Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u mor sot zyrtarisht i pandehur nga SPAK, ku ndaj tij rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.

Avokati Rezart Kthupi, i ftuar në emisionin ‘Repolitix’, në Report Tv mbrëmjen e sotme, tha se akuza për futjen e sendeve të paligjshme, e cila i referohet rastit kur kryebashkiaku sipas Prokurorisë së Posaçme, ka marr telefonin e policit të burgjeve Fatjon Baci dhe ka komunikuar me bashkëshorten gjatë kohës që transportohej nga Paraburgimi i Durrësit drejt Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë 11 marsin e kaluar, duhet që të ishte shmangur.

Ai tha se ky procedim duhet që të ishte hetuar më vete ose të ishte pushuar.

‘Ka një lidhje shkak pasojë, a është telefonata veprimi që shkel ligjin apo është sendi vet, pra telefoni. Kur futja e seneve të paligjshme bëhet në mënyrë të qëllimshme dhe personi i ka dhënë telefonin për të komunikuar mungon përgjegjësia penale. Mendoj se nuk duhet që të ishte bashkuar me këtë dosje duhet të ishte hetuar më vete ose pushuar. Veliaj mund t’ja kërkonte vërtetë telefonin, por ai s’duhet që t’ja jepte. Për aq sa ka dal në publik nga dosja ka indicie që duhen vërtetuar dhe provuar.

Nëse SPAK do të mbyll hetimet nuk ka veprime hetimore të mëtejshme që duhet që të hetohen. Në momentin që është mbyllur çështja SPAK është i vetëdijshëm se mund ta provojë akuzën në gjykatë. Dhe kjo është arsyeja pse mbylli hetimet dhe t’a çojë çështjen për gjykim. Palët mbrojtëse duhet që të marrin provat dhe mund të çojnë kërkesa për depozitim provash. SPAK duhet që të argumentojë mbi provat dhe hetimet që janë bërë sepse nuk është çështja vetëm që të hetosh’, tha ai. 

Të njëjtin opinion me Kthupin ndau edhe avokati Edmond Petraj. Ai tha se për sendet e paligjshme në burg nuk mund të hetohet i burgosuri.

‘Deri sa nuk kemi një procesverbal të qartë, nuk ka një fotografi sa i përket pjesës së telefonit më duket pak e tepruar. Ky procedim për mendimin tim duhet që të ishte mënjan. Mund të hetoj më shumë dhe të shihej më në detaje. Sepse për sendet që futen në burgje nuk mund të hetosh ti personin që është i izoluar. Kam pasur një rast në burgun e Peqinit dhe u pushua, ai u kap më një cigare hashash, kush e futi atë kur i burgosuri ishte i izoluar në burg dhe s’u arrtit që të provohet kjo gjë dhe u pushua. Edhe ky rast është i njëjtë me këtë të telefonit’, tha ai.

Gazetari Anri Bala se kjo është akuzë e Prokurorisë së Posaçme, për të treguar sipas tij se Veliaj mund të ndikojë tek provat.

‘Procedimi ka nisur për korrupsion dhe pastrim parash, futja e sendeve të paligjshme ka qenë për të thënë se përpos këtyre akuzave është edhe kjo. Sulmi për personin në fjalë ka nisur mediatikisht njëherë, para se të kalojë në prokurori, është përpiluar imazhi i tij se ai prish prova dhe se mund të arratisej kur mund të arrestohej. Ideja është se Prokuroria e Posaçme ka dashur që të tregoi se subjekti i tyre është i gatshëm që të ndikojë edhe tek provat. Sfida e SPAK-ut është korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie dhe lidhja e tij me biznesmenë. Ata kanë dështuar nëse nuk provojnë një nga këto akuza’, tha ai.

Ndërsa, gazetar Redi Varaku, i sheh këto akuza si një hakmarrje e SPAK dhe të motivuara politikisht.

‘Duket si hakmarrje e vogël e SPAK ndaj Veliajt. Edhe këto akuzat e SPAK i shoh të motivuara politikisht ndaj Veliaj duke qenë se janë përfshirë edhe element të tjerë si është rasti i telefonit’, tha ai.