Dokumentet para shek.XX/ Kur ngjyrimi i tekstileve në Shqipëri bëhej me bimë

Dokumentet para shek.XX/ Kur ngjyrimi i tekstileve në Shqipëri bëhej me bimë

Bimë me ngjyrë të kuqe

Të dhënat më të hershme për ngjyrimin e tekstileve në vendin tonë i kemi nga arkeologjia.

Zbulimi i parë ndodhi në vitet e pesëdhjeta, më shumë se tridhjetë vjet më parë. Atëherë  prof. dr. Selim Islami zbuloi në mes të një tume një parzmore bronzi, tipike ilire, e cila i përkiste një prijësi të varrosur në shek. VI para erës së re. Ky ishte një kalorës. Në atë kohë sapo kishte nisur shpërbërja e rendit fisnor dhe lindja e një shtrese të re shoqërore, e kalorësve, që do të ishin baza e fisnikërisë së ardhme. Kësaj klase i përkiste ky person. Qoftë edhe vetëm mburoja e bronztë, e mbushur me zbukurime të shumta, nga më të rrallat e asaj kohe të zbuluara në Iliri dhe më e bukura, vërtetonin përkatësinë ndaj një shtrese shumë të pasur të kohës. Parzmorja ishte mbuluar përsipër me mineralizimet e bronzit, duke fshehur motivet e zbukurimit. Mbi keto mineralizime ndodheshin edhe mbeturinat e disa tekstileve. Në atë kohë askush nuk i vuri re. Por ja që erdhi koha për ta studiuar mburojen, e kjo nuk mund të bëhej. Kishin kaluar më shumë  vjet nga zbulimi. Profesori m’u lut që ta ngrija në këmbë, sepse ishte fare e copëtuar. Pastaj do ta kruante për të hequr depozitimet minerale. Ishte punë që nuk bëhej! Bronzi i parzmores nuk ishte më bronz, por një petë minerale, e  krijuara nga shkatërrimi i plotë, i ndodhur nga korrozioni. Ngula këmbë për zbulimin e motiveve me anë të radiografisë. Dhe ashtu u bë. Gjatë punës vura re mbeturinat e tekstilit, të cilat edhe i studiova. U zbulua për herë të parë në Shqipëri një dëshmi e ngjyrimit në kohërat e lashta. Dhe ja se si. Mbi parzmoren ishin mbeturinat e një tekstili, i cili i përkiste të varrosurit. Pa dyshim që ishin pjesë e veshjes, ndoshta të një si tunike. Anës së tekstilit,  kishte shirita të ngushtë, të qepur mbi të. Dihet se  në atë kohë tekstilet dhe  veshjet zbukuroheshin, duke u qepur anëve shirita të ngjyrosur. Po me ҫfarë ngjyre? Këtë nuk e gjetëm dot. U zgjata ca në këtë përshkrim  sepse ky ishte rasti i parë kur vërtetuam zbukurimet e ngjyera, në tekstile.

Nga gërmimet arkeologjike janë gjetur deri më sot më shumë se njëqint mbeturina tekstilesh, afro dyqint në formë fragmentesh, por prej tyre vetëm njëri është  me ngjyrë që ruhet. Ngjyra është bezhë.  Ky tekstil u zbulua nga prof. dr. Namik Bodinaku, në tumat e Piskovës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar.  Datohet i shek. IX-X. Aty, në varr, në dorën e femrës, ishte futur një buzylyk prej bronzi. Brenda tij ishin dy shtresa prej tekstili, të dyja të linjta, njëra e bardhë dhe tjetra, kjo bezha, që përmendëm më lart. Pra ishin një këmishë dhe një fustan. Fustani ishte bezhë. Duke vëzhguar byzylykun nga brenda, pamë të kishte si të stampuar gjurmën e rrudhur të lëkurës së dorës. Ishin rrudha si të një njeriu të moshuar. Një fije të ngjyer e dërguam për ta analizuar në Institutin Mbretëror te Pasurisë Kulturore në Bruksel, ku ndodhet një nga laboratorët më të mirë në botë për ngjyrat e përdorura në të kaluarën. Drejtuesi i laboratorit, Dr. Jan Wouters, na njoftoi se në bazë të analizave rezultonte se bezha nuk ishte ngjyrues nga bimët. Po ҫfarë atëhere? Nuk e gjetëm dot origjinën dhe do të duhen të tjera analiza të komplikura për të kuptuar një copëz jetë, apo traditë nga arbërit e asaj kohe.

