Dodik në Mal të Zi, protesta kundër ‘të dërguarit të Putinit’

Dodik në Mal të Zi, protesta kundër ‘të dërguarit të Putinit’

Milorad Dodik dhe Vladimir Putin

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik - i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe - vizitoi më 27 shkurt Malin e Zi ku qindra protestues e priten para ndërtesës së Parlamentit.

Dodik, i cili u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, mbërriti në Podgoricë për një takim me kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç.

Takimi i Dodikut me Putinin ishte takimi i katërt prej kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Në takimin e majit të vitit 2023 Dodiku tha se "Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane".

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe qeveria e Milojko Spajiqit i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kishin informacion zyrtar për vizitën e Dodikut, apo njoftime për takime me zyrtarë.

Protestuesit të cilët u mblodhën te ndërtesa e Parlamentit, kritikuan takimin e Mandiçit me Dodikun, duke mbajtur në duar mbishkrimet: "Ne duhet t'i themi jo Mandiçit dhe Dodikut!", dhe një pankartë ku ishte shkruar: "Të dërguarit e Putinit nuk janë të mirëpritur".

Duke hyrë në ndërtesën e parlamentit, Dodik përshëndeti turmën me tre gishta.

Protestuesit u përgjigjën duke bërtitur "fashist".

Dodik i tha Putinit se Republika Srpska refuzon t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë pavarësisht presionit nga qeveritë perëndimore dhe tha se ai nuk dëshiron ta shohë Bosnjën t'i bashkohet NATO-s.

Dy ditë para takimit të tij me Putinin, Dodik u takua me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar.

Mandiç, si një nga udhëheqësit e koalicionit të Frontit Demokratik pro-rus, me dy parti të tjera, tha se ishte një nder i madh të priste Dodikun.

Mandiç tha se me Dodikun do të diskutonte një marrëveshje bashkëpunimi të propozuar në fushat e biznesit, sportit, arsimit dhe kulturës në përputhje me marrëveshjen e Dejtonit.

Ai tha në një konferencë për media se qeveria e kaluar e kishte hedhur poshtë marrëveshjen.

Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj vizitës së Dodikut.

Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve tha se ai erdhi me "detyrën për të përcjellë mesazhet e Putinit tek aleatët e tij në Mal të Zi".

Abaz Dizdareviç, një deputet i DPS-së, tha se vizita e Dodikut në Mal të Zi pas udhëtimeve të tij në Rusi, Bjellorusi dhe Serbi, konfirmon se zyrtarët e Malit të Zi po mashtrojnë partnerët ndërkombëtarë me agjendën e tyre evropiane.

Partia Boshnjake tha se vizita e Dodikut ishte një shenjë e qartë se Mali i Zi "po bëhet një strehë për politikanët dhe politikat që janë përfaqësues të politikës ruse në Ballkan". REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë