Naftëtarët e Ballshit të cilët ndodhen prej 11 ditësh në grevë urie, kanë marrë një vendim ekstrem.

Duke parë neglizhencën e organeve të shtetit dhe kompanisë përgjegjëse ata nuk do të lejojnë asnjë person që të futet brenda në ambientet ku po zhvillojnë grevën e urisë.

Ata e kanë mbyllur derën dhe nuk lejojnë asnjë person që të futet brenda. Naftëtarët janë shprehur se do të vetëflijohen për ta kuptuar se nga kjo grevë mund t'i nxjerrin vetëm me barelë.

"Do të mbyllim derën kryesore dhe askush nuk do të futet brenda. Vetëm kur të na nxjerrin me barelë", mësohet të kenë thënë naftëtarët.

"Sot është dita e 11 e grevës sonë dhe nuk shikojmë asnjë reagim ashtu siç pritet dhe siç duhet të jetë. Deri në këto momente që flasim unë ndihem vetë keq nga gjendja shëndetësore, por të gjithë kolegët e mi kanë marrë një vendim që të gjithë të jenë të bindur. Këtu nuk ka show. Falënderojmë mediet sepse falë jush problemet tona kanë shkuar në instancat më të larta. Nga ky moment u konsultuam me të gjithë kolegët dhe nuk do të pranojmë më as shërbim shëndetësor dhe as ju të medies. Do iu kërkojmë mirëkuptimin tuaj. do të fikim të gjithë telefonat, do të kyçim dhe derën e jashtme, vetëm kur të na nxjerrin me barela, që ata të kuptojnë që këtu nuk hyhet as kafja as uji dhe asnjë gjë tjetër. Edhe ujin do ta ndërpresim. Vetëm kur të na nxjerrin me barela që këtej. Le të bëjnë show me jetët tona ata",- tha kreu i sindikatës Sokol Dautaj.

Pavarësisht se iu premtua zgjidhje edhe nga kreu i PD-së Lulzim Basha, asnjë ndihmë konkrete nuk ka ardhur për naftëtarët e Ballshit.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama tha se e gjithë kjo gjendje ka ardhur për shkak të privatizimit kriminal të kompanisë së rafinerisë.

Rama u shpreh se ka folur me Presidentin e Azerbajxhanit dhe po përpiqet që të gjejë një zgjidhje.

Në anën tjetër nuk ka ende një zgjidhje për kërkesat e naftëtarëve. Ata kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura si dhe rifillimin e punës në uzinë.

 

Kreu i sindikatës së naftëtarëve duke mbyllur derën ku ndodhen në grevën e urisë