Në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë Trombectomia, një ndërhyrje urgjente dhe jetëshpëtuese, është zhvilluar 16 vite më parë por prej 10 vitesh është e pamundur sepse asnjë euro nuk është investuar në aparatura dhe pajisje.

Një investigim i Report Tv tregon se mjekë drejtues në QSUT i kanë dërguar shkresa të vazhdueshme drejtorisë së Qendrës Spitalore por edhe Ministrisë së Shëndetësisë duke e vënë në alert gjatë gjithë kohës për problematikën, rëndësinë e zgjidhjes së saj, por nga ana tjetër duke i mëshuar vështirësisë së zgjidhjes dhe faktit që kushton shumë.

Report Tv ka siguruar disa shkresa të drejtuara krerëve të shëndetësisë nga mjekët Mentor Petrela dhe Arben Rroji që kërkojnë një zgjidhje por të dy sot punojnë në Spitalin Amerikan 3 pikërisht për ta bërë trombectoni me një kosto operacioni për pacientët 20 mijë euro.

Në një shkresë që mban datën 11 shtator 2014, që i është drejtuar Drejtoreshës së Përgjithshme të QSUT-së në atë kohë, sot ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manatirtliu, doktor Mentor Petrela e informonte drejtorinë e spitalit se operacione të tilla të vështira në tru me katetër pa hapje të kokës ishin bërë më herët në spital, 30 me donacion të profesorit francez Emmanuel Houdart dhe 10 të tjera me buxhet. Ndërkohë që kostoja e materialeve theksonte doctor Petrela shkon 7 deri në 10 mijë euro. Kujtojmë se Amerikani nuk të fut në operacion sot pa 20 mijë euro. 

Një tjetër shkresë e dërguar në shkurtin e vitit 2015 ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për dijeni drejtoreshës së atëhershme të QSUT Ogerta Manastirliu, mjeku Mentor Petrela kërkontë më shumë vëmendje për urgjencën neurologjike, krijimin e një njësie që ai e quan ‘stroke unit’ për të rritur shërbimin.

Komunikimi mes mjekëve dhe autoriteteve ka vijuar në vazhdimësi, edhe kur drejtoresha e kaluar e QSUT u bë ministre. Në një shkresë të gjatë drejtuar Manasterliut më 7 korrik të vitit 2020 nga doktor Arben Rroji, në cilësinë e shefit të Kabinetit të Neuroradiologjisë Diagnostikuese Madje mjeku Rroji 3 vite më parë parashikonte 30 pacientë në muaj me një kosto totale vetëm me materiale, nëse aparatura do të ekzistonte 3 mln euro në vit.

“Nisur nga shifrat statistikore te regjistrit tone te STROKE kemi 30 paciente ne muaj qe duke llogaritur kostot materiale 10000 euro për pacient, shkojnë 300.000 euro në muaj ose 3 milion euro në vit“. 

Mjeku më pas theksonte gjithashtu se trombektomia në QSUT se pari kërkon edukimin.

Shkresa e fundit e dërguar, që Report Tv ka zbuluar, është ajo e datës 28 qershorit 2021, drejtuar Enkelejdi Jotit, Drejtor i Përgjithshëm QSUT "Nene Tereza".

Edhe në këtë shkresë Arben Rroji, shef i Kabinetit të Neurorafiologjisë Diagnostikuese Intervecionuese, por që vijon dhe bën operacionin e trombektomisë në Spitalin Amerikan 3, I thotë eprorit të tij se kërkesat minimaliste për ta ofruar këtë shërbim në QSUT janë 1 mln euro stente, personel shtesë, aparatura shtesë. 

Report Tv përmes burimeve ka mësuar se në QSUT aktualisht janë dy mjekë që mund ta bëjnë një operacion të tillë, të cilët duhet të jenë të dy pjesëmarrës në një ndërhyrje. Por sipas mjekut Rroji, i cili është një prej këtyre dy mjekëve që punojnë edhe te Spitali Amerikan 3, për për të ofruar shërbimin 24 orësh sipas njërit prej mjekëve duhen 18 mjekë, pasi kemi të bëjmë me një procedurë urgjente, që kërkohet të bëhet në çdo orar të ditës dhe natës dhe mjekët duhet të jenë në dispozicion.

Një shifër e tmerrshme që lidhet me mungesën e kësaj aparaturë në QSUT është ajo që lidhet me ndërhyrjet për heqjen e aneurizmave në tru ose që quhen ndryshe fluska në tru. Burime për Report Tv kanë konfirmuar se aktualisht ato operohen në spital por vdekshmëria është tmerrësisht shumë e lartë, 30-40% të pacientëve. Ndërsa nëse do të operohej me aparaturën moderne angliograf dhe pajisjet e nevojshme qe QSUT nuk disponon vdekshmëria është 8%. Pra rreth 30% të pacientëve që kanë probleme me aneurizmat vdesin në QSUT për shkak se një aparaturë nuk ekziston. Që të shpëtojnë edhe këta duhet të drejtohen te Spitali Amerikan.

Për ta përmbyllur, investimi për t’i shpëtuar jetën shqiptarëve ka qenë dhe është më shumë se i mundur, por neglizhenca, por edhe konflikti i interesit apo vullneti për t’ia lënë në dorë privatit një monopol kaq fitimprurës i ka lënë rreth 30 shqiptarë në muaj në mëshirë të 20 mijë eurove.

Siç mjekë të neurokirurgjisë në QSUT theksojnë ndërhyrjen e trombektomisë vetëm Kosova nuk e ofron në rajon. Por megjithatë kosovarët vijnë në Shqipëri, te privati në Tiranë, dhe pagesat ua mbulon shteti deri në 80% të shpenzimeve. Ne Shqipëri as kosto nuk e mbulohet nga shteti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:03
Trombectomia, QSUT: Po punojmë për realizimin, shërbimet janë përmirësuar në vazhdimësi

1691161481_qsut.png

Qëmdra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka kthyer një përgjigje në Email sa i takon shqetësimit të ngritur prej ditësh nga Report Tv për mungesën e aparaturës së Trombectomisë.

Në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë Trombectomia, një ndërhyrje urgjente dhe jetëshpëtuese, është zhvilluar 16 vite më parë por prej 10 vitesh është e pamundur sepse asnjë euro nuk është investuar në aparatura dhe pajisje.

Përgjigja e dhënë nga QSUT:

Pershendetje,

Në përgjigje të kërkesës tuaj për informacion, ju informojmë se: ne QSUT trajtohen një numër shumë i madh pacientësh me të gjitha llojet e patologjive. Vetëm për vitin 2022, janë shërbyer e trajtuar në total (shtrime dhe shërbime ambulatore) 525.616 qytetarë. Numri i pacientëve të trajtuar në Spitalin e Neuroshkencës për patologji neurovaskulare është 4816 pacientë për vitin 2022, të trajtuar nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve invasive të llojeve të ndryshme.

Qendra e parë e trajtimit të aksidenteve vaskulare cerebrale (trombolizës) u krijua në QSUT në 2016. Qendra e trombolizës vazhdon aktivitetin me shifra suksesi të nivelit bashkëkohor, ku deri më sot janë shërbyer mbi 700 pacientë.

Trajtimi i aksidenteve cerebrovaskulare nëpërmjet trombolizës, kryhet me sukses të krahasueshëm me të njëjtin koeficient si në spitalet europiane, bazuar në protokollet mjekësore të kohës së përfitimit, falë mundësimit 100% të ekzaminimeve imazherike dhe laboratorike në kohë reale nga shërbimi i urgjencës dhe Njësia e Stroke.

Diagnoza e sëmundjeve neurovaskulare kryhet sipas standartit bashkëkohor nga neuroradiologë dhe teknikë  të cilët kanë në dispozicion pajisje të fjalës së fundit, si rezonanca 3 Tesla, e vetmja e ketij lloji në Shqipëri, si dhe aparatura angioskanera me prerje të larta (deri 128). (Sa më sipër informojmë se aparaturat në Shërbimin e Neurokirurgjisë janë në sistem mirëmbajtje dhe përdoren të gjitha sipas protokolleve mjekësore të përcaktuara nga shërbimet klinike)

Përsa i përket procedurës DSA (vizualizimi me kontrast i rrjetit të enëve të gjakut të trurit), sot kryhet në Shqipëri nëpërmjet bashkëpunimit me Spitalin Memorial, pas konsultimit paraprak mes stafeve mjekësore, pra shërbimi për këtë protokoll sigurohet për pacientët që referohen për këtë ekzaminim.

Aparaturat e nevojshme për kryerjen e procedurave invazive të ketyre kategorive (enëve të gjakut të zemrës, kokës dhe periferike) janë angiografët. Në spitalin e Neuroshkencës ndodhet një prej katër angiografëve që disponon QSUT (të gjithë funksionalë), në të cilën kryhen procedurat endovazale prej vitesh me përfitim shumë të madh për jetën e pacientit.

Përgjatë ketyre viteve në mënyrë të vazhdueshme, mjekët specialistë neuroradiologë kanë kryer procedurat endovazale, me metoda invasive, si dhe po aftësohen në vijimësi për trombektominë dhe kryerjen e saj.

Në kuadrin e investimeve të reja nga MSHMS, në Spitalin Qendror të QSUT është instaluar një pajisje e re, Angiograf, e tipit COMBI në Urgjencë, që mundëson kryerjen e diagnozës dhe trajtimit të trombeve (me shkaqe të ndryshme) në enët e gjakut të zemrës, kokës dhe periferike. Paralelisht me kryerjen e procedurave të ekzaminimeve dhe trajtimeve invasive në zemer, apo vazat karotide, po punohet njëherazi për fillimin e kryerjes në këtë strukturë dhe të trombektomisë sipas protokolleve përkatëse.

Në vijim të punës për shtimin e trajtimeve të reja në QSUT, sikurse është procedura e trombektomisë, po ecet me një plan veprimi të qartë dhe një grup pune, që po ndjek hap pas realizimin në një kohë të afërt të kësaj procedure.

Me respekt,