TIRANË- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump përmes një letre falenderon kryeministrin Edi Rama për lidershpin e tij ballkanik dhe evropian. Në letrën e publikuar në Facebook nga vetë kryeministri Rama, presidenti amerikan e falënderon kryeministrin shqiptar që nuk pranoi rrjetin 5G të Kinës dhe kërkon që Shqipëria të dalë nga marrëveshja 17+1 me këtë shtet.

"Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë", thuhet në letër.

Kina 17+1 është një nismë e qeverisë kineze, multilaterale  e cila përfshin 17 vende të europës qëndrore dhe lindore për ekonomike. Por Trump i kërkon Ramës largimin nga kjo platformë

"Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve - një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni", vijon letra.

Trump ka falënderuar Shqipërinë edhe për kontributin e dhënë në normalizimin e marrëdhënieve  mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në nënshkrimin e Marrëveshjes së 4 Shtatorit dhe Marrëveshjes së Abrahamit që synon bashkëjetesë të tre besimeve fetare në Lindjen e Mesme, të nënshkruara mes  Izraelit dhe Emirate të Bashkuara Arabe dhe Izraelit me Bahreinin.

"Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jerusalem", përfundon Trump.

Aktualisht ambasada shqiptare gjendet në Tel Aviv, aty ku edhe ndodhen shumica e përfaqësive të huaja, por pas Marrëveshjes së stabilizimit ekonomik Kosovë-Serbi, të dyja vendet ranë dakord për hapjen e ambasadave në Jeruzalem. Ky vendim është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, pasi ata nuk e njohin Jeruzalemin  si kryeqytet të Izraelit sa kohë ai nuk ka arritur që një vendim i tillë të pranohet nga Palestina.

Në përgjigje Kryeministri Rama nga mbledhja mes dy qeverive tha se oferta në rajon është e dyshimtë, por Shqipëria dhe Kosova janë në rrugën e duhur në korridorin dixhital.

“Dua të rikonfirmoj qëndrimin që vendet e rajonit duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurt dhe duhet të synojnë alternativën e duhur. Vendet e rajonit tonë duhet të shohin prespektivën e zhvillimit të rrjetit 5G si rrjet të sigurt në çdo aspekt. Duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot. Për sa na takon sot si Shqipëri është një ofertë e dyshimtë.  Duam ta çojmë përpara të një integrimi jo vetëm të rrjeteve tona,” – tha Rama.

Letra e Presidentit Trump drejtuar kryeministrit Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:55
Yuri Kim i dërgoi letrën e Trump, Ramës

Për letrën e Presidentit Trump dërguar kryeministrit Rama ka reaguar ambasadorja Yuri Kim. Ajo shkruan se ishte Kim që ja ka dërguar letrën kryeministrit. Gjithashtu ajo ka përmendur dhe njëherë marrëveshjet ndërkombëtare që ka mbështetur Shqipëria.

"Unë pata nderin t'ia dorëzoja Kryeministrit Edi Rama një letër nga Presidenti Donald Trump duke falënderuar udhëheqjen në Ballkan dhe Evropë, refuzimin e praktikave abuzive të Kinës, dhe mbështetjen e normalizimit ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës si dhe Marrëveshjen e Abrahamit" - shkruan Kim.