Ditmir Bushati: Midis vazhdimësisë dhe ndryshimit

Ditmir Bushati: Midis vazhdimësisë dhe ndryshimit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 Majit 2023 në Turqi mund të konsiderohen si më të rëndësishmet në historinë e vendit. Ato përkojnë me 100-vjetorin e krijimit të Republikës moderne të Turqisë dhe në prag të hyrjes të shekullit të dytë të ekzistencës së saj. Zgjedhjet janë përcaktuese edhe për formulimin e marrëdhënieve gjeopolitike, fuqive dhe ekuilibrit të një vendi me impaktin më të madh politik në një hapësirë gjeografike mes Gjermanisë dhe Indisë. Sidomos në kontekstin e luftës që zhvillohet në Europë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Ndaj, vendimi që do të marrin turqit nuk do të reflektojë vetëm se kush do të udhëheqë vendin, por edhe rrugën që do të ndjekë Turqia si një anëtare e NATO-s dhe G-20, në Ballkan, Mesdhe dhe Lindjen e Mesme.

Tërmeti dhe Pushteti
Në muajin shkurt Turqia u godit nga një prej tërmeteve më të rënda në historinë e saj. Numri i të vdekurve arriti mbi 50 mijë. Që nga tërmeti i vitit 1999, i cili shkaktoi më shumë se 17 mijë të vdekur, Turqia ka përjetuar një bum të madh ndërtimesh. Ajo është shndërruar në një lojtar me peshë, për sa i përket ndihmës humanitare, dhe një fuqi ushtarake rajonale gjithnjë e më e rëndësishme. Asokohe, kritikat e përhapura ndaj keqadministrimit dhe mungesës së kapaciteteve shtetërore, gjatë dhe pas tërmetit, sikundër krizës ekonomike që e pasoi atë në vitin 2001, kontribuan në ndryshime tektonike në peizazhin politik. Më kryesorja prej tyre ishte ngjitja në pushtet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila drejton vendin që prej vitit 2002.

Mirëpo mësimet e nxjerra nga tërmeti i vitit 1999 duket se u harruan. Tërmeti i shkurtit vërtetoi pikërisht shkallën e ulët të zbatueshmërisë së ligjit dhe politikave të vëna në jetë gjatë dy dekadave të fundit. Tërmeti riktheu në debatin publik kritikat për lidhjen ndërmjet "sistemit rentier të ndërtimit" dhe financimit të jetës politike; mungesën e zbatimit të ligjeve; dobësinë e kapaciteteve shtetërore; dhe mospërgjigjen adekuate të ushtrisë si pasojë e mbingarkesës së saj nga fushatat ndërkombëtare.

Krahas fatkeqësive njerëzore, trashëgimia e pashmangshme e tërmeteve është dëmi i tyre ekonomik. Zonat e prekura në jug dhe lindje të Turqisë janë rreth 15% e popullsisë së vendit, që kontribuon në afërsisht 9% të PBB-së. Turqia po përballet me pasojat e tërmetit në një moment kur ekonomia përjeton normat më të larta të inflacionit në botë, si pasojë e aplikimit të një politike ekonomike të bazuar në stimulimin e rritjes dhe frenimin e papunësisë, në kurriz të stabilitetit makroekonomik dhe kontrollit të inflacionit.

Mënyra e administrimit të pasojave të tërmetit pritet të ketë ndikim në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 Majit. Fillimisht në rajonin që u godit nga tërmeti, ku ka një nevojë të ngutshme për ofrimin e shërbimeve bazë. Kjo do të jetë një sfidë emergjente për çdo qeveri që do të dalë nga zgjedhjet. Në një plan më të gjerë, merr rëndësi platforma për përgatitjen e metropoleve kryesore të Turqisë për tërmete të mundshme. E cila, pritet të ketë ndikim tek votuesit pasi zonat ku jeton pjesa më e madhe e elektoratit të tilla si Stambolli, Izmiri, dhe deri diku Ankaraja, janë zona sizmike.

Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, zgjedhjet mund të shënojnë fundin e pushtetit më shumë se 20-vjeçar të Presidentit Erdoğan. Por, siç kemi parë garat e ngjashme në shoqëritë e polarizuara, SHBA, Izrael apo Brazil, rezultatet mund të sfidojnë sondazhet, duke i dhënë Erdoğanit një mandat tjetër. Sondazhet tregojnë gjithashtu se diferencat mes dy kandidatëve kryesor Erdoğan dhe Kiliçdaroğlu nuk është e tillë që të mundësojë zgjedhjen e presidentit në raundin e parë. Me gjasë rezultatin përfundimtar do ta mësojmë në raundin e dytë, dy javë më vonë. Po kështu, asnjë opsion nuk përjashtohet, përfshirë edhe bashkëjetesën politike mes një presidenti dhe parlamenti nga krahë të ndryshëm të spektrit politik.

Veçantia e pozicionit të Presidentit
Lufta për postin e presidentit është rrjedhim i historisë politike turke. Shumë prej 11 paraardhësve të Erdoğanit erdhën dhe u larguan pa kurrfarë zhurme. Disa prej të cilëve, si edhe vetë ai, mbështeteshin nga parti politike të mëdha. Ato ishin të prirur të qëndronin më gjatë në pushtet, derisa ushtria i zëvendësoi ose ndërruan jetë në mënyrë të papritur.

Erdoğan është presidenti i parë turk i zgjedhur nga populli dhe jo nga parlamenti. Ai udhëhoqi transformimin e vendit nga sistemi parlamentar në atë presidencial. Në referendumin e vitit 2017 u miratuan ndryshimet kushtetuese, të cilat eleminuan funksionin e kryeministrit dhe e shndërruan Turqinë në sistem presidencial. Presidentët turq të vendosur në atë post pas grushteve të shtetit ose me mbështetjen e ushtrisë i përshtatën institucionet me vullnetin e tyre, por u mungonin partitë politike që t’i lidhnin me opinionin publik.
Ndërkohë që presidentët që drejtonin parti politike gëzonin mbështetjen e qytetarëve, por kurrë nuk kanë pasur ndikimin që ka Erdoğan tek institucionet shtetërore. Në këtë drejtim, Erdoğani është unik për shkak të kontrollit mbi institucionet shtetërore, dominimit të skenës politike, dhe një numri të konsiderueshëm ndjekësish që kurrsesi nuk duan ta shohin të heqë dorë nga pushteti.

Sfiduesi kryesor i Erdoğanit, kreu i Partisë Popullore Republikane, Kiliçdaroğlu, është udhëheqësi kryesor i opozitës në vend prej 13 vitesh. Ai përfaqëson një bllok të gjerë opozitar që mbledh së bashku parti e grupime përtej dallimeve ideologjike. Kiliçdaroğlu është një politikan me përvojë, ish nëpunës civil, përfaqësues i shtresës së mesme, i cili kritikohet për gjuhën e butë të komunikimit. Liberal në botëkuptimin e tij për një Turqi më afër vlerave perëndimore, në kontrast me pikëpamjet konservatore sociale të Erdoğanit, videomesazhi i Kiliçdaroğlu për përkatësinë fetare, theu rekorded e shikueshmërisë në platformën twitter.

Kiliçdaroğlu është përqendruar në çështjet korrupsionit dhe përkujdesjes sociale, duke theksuar se do ta ndërpresë fluksin e parave që shkojnë drejt një grupi sipërmarrësish të mëdhenj mbështetës të Presidentit Erdoğan. Ai është zotuar se do ta ushtrojë pushtetin në mënyrë kolegjiale, duke përfshirë si zëvëndëspresidentë edhe disa prej drejtuesve të opozitës politike. Është e vështirë të parashikosh qëndrueshmërinë e një koalicioni anti-Erdoğan. Megjithatë, rasti i Izraelit tregoi se koalicioni anti-Netanyahu ishte afat shkurtër, çka i mundësoi këtij të fundit rikthimin në pushtet.

Suksesi dhe karriera politike e Erdoğanit është e lidhur me zhvillimin dhe mirëqenien e popullit turk. 14 Maji përbën një përjashtim. Pasi do të jetë ballafaqimi i parë elektoral në kushtet e një situatë të vështirë ekonomike që po kalon Turqia. 12 milionë zgjedhës të moshës 18-30 vjeç nuk kanë përjetuar më parë një krizë ekonomike. Ndaj, vota e tyre duket se do të jetë përcaktuese për drejtimin e pushtetit në Turqi.

Vizionet ballafaquese në politikën e jashtme
Turqia është midis dy vizioneve ballafaquese: vazhdimësisë dhe ndryshimit. Nëse Presidenti Erdoğan fiton një mandat tjetër pesëvjeçar do të kemi vijimin e qasjes më të balancuar ndërmjet Perëndimit dhe vendeve të tjera në Lindje të Turqisë, ku Turqia është përpjekur të krijojë pothuajse një hapësirë autonomie strategjike.
Presidenti Erdoğan është i vetmi udhëheqës i G-20 që mban marrëdhënie të mira si me Presidentin e Ukrainës, ashtu edhe me Presidentin e Rusisë, gjë që e ndihmoi atë të ndërmjetësonte një marëveshje historike të grurit të Detit të Zi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. Ai ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me europianët dhe amerikanët duke ofruar mbështetje të konsiderueshme ushtarake për Ukrainën. Ndikimi mbi të ardhmen e Sirisë, ku amerikanët vazhdojnë të kenë trupa të stacionuara, e bën gjithashtu thelbësor angazhimin e tij nga lojtarët kryesorë në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, presidenti Erdoğan ka rregulluar ndjeshëm marrëdhëniet me Princin e Kurorës Saudite dhe atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Nëse Kiliçdaroğlu fiton, bazuar në programin politik të opozitës, pritet rikonfirmimi i përkatësisë perëndimore të Turqisë, rindërtimi i lidhjeve të Turqisë me Perëndimin, dhe mbështetje ndaj reformave demokratike në vend, për zgjerimin e fushëveprimit të lirive themelore dhe përmirësimin e standardeve të shtetit të së drejtës, që mund të kenë një impakt pozitiv në raport me këtë objektiv të politikës së jashtme.

Në një vend me traditë perandorake dhe me ndjenja të theksuara sovranizmi, çdo ndërhyrje e Perëndimit në fushatën zgjedhore krijon efekt të kundërt. Mirëpo, Perëndimi duhet të përgatitet për t’iu përgjigjur momentit gjeopolitik që mund të rezultojë pas përfundimit të procesit zgjedhor, dhe të mos bëjë gabimin e dikurshëm me Turqinë, por ta trajtojë atë si një aleate të çmuar. Ndryshimi më i rëndësishëm që mund të ndodh ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen. Ankaraja do të lëvizë drejt normalizimit të marrëdhënieve me NATO-n dhe BE-në, por diferencat në qëndrime në lidhje me Qipron dhe Sirinë do të vazhdojnë.

Politika kundrejt Rusisë do të jetë më e kujdesshme duke pasur parasysh interesat ekonomike. Ankaraja mund të marrë në konsideratë përfundimin e pranisë në tokën turke të raketave ruse S-400. Ajo nuk do të bashkohet me politikën e sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të nevojës për të pasur një angazhim diplomatik me Rusinë, në lidhje me Sirinë. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Sirisë do të sillte vështirësi në rritje për aleancën anti-ISIL, pasi prania e forcave të SHBA-së dhe aleatëve në dhe rreth Sirisë do të kontestohej.
Njëkohësisht, Ankaraja do të vihej nën presion të menjëhershëm nga Damasku dhe Moska për të tërhequr forcat e saj nga katër zonat ku ato janë vendosur aktualisht. Për më tepër, një politikë që synon kthimin e refugjatëve sirianë në atdheun e tyre do të ngrinte çështjen e mungesës së një kuadri ligjor të rënë dakord ndërkombëtarisht për një transferim kaq masiv të popullsisë. Kjo, nga ana tjetër, do të kishte një ndikim në paktin BE-Turqi për refugjatët.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO pritet të rishqyrtohet pas zgjedhjeve. Qeveria e re do të dëshironte ta zgjidhte këtë përpara Samitit të Vilniusit, duke ditur se ky samit do të jetë ngjarja e parë ndërkombëtare e madhe për qeverinë e re turke. Gjithashtu, Ankaraja mund të vendosë një përfshirje të konsiderueshme ushtarake në operacionet e aleancës në krahun e saj lindor, nga Estonia në Rumani.

Në përgjithësi, dallimet në politikën e jashtme dhe të sigurisë mes Perëndimit dhe Turqisë nuk do të zhduken edhe nëse fiton Kiliçdaroğlu. Por, riaktivizimi nga ana e BE-së i procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të anëtarësimit të Turqisë, do të shënonte një përmirësim dhe kthim gradual të kësaj të fundit në një arkitekturë të sundimit të së drejtës, më afër standardeve perëndimore.

Raportet shqiptaro-turke në sfondin e zgjedhjeve në Turqi
Për shkak të dimensionit të marrëdhënieve shqiptaro-turke është normale që të shtrohet çështja e ndikimit të kësaj marrëdhënie nga një ndryshim i mundshëm politik në Turqi. Gabimisht debati orientohet tek emrat e përveçëm dhe lidhja me politikën e ditës, dhe jo tek dimensioni i marrëdhënies mes shteteve dhe popujve tanë.
Shqipëria dhe Turqia janë vende mike me një histori të ndërlidhur mes tyre dhe raporte njerëzore të gërshetuara. Turqia është një partner strategjik rajonal për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të historisë mes dy popujve tanë, por edhe për projektimin e fuqisë që ka Turqia, si anëtare e NATO-s, G-20, në Ballkan e Mesdhe. Është kjo arsyeja që në 2013-ën, Turqia u përfshi në listën e partnerëve strategjik në rajon.

Investimet turke zënë një peshë të konsiderueshme të investimeve të huaja në Shqipëri. Turqia është një prej partnerëve kryesor tregtar, ndonësë deficiti tregtar është i thellë, sa i takon eksporteve tona drejt Turqisë. E vlefshme ka rezultuar edhe asistenca turke për modernizimin e forcave të armatosura dhe rritjen e kapaciteteve të sigurisë gjatë tri dekadave.

Në veçanti, angazhimi i Turqisë spikat në ditë të vështira për Shqipërinë, si ngjarjet tragjike të 1997-ës; ndihma për përballimin e krizës humanitare si pasojë e luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999; ndihma në përballimin e emergjencës dhe pasojave shkatërrimtare të tërmetit të 2019-ës; ndihma shëndetësore gjatë pandemisë COVID-19, sikundër kontributi i çmuar në procesin e rindërtimit, duke i dhënë një vlerë të shtuar miqësisë mes dy popujve tanë. Ndonëse në një dimension dhe peshë më të vogël, ndihma e Shqipërisë ndaj Turqisë, gjithashtu spikat në ditë të vështira për popullin turk, siç është situata me tërmetin shkatërrimtar të shkurtit të këtij viti.
Nga sa më sipër, mund të thuhet se formalizimi i partneritetit strategjik Shqipëri-Turqi është një akt i vonuar. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se Turqia ka krijuar një rrjet bashkëpunimi të thelluar me 27 shtete të ndryshme të botës, në përputhje me profilin e saj si vend transkontinental. Partneritet strategjik nuk do të thotë linjëzim vizionesh apo shuarje dallimesh, por nënkupton nevojën për t’u përfshirë në procese më të strukturuara dialogu ku shqyrtohen dhe jetësohen interesat e palëve. Për shembull, ekziston një Këshill i Nivelit të Lartë mes Turqisë dhe Greqisë prej 2010-ës, ndërkohë që diferencat mes këtyre shteteve janë të njohura.

Pavarësisht marrëdhënies strategjike, Shqipëria dhe Turqia nuk janë të linjëzuara për të gjitha çështjet në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në jo pak raste në arenën ndërkombëtare, Shqipëria dhe Turqia kanë ndarë qëndrime të ndryshme. Është i mirënjohur fakti se vendimmarja e Shqipërisë është gjithnjë e linjëzuar me atë të BE-së dhe e orientuar prej angazhimeve ndërkombëtare. E njejta gjë mund të thuhet edhe për diferencat kulturore mes nesh që përthyhen në raportet shtet-fe-komb-ideologji politike. Ndaj, nga njëra anë, na duhet të tregojmë mirënjohje për mbështetjen që na ka dhënë Turqia, por nga ana tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos lejuar transferimin e ndikimit të politikës së brendshme në marrëdhëniet ndërshtetërore.

Kritikët e angazhimit të Turqisë në rajon e vendosin atë gabimisht në të njejtën shportë me angazhimin e fuqive të huaja, të cilat ndjekin agjendë përçarëse në rajonin tonë. Gjeografikisht, një pjësë e territorit të Turqisë, me ndikim të jashtëzakonshëm politik, është pjesë e Ballkanit. Pra, Turqia nuk është aktor i jashtëm. Nuk duhet harruar se Turqia dhe Ballkani ndajnë përvojën e modernizimit, europianizimit, kombit dhe shtetndërtimit, e cila është shoqëruar me paqartësi dhe trauma. Ballkani ka qenë thelbësor për ndërveprimin e Perandorisë Osmane me Perëndimin dhe përpjekjet për modernizim. Pas krijimit të shteteve komb në Ballkan që shoqëruan rënien e Perandorisë Osmane, Turqia vijoi angazhimin dypalësh dhe shumëpalësh në rajon, pavarësisht dallgëve të gjeopolitikës.

Si anëtare e NATO-s, kandidate për anëtarësim në BE dhe mbi të gjitha palë e Bashkimit Doganor me BE-në, Turqia e sheh me interes anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, edhe si mundësi për zgjerim tregjesh. Rumania, Bullgaria dhe Greqia, tre vende anëtare të BE-së dhe pjesë e Ballkanit, e kanë Turqinë një nga importuesit kryesor.

Marrëdhëniet e komplikuara me Perëndimin, ngrirja e procesit të anëtarësimit në BE dhe zhvillimet dramatike rreth e qark Turqisë, në mënyrë të natyrshme kanë rizgjuar impulset perandorake të kësaj të fundit. Rastësi ose jo, ngrirja e procesit të europianizimit të Turqisë tanimë përkon edhe me ngrirjen e procesit të europianizimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht nga efekti i tendencave të mësipërme mbi Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërveprimi institucional, marrëdhëniet politike dhe shkëmbimet ekonomike me BE-në mbeten të forta. Kjo krijon hapësirë për një ndërveprim më të madh mes BE-së dhe Turqisë edhe në rajonin tonë, duke e konsideruar rolin e saj përplotësues me atë të BE-së.

Vështruar në këtë kontekst, marrëdhëniet tona dypalëshe duhet t’i shohim të çliruar nga emocionet e politikës së ditës dhe proceset zgjedhore, pasi kjo marrëdhënie shëndoshet më tej nëse mbështetet në interesin dhe ekzigjencat e ndërsjellta, duke konsoliduar përkatësisë tonë europiane dhe laicitetin, si ADN-ja e kombit tonë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mario: 06/05/2023 12:08

    perfekt ne vizionin diplomatik dhe i vetmi qe do i jepte shkodres ate qe po perpiqet te shpreh edhe Benet Beci sot pa mllefe dhe inate merosh pa baze si diktatoruc qe nuk e njohin aspak ate qytet. Nuk e di a shkon ne balotazh zgjedhja e presidentit po askush me mire se turqit nuk e di sa vlen dhe mashtron keto dite prej te dyve po ndoshta stambolli duhet te behet me i madh dhe ketu elita e ndertuesve te presidentit ka te drejte fiks si kajro e re ne egjipt apo edhe zgjerimi i shkodres nga krahet duke modifikuar edhe projektin e unazes si ne Tirane deri ne lagjen bacallek ne hyrje te qytetit me pallate te larta

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës