Drafti i PS për listat 100 % të hapura, Gjiknuri: Nëse PD-së s'i pëlqen, të propozojë ndryshimet! Aty përcaktohet prag elektoral 3 % dhe partitë garojnë me listë të përbashkët

Drafti i PS për listat 100 % të hapura, Gjiknuri: Nëse PD-së s'i pëlqen, të propozojë ndryshimet! Aty përcaktohet prag elektoral 3 % dhe partitë garojnë me listë të përbashkët

Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik Damian Gjiknuri ka sqaruar draftin që socialistët kanë paraqitur për listat e hapura. Gjiknuri tha se drafti është për lista 100 % të hapura dhe ruajtjen e kuotës gjinore, por shprehet se është i hapur dhe i gatshëm të dëgjojë të gjitha propozimet nga PD për gjërat që do të ndryshojnë. Ndër të tjera Gjiknuri sqaroi edhe vendosjen e pragut elektoral 3 % dhe se partitë garojnë me kandidatët e tyre të grupuara në koalicion

Lexoni intervistën e plotë e Damian Gjiknurit për Report Tv:

Çfarë është drafti i Partisë Socialiste, i propozuar në këshillin politik dhe pse nuk u pranua kërkesa e opozitës për ekspertizën e OSBE-së?

Damian Gjiknuri: Së pari, këshilli politik është për të trajtuar çështje dhe drafte konkrete dhe në mungesë të propozimit të PD-së, nisur nga mbledhja e fundit ku i kërkuam që të vinte me propozimet e saj se si mund të adresoheshin ndryshimet kushtetuese, opozita vazhdoi me qëndrimin e saj abstrakt politik, që është mos marrja pjesë, kundërshtia dhe nxjerrja e një artifice procedurale për thirrjen e ekspertizës së ODIHR-it, pa pasur një çështje konkrete në tavolinë. Pse? Duhet kuptuar që ODIHR-i ndërhyn vetëm kur ka një objekt konkret dhe ka drafte konkrete dhe teknike, ku ata mund të japin opinionin se si qëndrojnë këto drafte në përputhje me standardet demokratike të ODIHR-it dhe të OSBE-së. Vetëm për këtë. Nuk mund të shkohet tek ODIHR-i me çështje abstrakte, me probleme politike, aq më tepër që ndryshimet kushtetuese kanë diktuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe pasi ne të kemi një draft, do të mund të kërkojmë një ekspertizë të shpejtë pasi nuk mund të humbim më kohë sepse ju e dini që afatet zgjedhore kanë filluar, përgatitja e zgjedhjeve duhet të fillojë menjëherë. në tetor zgjidhet edhe KQZ-ja e re, kështu që kërkesa e PD-së mua më shumë më duket një qasje politike obstruktive për të krijuar një alibi që “mazhoranca po i kryen e vetme, ne nuk jemi përfillur”.

Meqenëse e konsideroni një qasje të vogël politike, pse nuk e merrni në konsideratë, gjithsesi?

Damian Gjiknuri: Po nuk është normale, si të merret në konsideratë? E para, në marrëveshjen që kemi shkruar dhe në gjithçka si kemi operuar më përpara, tek ODIHR-i shkohet me draft ligjor. Ke parë ti të shkosh në ndonjë organ me koncepte abstrakte? Mos po shkon te këshilli i pleqësisë dhe po i thua se si të zgjidhësh një problem në familjen tënde?

Dakord, por PD-ja me këto propozime pretendon që ju e keni shkelur marrëveshjen e arritur me opozitën jashtë parlamentit të paktën, por edhe me atë në parlament.

Damian Gjiknuri: E para, me opozitën nuk kemi pasur ndonjë marrëveshje në lidhje me koalicionet. Koalicionet u hoqën nga Kushtetuta. Përkundër asaj që u deklarua nga PD-ja, ne i kemi përfshirë në draftin tonë koalicionet, nëpërmjet një liste unike ashtu siç e ka çdo vend tjetër demokratik që ka lista të hapura me sistem proporcional. Së dyti, PD-ja nëse nuk e pëlqen draftin tonë, le të vijë me propozime konkrete, ta përmirësojë atë draft, përfshirë edhe pikëpamjet e tyre, dhe nëse mund të mos kemi dakordësi, mund të kërkojë ekspertizën e ODIHR-it. Por jo të kërkosh ekspertizë tek ODIHR-i për një gjë që akoma nuk ekziston.

Pra po thoni që PD-ja të mos vijë me kushte në një tryezë, ku është negociuar dhe është folur prej shumë kohësh bashkë?

Damian Gjiknuri: Jo, PD-ja të mos vijë me kushte, por të vijë me propozime, sepse në tryezën ku kemi folur bashkë gjithmonë kemi ardhur me propozime. Madje, në tryezat e kaluara PD-ja ka ardhur me propozime. I kemi thënë që këto propozimet tuaja, pasi kemi diskutuar me njëri-tjetrin, t’i çojmë tek ODIHR-i për opinione dhe PD-ja ka qenë kundër, sidomos kur ishte çështja për depolitizimin e administratës, për çështjen e kuotave gjinore. Ju e dini shumë mirë që nuk u përfill ekspertiza e ODIHR-it, madje u refuzua, pasi PD-ja tha që nuk mund të ndërhyhet nga ODIHR-i kur ka debate politike. Dhe realisht ODIHR-i nuk mund të ndërhyjë kur nuk ka një draft konkret. Nuk mund të interpretojë ODIHR-i Kushtetutën, nuk mund të ndërhyjë në çështje kushtetuese.

Është zbardhur një draft i PS-së, ku thuhet se do të ketë lista të hapura të kandidatëve në masën 100%. Por aty lindin dyshime nga opinioni publik, do t’i referohem ndoshta edhe opozitës dhe zonjës Hajdari, e cila gjatë ditës së sotme tha që keni bërë hapa pas për sa i përket kësaj çështjeje. Çfarë përmban në thelb ky propozim që ju keni bërë sot dhe që është publikuar edhe në media?

Damian Gjiknuri: Ky propozim, së pari, i adreson të gjitha kërkesat që kanë amendimet kushtetuese, në Kushtetutën e Shqipërisë. Së pari, përcakton pragjet zgjedhore kombëtare, që do të thotë që parti, subjekt, koalicion, përfiton mandatin kur ka marrë 3% të votave në shkallë kombëtare. Së dyti, përcakton koalicionet zgjedhore të cilat kanë të drejtë të garojnë edhe me parti të ndryshme të kompozuara, të vendosura në një listë të caktuar, ku secila parti përfaqësohet me kandidatët e saj, pra nuk mungon koalicioni parazgjedhor. Por PD-ja nuk ka hallin e koalicionit, se koalicioni është një definicion i qartë siç është në çdo legjislacion evropian. ata kërkojnë thjesht taktikën elektorale që ka qenë në formulimin e vjetër përpara se të ndryshonte Kushtetuta dhe para se të hapeshin listat. Iku kjo, ra, sepse u hapën listat dhe partitë tasgmë mund të hyjnë të garojnë vetëm me kandidatët e tyre, të grupuar në një koalicion. Këtë nuk ua mohojmë, është pjesë e ligjit, kështu që nuk ka asnjë lloj shqetësimi dhe nuk duhet të ketë normalisht, përkundër asaj që pretendohet dhe më duket më shumë si një shkak për të bojkotuar dhe për të krijuar një krizë artificiale. Së treti, kemi përcaktuar edhe faktin që zgjedhësi ka të drejtën e dy votave, siç e thotë edhe Kushtetuta, votën preferenciale, një votë për partinë politike dhe një votë për individin, pra për kandidatin që është në listën e partive politike. Dhe aty ka një mekanizëm, rirenditjen e listës që paraqet partia e bën zgjedhësi nëpërmjet një votimi të caktuar, ku garantohet ruajtja e kuotës, pra një grua mund të zëvendësohet vetëm nga një grua kur arrin një masë të caktuar votash dhe hap mundësinë që edhe ata që janë në fund të listës, nëse marrin një numër të caktuar votash që është një peshë mesatare elektorale pasi ti kandidon me partinë time, me dividentin e forcës sime dhe jo thjesht si një individ, ke mundësi të rirenditësh veten dhe të marrësh mandat. Ky është një model që e kanë shumë vende evropiane.

Zoti Gjiknuri, për të qartësuar opinionin publik, në draftin që unë po citoj, pika e 7-të e tij për shpërndarjen e mandateve, ku thuhet ndër të tjera: “shpërndarja e mandateve fillon pas rirenditjes finale të kandidatëve, duke pasur në bazë tre elementë: së pari, renditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti”, duket sikur kthehemi te listat e mbyllura, pra kemi një listë paraprakre të depozituar në KQZ, p.sh., nga numri 1 deri te numri 35 dhe elementi i parë kryesor është kjo renditje e bërë nga kryetari i partisë.

Damian Gjiknuri: Po lista e ka një renditje natyrshëm. Në përgjithësi, një pjesë e mirë e vendeve që kanë lista të hapura, kanë një renditje. Ajo që po them unë është që elektoratit i jepet mundësia që ta ndryshojë këtë renditje, d.m.th. nëpërmjet zgjedhjes së tyre ata, njërin që është i 32-ti mund ta çojnë të 15-in dhe merr mandat. Problemi është që jo mjafton që kush ka pak më shumë vota se tjetri mund të marrë mandat sepse mund të ndodhë një situatë siç ka ndodhur edhe në vende të tjera, teorike, por që është edhe praktike. P.sh., në Tiranë i pari është Lulzim Basha, i cili merr të themi nga 120 mijë apo 130 mijë vota që mund të ketë PD-ja me aleatët e saj në atë koalicion, Lulzim Basha mund të marrë 120 mijë vota. 10 mijë vota të tjera shpërndahen te kandidatët e tjerë, nga të cilët njëri mund të ketë 2 mijë, tjetri 1 mijë, por një tjetër mund të zgjidhet edhe me 300 vota. Nuk është normale kjo.

Por në një listë me kandidatë nuk mund të votohet vetëm për një person.

Damian Gjiknuri: Një person për ta bërë sistemin e thjeshtë, se po të shkojmë me lista me shumë persona, e para komplikohet sistemi dhe Kushtetuta ka thënë që zgjedhja preferenciale nënkupton një votë. Megjithatë, po të shkojmë me disa vota, atëherë sistemi do të bëhej akoma më i komplikuar, do të kishte shumë vota të pavlefshme, do të bëhej një eksperiment aq i madh sa zgjedhjet shqiptare do të degradonin. Le të bëjmë këtë hap të parë, ky është një proces që vazhdon.

Kështu i bie që të votohen vetëm kryetarët e partive, sepse në një listë me Tiranën sigurisht që do të votohet zoti Basha nëse do të kandidojë në Tiranë, ose në një listë me Durrësin do të votohet zoti Rama, nëse do të votohet me këtë lloj formule. Praktikisht i bie që të gjithë kandidatët e tjerë të mos marrin më vota.

Damian Gjiknuri: Po pra, po, por po të bëheshin disa vota bëhej e pamenaxhueshme zgjedhja, pra menaxhimi siç duhej i zgjedhjeve. Ky është problemi. Pra, komplikohet shumë fleta e votimit, komplikohet shumë zgjedhja e individit dhe administrimi. Edhe konfuzioni te zgjedhësit do të ishte shumë më i madh. Dhe kjo prandaj bëhet. E dyta, zgjedhësi e ka mundësinë që të rinrenditë. Nuk po marr rastin hipotetik të Tiranës ku i merr të gjitha zoti Basha.

Por edhe zoti Rama mund t’i marrë, se nuk mund të votojë njeri përkrah zotit Rama në Durrës nëse është kandidat.

Damian Gjiknuri: Po pra, po. Pikërisht pra këtë po them, që kjo mund të jetë një anomali në një qark. Por në qarqe të tjera gara mund të jetë edhe më e hapur. Nga ana tjetër, edhe tek ai individ, se mund të pëlqejë 2-3 individë dikush, voto partinë, voto listën e partisë dhe aty ke pranuar edhe atë renditje. Nëse nuk je dakord me renditjen, ndryshoje renditjen nëpërmjet votës. Tani ky është sistemi që e kanë një pjesë e vendeve, se nuk kemi bërë shpikje. Konkurojnë dy elementë, duhet të më kuptoni, se ne kujtojmë se çdo individ hyn atje, merr ca vota dhe zgjidhet. Po të jetë ashtu, individi nuk ka pse hyn në një parti politike, por të dalë vetëm. Kur individi federohet në një parti politike dhe merr siglën e partisë, ka marrë edhe dividentin e asaj force politike. Atëherë që të demonstrojë që ka vota, duhet të marrë një peshë të caktuar votash, ka peshë elektorale dhe normalisht përfiton mandat.

Atëherë, sipas kësaj formule, a mund t’i konsiderojmë listat e hapura për kandidatët dhe shpërndarjen e mandateve sipas votës dhe vullnetit qytetar në masën 100%?

Damian Gjiknuri: Janë të hapura në masën 100% nëpërmjet një mekanizmi që garanton se zgjidhen ata që kanë një peshë elektorale, ashtu siç janë edhe pragjet. Pse janë pragjet edhe me partitë politike? Pse humbi në Tiranë PDIU-ja një mandat në vitin 2017, megjithëse kishte vota më shumë se për një mandat? Sepse nuk kapi një prag, sepse ligji konkuron me dy parime. Njëri është stabiliteti i listës elektorale dhe stabiliteti i zgjedhjes, se jo çdo lloj individi mjafton në mënyrë proporcionale të pastër do të mund të përzgjidhet. Nga ana tjetër, krijon edhe mundësinë që individë të caktuar me peshë elektorale, të zgjidhen. Pra është një balancë mes zgjedhjes që bën elektorati i lirë dhe integritetit të listave. Partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme, se edhe këta që janë sipër në listë, nëse janë individë që nuk kanë asnjë vlerë, do të mposhten nga ata që janë poshtë në listë.

A jeni të gatshëm ju që të negocioni me opozitën për një draft, që sipas propozimeve që ka deklaruar edhe zoti Basha,  të jetë me lista të hapura 100%, me renditje alfabetike etj. A jeni të gatshëm që të tërhiqeni në këto propozime ose të negocioni për një draft të njehsuar mes të gjitha palëve brenda dhe jashtë parlamentit?

Damian Gjiknuri: Unë po pres PD-në që të bëjë komente për draftin tonë. Pra, unë jam në këshill për të diskutuar, për të punuar së bashku. Fatkeqësisht ata humbën një javë kohë vetëm duke çuar letra e duke thënë “duam ODIHR, s’duam ODIHR”. Nga ana tjetër nuk kanë sjellë asnjë propozim konkret. Kështu që ne i presim në këshill dhe mos harroni afatin, që më 30 shtator ne duhet të kemi draftin të miratuar dhe të dërguar në Komisionin e Ligjeve, me qëllim që të bëhen menjëherë ndryshimet.

Po për sa i përket deklaratës së zonjës Hajdari, që PS-ja ka bërë hapa pas për sa i përket listës së kandidatëve, keni një koment?

Damian Gjiknuri: Çdo parti mund të ketë interesa të ndryshme në çështjen e listave. Nuk ka një model që duhet ta pranojnë të gjithë, sepse ligjet elektorale janë ligje të natyrës politike. Aktorë të ndryshëm nxisin parime të ndryshme, modele të ndryshme që i shërbejnë taktikave të tyre elektorale. Ne do të punojmë me të gjitha palët, mbase edhe zonja Hajdari do ta kuptojë më mirë që ajo çfarë është shkruar aty reflekton edhe propozimin që ka bërë vetë zonja Hajdari një apo dy muaj më parë, kur kemi qenë në këshillin politik, kur na solli si model, modelin danez. Propozimi që ka bërë zonja Hajdari ka qenë, madje edhe më i fortë në drejtim të ruajtjes së renditjes së listave, pasi danezët kanë një sistem tjetër, nëpërmjet pjesëtimit të çdo mandati duke marrë parasysh votat e partisë plus votat e individit. Pra, çdo parti ka interesat e saj. E rëndësishme është që të themelojmë një parim, pastaj të shohim nëse ka hapësirë për kompromis. Natyrisht që mund të ketë hapësirë për kompromis. Kështu që edhe zonja Hajdari, edhe të tjerë, janë të mirëpritur. Ky është një proces.

A janë këto ndryshime dhe propozimi për këto ndryshime në një kohë të papërshtatshme, duke iu referuar faktit që jemi pak muaj përpara zgjedhjeve? Ky ka qenë një pretendim i ngritur nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët, që ju kanë bërë thirrje edhe para dy muajve që të mos ndërhyni të paktën në ndryshime të tilla për sa u përket zgjedhjeve, sepse jemi pak muaj përpara kësaj date.

Damian Gjiknuri: Prandaj duhet ta mbarojmë këtë punë sa më shpejt. Kushtetuta ka hyrë në fuqi, ky është një fak tashmë, që nuk mund të mohohet. Këtu po bëjmë vetëm një ndryshim, vetëm një modifikim, që është formula e shpërndarjes së mandateve brenda partive politike në bazë të renditjes së votave që ata kanë marrë. Kaq, nuk ka ndonjë ndryshim tjetër thelbësor aty. Si edhe paraqitja e listës nga koalicionet, pra praktikisht nuk ka asnjë ndërhyrje tjetër themelore në Kodin Zgjedhor. Të gjitha rregullat e tjera janë të gjithëpranuara, janë pjesë të marrëveshjeve. Asgjë nuk kemi prekur nga marrëveshja e 5 qershorit.

Megjithatë duket sikur po zvarritet ngritja e institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve, pavarësisht se Kodi i ri Zgjedhor parashikon që 48 orë brenda kohës kur dekretohet data e zgjedhjeve, të paktën të ngrihet komisioni rregullator apo edhe KAS-i, por sigurisht edhe komisioneri i këtij institucioni. Ende nuk e kemi këtë institucion dhe sigurisht që administrimi i procesit kërkon kohën e nevojshme për t’u kryer. A jeni vonë për të kryer një proces zgjedhor të gjithëpranuar, edhe duke iu referuar kërkesës së opozitës për votimin elektronik?

Damian Gjiknuri: Së pari, kam përshtypjen që je gabim, se nuk ka afat 48 orë nga dekretimi i zgjedhjeve për ngritjen e KQZ-së. Përkundrazi, Kuvendi ka filluar procedurën, është brenda afateve ligjore për të cilat kemi rënë dakord së bashku. Pra, marrëveshja e 5 qershorit ka qenë për ato afate që kemi rënë dakord së bashku dhe Kuvendi, javën e parë të tetorit, natyrshëm që do ta ngrejë KQZ-në dhe ajo do të fillojë funksionimin. Mirë do të ishte që të ishte bërë edhe më përpara, por këto janë afatet ligjore, për këto afate u ra dakord dhe pikërisht këtë thashë që në fillim, që duhet t’i mbyllim menjëherë këto brenda muajit shtator, në mënyrë që të kemi edhe ndryshimet sepse nuk është ligj i ri por janë vetëm disa amendime ligjore dhe, së dyti, të kemi edhe organin e KQZ-së në punë.

A keni një emër të preferuar nga ata që kanë aplikuar për komisionerë në KQZ?

Damian Gjiknuri: Edhe nëse do të kisha, ju mendoni se do ta thosha këtu?

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tipi: 20/09/2020 15:12

    Pupu Damian Gurruja.. i puthi kembet Evgjitit. Pse ste ha nje mortje,ty Gurrus,dhe asaj bundres tende qe i puthte kembet evgjitit.. turp turp. Kane lluksin pagojne dhe Gurrune. Presim nga ky qelbesira..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren