Dr. Abdyli: As coptim e as këmbim
Veriu e Lugina, pjesë të Kosovës!

Dr. Abdyli: As coptim e as këmbim<br />Veriu e Lugina, pjesë të Kosovës!
"Lugina e Preshevës historikisht ka qenë pjesë përbërëse e trungut etnik shqiptar që nga Mbretëria ilire e Dardanisë e më pas Provincës së Dardanisë", ka komentuar historiani dr.Ramiz Abdyli në shumë vepra dhe konferenca ndërkombëtare dhe rajone që ka marrë pjesë ai. “Janë dëgjuar zëra jo vetëm nga serbët apo aty këtu edhe nga ndërkombëtarët, madje fatkqësisht edhe nga disa akademikë tanë për këmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë?!” ka theksuar dr.Abdyli duke shtuar se “këtu nuk ka pazar me tokat tona. As coptim e as këmbim. Për hir të së vërtetës është e nevojshme të thuhet se, sikur Veriu i Kosovës ashtu edhe Lugina e Preshevës historikisht janë pjesë e ligjshme e Kosovës dhe jo vetëm aq", ka thene Abdyli për “Presheva Jonë”.

Ai shton se "Lugina e Preshevës mbeti pjesë e Serbisë sot e gjithë ditën përkundër Referendumit të vitit 1992, kur shqiptarët dëshmuan unanimisht se ishin për bashkimin e saj me Kosovën. Kur jemi këtu të shtojmë se janë të paqëndrueshme pohimet se Presheva ishte pjesë e Kosovës diku në vitet 60’ të shekullit të kaluar. Në fakt, u bë kalimi i ndonjë fshati në Serbi, por nuk mund t’i bëjë ballë të vërtetës se Lugina e Preshevës ishte pjesë përbërëse e Kosovës në atë kohë. Edhe mendimi që Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës me gjysmën e saj etnike, në perëndim të hekurudhës, është i shëmtuar sepse Serbisë i falet gjysma tjetër ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë».
  
Sipas tij  “Lugina e Preshevës në shumicën e rasteve ishte pjesë përbërëse e njësive territoriale administrative të mëdha të Perandorisë Osmane, siç ishin pashallëqet, më pas katër vilajetet shqiptare. Pas vitit 1912, Presheva ishte në kuadër të Banovinës së Vardarit e të zhupanisë së Shkupit. Presheva mbeti jashtë Kosovës së sotme, si një vazhdimësi e projektit serbomadh, kur në vitin 1945 u bë pazari. Është e nevojshme të thuhet me këtë rast se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nënkuptonte që brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar do të përfshiheshin gjithë trojet e banuara me shumicë shqiptare, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.”

TIRANËS DHE PRISHTINËS IU MUNGON VENDOSMËRIA
"Tiranës dhe Prishtinës iu mungon vendosmeria e tyre, që shqiptarëve në Luginën e Preshevës  t’u njihen të drejtat që iu janë garantuar serbëve në Kosovë. Ndërsa rreth angazhimit të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare rreth çështjes së Luginës së Preshevës dr.Ramiz Abdyli në vazhdim ka pohuar se «kujton se Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet të bëjnë shumë më tepër për Luginën e Preshevës, sepse ajo është pjesë përbërëse e trungut tone etnik. Madje, mungon ngulmimi i tyre, që shqiptarëve atje t’u njihen të drejtat që u janë garantuar serbëve në Kosovë. Si mund të heshtet para realitetit, që nxënësit serbë në Kosovë mësojnë me tekstet e Serbisë dhe nxënësve të Luginës nuk iu lejohet të mësojnë me tekstet e Kosovës, apo të Shqipërisë? Real politika këtu bëhet qesharake. Gjendja dhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është alarmante. Atje papunësia është më e larta se kudo në Evropë dhe jo vetëm. Duket se njerëzit atje kanë humbur shpresat për një perspektivë dhe me lot në sy mësyjnë rrugën e pa kthim drejt Perëndimit. Po të vazhdojë kështu, mbase pas ndonjë dhjetëvjetëshi nuk do të mbetet rini. Në fakt, në Luginë  po ndodh një etnocid i heshtur. Kjo duhet ta shqetësojë çdo shqiptar kudo që gjendet, në radhë të parë politikëbërësit në  trojet tona. Përgjegjësisë morale, por edhe kombëtare nuk mund t’i ikin as klasa politike në Kosovë e në Shqipëri. Shikoni çfarë bën Serbia për serbët në Kosovë! Para së gjithash, subjektit politik atje i mbetet barra kryesore për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme…”

MARRËVESHJA E OHRIT NUK PËRMEND EMRIN SHQIPTAR
Duke folur për shqiptarët në FYROM dhe marrëveshjen e Ohrit dr.Abyli për “Presheva Jonë” ka konstatuar se  «me marrëveshjen e Ohrit nuk mund të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni në përputhje me vullnetin e asaj pjese të popullit tonë, madje as në variantin, siç e pranoi subjekti politik e ushtarak i dalë nga Lufta e vitit 2001… Kjo për faktin se ajo Marrëveshje e diktuar nga pala tjetër ka rezultuar me konstruksione të menduara mirë, që mund të lexohen si ta marrësh. P.sh. në tekstin e saj të papërcaktuar e me bizantizimin e gjuhës askund nuk përmendet emri shqiptar, ngjashëm me Marrëveshjen shqiptaro-osmane të Shkupit më 1912, në të cilën askund nuk përmendet emri Shqipëri dhe shqiptar. Prandaj, nuk mund të pritet zgjidhja e çështjes shqiptare përmes asaj marrëveshjeje. Zgjidhje minimale e çështjes shqiptare në Maqedoni do të ishte qenia e shqiptarëve element konstituiv (shtetformues) krahas maqedonasve, rrjedhimisht kur Maqedonia do të ishte shtet i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por që është shumë vështirë të jetësohet, po të kihet para mendjes paragjykimi i klasës politike maqedonas që kanë kundrejt shqiptarëve».

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar