Në ditën e Alfabetit, kreu i shtetit, Bajram Begaj ishte në Shkodër, ku u takua me studiues dhe akademikë. Ai bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës shqipe, e cila po kërcënohet nga teknologjia dhe komunikimi global.
“Çdo gjuhë, por veçanërisht ato që fliten nga një numër më i vogël bashkëkombësish, si shqipja, ditët e sotme janë në rrezik, nga njëra anë prej ndikimit të gjuhëve ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, prej deformimeve që ndodhin në komunikimin digjital. Besoj se pedagogët e nderuar të këtij universiteti e dinë më mirë se kushdo se, kush nuk e flet mirë gjuhën e vet, do të jetë gjithmonë i kufizuar të mësojë gjuhët e tjera. Kush dëshiron të flasë mirë një gjuhë të huaj, duhet të nisë duke mësuar mirë dhe me dashuri gjuhën amtare”, theksoi Presidenti.
Duke iu referuar veprimtarëve shkodranë, Presidenti Begaj vlerësoi figurën e Luigj Gurakuqit, emrin e të cilit mban universiteti i Shkodrës, ku dhe u kremtua Dita e Alfabetit, si dhe veprimtarët e tjerë të albanologjisë.
“Sot, ne kemi gjithçka që ata ëndërruan: kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi arsim shqip, media shqip, teknologji shqip. Por kemi edhe një detyrim moral: ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë trashëgimi të shenjtë: gjuhën tonë, si shenja më e gjallë e identitetit shqiptar. Një gjuhë, një shqiptari, një amanet. Pa gjuhë, nuk ka komb! Nuk mund të ketë shqiptari pa gjuhën shqipe, pa shkronjat shqipe”, tha Begaj.
Gjatë vizitës në Shkodër për festimin e Ditës së Alfabetit, Presidenti Begaj u prit nga kryebashkiaku Benet Beci. Kreu i Shtetit zhvilloi takime me studiues shqiptarë, vizitoi bibliotekën e universitetit “Luigj Gurakuqi”, si edhe muzeun “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”.
Komente







