Doshi:Akuzat për 23 mln euro të
pajustifikuara, janë të pavërteta 

Doshi:Akuzat për 23 mln euro të<br />pajustifikuara, janë të pavërteta 
TIRANË - Pas depozitimit që IDKPKI bëri në drejtim të Tom Doshit, deputeti hodhi poshtë akuzat duke deklaruar se është ndër të paktët ligjvënës që kanë deklaruar pasuri reale.

“Të gjitha janë shpifje dhe sajesa. Unë që në 2005 që kam hyrë në politikë i kam deklaruar të gjitha dhe i kam të gjitha në emër tim. Këto shifra nuk bëhet fjalë jo me 23 milion euro, por nuk bëhet fjalë as me 1 mijë euro që unë kam transferta apo pastrim arash të padeklaruar. Të verteta nuk ka pas asnjëherë, të pa vërteta ka pas gjithmonë. Unë jam kotrolluar për këtë çështje dhe asnjëherë nuk kanë gjetur asgjë dhe nuk kanë shans me gjet”,-ka deklaruar Doshi.

Vetë deputeti pranon se është ligjvënësi më i pasur në Kuvend, por sipas tij kjo falë shumë të tjerëve që nuk deklarojnë të plotë pasurinë.

“Të deklaruan po, kurse ata që i kanë të padeklaruara janë shumë më të pasur se unë. Të gjithë ata që kanë qenë Ministra dhe që janë sot. Të gjithë janë më të pasur se unë, por nuk mund t’i deklarojnë. Qetësia ime është se çdo gjë është në emrin tim, ndërsa ata e kanë në emrin e të tjerëve. Dhe kanë pasur probleme disa Ministra që i kanë vënë në emër të tjerëve dhe për fat të keq ka qëlluar ndonjëri bixhozxhi dhe i ka lënë në bizhoz dhe nuk munden as t’i kërkojnë”,-thekson deputeti.

shtepia e Tomes
(Foto Dokumenti/ Vila super-luksoze në Tiranë e deputetit Tom Doshi)

ILDKPKI kap Tom Doshin me 23 milionë euro të pajustifikuara
Deputeti Tom Doshi do të ketë të bëjë sërish me Drejtësinë, kësaj here pas padisë së kryer nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e cila ka zbuluar 23 milionë euro pasuri të pajustifikuara nga ana e tij.

Por në kallëzimin e depozituar për pasurinë e 23 milionë eurove në periudhën 2005-2014, për 9 vite Inspektoriati denoncon dhe ish drejtuesit e këtij Institucioni Zana Xhukën dhe Adriatik Llallën sot Prokurori i Përgjithshëm, pasi nuk kanë raportuar shkeljet e gjetura.
 
Nga shuma e mësipërme 14 milionë euro rezultonin të fshehura, ndërsa me 9 milionë euro sipas ILDKPKI-së janë kryer transferta të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare.

"Gjatë kontrollit për periudhën kohore 2005-2014,  rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro."-thuhet në njoftim. 

Tom Doshi njihet si një ndër politikanët më të pasur në Parlamentin shqiptar, ndërsa aktualisht ai është aksioner kryesor në disa biznese përfshi dhe kompaninë farmaceutike "Pro Farma".
 
Kjo nuk është e vetmja akuzë që rëndon mbi deputetin Doshi, pasi aktualisht ai është nën hetim në gjendje të lirë nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me atentatin e denoncuar prej tij në 2 mars se Durim Bami do vriste Doshin, por sipas Prokurorisë ky ishte vetëm një kallëzim i rremë. Lidhur me këtë akuzë, Doshi qëndroi për një muaj nën arrest shtëpie, ndërsa më 28 prill Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje. 

Për këtë atentat të inskenuar Doshi u arrestua sëbashku me Durim Bamin e deputetin Mark Frroku, ndërsa pak ditë pas arrestit ishte Gjykata e Lartë e cila i ndryshoi masën, duke e lënë fillimisht arrest shtëpie e më pas detyrim paraqitje.

Deklarimi i pasurisë zyrtare i Tom Doshit
Blerje pasurie, ndërtesë+ truall Tiranë, 3 500 000 lekë
Blerje pasurie Tiranë, truall, 300 000 euro
Blerje pasurie Tiranë, apartament, 11 652 480 lekë
Kontratë premtim shitje pasurie Durrës, 4 200 000 lekë
Kontratë premtim shitje pasurie Durrës, 2 240 000 lekë
Kontratë premtim shitje pasurie Durrës, 39 000 euro
Blerje pasurie, apartament, 8 927 600 lekë
Blerje pasurie, apartament njësi dhe garazh, 303 000 000 lekë
Blerje pasurie, apartament njësi dhe garazh, 100 800 000 lekë
Blerje pasurie, apartament njësi dhe garazh, 53 200 000 lek
Blerje pasurie, apartament njësi dhe garazh, 57 680 000 lek
Shitje pasurie, truall+ apartamente, 840 259 450 lek
Blerje autoveture 68 000 euro
Blerje autoveture 20 000 euro
Blerje 35% të kuotave, aksioneve tek shoqëria “Beata”, 3 500 euro
Blerje pasurie, apartament Tiranë, 17 784 000 lekë
Kontratë premtim shitje, pasurie apartament, 17 784 000 lekë
 
Të ardhurat dhe angazhimet në veprimtari publike dhe/ose private
Të ardhura nga paga si deputet 1 873 849 lekë
Të ardhura nga paga, bashkëshortja 4 521 089 lekë
Të ardhura nga dhënia me qira (Australi) 15 600 euro
Të ardhura nga shpërndarja fitimi Shoqëria “Aldosch sh.p.k” 25 458 267 lekë, për shumën 2 828 696 lekë
Të ardhura nga qiraja 500 euro
Të ardhura nga revokim kontrate 160 293 euro

ILDKPKI:Shkeljet e evidentuara edhe më parë, por u fshehën nga Llalla e Xhuka
Në njoftimin e ILDKPKI denoncon dhe ish drejtuesit e këtij Institucioni Zana Xhukën dhe Adriatik Llallan sot Prokurori i Përgjithshëm pasi gjatë viteve 2005-2013 ky institucion ka gjetur shkelje ndaj Doshit, por nuk i ka raportuar ato në Prokurori sipas ligjit.
 
Tom Doshi është kontrolluar nga 2005 deri 2013 disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara Inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, duke mos i dërguar dosjet në organin e Prokurorisë, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë të ILDKPKI”- thuhet në njoftim.


Njoftimi i ILDKPKI-së për Kallëzimin penal ndaj deputetit Tom Doshi
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Tom Doshi, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqiperisë, për periudhën kohore 2005 – 2014, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro.

ILDKPKI bën me dije se subjekti Tom Doshi është kontrolluar nga 2005 deri 2013 disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara Inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, duke mos i dërguar dosjet në organin e Prokurorisë, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë të ILDKPKI.

ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a//2 dhe 287 të Kodit Penal, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë