Disa sheja për historinë

5 vjet më parë, përderisa trajtonte idenë e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërshqiptar në formën e një organizimi të ngjashëm me atë të Bashkimit Europian, intelektuali i shquar Arben Xhaferi shkruante : « rrugëdalje tjetër nuk ka nëse dëshirojmë t’i vëmë në kontroll proceset që i degjenerojnë kapacitetet tona kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi ».

Si dikush i cili e shihte idenë e zhvillimit kombëtar që kalonte nëpërmjet bashkimit ekonomik, kur në 1999 themelova Unionin mbarëkombëtar të ndërmarrësve, jam ndier mirë kur fillova të jem më konkretisht aktor jetësues i kësaj doktrine të formuluar prej nga ai. E ndieja se në një rol institucional të lartë mund ta nxisja më shumë procesin që zinte fill me këtë doktrinë, ndajnë mars të vitit 2011, në sallën e parlamentit të Shqipërisë, me cilësinë e Presidentit të Kosovës i paralajmërova disa ide të saj për të cilat po punoj dhe sot. Është një përmbledhje idesh, për të cilën jam krenar dhe sot që i kam shpallur në nivel aq të lartë. E them me bindje këtë, megjithëse mbase pikërisht ai fjalim, droja e dikujt brenda Kosovës apo jashtë saj se Behgjet Pacolli po bëhet protagonist dhe po çmonton mitet e rrejshme rreth tij, ka përcaktuar deri diku ndërprerjen antikushtetuese të mandatit tim presidencial. « …këto pista tëreja bashkëpunimi, mbarëkombëtar duhet të zhvillohen mbi një bazament idesh të reja politike dhe institucionale.Në dritën e ideve të intelektualëve të shquar të hapësirës sonë kombëtare, që kanë folur për këtë temë,- Arbër Xhaferri e ka quajtur Komunuelth shqiptar,- unë do doja t’ju propozoja disa ide.Nuk po propozoj diçka tabu, që të frikësojë kënd. Kufirin mes nesh para 11 vjetësh e thyem me luftën e lavdishme ku shqiptarët e organizuar në UÇK, në aleancën historike me Perëndimin, fituan. Sot do t’i thyejmë barrierat kufitare me dashuri. Ja kemi detyrim brezit të ri të shteteve tona.

Po propozojmë diçka të ngjashme me atë që ndodhi me krijimin e Komunitetit Europian. Në dritën e modeleve të vetë hapësirës së Bashkimit Europian, ne duhet të institucionalizojmë midis Kosovës dhe Shqipërisë, takime të nivelit të lartë midis presidentëve, kryeministrave dhe kryetarëve të parlamentit, dy herë në vit.

Ne jemi të hapur që këtyre takimeve t’i bashkangjitet seicili prej liderëve të vendeve fqinjë që dëshiron, qoftë Maqedonia, qoftë Mali i Zi.

Këto takime nuk duhet të jenë thjesht ritual i çmalljes sonë, por rast për të bërë bilancin e marrëdhënieve tona ekonomike, politike, kulturore, etj, dhe mundësi për të trasuar pista të reja të këtyre bashkëpunimeve.

Dmth, propozoj një takim periodik drejtuesish të shteteve tona në modelin eKëshillin Europian, apo të Samitit franko gjerman...”

Nuk ju ndava jetësimit të kësaj doktrine, megjithë ndërprerjen antikushtetuese të mandatit tim. Në korrik të 2011 së bashku me Arben Xhaferin dhe dy ish presidentët e Shqipërisë Moisiu dhe Meidani themeluam së bashku, Lëvizjen për Hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit. E zhvilluam më tej idenë me peticionin e një grupi të madh intelektualësh nga e gjithë hapësira shqiptare në dhjetor të 2012.

Ndaj sot jam shumë i lumtur që më në fund midis dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë do të zhvillohet një mbledhje e përbashkët pune në nëntor të këtij viti. Më vjen mirë që ideja që unë si zëvendëskryeministër e formalizova dhe me projektvendimin e paraqitur së fundmi në Qeverinë e Republikës së Kosovës, po nis e jetësohet. Siç e thashë më sipër pa ndonjë shqetësim që mos po më kopjon dikush idenë, ideja nuk është e re, por jetësimi i saj është risia. Një risi në politikë mund të jetë thjesht një ngjarje, por një risi mund të jetë më shumë se një ngjarje e re. Mund të jetë fillimi i një procesi të rëndësishëm historik me pasoja politike, ekonomike, sociale, kombëtare. E ndieja mundësinë e shpejtë të fillimit të këtij procesi që kur merrja miratimin entuziast të kryeministrit të ri të Shqipërisë Edi Rama ndërsa flisnim disa muaj më parë rreth kësaj ideje dhe më vjen mirë që ai po ja nis punës përsëmbari.

Si dikushi që ka një kontribut modest në lansimin, apo përforcimin e idesë së institucionalizimit të takimeve ndërqeveritare mbi baza periodike, do të kisha dëshirë të ndaja me publikun, me grupet e interesit, me shoqëritë tona në Shqipëri dhe Kosovë disa ide të miat në frymën e parashtruar më lartë. Dua që për suksesin e takimit të nëntorit të angazhohet gjithë opinioni publik, universitetet, shoqëritë tona, asosacionet e biznesit, të grupeve profesionale, të gjithë qytetarët. Kjo është arsyeja pse në shkrimin e kësaj kolumne, unë e kam hequr për pak kostumin e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe po flas si qytetar. Do t’i jap përgjigje disa pyetjeve thelbësore për këtë mbledhje historike.

A do kemi një takim ceremonial, apo një takim pune ?

Takime ceremoniale mund të organizojmë sa të duam dhe çdo muaj, por ata do harrohen shpejt në histori. Na duhen takime pune dhe vetëm pune.

A do përfshijmë dhe biznesin, ndërmarrësinë, qendrat kërkimore, shoqërinë civile në atë takim, apo do e mbajmë gjithçka në nivel protokollar, pa rezultatet e një takimi të vërtetë pune?

Duhet t’i përfshijmë sepse ne politikanët s’mund të dimë gjithçka dhe ne jemi thirrur për t’i shërbyer komuniteteve tona, interesit tonë kombëtar që më mirë se të gjithë e dinë pikërisht ata që janë në vijën e parë të veprimtarisë ekonomike.

A do zgjidhim përfundimisht problemet që hasim në kufijtë e dy vendeve tona duke prodhuar energji të reja kah zhvillimi, apo do t’ja lemë ato një takimi të radhës ? Duhen ti zgjidhim sepse askush s’na e fal ekzistencën e këtyre problemeve. Koha nuk pret më.

A do marrë fund kontrolli i sistemeve tona energjitike, të shkëputura nga njeri tjetri, prej operatorëve serbë, duke jetësuar një hapësirë energjetike të përbashkët, duke u shndërruar realisht në një superfuqi rajonale energjitike, me thëngjillin e Kosovës dhe ujërat e Shqipërisë ? A do kemi lajme të mira për dhënien fund të krizës energjetike që prek vetëm dy vendet tona ?

Duhet, sepse pa energji s’ka zhvillim dhe ne s’mund të jemi historikisht peng i të tjerëve.

A do miratojmë prej atij takimi një grup pune për një strategji mbarëkombëtare zhvillimi, duke ftuar në të të gjithë ata që kanë ide, projekte dhe jo thjesht burokratët e të gjitha stinëve partiake ?

Duhet sepse një komb, gjymtyrët e tij, s’mund të lëvizë përpara pa një dokument bazik zhvillimi.

A do kemi një qendër të vetme për përkthimin, përshtatjen, hartimin e ligjeve tona sipas modelit të Bashkimit Europian, për harmonizimin e dokumentacionit zyrtar, etj, etj ?

Duhet ta kemi një qendër të tillë sepse s’ka kuptim që të harxhojmë para, energji, për përkthime, për diferencime që thjesht krijojnë keqkuptime të reja mes nesh.

A do zgjerojmë nesër këtë takim që duhet të jetë periodik dhe me Maqedoninë, me Malin e Zi, me të gjithë ato shtete që nuk kanë frikë ngafaktori shqiptar ?

Ne duhet ta bëjmë këtë sepse dhe me Maqedoninë kemi probleme të vogla, që s’duhet të bëhen probleme të mëdha. Ne duhet t’i faktorizojmë drejt shqiptarët që kurrë s’i kanë krijuar probleme të tjerëve, por sot duhet të merren seriozisht.

Ka dhe plot pyetje përgjigje të tjera. Unë një e di, që ky takim duhet të jetë i orientuar kah rritja e mirëqenies nëpërmjet zhvillimit ekonomik, nëpërmjet standartizimit të proceseve tona shoqërore.

E nisa këtë kolumnë timen duke cituar Arben Xhaferin, me të drejtë sepse çdo hap në lidhje me realizimin e kësaj inisiative e kam hedhur me dritën që vinte prej doktrinës së tij, prej komunikimeve tona. Disa prej mesazheve që ai na dërgonte në korrik të vitit 2011, tingëllojnë fort dhe sot. Përfshi dhe mesazhet për kritikëte një ideje apo programi të tillë zhvillimor. « Përgjigja kundër këtyre kritikave eventuale përbuzëse duhet të jetë ajo që e tha Hasan Prishtina kur luftonte për krijimin e Shqipërisë etnike: “Na luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë pas nesh kanë me gjet shejat tona”.

Marrë nga Gazeta "Express"

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit

Viti i Ri vjen me diell, por vishuni mirë! Parashikimi i motit për 31 Dhjetorin e ditët e para të Janarit