Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik: Hetuesi i tha, ti me dy shokët e tu, Stefan Gjokën e Gjergji Panon keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidrocentralit

Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik: Hetuesi i tha, ti me dy shokët e tu, Stefan Gjokën e Gjergji Panon keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidrocentralit

Robert Krasta, e kishte bërë zakon që në çdo përvjetor të prindërve, të shkonte në varreza dhe të vendoste një tufë me lule, mbi varrin e tyre. Vështronte fotografinë e stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon, kishte kohë që e kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo, mund të ishte ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte.

Vringëllima e çelësave dhe zhurma e llozit që hapej u dëgjua në qelinë ku ishte mbyllur Agroni. Porta u hap dhe para tij, u shfaq një roje që nuk e kishte parë ndonjë herë.

– Më quajnë Isuf. Tani e tutje do kesh të bësh me mua. Eja! – i tha.

I vendosi prangat në duar dhe duke e kapur për krahu, e shoqëroi në një zyrë që ndodhej në katin e dytë. Ishte zyra e hetues Demirit. Mbi tryezë, ishte një kalendar. Agroni vuri re se ai, shënonte datën 10 nëntor. Sipas llogarisë së bërë, kishte pesëmbëdhjetë ditë që ishte arrestuar. Kjo kishte ndodhur në ditëlindjen e Iridës, që e festuan më 26 tetor.

Pra, kishte pesëmbëdhjetë ditë i mbyllur në atë qeli të errët ku, nuk dalloje dot nëse, ishte ditë apo natë dhe ku humbisje nocionin e kohës. Në murin përballë, ishte një orë që shënonte një pa një çerek. Hodhi vështrimin nga dritarja dhe pa se ishte errësirë. Kishte kaluar mesnata.

Ndërkohë hyri hetues Demiri dhe u ul në karriken prapa tavolinës.

– Zgjidhe! – i tha Isufit.

Ai i hoqi prangat dhe, pasi mori një shenjë nga hetuesi, u largua.

– Ulu! – iu drejtua Agronit

Ai u ul dhe po priste ç’do të ndodhte.

– A e di pse je arrestuar?

– Jo.

– Akuzohesh se; je bashkuar me një grup që kërkonte të organizonte sabotime në ndërmarrje, për terrorizëm dhe për agjitacion e propagandë.

– Kjo është fantazia juaj.

– Të këshilloj të jesh më i sinqertë në përgjigjet. Mos e rëndo më tepër akuzën…!

– Kurse unë ju deklaroj se; të gjitha ato që thatë, nuk janë veçse pjellë e fantazisë suaj.

– Mos kujto se, do na hedhësh hi syve me ato që deklaron? I pranon apo jo, ne nuk na intereson shumë. Kemi prova të shumta dhe dëshmitarë, të gatshëm të deponojnë përsa thashë më lart.

– Atëherë pse nuk i paraqitni ato prova kaq të sigurta?

– Sonte vajti vonë. Të kam thirrur vetëm të të deklaroj se, akuzohesh se së bashku me dy shokët e tu, Stefan Gjokën, Gjergji Panon, si dhe disa shokë të tjerë, keni organizuar hedhjen në erë të turbinës së re të hidrocentralit dhe pas kësaj, së bashku me familjet tuaja, do arratiseshit në Jugosllavi. Akuzoheni se, një veprim të tillë, do e bënit sipas udhëzimeve që keni marrë nga KGB-ja sovjetike, në shërbim të së cilës, je vënë qysh kur ishe student në Bullgari.

– Përralla me mbret.

– Po të le tri ditë kohë të mendohesh. Të këshilloj të pranosh akuzën, ashtu siç e kanë pranuar dhe të tjerët.

– Ndaj më mbyllët në atë qeli mesjetare, që të më detyronit të pranoja akuzat fallco?

– Për të hedhur poshtë hamendjen tënde, po të them se, tani do qëndrosh në një qeli tjetër.

– Dua të takoj kryetarin. Më shpini tek ai.

– Ai është me shërbim. Nuk ka kohë të takohet me ty. Vure mirë ndër mend, që, nga çasti i arrestimit, je i pandehur dhe mos bilbilos aq shumë.

I ra një zileje që ndodhej mbi tryezë dhe në zyrë hyri Isufi.

– Shpjere në qelinë numër shtatë.

Isufi i hodhi prangat dhe e mori për krahu, për ta shoqëruar ku e urdhëroi hetuesi. Qelia ku e futën, ishte më e madhe. Në portë kishte një dritare të vogël me hekura. Në njërën anë, ishte një shtrat ku, ishte vendosur një dyshek mbushur me kashtë, një jastëk po me kashtë dhe një batanie.

Në një cep ishte një qyp mbuluar me një copë dërrasë.

– Po të kesh nevojë, bëje në qyp, – i tha roja, – në nevojtore shkohet një herë në ditë, në mëngjes.

Qelia ndriçohej nga një llampatinë që shndriste në tavan. Agroni u shtri në shtrat dhe u mbulua me batanije. Edhe pas pesëmbëdhjetë ditësh që ishte arrestuar, shpirti ende i ziente si vullkani pas shpërthimit. Mali i akuzave që i kishte hedhur Demiri, e shtypnin si një gur i madh që s’mund ta ngrinte dot dhe i zihej fryma.

Ndjente se ndodhej para një kërcënimi të madh, pasojat e të cilit, mund të ishin të tmerrshme. Dobësia që e kishte kapluar, bëri që t’i mbylleshin sytë. Por edhe gjumi ishte i trazuar. Në ëndërr i shfaqeshin pamje rrëqethëse.

Porta u hap dhe Isufi, hyri përsëri në qeli.

– Ngreu të kryesh nevojat personale.

Ishte ende i përgjumur. Pesëmbëdhjetë ditë, pothuajse pa gjumë dhe tani që ndodhej në shtrat, i kërkonin të ngrihej. Edhe gjumi, megjithëse shumë i trazuar, paskësh qenë i ndaluar aty në qeli.

– Faleminderit, nuk kam nevojë.

– Më vjen keq, por po të them se, më prapa nuk mund të dalësh. Prandaj të këshilloj të mos humbësh rastin.

– Më lini të qetë në hallin tim ju lutem. Ju thashë që nuk kam nevojë.

– Bëj si të duash, unë të dola borxhit.

Porta u mbyll. Agroni ra përsëri në një gjumë të thellë. Por pasi kishte kaluar një farë kohe, porta u hap përsëri dhe u shfaq Isufi me tasin e gjellës.

– Ngrehu të hash bukë.

Por ai donte të flinte, vetëm të flinte dhe të mos e zgjonte askush. Nuk donte as bukë dhe as gjellë.

– Përse m’u qepët si monomaridhja? Ju lutem më lini të fle i qetë. Dua vetëm gjumë.

Isufi e kuptoi gjendjen e tij. La tasin e gjellës në qeli dhe u largua. Pas disa orësh, kur ishte ngopur me gjumë, Agroni u zgjua. Zorrët po i bënin grevë. Pas gjithë asaj çlodhjeje nga pagjumësia, e kishte marrë uria. Sytë i vajtën te tasi i gjellës. E mori dhe në pak minuta e mbaroi të gjithë. Mendja i fluturoi larg, atje ku i dhimbte zemra, te familja e tij, te nënë Gjyla, te Lumtua dhe natyrisht te Irida. Çfarë bënin tashti? Nuk jepte dot përgjigje. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Ajo ishte një enigmë që nuk e zgjidhte dot.

Iu kujtua biseda që kishte bërë me hetues Demirin. Ai i kishte folur për, Stefanin dhe Gjergjin, për agjentura sovjetike dhe nuk e di se çfarë tjetër. Agroni kishte dëgjuar se Sigurimi i Shtetit, përdorte lloje torturash të ndryshme, për ta detyruar të burgosurin të pranonte ato që kërkonte hetuesi. Deri tani, përveç izolimit në atë qeli të errët, që ndriçohej herë pas herë nga një prozhektor i fortë dhe etjes së madhe pas ngrënies së një ushqimi me shumë kripë, nuk kishte provuar tjetër lloj torture.

Kishte dëgjuar për rrymë elektrike, për vendosje vezësh të porsa ziera nën sqetull, për shpuarje me gjilpërë në thonjtë e gishtërinjve, për kryqëzim si Jezu Krishti në ganxhat e vendosura në mur, që i kishte parë në qelinë e tij dhe lloje të tjera torturash. Deri tani këto ende nuk ishin provuar mbi të. Dyshonte se në të ardhmen, do të përdoreshin. Megjithatë, e kishte vendosur se nuk do të pranonte ato akuza të rrejshme edhe sikur, t’ia prisnin mishin me gërshërë.

Me këto mendime e zuri gjumi përsëri. Ishte dobësuar jashtë mase dhe trupit të tij të drobitur nuk i mbetej gjë tjetër veçse të pushonte në gjumë, ku gjente  pak  qetësi, si ajo që po shijonte në ato çaste.

Kryetari i Degës, Petriti, qëndronte në zyrën e vet dhe jepte urdhra. Hetuesit hynin dhe dilnin njëri pas tjetrit. Merrnin udhëzimet e rastit dhe largoheshin. Ishte zyra ku gatuheshin të gjithë skenarët, që do të zhvilloheshin. Me pak fjalë, ajo zyrë ishte truri i të gjithë asaj godine që, sipas Kushtetutës së vendit, ishte mbrojtësja e interesave të pushtetit të popullit.

Çdo gjë, që më vonë zbatohej nga hetuesit, përgatitej më parë në atë zyrë. Asnjë prej tyre, nuk guxonte të vepronte me iniciativë. Përndryshe, mund ta paguante me kokën e vetë. Hetuesit ishin manekinët, ndërsa kryetari, regjisori i tyre. Ky ishte ligji i kohës dhe askush nuk mund ta kundërshtonte.

Atë ditë po lexonte një udhëzim sekret të Ministrit të Brendshëm, sipas të cilit, udhëzoheshin të gjitha Degët e rretheve, të shtonin vigjilencën kundër shfaqjeve të huaja. Në udhëzim, thuhej se; duke përfituar nga tradhtia e disa udhëheqësve, që ishin vënë në shërbim të spiunazheve imperialisto — revizioniste (dhe përmendeshin emrat e tyre), kishin filluar të shfaqeshin dukuri negative në kulturë dhe në fusha të tjera, si në ekonomi, ushtri e të tjera.

Sipas udhëzimit, një frymë liberalizmi i palejueshëm kishte filluar të përhapej në vendin tonë. Në fund, theksohej se; nuk duhej patur mëshirë kundër kujtdo që i kundërvihej vijës së Partisë dhe mësimeve të shokut Enver.

Trokiti dera.

– Hyni!

Në zyrë hyri hetues Demiri.

– Më falni që ju shqetësoj, – tha ai, –  e di që keni shumë punë dhe shqetësimi im mund t’ju pengojë në punën tuaj…!

– Flisni çfarë keni dhe mos e zgjasni shumë me hyrje.

– Po ja shoku kryetar, ai Agron Canaj, nuk pranon asnjë akuzë.

– E pastaj?

– Nuk e di si të veprojë. Mendoj të arrestojmë dy shokët e tij.

– Pa deponimin e tij? Në asnjë mënyrë. Ju duhet të gjeni mënyrën për t’ia nxjerrë atë deponim. Mjetet i keni të gjitha, kush ua ka ndaluar dorën?

– Kam menduar një metodë tjetër, por më duhet miratimi juaj.

– Çfarë metode?

Thirrje familjarëve të tij, e gruas për shembull dhe presioni në sy të tij, për ta detyruar të flasë.

– Se çfarë metode do përdorësh mua pak më intereson. Mua më duhet vetëm rezultati. Tani shko dhe mos më eja më për të tilla probleme.

Demiri u largua pa hapur më gojë. Kryetari ia kishte prerë si ai druvari që i pret drutë me një sëpatë. Megjithatë, edhe një farë lirie i kishte dhënë. Në fund të fundit, i kishte thënë se, mund të bënte ç’të donte me të. Tashti mbeteshin në duar të tij se çfarë metode do të përdorte.

Fatin e Agronit tashmë e kishte plotësisht në duar. Në mendje filluan ti vijnë gjithfarë mënyrash torturimi. Një pjesë prej tyre, i kishte parë në një film që u kishin shfaqur në kursin e hetuesisë në Tiranë. Aty bëhej fjalë për metodat naziste të torturimit. Ato metoda do përdorte edhe ai. Po të mos kishte rezultat, si do të bënte? Mendjes së tij djallëzore i shkrepi një ide. Buzëqeshi dhe mendoi se ky ishte varianti më i mundshëm që mund t’i jepte atë që dëshironte. Përveç të tjerave, ishte një variant që do t’i jepte edhe një kënaqësi. E ndjeu veten më të lehtësuar në djallëzinë e tij.

Karakteret e njerëzve janë të ndryshme. Ata më stoikët e ruajnë karakterin e tyre gjatë gjithë rrjedhës së jetës. Sido që të zhvillohen ngjarjet, në çfarëdo lloj kushtesh që të ndodhen, ata do t’i gjesh gjithmonë të palëkundur, në bindjet e tyre. Stoicizmi i tyre bënë që të durojnë çdo lloj presioni ose torture, fizike dhe psikologjike, që mund të ushtrohet ndaj tyre.

Të tjerë janë ose elastik, ose të thyeshëm. Ata dinë të përshtaten në çdo lloj mjedisi dhe nuk e kanë për turp që pështymën e sotme, ta lëpijnë nesër. Janë të gatshëm që pasi të të kenë lëvduar deri në qiell, kur të biesh nga kali, të të hidhen sipër me mijra mallkime dhe epitete nga më të ulëtat. Me pak fjalë, janë një lloj kameleoni që ndërron ngjyrën e lëkurës sipas rrethanave ku ndodhet.

Këta janë dy karakteret kryesore që hasim çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve tona. Por ka edhe një tip tjetër, një tip i veçantë nga dy të parët. Ata nuk janë as stoik si të parët dhe as elastik si të dytët. Te ata, është kultivuar ndjenja e urrejtjes që ua ka verbuar sytë dhe shkatërruar ndërgjegjen. Urrejtja është e vetmja ndjenjë që, zotëron zemrat e tyre.

Dhe kjo ndjenjë i bën që të jenë egoistë, sadistë, barbarë, të gatshëm të përdorin çdo lloj mjeti për të realizuar dëshirat e tyre, që në të shumtën e rasteve janë jashtë çdo norme të shoqërisë njerëzore. Janë tipa të etur për të thithur gjak bashkëqytetari. Gjaku është ushqimi i shpirtrave të tyre të zinj. Në këtë kategori njerëzish bënte pjesë, për fatin e keq të Agronit, edhe hetuesi i tij, Demiri.

Me këtë ndjenjë doli nga zyra e kryetarit dhe filloi të stërhollonte në mendjen e tij metodat e Satanait që do të përdorte. I mendonte dhe, pa vetëdijen e tij, mbi buzët ravijëzohej një buzëqeshje ironike dhe triumfale. Hamendësonte çastin kur do të thyente krenarinë e të burgosurit dhe ndiente një kënaqësi gati fizike për këtë. Iu duk, një ide e mrekullueshme, ajo shpikje cinike e një njeriu që nuk njihte asnjë normë morali.

– Ç’ke që qesh me veten tënde, more derdimen? – dëgjoi zërin e Operativ Ilias,, të ngjashëm në karakter dhe moral me të si dy pika uji.

– Sa mirë që të takova! Eja këtu se dua të të them diçka. Kemi në duart tona një gjah të majmë.

U takuan të dy dhe filluan të bisedojnë. Sytë u shndërrimin si hienave në errësirë. Fërkonin duart sikur të kishin shpikur gjënë më të çmuar të botës.

– Eja shkojmë ta festojmë, – tha Demiri.

U nisën dhe u futën në një kafene.

– Dy dopio raki dhe dy bërxolla, por shpejt se nuk kemi kohë.

Kamarieri solli porosinë dhe u largua. Shkoi te banaku dhe i tha banakierit:

– Erdhën prapë këta dy kalecët. (Kështu quheshin në zhargonin popullor punonjësit e Sigurimit të Shtetit).

– Bobo, ç’i dëgjon daullet e tyre!

Megjithatë ishin të detyruar t’i dëgjonin. Të gjithë i njihnin dhe e dinin se ku punonin. Një gjë e tillë i bënte të paprekshëm. Askush nuk guxonte t’u dilte përpara. Dy persona që po pinin në një tryezë aty pranë, u ngritën dhe u larguan sapo ata kishin filluar të pinë. Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja