Nga premtimi i Ramës për rindërtim, te justifikimet me krizën e luftës, Shqipëria 2 vite pa Teatër Kombëtar, artistët: E shqyen, dhimbje e madhe

Ishte 17 maji i vitit 2020. Godina e Teatrit Kombëtar nuk ishte zhveshur ende nga terri i natës, kur pas 2 vitesh rezistencë të përditshme do të niste shembja me artistë e aktivistë brenda...

Vetëm pak ditë më vonë, kryeministri Edi Rama do të përballej në Kuvend me zërat kritikë për aktin e paprecedentë. Besimplotë, ai  e justifikoi pa u tutur shembjen, duke e zhvlerësuar godinën teatrore që çoi në “gojë” të fadromave... E mbi të gjitha përsëriste premtimin për rindërtimin e tij.

“Habitem si nuk doni të kuptoni se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themiNe do ta marrim projektin origjinal mota mo dhe do t’jua rikthejmë jo aleancës për politikën me teatrin, jo artistëve politikanë dhe politikanëve artistë, që janë mbledhur atje, por fëmijëve, si pjesë e një programi më të madh e përputhen gjërat dhe do ta kemi mes nesh, jo aty dhe jo teatër. Për më shumë do ta shikoni, do e shpjegojmë dhe atëherë do të shihni pelegrinazhin që do të bëhet për të shkuar tek ajo godinë”, thoshte kryeministri prej foltores së Kuvendit.

Dy vite pas shembjes së godinës, mungesës së një godine të re edhe zërave që firmosën për Teatër të ri, e që në më të mirën e rasteve besuan premtimin, nis t’u rëndojë barra. Por mbi të gjitha, premtimin kryeministrit ia kujtojnë ata që kontestuan deri në fund shembjen e teatrit.

Tonet kur i përmendet kjo temë, i ka ulur edhe kryeministri Edi Rama, teksa rendit shkaqet që e mbajnë pezull rindërtimin.

“U bë tre vjet që ne bëjmë plane... Por siç e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohen, as mund të evitohen” do të thoshte kryeministri një muaj më parë, teksa zotohej sërisht se teatri do të ndërtohej siç është premtuar e projektuar...

Ndërkohë që përgjegjësia shpërndahet edhe tek Ministria e Kulturës e Bashkia Tiranë.

“Projekti dhe buxheti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar janë gati, por ndërtimi është pezulluar për shkak të krizës së çmimeve që ka goditur vendin”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti për “Report tv”.

“Kemi pasur një azhornim të çmimeve, sidomos të hekurit dhe betonit, për punë ditësh nxjerr një akt normativ që bën indeksim të këtyre cimeve që të hapim garën”,  tha pak ditë më parë për Report tv kreu i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj.

Disa prej artistëve të “Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit”  i rigjejmë sot po në atë agore, të rrethuar me llamarinë...

“Në vitin e dytë të ‘shqyerjes së Teatrit’, jemi tek vendi i krimit. Është një dhimbje e madhe! E përsëris që teatri ishte kështjella e fundit e demokracisë!”, thotë aktori Mehdi Malkaj.

Thonë se rezistenca e tyre ka pasur pasoja, por qëndresa ishte një akt qytetarie për një kauzë që e besuan...

“Uroj që ta kujtoni këtë ditë, me një ndjesi të thellë reflektimi!”, shprehet aktorja Adriana Tolka.

Sot, Shqipëria mbetet jo thjesht pa një godinë historike, por ndonëse me një skenë alternative si Arturbina, mbetet pa një Teatër Kombëtar... 

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie

Spahiu: Ngjarja 2024 është ‘Shqipëria turistike’, dikur 80% e planetit s’e njihnin fare ku bie