e KQZ. T'i kthehemi vitit 2008, kur u miratuan ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, në një klimë politike bashkëpunimi të admirueshëm. Madje në një frymë të mirë konsesusi u ndryshua Kushtetuta dhe për sistemin zgjedhor, që u aplikua në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Por ligji i miratuar me një konsesus aq të gjerë u shkel në garancitë që përbante ky Kod. Sjell në vëmendje procesin që lidhej me të drejtën e dy anëtarëve për të kërkuar rinumurim në një proces ankimor, e drejtë e detyrueshme për t'u zbatuar nga KQZ dhe që nuk votohet nga KQZ, shumica në përbërjen e KQZ e votoi e nuk e pranoi, duke deformuar ligjin. Akoma më problematik në kuptim të zbatimit të Kodit ishte procesi i zgjedhjeve të 8 Majit 2011 nga të cilat morëm një raport kritik nga vezhgimi i ODIHR. Ja që konsesusi më i mirë në miratimin e Kodit s'solli një proces korrekt, të pakontestueshëm. Uroj që Kodi i ri të mos ketë fatin e zbatueshmerisë të Kodit të vitit 2008.

Mënyra e zgjedhjes së kreut të KQZ ka ndryshuar, mendoni se është shmangur sadopak dominanca e mazhorancës mbi këtë institucion?
Në procedurën e zgjedhjes së kreut të KQZ ka ndryshim të procedurave me ligjin e mëparshëm. Ndryshimi qëndron në faktin se këtë post nuk e propozon drejtëpërdrejt partia që ka shumicën parlamentare, por që kandidatura përzgjidhet nga personat që kanë paraqitur kërkesë për këtë post. Në shikim të parë duket që kemi të bëjmë me një kandidaturë krejt të pavarur. Në fakt ky është qëllimi i ligjit. Si do realizohet, mbetet për t'u parë kur kjo procedurë të ndodhë. Megjithëatë unë mendoj se nuk është mënyra më e mirë për të patur këtë pozicion të paanshëm dhe që është prezente, dominanca e mazhorances në këtë emërim. Është prezente dominanca e shumices në emërim e s'ka si të jetë ndryshe. Votimi bëhet në Parlament e ky pozicion kaq "i lakmuar" për forcat politike, sëpaku duhet të synojë në një kandidaturë të pranuar nga palet e jo thjeshtë votim të thjeshtë. KQZ dhe veçanërisht kreu i këtij institucioni janë arbitër për të gjithë palët dhe si i tillë, minimalisht kërkon një vullnet për besueshmëri. Unë jam dyshuese se kjo mund të realizohet kështu për faktin se kam vëzhguar procesin e miratimit të Kodit e diskutimet që janë bërë për këtë çështje që ka qenë nga temat më të veshtira për zgjidhje. Gjithsesi, pavarësisht shumicës në emrim, shumë të rëndësishëm do vlerësoja personalitetin profesional dhe moral të kandidatit që do ta merrte përsipër këtë detyrë.

Dy anëtarë të KQZ në mënyrë taksative kanë të drejtën nëse e shohin se ka shkelje të kërkojnë rinumërim. Mendoni se zbatohet?
Më sipër përmenda faktin që Kodi Zgjedhor i vitit 2008 ishte i qartë si drita e diellit në këtë çështje, me kërkese të dy anëtarëve, KQZ ishte i detyruar të merrte prova apo të bënte rinumërim të votave në një proces ankimor. Në zgjedhjet e vitit 2009, gjoja me parimin se rinumurimi behet vetëm për vota të kontestuara, që ligji nuk e cilësonte kështu nuk u lejua rinumërimi, por as marrja e provave të tjera. Ndryshe ndodhi në zgjedhjet e vitit 2011. Me të njëjten dispozitë u rinumëruan votat sa herë deshi shumica, duke e shkelur dhe këtë kriter që vetë e vendosën në zgjedhjet e mëparshme. Çuditërisht, në të dy rastet Kolegji Zgjedhor i certifikoi. Meqenëse ligji u shkel, kjo e drejtë e garanci nuk u zbatua, me deformin të ligjit për të hapur rrugë zbatimit të kësaj dispozite, është shtuar që kërkesa e dy anëtarëve s'votohet. Më shumë se ligji i shkruar që patjeter është shumë e rëndësishme, zbatimi është po kaq i rëndësishëm, në mos më i rëndësishëm. Me këto ndryshime teknike për shkak të moszbatimit të ligjit, unë mendoj se nuk i shërbehet konsolidimit të praktikave zgjedhore, si një nga elementet kyç të garancive për zgjedhje të lira dhe të drejta. Shkelja e ligjit, me ndikim në rezultat, nga kushdo qoftë kërkon ndëshkim. Por askush nuk mori përsipër analizën për zgjedhjet e vitit 2011, para një raporti kritik të ODIHR-it dhe të nxirrte përgjegjësinë e shkelësit të ligjit. Si dhe më parë edhe këtë radhë u kalua me ndryshime në ligjin zgjedhor dhe u barazuan ata që zbatuan ligjin e ata që e shkelën atë, për të pritur se çdo ndodhë më 2013.

Duhet të ndryshojë tërësisht përbërja e KQZ aktuale, apo të ruhet bërthama e tyre për shkak të përvojës dhe kohës së shkurtër?
Që në vitin 2008 kur u miratua Kodi Zgjedhor, që mbylli para kohe mandatet e gjithë anëtarëve të KQZ, të cilët në atë periudhë kishin mandat 7-vjeçar, për të rikompozuar të gjithë trupën e KQZ, me një mandat 4 vjeçar, kam qenë kritike për dy arsye:
Së pari, se mandati 4 vjeçar nuk lejon ngritjen profesionale të anëtarëve të cilëve ju takon të menaxhojnë një zgjedhje të përgjithshme politike dhe një zgjedhje të përgjithshme vendore. Përveç anës profesionale, ky mandat i shkurtër nuk jep garanci paanshmërie, sepse me ngarkesat politike që mbart ky pozicion do të vështirësonte së tepërmi vazhdimësinë e së ardhmes në mbarim të mandatit të anëtarit të KQZ. Ndonëse ligji zgjedhor jep garanci për kthimin në vendin e punës së mëparshme apo në një vend të barazvlefshëm kur s'është e mundur, për anëtarët e KQZ që ju mbaron mandati duhet vullnet i një demokracie të konsoliduar, për të qenë i arritshëm. Së dyti, mbarimi i njëkohshëm i mandatit për të gjithë anëtarët, nuk lejon transmetimin e përvojes së institucionit më të rëndësishëm në vend. Dhe pse ligji parashikon të drejtë rizgjedhje, rizgjedhja është një vullnet më së shumti i partive politike për shkak të procedurave të ligjit. Institucioni i KQZ si administratori qëndror i zgjedhjeve, duhet të jetë një institucion i qëndrueshëm dhe një garanci për zgjedhjet, garanci që domosdoshmërisht e jep dhe pervoja.

Si është situata sot...?
Sot jemi para një fakti, që KQZ, kuptohet anëtarëve ju mbaron mandati njëkohësisht, dhe ju më pyesni si do jetë përzgjedhja e anëtarëve. Anëtarët që do zgjidhen do jenë të gjithë jashtë emrave të sotëm apo do ketë rimandatim dhe nga ata që e kryejnë sot këtë funksion? Pa asnjë mëdyshje që do duhen KQZ, pse jo edhe shumicë, personalitete që kanë kryer këto detyra, që njohin dhe kanë përvojë në menaxhimin e zgjedhjeve, qofshin këta nga trupa ekzistuese apo të tjerë që kanë kryer këto detyra dhe mund të rikthehen. Një trupë e gjitha e re e pa përvojë, pse jo dhe në mungesë të kualifikimit për efekt të kohes deri në zgjedhjet e vitit 2013, do të përbënte pasiguri për një proces zgjedhor. Zgjedhja e trupës së re të KQZ ndoshta do përkojë dhe me dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve e me këtë periudhë zgjedhore fillon direkt përgatitja për nxjerrjen e akteve. Por në zgjedhjet e ardhshme do aplikohen në dy zona të mëdha zgjedhore projektet pilot për numërimin elektronik e indentifikim elektronik, që kërkojne njohuri të posaçme, sepse aplikohen për herë të parë. Nuk duhet harruar sipas Komisionit të Venecias KQZ s'ndryshon një vit para zgjedhjeve si një garanci për miradministrimin zgjedhor.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City