Dyndja shqetësuese! Vendoset kordoni sanitar te tregu i Kombinatit, nga nesër pazaret s'i bëni dot pa autorizim! Ja si do jetë tuneli i dezinfektimit (VIDEO)

TIRANE-Pamjet e një dite më parë që u bënë shkak për të ashpërsuar masat e distancimit social kanë sjellë ndryshimin në tregun e Kombinatit. Nga nesër tregu do të jetë me rregulla të reja. Do të ketë një perimetër me kangjella hekuri, që u vendos sot dhe do të krijojë një kordon sanitar lëvizje, që konkretisht ka të bëjnë me sinjalistikë me vetëm një kalim vendosur në formën e barrierave.

Tregu do të ketë vetëm një hyrje dhe një dalje, pa pasur mundësi kthimi pas. Përpos dezinfektimit dhe ruajtjes së distancës, një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë që nga nesër asnjë nuk do të lejohet që të hyjë në treg për të blerë pa autorizim. Në tregjet e mëdha në Tiranë dhe qytete të tjera të konsideruara si zona të nxehta dhe që do të jenë me perimetër të kontrolluar, të gjithë qytetarët që do të vijnë për të blerë do të kontrollohen për autorizimin (që mund ta merrni në dy rrugë vetëm një orë) nga postblloku i policisë që në hyrje dhe në rast se nuk do ta kenë, jo vetëm që nuk do të lejohen, do të ndëshkohen sipas Aktit Normativ.

Pas vendosjes së kordonit sanitar te tregu i Kombinatit, zjarrfikësja bëri edhe dezinfektimin e tregut. Njëri nga përgjegjësit e zjarrfikëses tha për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta se "Po bëjmë dezinfektimin, nuk është i dëmshëm, e përdorim në orët e vona të mbrëmjes, por duke qenë se kem marrë një detyrë e bëmë. Duam që makinat që lëvizin të marrin nga gomat, që të mos e transmetojnë nga njëri vend në tjetrin".

Dje në tregun e fruta perimeve në zonën e Kombinatit në Tiranë, qytetarët nuk e respektuan distancimin social duke qëndruar pranë njëri-tjetrit teksa bënin pazaret, ndërkohë që shumica ishin pa maska mbrojtëse dhe doreza. Ajo që ndodhi dje te tregu i Kombinatit, sikur të ishte një ditë normale u bë shkak për shtyrjen e lehtësimit të masave, që kryeministri kishte paralajmëruar, por kjo gjë është shtyrë për më vonë, pa dhënë një datë konkrete.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:32
Dezinfektohet tregu i kombinatit/ Shehu për Report TV: Si do dezinfektohet nga koka te këmbët çdo blerës

Tregu i Kombinatit është dezinfektuar pasditen e kësaj të diele dhe do ë jetë gati që të hapet ditën e nesërme, me rregullat e reja për të gjithë blerësit që do të ketë një autorizimin për të dalë nga shtëpia. Report Tv ndoqi nga afër këtë proces, teksa kreu i kësaj brigade, Luan Shehu në një intervistë për gazetarin Elis Memelli Shehu ka thënë se ky është një proces, pra dezinfektimi, që behët çdo ditë në mbrëmje dhe nuk është aspak i rrezikshëm për qytetarët, por vetëm vret mikrobin. Ai ka sqaruar edhe se si do të funksionojë tuneli i dezinfektimit i vendosur në këtë hapësirë.

"Në jemi 6 skuadra, dezinfektimet i bëjmë në darkë dhe ky treg dezinfektohet çdo darkë, që elementi që është aty që ne përdorim, duhet të veprojnë natën, njerëz nuk ka. Është i atillë që të dëmtohet vetëm virusin, aspak njerëzit. Kur ne bëjmë dekontaminimin, kjo do të thotë që e ruan efektivitetin e saj deri sa bie shi, që e hollon. Duke pasur shumë popullaritet ne gjithmonë vijmë në darkë dhe e bëjmë këtë. E para ky tunel do të shërbejë  që njeriu të disiplinohet dhe e dyta është siguria maksimale. Pra njeriu hyn brenda, i bëhet një dezinfektim nga lart dhe në moment ai kalon me anë të udhëzuesve që u tregon që ti do të rrish këtu, tjetri atje. Ka një dalje dhe një hyrje. Atje në vijën e daljes do të krijojmë një basen, dhe duke shkelur atë lëndë me këpucë bëjnë dekontaminohet dhe nuk e merr me vete virusin. Është më e arrira, për mua", tha Shehu.

Ora 15:51
Gati tregu i Kombinatit, Rama: Nga nesër të gjithë do të blejmë me rregulla

Kryeministri Edi Rama ka postuar në faqen e tij të Facebook  inspektimin e bërë nga kryebashkiaku Veliaj në tregun e Kombinatit, ndërsa thotë se nesër të gjithë do të blejmë me rregulla. "Kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt! Po bëjmë gati tregun e Kombinatit dhe nga nesër të gjithë do të blejmë me rregulla. Do t’ia dalim! Bashkë" shkruan kreu i qeverisë.

Ora 15:50
'Shi' me dezinfektant, ja si do jetë tuneli në çdo treg dhe institucione ku ka shumë njerëz

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar një video ku e tregon qartë se si do të jetë tuneli i dezinfektimit, i cili do të vendoset në çdo treg, por edhe në isntitucionet ku ka shumë qarkullim të njerëzve.

"Nga nesër do pilotojmë sistemin e kabinave dezinfektuese për hyrje-daljet në vendet me fluks përdorimi - si tregu i Kombinatit apo institucione të ndryshme. Por kjo nuk e zëvendëson higjienën personale - ndaj laj duart dhe mbaj distancën edhe ku është kabina", shkruan Veliaj.

Ora 15:16
Kordoni sanitar te tregu i Kombinatit, Veliaj: Nga nesër hyrja do të bëhet nëpërmjet një postblloku (Rregullat)

Nga kjo e hënë, tregu në Kombinat do të ketë një organizim të ri, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve që e frekuentojnë atë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, inspektuan masat e reja të marra në tregun kryesor të kësaj zone, ndërkohë që ambulantët janë zhvendosur përkohësisht në tezgat e ngritura në sheshin kryesor të  Kombinatit, për të shmangur grumbullimet.

Tregu i Kombinatit ka qenë e vetmja zonë problematike javën e kaluar. Asnjë kujdes nuk është i tepërt. Tregu i Kombinatit është ndarë në dy pjesë, dyqanet kanë mbetur aty ku kanë qenë, pas pallateve, ndërkohë që tezgat kanë ardhur tek sheshi në Kombinat. Është vetëm një zhvendosje provizore për kohën e koronavirusit, si një masë paraprake, me ndarjen e komunitetit tregtar nga ai blerës në dy pjesë, në hapësirë te hapur, jo ne rrugicat e ngushta ku ishim më përpara”, tha Veliaj.

Hyrja në treg do të bëhet nëpërmjet një pike kontrolli, ku do të ketë dezinfektantë, ndërkohë që edhe lëvizja njëkalimshme nëpër dyqanet brenda tregut do të jetë e kontrolluar. “Tek rrugica ku është tregu i Kombinatit, secili prej tregtarëve do të ketë një pullë të verdhë në pragun e subjektit tregtar. Tek ajo pulla e verdhë blerësi do të mund të komunikojë me shitësin dhe do të mund të bëjë blerjet, e liron pastaj vendin, dhe vjen dikush tjetër. Hyrja në treg do të bëhet nëpërmjet një postblloku: kushdo që hyn dezinfektohet, kalojnë me radhë një nga një. Tregu është me një kalim, pra futesh nga një vend, dhe del në një vend tjetër, si një rrugë njëkalimshe”, sqaroi Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se krahas masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe angazhimit të Policisë, nevojitet më shumë se kurrë dhe bashkëpunimi i qytetarëve.

Shpresoj shumë që bashkë me angazhimin e shtuar të policisë së shtetit dhe policisë bashkiake, nesër do të kemi një rikthim në normalitet edhe në Kombinat, dhe do të shohim nëse do të marrim masa në tregje të tjera. Ne mund të ndërtojmë barriera, mund të ndërtojmë check-point, mund të bëjmë dezinfektime, por ajo që nuk kemi në dorë është ndryshimi i mentalitetit, që e ka secili vetë në dorë. Njerëzit do zbulojnë pas kësaj fundjave të gjatë që nesër prapë do ketë ushqime, dyqane të hapura, do ketë produkte në treg. Ne do ndryshojmë realitetin në terren, por duam që njerëzit të ndryshojnë realitetin në mentalitet”, tha ai, teksa shtoi se ky nuk është një moment për t’u rebeluar dhe për të diskutuar, por ky është momenti për bindje dhe respekt ndaj uniformave të policisë dhe bashkëpunim tregtar, qytetar, administratë lokale.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë këtë periudhë distancimin social. “Unë përfitoj nga rasti që t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që frekuetojnë këto tregje, që të respektojnë distancimin social, për faktin se është shumë i rëndësishëm. Eshtë ajo nyja e cila do të na bëjë të mundur që të parandalojmë sa më shumë përhapjen e këtij virusi dhe të na lehtësojnë punën edhe ne, duke na e bërë më të lehtë veprimtarinë tone”, tha Veliu.

Ora 13:20
Edhe Shkodra si Tirana; Nga nesër askush nuk blen pa autorizimin përkatës

Nga nesër asnjë qytetar në Shkodër nuk do të mund të bëjë pazar në tregjet kryesore pa patur 'lejen për dalje' që sigurohet në portalin 'e-albania'. Për shkak të mos rrespektimit të masave të sigurisë në ditët e kaluara bashkia e Shkodrës njofton se nga nesër do hyjnë në fuqi rregullat e veçante në tregjet e qytetit. Për të bërë që kjo të funksionojë policia do të bëjë monitorimin e tregjeve dhe do të sigurojë që do respektohen rregullat e distancimit social. Për këdo që nuk i respekton policia do të marë masat sipas aktit normativ për periudhën e koronavirusit.

Njoftimi i Bashkisë Shkodër:
Të dashur bashkëqytetarë!
Duke nisur nga dita e nesërme, e hënë 6 prill 2020, do të vijojë monitorimi i tregjeve kryesore të qytetit të Shkodrës:
Tregut të Zdrales
Tregut të Rusit (Merkato)
Tregu i shumicës fruta-perimeve

Do të lejohen të kryejnë blerje, sipas nevojës që kanë, vetëm ata persona që janë të pajisur me leje- kalimi të lëshuar përmes sistemit e-albania.

Policia do të bëjë monitorim edhe të respektimit të distacimit social në këto tregje.
Personat që nuk do t’i respektojnë këto rregulla:

që nuk kanë leje - kalimi nga sistemi e-albania
që nuk zbatojnë distancimin social

nuk do të lejohen të hyjnë në këto tregje si dhe do të kenë penalizime sipas parashikimeve të Aktit Normativ Nr.3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.

Lusim të gjithë qytetarët të marrin masa për plotësimin e kërkesave të mësipërme. Shendeti i njerëzve është prioritet absolut për Bashkinë e Shkodrës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin