Misteri i mijëra ton armatimeve të ardhur në Shqipëri nga Kina gjatë viteve të miqësisë shqiptaro-kineze u trajtua në një intervistë të historianit Gjon Boriçi në emisionin Dosja K. Dje për lexuesit e gazetës tonë, publikuam pjesën e parë të kësaj interviste, ku zbuloheshin për herë të parë sipas dokumenteve fakte të panjohura rreth kësaj ngjarje, mbi vizitat dhe bisedimet e Beqir Ballukut për të siguruar një arsenal të padëgjuar armatimesh sjellë përmes anijeve në një rrugë mjaft të ëvshtirë detare.
Sot në pjesën e dytë të intervistës, trajtohen përpjekjet e reja të Enver Hoxhës për të siguruar armatime të tjera nga Kina edhe pas shpalljes së Beqir Ballukut armik dhe ekzekutimti të tij të fshehtë. Në pjesën e dytë dr. Gjon Boriçi trajton përpjekjet e Adil Çarçanit dhe më vonë këmbënguljen e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për mijëra ton të tjerë armatime në vitin 1975. Kjo ishte tentativa e fundit e diktatorit shqiptar për të marrë armatime nga Kina, kërkesë që mori përgjigje negative.
Anetare të delegacionit shqiptar ( I dyti nga e majta Enver Hoxha/ i treti nga e mjata Mao Tse-tung ) Viti 1956
Nga Admirina Peçi
1975 në Kinë sërish për ndihma shkon Adil Çarçani
Siç shpjegon historiani Gjon Boriçi, edhe në vitin 1975, Enver Hoxha, sërish i pasigurtë, i drejtoi sytë nga Kina komuniste.
“Donte sërish një kredi tjetër nga Kina dhe bëri çmos që të dërgonte përsëri Adil Çarçanin me një mision shumë të qartë, ku para se të nisej, e porositi specifikisht, duke i shpjeguar edhe gjendjen tepër të rëndë ekonomike në të cilën ndodhej vendi sepse Kina kishte reduktuar gati në minimum të gjitha ndihmat dhe kreditë ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe e porosit duke i thënë: “Sikur edhe 5 groshë të na japin, ti merri me vrap. Ne përsëri të flasim për miqësinë e përbashkët, t’i pranojmë menjëherë”, thotë historiani Boriçi, duke vijuar më tej: “Adil Çarçani shkoi përsëri në Pekin, më 14 qershor të vitit 1975. Qëndroi atje gati 3 javë. Zhvilloi bisedime të stërzgjatura me Li Hsien Jenin, i cili ishte ministër i Ekonomisë dhe një nga figurat më qendrore të Republikës Popullore të Kinës. Çu En Lai e priti shumë pak sepse ishte i sëmurë dhe pas 6 muajve ai ndërroi jetë. Li Hsien Jeni i qëndroi ftohtë dhe mjaft prerë: “Ndihma që ju keni marrë nga Republika Popullore e Kinës është disa herë më e madhe se ndihma që ne kemi dhënë për Vietnamin (duke qenë që Vietnami ishte në luftë kundër superfuqisë kryesore të botës), çfarë keni bërë me gjithë këto gjëra?”.
Përsëri Adil Çarçani i thotë: “Ne jemi nën rrethim. E kanë fajin armiqtë, grupi puçist i Beqir Ballukut (që nuk ishte fare e vërtetë) ka sabotuar ekonominë, ka sabotuar ushtrinë. Likuidimi i tij ishte një fitore e madhe për marksizëm-leninizmin, për Partinë e Punës dhe për qëndrueshmërinë e sistemit politik në Shqipëri”, ndërkohë që Beqir Balluku kishte qenë emisar i dërguar i posaçëm tri herë në Republikën Popullore të Kinës, pikërisht për të negociuar dhe për të marrë, aq sa mundi të merrte, ndihma dhe kredi ushtarake për mbrojtjen e Shqipërisë. Li Hsien Jeni nuk ia plotësoi kërkesën siç e kërkoi Adil Çarçani. Shqipëria kishte kërkuar rreth 1 miliard e 200 milionë jen kredi. Kina i dha vetëm 500 milionë”.
Është shumë interesant raporti që Adil Çarçani (i cili firmosi sipas urdhrit të Enver Hoxhës sa hap e mbyll sytë) i bën Enver Hoxhës. Ishte një raport shumë specifik dhe aty, për herë të parë, fillon të dalë hapur teza “për mbështetjen në forcat tona”. Reduktimi masiv i gjithçkaje të prodhimit, kursimi masiv, madje u shkua deri te reduktimi i ndërtimit të banesave. Normale kjo, se shumicën e ndërtimeve e kishin bërë bunkerë. Janë ndërtuar rreth 700 mijë bunkerë. Me çfarë u bënë? Dhe këtu filloi procesi i izolimit tonë. Megjithatë, përsëri Enver Hoxha, çuditërisht nuk dorëzohet. Dëshironte se s’bën që Kina t’i dërgonte përsëri armatime”, thotë historiani Boriçi.
Nëntor 1975 - Hoxha-Shehu zgjasin dorën drejt Kinës për herë të fundit
Vjeshta e vitit 1975 shënon planet e fundit konkrete të Enver Hoxhës për të siguruar në Kinë sërish ndihmë ushtarake, duke e paraqitur gjendjen e Shqipërisë kritike para rreziqeve që i kanoseshin.
Siç argumenton dr. Gjon Boriçi, më 12 nëntor të vitit 1975, Hoxha bashkë me Mehmet Shehun, firmosën një letër rreth 10 faqe, ku i kërkonin me ngulm Mao Ce Dunit që ishte ende gjallë (edhe Çu En Lai ishte ende gjallë edhe pse shumë i sëmurë. Ai vdiq në janar të vitit 1976). I shkruanin se kishin të dhëna të hollësishme që në Napoli të Italisë, Komanda e NATO-s po hartonte një projekt specifik për të sulmuar ushtarakisht Shqipërinë, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Atëherë kishte ndodhur edhe procesi i Helsinkit. Ishte firmosur Karta e të Drejtave të Njeriut, ishin firmosur të tria shportat, më 1 gusht 1975. Blloku Perëndimor dhe Blloku Lindor kishin rënë në qetësi me njëri-tjetrin. Kishte filluar ajo që quhej diplomacia e organizatave joqeveritare. Kishte filluar përplasja e vlerave. Siç thoshte kancelari gjerman Vili Brand, “fitorja e Perëndimit ndaj Lindjes nuk do të vijë nga përplasja ushtarake, por do të vijë nga ballafaqimi i vlerave. Kush do të tregojë vlerat më të qëndrueshme dhe më të konsoliduara, ajo doktrinë do të fitojë”, thotë hostoriani Gjon Boriçi, duke i mëshaur faktit se edhe në këtë situatë “Enver Hoxha kërkonte luftë, përgatitej për luftë”.
“Sigurisht që nuk do të sulmonte askënd, por mania e tij për të qenë i mbrojtur, për të qenë gjithmonë i rrethuar, i armatosur, mania e tij e të qenit gjithmonë nën rrethim sikur të gjithë e kishin me Shqipërinë, kur në fakt me Shqipërinë nuk e kishte askush. E vetmja herë kur u dëgjua fort zëri i Shqipërisë, ishte kur merrej me çështjen e Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe rezoluta shqiptare e 25 tetorit 1971, për pranimin e Kinës në OKB. Kaq. Por edhe largimi nga Traktati i Varshavës. Aq zë kishte Shqipëria në botë”, thotë Gjon Boriçi.
Por megjithëkëtë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehun i shkruajnë Mao Ce Dunit se “jemi gati për t’u sulmuar dhe kërkojmë sasi të mëdha armatimi”. Referuar sasisë së madhe të armatimeve që kërkonte dyshja Hoxha-Shehu nga aleati i tyre i vetëm në këtë kohë, cdokush do të mendonte se Shqipëria të nesërmen do të hynte në luftë.
Dr.Gjon Boriçi lexon një fragment nga letra e Enver Hoxhës dhe mehmet shehut. Ja çfarë kërkonin konkretisht nga Kina:
“Ky është një dokument i nëntorit të vitit 1975, i cili u dërgua me dy emisarë shumë sekretë. Njëri prej tyre ishte zëvendësministri i Punëve të Jashtme Reis Malile. Shikoni se çfarë kërkon Shqipëria. Kërkon armë të lehta këmbësorie, mitralozë, mortaja, 250.000 copë. Mortaja – 1.500, topa kundërtank – 1.500, topa fushorë – 600, artileri reaktive – 100, mitralozë kundërajrorë dygrykësh dhe katërgrykësh – 1.500, topa kundërajrorë 37 mm dhe 100 mm – 600 copë, raketa kundërtank – 1.500, raketa tokë-det – grupe 4, raketa kundërajrore të mesme – 4, raketa kundërajrore të lehta – 1.000 copë, tanke – 800 copë, transportues të blinduar – 300 copë, avionë reaktivë luftarakë dhe mësimorë – 65, helikopterë – 98 dhe vazhdon lista, e cila është shumë e gjatë, silurë – 24, anije mbiujëse, municion për armë të lehta këmbësorie – 1.450.000 copë, predha mitralozësh – 150.000.000, predha granatahedhëse – 3.000.000, mortaja etj., etj., etj. Po të shikoni këtë do të mendoni se të nesërmen do të hynim në luftë”, thotë gjon Boriçi.
Por çfarë ndodhi pas këtij momenti dhe çfarë përgjigje morën Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nga Kina?
Dr.Gjon Boriçi thotë prerë: “Nuk erdhi asnjë përgjigje nga Kina, me shumë të drejtë. Dhe sigurisht që ky armatim nuk erdhi kurrë në Shqipëri. Ishte komplet e palogjikshme një kërkesë e tillë. Ishte jashtë çdo lloj logjike, jashtë çdo lloj realiteti. Dhe kjo ishte letra e fundit që Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu i dërguan si komunikim dyshes kineze, Mao Ce Dunit dhe Çu En Lait. Mes tyre nuk do të kishte më komunikim sepse në janar të vitit 1976 Çu En Lai vdiq dhe më 9 shtator po të vitit 1976 vdiq edhe Mao Ce Duni. Pastaj me ardhjen në pushtet të Ten Siao Pinit e të tjerëve, mes Shqipërisë dhe Kinës filloi menjëherë procesi i ftohjes totale, deri në notën e famshme të 7 korrikut 1978, kur Kina ndërpreu në mënyrë të menjëhershme të gjitha ndihmat dhe kreditë për Shqipërinë dhe ktheu menjëherë në Kinë të gjithë specialistët kinezë që ndihmonin për ndërtimin e veprave industriale në Shqipëri. Këtu filloi pastaj procesi total i vetizolimit..”.
Historiani Gjon Boriçi argumenton në fund të intervistës së tij edhe fundin e kësaj miqësie dhe periudhën e vështirë që e pasoi.
“Është një shprehje shumë e bukur, kur Shqipëria vazhdonte me atë propagandën e vet, për të treguar që ishim akoma të fortë. Mehmet Shehu, në një miting popullor, diku në jug të Shqipërisë, thotë: “Shqipëria është një kockë e mprehtë si thikë”, dhe përgjigjja e Ten Siao Pinit në rrethe shumë të ngushta, sipas ambasadorit të atëhershëm shqiptar në Pekin, Behar Shtylla, ishte: “E megjithatë, këtë kockë do ta brejnë mizat”. Pastaj është e qartë historia e Shqipërisë së atyre 12 viteve deri në rënien e komunizmit, se çfarë rëniesh totale pati, në kuptimin e plotë të fjalës, në ekonomi, në kulturë, e në gjithçka tjetër. Edhe në ushtri, e cila konsiderohej si e paprekshme apo e pathyeshme.D.m.th. të kërkoje armatime të tilla, siç erdhën nga Kina, nga viti 1961, në vitin 1968, disa por jo shumë në vitet ’70, thua që Shqipëria jetonte në luftë. Edhe në Vietnam, i cili ishte në luftë me superfuqinë kryesore të botës SHBA-të, prej 10 vitesh, që nga viti 1965 deri në vitin 1975, Kina nuk ka dërguar aq shumë armatime, sa ç’dërgoi në Shqipëri”, përfundon historiani Gjon Boriçi.
Është e vështirë t’i japësh një përgjigje konkrete se çfarë planifikonte realisht diktatori me këto lëvizje, dhe sa e mundur ishte që të mbrohej Shqipëria e vogël kaq e ekspozuar dhe pa asnjë aleat të afër me të, me këtë arsenal armësh të pazakontë që kishte siguruar nga Kina si edhe me shpenzimet e pazakonta për projektin e bunkerizimit të vendit.
Por faktet treguan se i gjithë ky operacion i paprecedent shkoi vetëm në favor të një personi, thjeshtë për të qetësuar paranojën e diktatorit.