‘Dezertimet'/ Largohet nga drejtësia gjyqtari që shpëtoi Bashën nga burgu

Ka shkuar në katër numri i ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë vendosur të braktisin sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë deri në korrik të vitit 2017, nuk ka pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit, duke u larguar nga sistemi i drejtësisë. Muskaj është emëruar në Gjykatën e Lartë në datë 08.07.2008, nga Partia Demokratike në Parlament. Në datën 10.04.2009, Aleksandër Muskaj ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpëtoi Lulzim Bashën nga ndëshkimi për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, ku u shpërdoruan rreth 230 milionë euro.

Kolegji Penal që shpëtoi Bashën me procedurë kryesohej nga Spiro Spiro, ndërsa pjesë e tij ishin Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Që të pestë gjyqtarët kanë firmosur pushimin e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, në cilësinë e personit nën hetim si ish-ministër i Transporteve. Asnjë nga pesë gjyqtarët sot nuk shërbejnë në drejtësi. Besnik Imeraj u emërua më pas nga PD në mars të 2013 në Gjykatën Kushtetuese, por u largua nga kjo gjykatë në 31 janar 2018, duke evituar Vetingun. Ai mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, por nëse qëndronte duhet të kalonte në skenarin e Vetingut. Pas largimit, KPK ndërpreu procesin e Vetingut ndaj Imerajt, i cili për 15 vjet nuk mund të emërohet në sistem.

Largimi
Në datën 31.07.2017, Aleksandër Muskaj, fillimisht ka dorëzuar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Ndërkaq, në datën 16.11.2018, ka depozituar në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë kërkesën për heqjen dorë nga statusi i magjistratit, pra për t’u larguar nga sistemi. Por, Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që iu mbaron mandati gëzojnë të drejtën për t’u caktuar në pozicionin e parë që publikohet i lirë në nivel Apeli.

Nisur nga ky parashikim ligjor, Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar me shkrim subjektit të rivlerësimit, z. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë për realizimin e të drejtës së caktimit në një pozicion në nivel gjykate apeli sipas parashikimeve ligjore. Në përgjigje të kësaj shkrese, Aleksandër Muskaj, ka protokolluar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, heqjen dorë nga statusi i magjistratit. Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për z. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Vendimi i KPK  
Nisur nga ky vendim i KLGJ, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ditën e djeshme, ka vendosur të ndërpresë procesin e Vetingut për Aleksandër Muskajn. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit...vendosi: Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Aleksandër Muskaj, është ndërprerë. Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Ky vendim u njoftohet: subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të tij dhe duhet të dorëzohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, thuhet në vendim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vlora 912: 11/07/2019 18:39

    Gjithe Vlora e njeh Sander Muskajn, dordolecin e PeDese qe ne vitin 1997 u strehua ne Afriken e Jugut se bashku me te shoqen Alden nga frika e ndonje hakmarrje per parate qe kerkonte para cdo gjyqi ky pis. Kthehet ne 1998 dhe ju be ferre Muharem Kushes per ta marre ne Tirane gjyqtar ne Gjykaten e Apelit. E morri Rrema pasi i morri nje dore te mire parash. Me pas duke luajtur gurret me miqte e vet pede-iste shkoi ne Gjykaten e Larte. Eshte personifikim i juristit te paafte, dallaverexhi dhe hajdut i paskrupull. Ka marre para me thase prandaj i shmanget Vettingut. Turp e faqja e zeze kush ka qene antar i Gjykates se Larte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit

Opozita jugkoreane me mocion për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së presidentit