Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur një shqetësim në lidhje me rritjen e çmimeve të frutave dhe perimeve veçanërisht në kryeqytet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Braçe thotë se konkretisht tek trotuari nga shkolla Vasil Shanto e poshtë ka disa pika të shitjes së perimeve e frutave që po abuzojnë me çmimet.
Ai vë në dukje se domatja arrin deri në 340 lekë për kilogramë, teksa domatet e vogla arrijnë deri në 640 lekë për kilogramë.
“Për ushqimin, perimet e frutat; Tek trotuari nga shkolla Vasil Shanto e poshtë, ka disa pika të shitjes së perimeve e frutave; I pashë tani, çmimet janë çmendur!
Dhe këto pikat mbahen si më të lirat tek 5-sa. Domatet fillojnë me 300 lekë dhe arrijnë deri në 340 lekë për kilogramë; Domatet e vogla, të huaja doemos, janë 640 lekë për kilogramë; speci i kuq ka arritur në 340 lekë për kilogramë; karrota ka arritur në 140 e shkon dhe 150 lekë për kilogramë; patëllxhani dhe pa cilësi ka arritur në 320 lekë për kilogramë; Bizelet kanë arritur në 480 lekë për kilogramë;mashurkat kanë arritur në 600 lekë për kilogramë”, thotë Braçe.
Ai thekson se abuzimi është skandaloz veçanërisht pasi këto pika mbahen si më të lirat në Tiranë. Braçe shton gjithashtu se i ka kërkuar Policisë Bashkiake të lirojnëë trotuaret që ju merret të moshuarve që lëvizin këtu e që grabiten me këto çmime.
“Domethënë keq! Abuzimi është skandaloz; për më tepër kur këto lekë ti marrin edhe pa faturë tatimore. Dhe po e përsëris, këto pika mbahen si më të lirat në Tiranë. Ndërkohë kam një vit që i kërkoj Policisë së Bashkisë të lirojë gjysmën e trotuarit që ju merret të moshuarve që lëvizin këtu e që grabiten me këto çmime;Por mesa duket Policia e Bashkisë ka gjetur mirëkuptim me çdokënd këtu; i bie shkurt: Inate komshinjsh!”, shton Braçe
Komente











