VLORË- Granit Pepnikaj, bosi i një rrjeti mashtrimi përmes Call-Center, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës është arrestuar sot në një resort luksoz në Dhërmi. Operacioni u krye nga Policia e Vlorës dhe Forca Operacionale të cilat rrethuan vilën lukoze në të cilën fshihej tropojani Pepnikaj, i cili sipas burimeve të Report Tv nuk bëri rezistencë në momentin e prangosjes.
29-vjeçari Pepnikaj kërkohej që prej majit 2026, pasi Gjykata e Tiranës i caktoi masën "arrest me burg" për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash. Në pranga ka përfunduar edhe anëtari tjetër i rrjetit i shpallur në kërkim, 31-vjeçari Xhoni Hitaj me po të njëjtën akuzë nga Gjykata e Tiranës.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se organizonin rrjetin e call centerave që mashtronte qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të bursës. Hetimet 2-vjeçare të prokurorisë së Tiranës zbuluan se rrjeti arriti t’i zhvasë rreth 50 milionë euro qytetarëve europianë.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, Xhoni Hitaj, administronte 2 call center-a mashtrues të goditur më 13 prill 2026 nga prokuroria, policia dhe partnerët austriakë. Njëri pranë qendrës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Kavajës, “Upstream creative” dhe tjetra pranë Kopshtit Zoologjik, “Magnolia Group”. Në QKB në emër të tij ka edhe subjekte të tjera, por hetuesit dyshojnë se janë fiktive.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronte Pepnikaj me bashkëpunëtorin Hitaj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Në momentin e arrestimit të dy të kërkuarve, u kap në flagrancë, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", edhe 28 vjeçari Redion Rexhmati nga Tirana.
Nga hetimet rezulton se Pepnikaj zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë "Gama Media Communication", themeluar në korrik 2021 me Jurgen Melën.
"Kapen në Drimadhë dy shtetas të shumëkërkuar, të shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, të dyshuar për përfitimin e shumave të mëdha monetare nëpërmjet skemave të call center-ave. Vihet në pranga edhe një shtetas për përkrahje të autorit të krimit.Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.Si rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Rrjetet".
Në kuadër të këtij operacioni, mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim. Shtetasi G. P., 29 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik". Shtetasi Xh. H., 31 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", si i dyshuar për veprën penale "Mashtrimi kompjuterik". Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa. Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit", shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë", njoftoi Policia.
Kur u godit rrjeti i Call Center-ave mashtrues?
Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues u krye në prill të këtij viti pas një hetimi dy vjeçar me të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake.Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.
Qëllimi i mashtruesve në këto 3 call center, ishte të piketonin qytetarë europianë të cilët i kishin humbur paratë në skema të tilla. Operatorët premtonin se mund t’i rikuperonin paratë që ata kishin humbur. Veçse për ta bërë këtë, do duheshin pagesa, nga 1 mijë euro. Pra skema fillonte me 1 mijë euro për të rikuperuar 10 mijë euro të humbura, përshembull, por gjatë procesit mashtruesit kërkonin edhe shuma të tjera parash. Qëllimi: T’i merrnin personave të mashtruar një herë, edhe qindarkat e fundit që u kanë mbetur.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Granit Pepnikaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua sot në një resort në Dhërmi. Në këto pamje mund të shihet momenti i operacionit nga Policia e Vlorës dhe Forca Operacionale, të cilat rrethojnë një vilë luksoze në Dhërmi në të cilën ndodhej Pepnikaj, i cili sipas burimeve nuk bëri rezistencë.
Pepnikaj kërkohej që prej majit 2026, pasi Gjykata e Tiranës i caktoi masën "arrest me burg" për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Komente