Vërtet, kemi edhe epitafin e Glavinicës, katër-pesë shekuj më i vonshëm nga ky tekstil. Ngjyrat e tij janë analizuar në të njëjtin laborator, por ne nuk e dimë absolutisht në se ngjyrat janë realizuar këtu, tek ne, apo në se filli i ngjyer është importuar nga diku.

Shkrimet që flasin për lloin e ngjyruesave dhe mjeshtërinë e ngjyrimit të tekstileve  gjatë shekujve të kaluar nga shqiptarët, janë relativisht të pakta. Mbi të gjitha nuk kemi asnjë botim, qoftë edhe të shkurtër, që të hedhë dritë mbi këtë zeje. Po të bazohemi në dëshmitë e shkruara, apo në analizat kimike, me anë të të cilave janë përcaktuar ngjyruesit në pellgun e Mesdheut, do të arrijmë në përfundimin se edhe në trevat tona arti i ngjyrimit me bimë dhe me insekte të siguruara në vend, apo të importuara, ka qenë i zhvilluar në një shkallë të tillë, sa të plotësonte nevojat estetike të popullsisë vendase. Ndërsa flora e pasur, e favorizuar nga kushtet e përshtatshme klimaterike, ka favorizuar gjithmonë një vegjetacion bimësh ngjyruese në sasi të mjaftueshme për të përballuar kërkesat për përdorim në vend dhe madje ka bërë të mundur që të eksportoheshin disa produkte të tilla.

Dokumentet më të hershëm, që përmendin kalimthi bimë të përdorura për ngjyrim janë ata të shek. XV-XVI. Në të parin, i cili trajton banorët e sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, e të studiuara nga prof. dr. Selami Pulaha, midis prodhimeve bujqësore, që tatoheshin me akҫe nga shteti otoman përmendet edhe qoqel-i. Kjo fjalë ka humbur nga leksiku i sotëm i gjuhës shqipe  dhe në dokument nuk ipet ndonjë shpjegim për të sqaruar natyrën e bimës, apo përdorimin e saj. Selami Pulaha, autor i studimit, e identifikon  emrin “qoqel”, me fjalën gogël, në të cilin u transformua gjatë evolucionit gjuhësor. Në dokumentin e dytë, ku trajtohet popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, i studiuar po nga Selami Pulaha, përmendet i tatuar me akҫe në bazë të barrëve edhe produkti “kokël”, i cili sot, po simbas autorit, shqiptohet “gogël” dhe nuk është gjë tjetër veҫse lente dushku për ngjyrim.

Dokumente të tjerë, që flasin tërthorazi për përdorimin e goglës, e shqiptuar “gjogjel”, për ngjyrim, është ai i Kanunnames  së Elbasanit e vitit 1569, Kanunnameja e livasë së Vlorës, (Rregullore e taksës toksore), e vitit 1583 dhe Kanunnameja e Ohrit, e vitit 1613, në të cilat thuhet se ky prodhim ishte i përjashtuar nga taksat. Këto të dhëna janë marrë nga “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, Vëllimi III, Tiranë 1962.

 Në se do t’i referohemi botimit “Fjalori i shqipes së sotme”, do të  gjejmë se me fjalën gogël shqiptarët quajn kokrrat e disa drurëve pyjorë, si dushku, qarri, qiparisi, etj. Në bazë të studimeve botanike, p.sh atij “Flora eskursioniste e Shqipërisë”, botuar nga prof. dr. Mustafa Demiri, në vitin 1983, rezulton se dushku, (prralli, Quecus coccifera L), rritet në Shqipërinë e jugut dhe më pak në atë të mesme, ndërsa në Shqipërinë e veriut, nuk ndeshet. Atëherë, përdorimi për ngjyrim i goglave të prrallit në Shkodër dhe në Kosovë ka qenë i pamundur në kuadrin e bimëve native. Për të njëjtën arsye duhet të përjashtohet si ngjyrues në Shqipërinë e veriut edhe gogla e qiparisit. Por ka mundësi që të ketë qenë i mundur përdorimi i goglave të një druri tjetër të familjes së dushkut, të shparthit, (Quercus frainetto Ten), i cili ndeshet në Shqipërinë e veriut. Të ashtuquajtura “gogla” të tij rriten si toptha në gjethet e pemëve të sulmuara nga disa insekte, sidomos nga grenxa. Të paktën kështu na sqaron historia botërore e bimëve ngjyruese.

Goglat e familjes së dushkut kanë përmbajtje të lartë lëndësh tanifere dhe ngjyra e përftuar prej tyre ka qenë nga bezhë në kafe dhe e zezë, kur në banjën e ngjyrimit shtoheshin materiale me përmbajtje hekuri, si përshembull, zgjyrë.

Një tjetër bimë ngjyruese, që përmendet në dokumente, është zagfrani, ose shafrani. Për të mund të lexojmë tek: Selami Pulaha, “Defteri i rregistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1458” , Tiranë 1974. Në Sanxhakun e Shkodrës, në vitin 1458, ajo tatohej si edhe bimët e tjera të kultivuara. Edhe në kanunin e qytetit të Tërhallës, në vitin 1520 dhe në Kanunnamen e Shkodrës të vitit 1570, safrani rregjistrohej ndër produktet që tatoheshin rregullisht. Por kishte edhe krahina të tjera, të cilat nuk e tatonin këtë bimë. Kjo dëshmohet në Kanunnamen e Elbasanit, në atë të livasë së Vlorës dhe në atë të Ohrit, përkatësisht të viteve 1569, 1583 dhe 1613.

Nuk ka dyshim se lulet e verdha të shafranit janë përdorur gjerësisht për ngjyrim në vendin tonë, madje emri i shafranit ka hyrë edhe në të folurën shqipe në shprehjet krahasuese, si: “I verdhë si shafran”, etj. Por, në se do të mbështetemi në studime më të hollësishme për florën e Shqipërisë dhe të rretheve të veҫanta të saj, do të vërejmë se bima e shafranit, (Crocus sativus), në Shqipëri nuk ekziston. Nuk ekziston edhe bima tjetër Carthamus tinctorius, ose shafrani i rremë, që shpesh herë është ngatarruar me shafranin e vërtetë.

 Mendimi i prof. dr. Andromaqi Gjergjit, që bazohet në sistemin e tatimit të produkteve bujqësore të aplikuara nga shteti otoman, është se bima e shafranit ka ekzistuar në vendin tonë dhe se me kohë është zhdukur.

 Për të sqaruar plotësisht se si qëndron ҫështja e bimës së shafranit në Shqipëri, do t’i drejtohem historikut të kësaj bime për ngjyrim. Ajo ka qenë e njohur në Azinë e Vogël, në Egjypt, Kretë dhe nga fenikasit që në kohrat më të lashta. E kam gjetur në “35 recipes for the home dyer. Plants and Gardens”. Vol 20, Autumn (November) 1964, No 3. Në shqip: “35 receta për ngjyrimin shtëpiak”. Bimët dhe Kopshtet. Vjeshtë, (Nëntor) 1964…Tri njollat portokalli të ҫelura të lules së shafranit përdoreshin nga persët, grekët dhe romakët për të përftuar ngjyrën e verdhë. Në mesjetë ai u bë një artikull i rëndësishëm eksporti. Përdorej i thatë për të ngjyer leshin, mëndafshin dhe pambukun të trajtuar, (mordantuar), paraprakisht me shap, (alum), ose siҫ e quan populli, shtipëz. Është e mundur që edhe tek ne shafrani të jetë përdorur që në kohërat më të lashta dhe në të njëjtën mënyrë. Por shafrani nuk ndeshet në gjendje të egër, apo i mbirë spontanisht.  Shumë kohë më parë ai ka qenë kultivuar edhe në Evropën jugore, por me kohë, siҫ na thotë T. Tutin në “Flora Europea”, Volume 5, Kambridge University Press, 1980, kultivimi i tij u la. Në këtë suazë duhet parë dhe kuptuar edhe ndeshja dhe zhdukja e shafranit në Shqipëri. Kurse sistemi i taksave të prodhimeve bujqësore vërteton kultivimin e shafranit tek ne, që përbën rastin e vetëm për një bimë ngjyruese.

Një tjetër bimë ngjyruese e përdorur nga shqiptarët gjatë shekujve të kaluar është rrëza ngjyruese. Përmendet për herë të parë nga Evlija Ҫelebiu në shek. XVIII. Ai e quan “rrënja e bojës së kuqe” dhe e cilëson si një nga mallrat më të rëndësishme që ka parë në pazarin e  qytetit të Resnes. Ndër bimët me rrënjë të kuqe që rriten në Shqipëri dhe që përdoren për ngjyrim, më kryesoret janë dy, rrëza ngjyruese, (Rubia tinctorium) dhe alkana ngjyruese, (Alkana tinctoria). Që të dyja këto bimë ndeshen të përdorura në vendet fqinje, që në kohërat më të lashta. Kështu na thotë E. Scholtz në “Dye Plants Round the World. Recipes from18 countries”. Plant and Gardens, Vol. 20, Autum 1964, No.3, që shkurt mund të përkëthehet: “Bimët ngjyruese nëpër botë. Receta nga 18 vende”. Tek ne, tradita tregon se me alkanën ngjyruese, që Myzeqeja, (sepse kjo bimë rritet në ranishtet bregdetare), e njeh me emrin “rrënjë kuqja”, ngjyhet në një nuancë gri në manushaqe filli i majës, i përdorur për endjen e qilimave. Ndërsa ngjyrat portokalli në të kuqe, ose me nuancën e frutit të hides, apo edhe kafe, në rastin e mëndafshit, janë arritur në krahina të ndryshme, si në Mokër, Tiranë, Myzeqe, etj., me anë të rrëzës ngjyruese. Kjo bimë, që populli e njeh me disa emra si rojbëza, në Myzeqe, borsht në Mokër, robëz, në Vrap, etj., vazhdon të përdoret edhe sot në mënyrë të kufizuar. Kjo bimë tashmë gjendet rrallë, por dikur gjendej lehtësisht dhe përdorej gjerësisht. Është shumë e mundur që ngjyra e kuqe e bukur e fillit të pambukut që realizohej në Shkodër, ajo ngjyrë që njihet në disa krahina si “e kuqja e Shkodrës”, të jetë arritur pikërisht me këtë bimë.

 Po në mallrat e rëndësishëm të tregut të qytetit të Resnes Evlija Ҫelebiu përmend edhe bojën e cohës. Ky ngjyrues është akoma i paidentifikuar nga ne.

 Ndër drurët ngjyrues që eksportoheshin gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë bën pjesë edhe skotana. Përmendet të transportohej edhe me anije franceze për në Marsejë dhe Ryan. Dy ishin portet nga ku tregëtohej, Shën Gjini dhe Shkodra, e cila e merrte këtë dru nga malësitë e Lezhës dhe të Mirditës. Këtë fakt e ka zbuluar në dokumente Zija Shkodra dhe e ka botuar në vitin 1984 në “Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare”.

 Emri skotanë vjen nga italishtja, scotano, me të cilin quhet bima e cërmëdellit, (Rhus cotinus). Me sa duket emri scotano u fut në dokumente nga tregëtarët italianë, të cilët kishin më shumë leverdi ta blinin cërmëdellin nga Shqipëria, ku ai rritet në masive, sidomos në dy krahinat e lartpërmendura.

 Në dokumente nuk cilësohet se cila pjesë e bimës tregtohej, sepse nga cërmëdelli, sipas prof. dr. Mustafa Demirit, botuar në vitin 1979 në “Bimët e egra të dobishme e të dëmshme të vendit tonë”, përdoren të gjitha organet. Po t’i drejtohemi praktikës së sotme të shqiptarve, druri i cërmëdellit dhe pikërisht palca e tij, duhet të përdoret e freskët, brenda ditës, për të përftuar ngjyrë portokalli. Nga gjethet e kësaj bime, që shquhen për përmbajtje të lartë taninesh, mund të prodhohet bojë e zezë nëpërmjet të lidhjes kimike, (kompleksimit), me hekurin. Ka mundësi që të jenë eksportuar gjethet, që në disa vende të Evropes njiheshin si “sumaku venecian” dhe që përdoreshin kryesisht për regjien e lëkurëve dhe natyrisht, në masë më të vogël, për përgatitjen e bojës.

Një tjetër bimë ngjyruese që përmendet në dokumentet e shek. XVIII është sumaku. Ai eksportohej nga Shkodra. Me emrin sumak në Evropë njihej një prodhim që përmban tanine me shumicë dhe që sigurohej nga bimë të ndryshme. Por sumaku i vërtetë është ai që përftohet nga bima e shqemes, (Rhus coiariar). Edhe kjo bimë përmendet në dokumentin e mësipërm. Në se shqemja do të përdoret vetëm, ajo jep ngjyra tipike për bimët tanifere, lëvorja e trungut të verdhë, lëvorja e rrënjës kafe, frutet të kuqe, por në kombinim me komponime të hekurit prodhon karabojën, aq të veҫantë dhe aq të përhapur për ngjyrën e zezë, sidomos në mëndafsh. Por përdorimin kryesor kjo bimë e ka për regjien e  lëkurëve.

 Nikolla Mitrushi, në “Sekreti i ngjyrave”, botuar në 1967, raporton se Zagoria ka pas përdorur rrënjët e sumakut për të fituar ngjyrë të zezë. Ka të dhëna se gjethet e sumakut janë mbledhur nga popullsia e varfër edhe në fillim të shek. XX ne fshatin Erind të Lunxhërisë. Ato, mbasi  thaheshin, shiteshin në qytetin e Gjirokastrës për përdorim të mëtejshëm. Përdorimi i shqemes për ngjyrim të zi dhe kafe ka vazhduar edhe deri njëzetë e ca vjet më parë.

Në një dokument të vitit 1821, të cituar nga Nikolla Mitrushi, e që është po ai i cituar më lart, e që flet për ngjyrimin në Elbasan, përmenden edhe lëvoret e vërriut, (Alnus glutinosa (L) Gaertu) me të cilat ngjyhej në të zi leshi, lini dhe pambuku. Në libër ipet edhe receptura dhe teknika e ngjyrimit. Ajo që na intereson në këtë shkrim është receptura, e cila rekomandon përdorimin e ngjyrës së hekurit, e cila ka mundësi që të ketë qenë ose zgjyrë e marrë nga kovaҫanat, ose sulfat hekuri, që njihej me emrin “kosel”. Kështu dokumentohet për herë të parë mordantimi, apo ngulitja dhe përftimi i karabojës, që nuk ka dyshim se ka një përdorim shumë më të hershëm. Ngjyrimi me bimën e vërriut vazhdonte edhe deri ca vite më parë, por pa shtesat e përmendura më lart.

Një tjetër bimë ngjyruese që përmendet në dokumentet e shek. XIX është valanidhi. Ai përdorej në punishtet e Janinës për të përftuar një ngjyrë të kuqe të mbyllur, e cila ishte e vështirë të realizohej gjetiu. Po në këtë periudhë valanidhi eksportohej në Tunizi dhe në Angli, ku përdorej për të ngjyer festet. Kjo përmendet në “Shqipëria në vitet e lidhjes shqiptare të Prizrenit”, botuar në vitin 1986.

Bima e valanidhit, (Quercus macropolis Kotschy), dallohet për përmbajtje të lartë taninesh, të cilat japin ngjyra nga e verdhë, në kafe. Përftimi i ngjyrës së kuqe nga një bimë tanifere është një fakt që të huton dhe do të thoshim bëhet i pabesueshëm. A mund të realizonin lidhjen e tanineve me antrakinonin, përbërësi bazë i ngjyrave të kuqe?  Në të kundërt ekziston mundësia e përdorimiot të tanineve të kësaj bime në rolin e ngulitësit gjatë ngjyrimit të kuq, të realizuar me rrëzën ngjyruese. Ose një nga të dhënat e gabuara që ndeshen herë-herë në literaturën e shekujve të kaluar, që përmendin ngjyrimet.

Në se deri tani u përmendën disa bimë ngjyruese të cituara në dokumente të ndryshëm, kjo nuk nënkupton kufizimin e gamës së këtyre lloj bimëve vetëm në ato që përshkruam. Shumllojshmëria e bimëve ngjyruese që kemi ndeshur ndër  shqiptarë edhe tre dekada më parë, ka një bazë shumë të hershme dhe të pasur që është përmbledhur në linjën e traditës.

Veҫ bimëve dhe insekteve native, shqiptarët kanë përdorur edhe ngjyrues importi, të hedhur këtu nga vorbulla tregëtare e kohës. Tonet e pasura, ngjyrat potente dhe mundësia e realizimit të atyre ngjyrave  që nuk mund të përftoheshin nga bimët vendase, bënë që një sërë drurësh ngjyrues të gjenin përdorim edhe në vendin tonë.

Si një dru i tillë përmendet bakëmi në një recetë të vitit 1821, që e rekomandon të kombinuar edhe me karabojën dhe shapin për të ngjyer pambukun në ngjyrë mavi. Me emrin bakëm tek ne njihej bima Haemataxylon campechianum, ose druri i kampeshit. E gjejmë tek N. Qafzezi, “Fjalor i bujqësisë”, Tiranë 1978. Ka edhe sinonime të tjera, si druri i Indisë, me që vinte nga Amerika Qendrore, cituar nga H. Niksdorff dhe H. Mÿller, “Rote Roben”. Berlin, in Dezember 1983, ose druri blu, ose druri i zi, cituar nga P. Poire dhe A. Tanquerey, “Lecons de chemie”. 2 et 3 annes. Paris 1906. Ka qenë druri i përdorur më shumë për ngjyrim. Brezat e moshuar të kohërave të fundit e kanë mbajtur mend për ngjyrimin e leshit në të kuq. Ai ishte i kualiteteve të ndryshme dhe klasifikohej për cilësitë e tij në bazë të thellësisë së tonit dhe të nuancës. Por është e pamundur që shqiptarët e shekujve të kaluar, sidomos mjeshtrit e punishteve të ngjyrimit, të mos i kenë njohur vetitë e këtij druri për të dhënë një spektër më të gjërë ngjyrash, si gri, jeshile të errët, ulliri, kafe, violet, lejla, e të zezë.

U përmendën më lart vetëm ato bimë ngjyruese  të cilat i ndeshim në dokumentet që disponojmë. Ёshtë e natyrshme dhe e padyshimtë, që numuri i bimëve ngjyruese të përdorura nga shqiptarët gjatë shekujve të kaluar, të ketë qenë shumë më i madh. Në se mungojnë dokumentet e shkruar, ka një tjetër dokument, po kaq të padyshimtë, që është tradita e kësaj mjeshtërie me rrënjë të thella në kohë dhe e trashëguar deri në kohën e sotme. Ngjyra e kaltër, e përftuar nga llullaqi, përbën shembullin më konkret në këtë drejtim. Ajo nuk është gjë tjetër veҫse indigoja.

Mendoj se do të ishte me interes për të thënë nja dy fjalë mbi mënyrën e  organizimit të ngjyrimit me bimë. Fillimisht kjo ka qenë një mjeshtëri shtëpiake. Ajo gjatë shekujve u zhvillua, u perfeksionua dhe arriti një shkallë të lartë përsosmërie, sidomos me anë të përdorimit të ngulitsave. Koordinimi i toneve të fituara nga bimë të ndryshme native, ose importi dhe sidomos kimikatet e shtuara në banjë për të realizuar ngjyra të preferuara, bënë që kjo teknikë të komplikohej, të vështirësohej dhe rrjedhimisht të përqëndrohej, në kuptimin e mjeshtrit. Së pari teknika e komplikuar lindi këta mjeshtër dhe pastaj këta mjeshtër lindën punishtet e ngjyrimit, të cilat më vonë u organizuan në esnafe. Nuk e dimë se kur ndodhi ky organizim tek ne. Përshembull në Pompei janë zbuluar dyqanet e ngjyrimit. Kështu thonë dy autorë, E. Jane dhe McD. Schetky në “The ageless art of dying”, botuar në 1964 dhe që mund të përkëthehet: “Arti i vjetër i ngjyrimit”. Nga të dhënat që kemi mësojmë se në vitin 1866 Prizreni kishte pesëmbëdhjetë punishte ngjyrimi. Dokumentet që flasin për këtë i ka studiuar prof. dr. Zija Shkodra dhe i ka botuar në  vitin 1984 në “Qyteti shqiptar gjatë rilindjes kombëtare”. Kjo zeje filloi të bjerë, ose të zhdukej, që në shek. XVIII-XIX. Kjo e dhënë është botuar po nga Z. Shkodra në vitin 1973 në “Esnafet shqiptare”.  Esnafi i bojaxhijve e pushoi të gjithë veprimtarinë e vet  në fillim të shek. XIX, siҫ thotë në të njëjtin botim prof. dr. Z. Shkodra, “me daljen e bojrave sintetike dhe rënien e prodhimit të pëlhurave”. Ёshtë e qartë se zeja e ngjyrimit filloi të binte një shekull përpara daljes së ngjyruesve sintetikë, të cilët u prodhuan në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe rënia e zejës së ngjyrimit, me sa duket duhet kërkuar në zhvillimin e kapitalizmit në Evropë dhe në konkurencën e mallrave të tregëtarëve evropianë  dhe jo në prodhimin e ngjyruesve sintetikë. Po me ngjyrimin lidhen edhe ngulitësit. Ende nuk kemi të dhëna mbi burimet e sigurimit të tyre. Po zgjyra e  kovaҫit ndodhej në vend, ndërsa shapi, apo stipëza, importohej në Evropë nga Turqia që pesëqint vjet më parë. Dhe pse jo edhe në Shqipëri? Po ngulitësit e tjerë? Këta pastaj shiteshin në dyqanet e tregëtarëve të vegjël, siҫ shiteshin edhe gjatë fillimit të shek. XX.

(Ky shkrim është bazuar kryesisht  në studimin tim monografik të vitit 1994 “Konservimi   i  ngjyrave në tekstilet popullore ” dhe pasuruar me të dhëna të tjera të mëvonshme të marra nëpërmjet të bashkpunimit me institucione shkencore në Europë)

 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Konsiderohen si numrat e 'engjëjve', çfarë simbolizojnë dhe kuptimi i tyre

Konsiderohen si numrat e 'engjëjve', çfarë simbolizojnë dhe kuptimi i tyre