Në ditën e 65-të të tubimit, protestuesit u grumbulluan mbrëmjen e sotme në ‘Sheshin Skënderbej’ në Tiranë dhe vijuan marshimin duke u ndalur në sheshin para Kryeministrisë.

Më të paktë në numër, me pankarta në duar, flamuj kuqezi e simbole kombëtare, ata kërkuan dorëheqjen e Qeverisë dhe largimin e të gjithë klasës politike aktuale. Sulmet e tyre nuk kursyen as Prokurorinë e Posaçme, që e akuzuan si të lidhur me Qeverinë. ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, ‘qeveri e krimit’, ‘Shqipëria kërkon revolucion’, ishin disa nga thirrjet kryesore të protestuesve gjatë marshimit.

Aktori Mehdi Malkaj tha gjatë fjalës së mbajtur në protestë se Edi Rama duhet larguar nga pushteti, pasi sipas tij, kryeministri po e shet Shqipërinë pjesë-pjesë.

“O njerëz, më keni në future në borxhe të mëdha me këto duartrokitje që më jepni. Për të shlyer nuk u’a shlyej dot, por do mundohem t’i zvogëloj. Këtu është një det me njerëz, që nuk janë as majtas, e as djathtas, por janë shqiptarë të shkëlqyer që duan atdheun dhe duan t’i shkulin dhëmbët këtij plehrës që është këtu, që e shet atdheun pjesë-pjesë. Nuk kemi kohë më për fjalë. Tani do bëjmë atë që duhet bërë. Nëse ai nuk del, do ta nxjerrim. Një palo burrë. Unë kam një variant, është më i mirë ky më duket. Sikur ne ta marrim me këngë e me valle, ta marrim hopa dhe ta hedhim në Lanë, ta qëllojmë me domate, të jeni të sigurt që ai që do vijë kryeministër më vonë do thotë ‘atë e hodhën në Lanë, por mua nuk i dihet se çfarë më bëjnë’. Ata janë trima kur kanë pushkë, por ne jemi trima kur kemi mendje”, tha mes të tjerash aktori Mehdi Malkaj.

Ndërkohë një protestues gjatë fjalës së tij para të pranishmëve tha se SPAK është një organizatë në shërbim të Qeverisë.

Ai shtoi gjithashtu se pyetjet që SPAK i ka bërë Belinda Ballukut kur ajo shkoi në Prokurorinë e Posaçme, kanë qenë të përcaktuara paraprakisht nga vet ëish-zv.kryeministrja.

“Dy fjalë për SPAK. Para disa ditësh e quajta SPAK kamuflazh dhe rrufepritëse të qeverisë kriminale. Por kjo gjë avancoi këto ditë kur çuan Belindën aty, si zonjë, me polici dhe bodyguard. U morën me ca vajza dhe djem me pankarta kishin dalë, krejt paqësor. Madje, nga burime të brendshme që kam edhe pyetjet që i bën SPAK-u Belindës, i ka përcaktuar ajo paraprakisht. Ndaj SPAK-u nuk është gjë tjetër, është partner në organizatën kriminale të Rilindjes dhe me koherencë perfekte”, tha mes të tjerash një protestues.

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan me ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e kryeqytetit. Ndryshe nga netët e tjera ku protestën e mbyllnin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', mbrëmjen e sotme protestuesit e mbyllën tubimin aty ku e nisën, në Sheshin Skënderbej.