Dhjetë të pasurit e Henri Çilit?
Gazeta zbulon kopjimet në Google

Dhjetë të pasurit e Henri Çilit?<br />Gazeta zbulon kopjimet në Google

Pak ditë më parë në mediet shqiptare u përhap me shpejtësi një studim, i cili sillte në vëmendje 10 personat më të pasur në vendin tonë. Lista bënte pak përshtypje pasi çështë e drejta qarkullon nëpër medie që prej vitit 2009, por vinte thuajse identike edhe në studimin e ri, por me një ndryshim të vogël. Për shembull, ishte hequr nga lista emri i pronarit të “Universitetit Kristal” dhe ishte zëvendësuar me një tjetër biznesmen milioner. Kjo listë u prezantua me një ceremoni të veçantë, ishte një punim dhe hulumtim i atij që quhet “Fondacioni për Lirinë Ekonomike”. Vërejmë se ky Fondacion është pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, në pronësi të Henri Çilit. Madje është pjesë e një kolone tejet të rëndësishme të këtij universiteti. Në bazë të të dhënave publike që universiteti në fjalë ofron, rezulton se “Fondacioni për Lirinë Ekonomike”(FLE) është pjesë e strukturës së projekteve dhe të fondit të këtij universiteti për kërkimin shkencor.

Këtu, tregohemi edhe më të vëmendshëm.  Jo vetëm pse jemi në hullinë e një reforme universitare që e ka shpallur prioritet kërkimin shkencor, por mbi të gjitha sepse është tejet interesante të shikosh listën e miliarderëve shqiptarë, të ardhur nga korridore akademike, që si rregull duhet të jenë tejet rigoroze dhe serioze, apo jo?  Ndaj dhe nisim e shohim me kujdes raportin e përgatitur nga FLE.
 
Një vëzhgim në makro...
Raporti në hyrje të tij shpalos disa të dhëna të marra nga organizata ndërkombëtare, të cilat lidhen me treguesit ekonomikë të vendit. Këto të dhëna i referohen në mënyrë korrekte këtyre organizatave ndërkombëtare. Më pas raporti ofron disa të dhëna të tjera, për sektorë të veçantë të ekonomisë në Shqipëri. Duket që puna hulumtuese e ekipit të ekspertëve të fondacionit ka qenë e gjithanshme. Por nëse këto tregues që gjenden në raport i bëjmë ‘copy-paste’ në ‘google’ na rezulton se janë marrë nga raporti i përvitshëm i Bankës së Shqipërisë mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Pra ndonëse pretendon që të orientojë një punë shkencore dhe hulumtim që sjell risi në prezantimin e gjendjes ekonomike të vendit, pjesa e parë e raportit të këtij fondacioni, na shfaq vetëm disa materiale të kopjuara nga raportet e FMN, Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, të cilat janë publike për këdo, madje të njëjtët paragrafë janë botuar dhe në disa medie shqiptare.

Për shembull, në raportin e Fondacionit gjendet paragrafi:
 
“Tkurrja e aktivitetit të hoteleve dhe restoranteve drejtoi rënien e vlerës së shtuar të shërbimeve, duke e zvogëluar atë me rreth 0.8 pikë përqindje. Megjithatë, edhe vlera e shtuar nga aktivitetet e tregtisë, transportit, postë-komunikacionit e shërbimeve të tjera rezultoi më e ulët krahasuar me një vit më parë.
Aktiviteti i zhvilluar në shërbimet e tjera regjistroi rënie vjetore të vlerës së shtuar me 0.5%, pas zgjerimit modest të shënuar në dy tremujorët e parë të vitit. Ndërkohë, vlera e shtuar nga shërbimet e tregtisë, transportit, postës dhe komunikacionit frenoi ritmet e rënies vjetore në përkatësisht 1.6%, 4.2% dhe 1.2%. Në tremujorin e katërt, përmirësimi i ndjeshëm i nivelit të besimit të bizneseve sugjeron për një ndërprerje të mundshme të tendencës rënëse të sektorit të shërbimeve”.
 
I njëjti paragraf (identik pa lëvizur presja) mund të gjendet dhe në faqen elektronike të revistës së specializuar “Monitor” dhe që daton që prej shkurtit të këtij viti. Ky paragraf ishte vetëm një shembull, pasi të gjithë paragrafët ku shpjegohet situata ekonomike në këtë studim, rezultojnë se janë marrë copy-paste. Pra është rrasur hulumtimi dhe kërkimi shkencor i të tjerëve në studim dhe kaq. Asnjë element i ri në lidhje me situatën ekonomike të vendit apo me sfidat dhe vështirësitë që po shfaqen.  Nuk qenka dhe aq punë e vështirë kërkimi dhe hulumtimi shkencor kur e mendon, apo jo?
 
Një vëzhgim në mikro
Por të dhënat ekonomike të vendit ishin një si tip aperitivi i këtij raporti, pasi synimi i vërtetë i raportit të këtij Fondacioni të UET-së, ishte diku tjetër, ishte tek lista e 10 njerëzve më të pasur në Shqipëri. Duhet thënë se është një hap i guximshëm, ambicioz, kur mban parasysh nivelin e lartë të informalitetit që ekziston në vendin tonë. Nisur nga situata, logjika ta do që këtu nuk kanë vepruar copy-paste, se duhen bërë ca llogari, ca hulumtime, ca hesape. Raporti shpalos se ka ndjekur të njëjtën metodologji të revistës së njohur ndërkombëtare “Forbes” në përllogaritjen e listës së më të pasurve. Heu bre! Duhet të kenë aplikuar standarde vërtetë rigoroze dhe metodologji tepër efikase dhe shkencore nëse vërtetë i referohen “Forbes”-it, apo jo?  Le të shohim më në detaje se çfarë thotë Fondacioni i z.Çili për metodologjinë e përdorur, raporti sqaron se:
 
“-Analizohen kompanitë me xhiron më të madhe
-Matricë me individët të lidhur me to
-Peshë fitimi vjetor i kompanive i deklaruar
-Peshë kapitali i regjistruar në QKR
-Performanca historike e kopamanive, (merret parasysh efekti i krizës në industri)
-Pyetësor me analistë të industrive si dhe funksionarë shtetëror
 
Përjashtohen:
-Përjashtohen Bankat
-Nuk janë marrë parasysh detyrimet që kanë kompanitë ndaj shtetit apo kreditë bankare.
-Nuk janë përfshirë në vlerësim asete të tjera në zotërim të sipërmarrësve si pasuri personale, e patundshme etj.”
 
Pra ekspertët e Fondacionit në fjalë në hulumtimin e tyre për të gjetur 10 zengjinët më të mëdhenj të Shqipërisë kanë bërë disa përjashtime. Le të bëjmë një krahasim tani se çfarë thotë “Forbes” për metodologjinë që ai përdor.
Për Bankat që Fondacioni i Çilit nuk i ka pyetur fare-, “Forbes” nga ana e saj sqaron se i konsideron një nga parametrat më të rëndësishëm të paketës së të dhënave, si për të identifikuar qarkullimet e kompanive, ashtu dhe për të identifikuar pasuritë personale të biznesmenit të futur në listë.

Për detyrimet e kompanive ndaj shtetit ose bankave(Borxhet), që Fondacioni nuk i ka marrë fare parasysh, “Forbes” nga ana e saj sqaron se i kushton një hulumtim special faktorit të borxheve. E konsideron borxhin si një parametër “delikat” të studimit dhe si një faktor kyç për të bërë hesapet revista prestigjioze, por studimi i ekspertëve të Fondacionit në Tiranë, ndoshta nuk ndajnë të njëjtin mendim me ekspertët amerikanë të cilëve u referohen. Fjala vjen, nëse një biznesmen/kompani ka një xhiro vjetore prej 10 milionë dollarësh, në studimin e Çilit, mbahet parasysh vetëm xhirua, sepse ndoshta nuk ka rëndësi nëse i njëjti biznesmen, në të njëjtin vit, i duhet t’i paguajë bankave vetëm këste kredie 7 milionë dollarë. Pra borxhi bankar dhe ai shtetëror i biznesmenit/kompanisë nuk luan asnjë efekt në kërkimin hulumtues-shkencor të Fondacionit të Çilit. Nejse, vazhdojmë.

Raporti sqaron se nuk ka marrë fare në konsideratë pasuritë personale, pronat e patundshme etj të biznesmenëve. Por “Forbes” nga ana e saj, sqaron se këtij aspekti pasuror të personazheve të veta i kushton shumë investigime dhe investim në sigurimin e informacionit, pasi ashtu siç edhe neoliberalët kanë qejf të shprehen: Bota po bëhet gjithnjë e më e vogël. Që do të thotë se një biznesmen që ka 15 milionë euro prona jashtë vendit dhe 2 milionë euro kapital brenda vendit, nuk mund të klasifikohet me pasuri 2 milionë euro, apo jo?
 
Sikundër tregon krahasimi i metodologjisë së përdorur nga Fondacioni i Çilit(i cili i referohet posaçëm Forbes-it, ) me vetë metodologjinë që “Forbes” e ka të shpallur, figuron se studimi dhe raporti i Fondacionit shqiptar ka neglizhuar në mënyrë të shpallur ato 3 parametra të studimit, të cilat “Forbes” nga ana e saj i konsideron si bazike dhe me rëndësi të padiskutueshme.
 
Në këto kushte lind pyetja: Po çfarë kanë studiuar ekspertët e këtij Fondacioni? Çfarë kanë hulumtuar shkencërisht dhe profesionalisht  ata për të ardhur sa më pranë të vërtetës?
 
Rezulton se ata kanë bërë vetëm dy veprime që çdo shkencëtar dhe hulumtues do i kishte zili:
a) Kanë marrë një listë të bizneseve VIP nga Drejtoria e Tatimeve
b) Janë futur në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit(QKR) në internet dhe kanë tërhequr të dhënat e aksionarëve të kompanive. (Vini re, sa grante dhe financime duhen për të bërë diçka kaq elementare?!)
Kanë parë xhirot dhe deklarimet e kompanive dhe kanë shpallur listën e disa prej aksionarëve të këtyre kompanive. Në krye të listës si më të pasurin, ata kanë renditur Samir Manen, pronarin e njohur të rrjetit të kompanive “Balfin Group”. Bazuar dhe në ekstraktet e QKR-së, ashtu rezulton, por ekspertët e Fondacionit pavarësisht aftësive të spikatura në hulumtim, kanë harruar një detaj të “vockël”: Nuk është “Balfin Group” kompania mëmë që ai kontrollon. Pasi “Balfin Group” është rubineti i kompanive të Manes brenda Shqipërisë, por vetë “Balfin” është pjesë e një kompanie tjetër, e cila është e regjistruar në Vienë dhe që quhet “Alba Trade”. Kësaj kompanie vjeneze, në raportin e Fondacionit të Çilit, nuk i del emri gjëkundi. Ndoshta atje tek letrat në Vjenë, Samiri mund të rezultojë vetëm një aksionar modest dhe të jenë të tjerë lojtarë ata që kontrollojnë paketën e këtij kapitali? Kjo, sa për shembull. Por mos ndoshta na u bënë shumë mungesa bazike në këtë raport shkencor të çunave të “Fondacionit”?
 
Në vend të epilogut...

Në dukje, pra, një fondacion i UET në pronësi të z.Çili, ka kapur standarded e Forbesit dhe po na ndriçon me listën e më të pasurve në Shqipëri, por me një shqyrtim elementar që i bën të dhënave të këtij raporti kupton se bëhet fjalë për një ‘studim’ fiktiv, të pavërtetë, me plagjiaturë.
Ndaj dhe duke parë këtë ‘studim’ dhe shpalljen pompoze të tij, natyrshëm lind pyetja: Pse e bëjnë? Çfarë duan të tregojnë? Përse kanë nevojë që të gjithë këtë kllounëri shkencore ta shesin si hulumtim ambicioz në Shqipëri?
Ka shumë gjasa që arsyet të gjenden tek nevoja që ka Universiteti i Çilit, Zyra e tij e Financimit të Kërkimeve Shkencore dhe Projekteve, për të treguar pikërisht në këto momente, se UET dhe Çili sjellin produkte ambicioze në fushën e kërkimit shkencor dhe profesional.

Aktualisht është duke u kryer reforma në Arsimin e Lartë dhe “financimi shtetëror për kërkimin shkencor” është një nga pikat ku z.Çili dhe enturazhi i tij në UET po vënë theksin. Pra duan nga paratë e shtetit që të bëjnë ‘kërkime shkencore’ në UET. Kërkime profesionale, liberaliste-europeiste, si ky studim për “10 milionerët e Fondacionit” që çdo ekspert do e kishte zili, përfshirë dhe ata të Forbes-it.
A e kanë parasysh zyrtarët e ministrisë së Arsimit, se në çfarë standardi bëhen punimet shkencore në Shqipëri? Ka ndonjë mekanizëm si kontrollohen ato para se të mendojnë për t’i financuar? Rezulton se kryesuesi i grupit shtetëror të ekspertëve për Reformën në Arsim, Arjan Gjonça, e ka një ide për nivelin e kërkimit shkencor që bëhet nga universiteti dhe fondacionet e Çilit.
Në nëntorin e vitit 2013, Gjonça ishte i ftuar në UET, gjatë një aktiviteti ku u shpall me pompozitet(njësoj si me listën e e milionerëve), nisma e UET për të financuar kërkimin shkencor. Në fund të këtij aktiviteti, zyrtari shtetëror që drejton reformën universitare, z.Gjonça, gati sa nuk ishte mrekulluar.

I pyetur nga media MAPO(në pronësi të Çilit, tashmë e kthyer në Fondacion), mbi këtë aktivitet Gjonça është shprehur:
 
“Jam i lumtur veçanërisht se për aspektin më të rëndësishëm të jetës akademike, atë të sponsorizimit të punës kërkimore, ekziston një universitet shqiptar që e ka futur në sistem. Pashë një standard të lartë nga një universitet shqiptar dhe pata zhgënjim pozitiv”

Interesant zoti Gjonça apo jo? Mjaftoi vetëm një aktivitet, një ceremoni në një sallë, ca fletë-palosje, ca pedagogë, ca paragrafë me projekte dhe ide e premtime të mëdha dhe ai menjëherë e dalloi, e kapi në ajër standardin e lartë të punimeve shkencore të ekspertëve të z.Çili.
 
KRAHASIMI I LISTËS SË MILIONERËVE

Lista që qarkullon që prej vitit 2009
10. Muhamed Muça (Shkollat Kristal, nga kopshtet tek universitetet etj.)
9. Vilma Nushi (Ekskluziviteti i Marlboros dhe cigare të tjera, si edhe Procter & Gamble)
8. Vjollca Hoxha (Top Channel, Lori Cafe, Digitalb etj.)
7. Edmond Leka (Western Union, Union Bank etj.)
6. Vllezërit Armando dhe Arben Duka (Vezë, kantinë vere dhe vreshta, elektroshtëpiake, telefoni celulare “Plus” etj.)
5. Vasil Naçi (Pepsi, Birra Amstel, distrubiocion pije, detergjent, cigare etj.)
4. Artan Dulaku (Qendra Tregtare Kristal, ETC, ndërtime, koncesionari Ford, Ranger Rover, rrjeti supermarkatës Conad, Tring Digital, Vizion + etj.)
3. Ramë Geci (Pronari i 15-katësisht, firma ndërtimi Geci, etj.)
2. Bashkim Ulaj (Pronari i 22-katëshit tek TVSH-ja, firma ndërtimi, fibra optike etj.)
1. Zamir Mane (QTU, TEG, NEPTUN, telefoni celulare PLUS, ndërtime etj.)
 
Lista e publikuar nga Fondacioni i Henri Çilit
1. Samir Mane                               Tregti pajisjesh elektronike, ndërtim, konsulencë biznesi
2. Vasil Naçi                                   Tregti produkte ushqimore, reklama
3. Bashkim Ulaj                              Ndërtim
4. Artan Dulaku                               Ndërtim, media
5. Vjollca Hoxha                              Telefoni e lëvizshme, media
6. Shefqet Kastrati                          Tregtim i hidrokarbureve
7. Grigor Joti                                   Teknologji
8. Edmond Leka                              Shërbime financiare
9. Vilma Nushi                                Tregti mallra të ndryshme
10. Ramë Geci                                Hoteleri
 
*Botuar nga Gazeta Dita


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim