Dokumenti/ Parashqevi Qiriazi
Master që në 1913-ën në SHBA

Dokumenti/ Parashqevi Qiriazi<br />Master që në 1913-ën në SHBA
TIRANE- Revista “The Oberlin Review“ e datës 13 janar 1922, duke njoftuar për emërimin e Kristo Dakos në zyrën e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, më 7 dhjetor 1921, mes tjerash rikujton, se Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike master në vitin 1913 në departamentin e edukimit të Universitetit të Oberlinit. 

Teza e masterit e Parashqevi Qiriazit ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri” e përgatitur si tezë për marrjen e gradës akademike, master i edukimit (Parashqevi Qiriazi ka marrë gradën akademike A. M. në vitin 1913. Teza e masterit u mbrojt në qershor të vitit 1913 në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit në Ohio të SHBA - ve.

Për herë të parë është botuar në gjuhën angleze, në Boston, në vitin 1919, në kuadër të librit të Kristo Dakos, (Shqipëria, çelës i enigmës për Lindjen e Afërt), si pjesë shtojcës E, dhe atë nga faqja 248 deri në faqen 266. Përkthimi në gjuhën shqipe gjendet në veprën e Shefik Osmanit: “Trashëgimi social-pedagogjike”. Ndërkohë Parashqevi Qiriazi në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit. Shkroi dhe botoi në Çikago veprën “Shkolla e vashave – Korçë” (The School for Girl – Kortcha, Albania).

Në temën e saj të dilpomës vihet re se ajo ka projektuar një sistem arsimor për Shqipërinë. Parashqevia parasheh që: “Çdo qytet të ketë shkolla elementare dhe të dyta, në kryeqytet të themelohet një universitet. Nëpër fshatërat të hapet vetëm shkollë elementare, edhe në katundet sipas nevojës”. Pastaj “Çdo qytet me gjithë krahinë, të ketë një pleqësi, përgjegjëse përpara Ministrit të Arsimit. Një nga anëtarët e kësaj pleqësije të jetë inspektor. Inspektori lipset të ketë stërvitje të veçantë për punë të tij”.

Ajo citon Stochtonin të ketë thenë: “Një njeri që nuku ka stërvitje në qëllimet e vërteta të arësimit kurrë nuku bën të emërohet inspektor”. Më tutje ajo vazhdon: “Një njeri që të jetë i zoti për këtë vent, lipset të ketë dije të gjërë në biollogji, soçiollogji, psikollogji, edhe pedagogji; përveç kësaj duhet të jetë i zoti të përdornjë gjykim për të radhiturit e kurseve të mësimit”. Qiriazi parasheh edhe një ministër të Arsimit si kryetar i një komisioni arësimtar, përgjegjës përpara Parlamentit. 

Ajo e shtrinë rrjetin e saj arsimor përtej kufijve të zakonshëm arsimor të kohës. “Për të përmirësuarit të shoqërisë, sistemi shkollar lipset të përmbledhë edhe shkolla të veçanta për sakatërit”. Me “sakatër” ajo nënkupton “të verbërit, të shurdhrit dhe memecët”. Në bazë të edukimit dhe mësimit të tyre, ajo vendos “mësimet e punës së dorës”, pa përjashtuar dhe një kurs të shkurtër lëndësh të ndryshme që ata “të kenë rast të çvillojnë mendjen e tyre edhe të shijojnë nga thesaret e diturisë”. Sistemi ideal i arsimit sipas Parashqevi Qiriazit duhet të përfshijë:

1. Kopshtet e fëmijëve (Kindergarten ose Montessori);
2. Shkolla elementare (fillore); 
3. Shkollat e dyta (të mesme);
4. Arsimi i lartë (universiteti);
5. Shkolla normale;
6. Shkolla speciale (për sakatërit). 
Për këtë të fundit ajo thekson se përveç studmit të “Filozofinë e zhvillimit të mendjes së foshnjës” të ketë “Shkolla për sakatërit (speciale) - E nisur nga qëllime humanitare dhe pedagogjike”.
 
Pak fjalë nga jeta e veprimtaria e P. Qiriazit
 
Më 2 qershor në Manastir u lind Parashqevi Qiriazi. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme e vazhdoi në në Manastir. Më 1900-n studioi në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll në degën e letërsisë. Më 1904 pas diplomimit filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë. 

Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastir. Më 1909, ndër të tjera hartoi dhe botoi në Manastir tekstin “Abetare - për shkollat e para”. Më 1910 për nder të Kongresit të Manastirit dhe alfabetit të gjuhës shqipe, përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar”, që u këndua më 14 shkurt në Mitingun e Shkronjave Shqipe në Korçë. Më 1913 përfundoi me sukses studimet postdiplomike master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Universitetit të Oberlinit në Ohio - SHBA. 

Më 1914 për shkak të fillimit të Luftës I Botërore largohet nga Shqipëria. Më 1917 - 1920 në Boston të SHBA-ve nxori revistën “Yll`i Mëngjesit”. Më 1919, Parashqevia ishte delegate në Konferencën e Paqes në Paris, si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj Konference. 

Më 1922 shkolla e Korçës shpërngulet në Tiranë, riemërohet Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe Parashqevia emërohet drejtore. Më 1933 mbyllet Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias). Më 1943 - Më 15 tetor, Sevastia dhe Parashqevia, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen nga forcat nazifashiste dhe dërgohen në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës afër Beogradit në Serbi.

Më 1944 në tetor të këtij viti, me të internuarit lirohet dhe arrin e gjallë në Shqipëri, por ndërtesa e Institutit Qiriazi shtetëzohet. Lihet shumë vite në harresë dhe më 1970 Parashqevia vdes në Tiranë. Vetëm në 1987 ajo rikujtohet e dekorohet “Post Mortem” me titullin “Mësuese e Popullit”, etj.
faksimile

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Tetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Iu bë atentat në Bruksel, ndërron jetë Agustin Kaza! Dyshohet se u vra për gjakmarrje

Iu bë atentat në Bruksel, ndërron jetë Agustin Kaza! Dyshohet se u vra për gjakmarrje