Opozita e shpalli listën e vet të garuesve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe ajo që bie lehtësisht në sy është se kjo ofertë mbetet pak a shumë e njëjtë me atë të vitit 2013 dhe vitit 2017.

Pra, opozita synon një rezultat ndryshe me të njëjtën kategori kandidatesh, për të cilat në dy zgjedhjet e fundit u ndëshkua keqaz.

Natyrisht, nuk duam qe t’iu japim mend drejtuesve të opozitës, por të shpresosh të korrësh një rezultat ndryshe herën e tretë, kur dy herë kjo mënyrë sjelljeje dhe veprimi ka marrë ndëshkim të pazakontë, nuk është diçka racionale. Por me sa duket opozita shpreson dhe mendon se ai qe duhet të ndryshojë qëndrim duhet të jetë populli.

Sipas tyre, duhet pra qe ky i fundit  te bëjë autokritike për vendimet qe ai ka marrë në dy zgjedhjet e kaluara, duke e lënë PD dhe partitë e tjera në opozite.

Përgjatë gjithë kohës e vetmja taktikë e përdorur nga opozita ka qenë përpjekja për të “pikturuar” Edi Ramën në sytë e elektoratit shqiptar si e keqja më e madhe për të. Madje edhe për gjithë kombin shqiptar. Nëse do rezultojë efikase kjo mënyrë veprimi mbetet te verifikohet dhe koha kur kjo do ndodhe është e afërt.

Por që kjo sjellje e opozitës, duke shpenzuar energji të pafundme për nxirjen e kundërshtarit, pa bërë asnjë reflektim mbi shkaqet dhe arsyet që çuan elektoratin shqiptar ta ndëshkojë atë në dy zgjedhjet paraardhëse, nuk sjell asgjë të mirë për demokracinë e brishtë shqiptare. Kjo është mëse e qartë. Kjo sjellje e opozitës shqiptare, duke shpresuar vetëm tek konsumimi i kundërshtarit, për të shpresuar rotacionin politik është dëmsjellëse dhe regresuese për vendin në tërësi e politiken në veçanti.

Te mos reflektosh, e të abuzosh me nevojën e rotacionit, të rrish në pritje që pushteti të të bjerë në prehër, sikurse bie një kokërr fiku e pjekur, do të thotë të mbetesh thjesht ne kufijtë e abuzimit me procesin e alternimit të pushtetit, pavarësisht se kur ajo mund të ndodhë.

Ndërkohë që pushteti duhet merituar e se për të fillohet të mendohet e veprohet që në ditët e para kur kalon në opozitë. Të shpresosh që të rikthehesh në pushtet me të njëjtët njerëz, për të cilët je larguar prej tij me 1 milion vota, do të thotë të shkosh në sens të kundërt me ligjësitë e jetës e të shoqërisë.  Meqenëse këtë gjë shumë vete nuk e kuptojnë e disa të tjerë nuk duan ta kuptojnë, po bëjmë një arsyetim, bazuar në një realitet imagjinar.

 

Po supozojmë se taktika e opozitës për sterrojnë e kundërshtarit ka sukses dhe populli shqiptar i jep Edi Ramës 1 milionë shuplaka, duke e kaluar atë dhe PS në opozite. Mirëpo Rama ndjek pikë për pikë sjelljen e PD në opozite. Pra vazhdon edhe më pas aktivitetin e tij politik në krye te PS-së. Pa bërë asnjë analizë mbi shkaqet e humbjes. Pa dhënë asnjë llogari për të.  Shëmbujt i ka gati.

I ka tek Berisha deri ne 2005 dhe tek Basha deri ne 2021. Të cilët, pavarësisht se humbën zgjedhjet vazhduan të rrinin në krye te PD-së, duke besuar e spekuluar shumë me teorinë që në demokraci pushteti alternohet në mënyrë të pashmangshme. Rreth vetes mban ata persona që kane mbajtur edhe krerët e opozitës te tyret, pavarësisht se ata janë një nga shkaqet kryesore të ndëshkimit.

Nëse opozita pra realizon fitoren, duke i larguar popullit “të keqen më të madhe”, “armikun kryesor”, “fajtorin” e braktisjes së vendit etj etj, ai vazhdon të qëndroje ne krye të opozitës, fillon që te nesërmen të qesëndisë e stigmatizojë qeverisjen e re(dhe këtë e bën më mirë se kushdo) dhe nisur nga antilogjika e shfaqur shpesh gjatë këtyre viteve qe çdo 8 vjet duhet te ndodhe rrotacion politik, pret te rikthehet në pushtet.

Dhe në përfundim të kësaj hipoteze pyetja që mbetet të shtrohet edhe njëherë lidhet me faktin se çfarë fiton populli me këtë lloj sjelljeje qe ka shfaqur opozita aktuale përgjatë këtyre viteve? Me këtë lloj sjelljeje që duket sikur i thotë vetë popullit: fajin e ke ti qe nuk na votove zgjedhjet e kaluara, ne po ata jemi!