Arkimed Lushaj (i njohur me emrin e artit Stresi), djali i Sali Lushajt, ish-badyguardit të Sali Berishës, ka vendosur që pas suksesit disa-vjeçar në muzikë, t’i futet politikës, duke kandiduar për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ka qenë vetë Stresi që ka bërë publik lajmin, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka shkuar se kandidimi i tij nuk është thjeshtë politikë, por përgjegjësi, përfaqësim dhe besim te rinia shqiptare.
Djali i Sali Lushajt pretendon se duke ardhur ‘nga rruga’, mund të përfaqësojë më së miri të rinjtë shqiptarë dhe sfidat e tyre.
Teksa ka ftuar demokratët që të bashkohen në rrugëtimin e tij, Arkimed Lushaj pretendon se ka ardhur koha që rinia të ngrihet dhe të marrë vendin që meriton në shoqëri dhe politikë.
Kujtojmë se ditën e nesërme do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku do të të votohen ndryshimet statutore dhe anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së.
Reagimi i Arkimed Lushajt:
Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar.
Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.
Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.
Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.
Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne.
Komente







