Doko: “Nezha dhe Petra Conti
i dhanë standard të ri baletit”

Doko: “Nezha dhe Petra Conti<br />i dhanë standard të ri baletit”
TIRANE- “Kam kohë pa u prekur në këtë mënyrë, nuk e besoja se sytë do më të mbusheshin me lot, si në këtë shfaqje”. Kështu është shprehur të shtunën një valltar amator që ndjek rregullisht të gjitha shfaqjet e operës dhe baletit. Emocionet për secilin pjesëtar të publikut shprehen me mënyra të ndryshme, mënyra që u reflektuan bukur tek ovacionet, fytyrat e qeshura dhe dallgëzimet e duartrokitjeve të herëpashershme. “Çifti Conti-Nezha i dhanë kësaj shfaqjeje një standard të ri”, shprehet dirigjenti i orkestrës Edmond Doko.

Edhe pse pritej suksesi prej tyre, sërish Petra Conti dhe Eris Nezha mahnitën publikun artdashës shqiptar me elegancën dhe profesionalizmin e tyre.
Performancës së shfaqjes iu bashkua edhe interpretimi me një nivel shumë të lartë i balerinëve të TKOB-it dhe orkestrës, e cila me tingujt muzikorë iu jep ngjyra më të ndezura figurave të hajthme të balerinëve në skenë.

Balerinët e La Scalas në të dyja netët, më 8 dhe 9 shkurt, duke interpretuar “Zhizel”, kanë mbajtur frymë-pezull publikun që ka mbushur plot sallën dhe lozhat e TKOB-it. Entuziazëm pa fund për shfaqjen e shumëpritur. Korret suksesi. Balerinët Petra Conti dhe Eris Nezha iu dhanë jetë roleve, duke e e përjetuar artistikisht në skenë veprën e famshme të Adolf Adam-it, “Zhizel”. Por përveç shijes së mirë që la pas, dirigjenti i shfaqjes “Zhizel” rrëfen për “Shqiptarja.com” rëndësinë e bashkëpunimit me yjet e baletit, i cili u mundësua nga Instituti Italian i Kulturës dhe drejtori i teatrit Ilir Kerni.
 
“Zhizel” ishte një nga baletet më të suksesshme të këtij sezoni artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit, sukses që kulmoi me ardhjen e dy balerinëve të La Scala-s, Eris Nezhën dhe Petra Contin. Si e përjetuat gjatë drejtimit të orkestrës këtë ngjarje?
Një sukses i tillë arrihet kur orkestra dhe balerinët bëhen një. Por nga ana tjetër duhet të pranojmë se artistët Evis Nezha dhe Petra Conti ishin artistë të një standardi jashtëzakonisht të lartë me një eksperiencë fantastike me një karrierë shumë të suksesshme në skenat botërore, jo vetëm në La Scala, por edhe në Boston. Kështu që ata i dhanë kësaj shfaqjeje që ishte pjesë e repertorit tonë, pjesë e trupës së baletit dhe të orkestrës sonë atë që mund ta quajmë një standard i ri. Ata na imponuan neve të gjithëve bashkë me atë pak kohë që kishin në dispozicion që të realizonim një shfaqje unike.
 
 
Por megjithatë një sukses kaq i madh si ky, besoj se nuk vjen vetëm prej dy personave?
Shfaqjet qoftë të operës dhe qoftë të baletit janë një simbiozë emocionesh, kontributesh dhe kështu që secili prej artistëve ka atë rolin e tij shumë të rëndësishëm, sepse këto janë shfaqje kolektive. Të mos biem në auto-lëvdata, por më duhet të përshëndes punën e shkëlqyer të orkestrantëve. Pra nuk duhet harruar që me punën e saj orkestra në këtë shfaqje demonstroi një nivel artistik, i cili u përshëndet ngrohtësisht nga spektatorët që këto dy netë të shtunën e të dielën ishin kaq entuziast dhe të emocionuar.
 
Sa e rëndësishme është orkestra në momentin që jepet një shfaqje, sepse ndonjëherë duket sikur roli i saj lihet në harresë?
Të them të drejtën kjo është një pyetje që më pëlqen, sepse sigurisht orkestra vlerësohet në sallë nga duartrokitjet. Ajo e merr emocionin që i takon, por ngaqë është e vendosur në gropë kjo s’do të thotë që të lihet jashtë vëmendjes së medias. Ajo është shpirti i shfaqjes, një simbiozë e shfaqjes. Kur hapet sipari i shfaqjes para publikut ka mbaruar çdo gjë; provat me koreografin, puna e regjisorit, skenografit janë fiksuar tashmë, ndaj kushdo qoftë dirigjenti, në një farë mënyre ka në dorë fatin e suksesit të skenografit e të koreografit, kuptohet nëse flasim pozitivisht për rolin e orkestrës dhe dirigjentit, por mund të ndodh që orkestra të çedojë. Pra, dirigjenti ka një rol shumë impenjues. Në italisht e kanë emërtuar bukur dirigjentin, Il direttore d’orchestra.  Me këtë dua të them se edhe paraskena edhe prapavija është e rëndësishme në një shfaqje baleti.

Ju u shprehët se balerinët e La Scala-s, Nezha-Conti sollën një standard të ri. Mund ta përshkruani më një gjuhë më profesionale këtë sukses?
Standardi i parë në kuptimin teknik është se ata realizuan një teknikë të jashtëzakonshme, qoftë në numrat sofistikë, qoftë në mizanskenat e tyre dhe ajo që dua të theksoj që përtej teknikës së mizaskenës ishte emocioni i tyre i vërtetë. Më lejoni t’ju kujtoj se edhe unë e përjetova gati “me ngashërim” vdekjen e Zhizelit që u interpretua në mënyrë të shkëlqyer nga Petra Conti dhe kolegu i saj. Pra jo vetëm unë, por publiku për më tepër e ka përjetuar thellë vdekjen e Zhizelit.

Qasja e vrullshme e publikut në një shfaqje baleti, një dukuri që ka kohë pa ndodhur, e ka një shpjegim, apo jo?
Sigurisht që e ka një shpjegim. Kjo tregon se publiku shqiptar është i vëmendshëm dhe ne duhet ta nisin punën tonë nga pretendimi që publiku ka. Është publiku ai që e demonstron momentin e duhur se kur duhen vlerësuar artistët. Në shfaqjen “Zhizel” publiku shqiptar ishte i pakursyer gjë që e demonstroi gjatë shfaqjes, sepse nuk kishin të mbaruar duartrokitjet. Madje unë personalisht kam pasur shumë takime, telefonata ku janë bërë vlerësime aq të bukura sa i tejkalonin edhe parashikimet e mia sesi na kishte vlerësuar publiku.

U premtua një shfaqje e suksesshme dhe e tillë mbeti. Ka kjo lidhje me një politikë të re drejtimi në TKOB?
Teatri po konceptohet në radhë të parë si një shërbim publik. Nga i pari, drejtori Ilir Kerni deri tek personi më i fundit sensibilizimi i parë që bëhet është respekti ndaj publikut. Një punë më serioze dhe më e pjekur është tashmë modeli i ri i organizimit, ku shfaqjet e repertorit venë e vijnë. Pra është një teatër repertori. Ndryshimi është se forcohen nga ky repertor kualiteti dhe nivelet e larta, por do të vihen edhe shfaqje të reja. Teatri ka realizuar në muajt janar-shkurt rreth 15 shfaqje, ku janë dhënë tri shfaqje të ndryshme, sigurisht nga repertori. Thelbi ka të bëjë me modelin e teatrit qoftë nga interesimi për për publikun, por edhe interpretët e rinj. Duke e parë kështu, veprave që janë në repertor u përmirësohet tingëllima dhe freskohet mënyra e interpretimit. Ne e realizuam “Zhizelin” në katër shfaqje në fund të muajit janar me balerinët tanë. “Zhizeli” është një nga shfaqjet më të mira të repertorit. Duhet të them që edhe zoti Ilir Kerni ka dhënë një kontribut profesional dhe koreografik.

Sa vjet keni që punoni me orkestrën e TKOB-it?
Kam një 15-vjeçar. Përpara kësaj kohe kam drejtuar pesë-gjashtë vepra skenike jashtë institucionit ku kam punuar dhe koncerte të tjera. Tashmë mosha, eksperienca, këndvështrimi im bëhet më i thellë për të kuptuar dhe rigjeneruar veprat skenike, të cilat unë i kam në repertorin personal, falë bashkëpunimit me trupën e teatrit të operës.
 
Shkrimi u publikua sot (11.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane