Rreth 8.3 milionë turistë huaj e vizituan Shqipërinë në 9 muaj, megjithatë numri i deklaruar nga të gjitha strukturat akomoduese është shumë më i ulët, për shkak të informalitetit në sektorin e turizmit.

Shumë subjekte të tjera, familjarë apo biznese, gjatë verës dhe jo vetëm japin me qira përmes aplikacioneve AirBNB, Booking dhe rrjetet sociale dhoma, apartamente, vila etj, pavarësisht se nuk janë të licencuar. E gjithë kjo situatë ka rritur evazionin fiskal dhe humbja në buxhet është e konsiderueshme. Qeveria ka bërë gati ligjin e ri që tenton të ulë informalitetit, rritjen e të ardhurave dhe zhvillimin e sektorit.

Projektligji i ri parashikon që çdo strukturë banimi që përdoren për qëllime biznesi, përfshirë edhe dhomat  më të thjeshte deri te vilat, do të regjistrohet në QKB dhe do të paguajnë tatim pasi të kategorizohen në sajë të shërbimit që ofrojnë. Në rast se do të ketë ushtrim të aktivitetit pa certifikatën e kategorizimit ndëshkohet me gjobë nga 20 mijë lekë deri në 400 mijë lekë në varësi të numrit të dhomave.

Në ligjin aktual gjoba më e lartë për strukturat akomoduese është 200 mijë lekë, për mungesë të licencave përkatëse.

Qeveria kërkon që të gjitha strukturat që do të ofrojnë shërbim akomodimi do jenë të detyruara të kryejnë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

Në rast të mos deklarimit të pushuesve, siç ka ndodhur deri më tani, gjoba parashikohet në vlerën 150 mijë lekë, ndërsa kur të dhënat e deklaruar janë të pasakta gjoba është 100 mijë lekë.

Sipas propozimit çdo strukturë akomoduese do të jetë e detyruar që të ekspozojë në një vend të dukshëm listat e çmimeve për produktin dhe shërbimin që ofron ne gjuhen shqipe dhe angleze.

Në draft propozohen ndryshime edhe për stacionet e plazhit, ku është i detyruar subjekti që ushtron aktivitetin të mirëmbajë dhe të parandalojë ndotjen e hapësirës së plazhit që ka marrë në përdorim. Nëse shkelet hapësira e parashikuar në kontratë gjoba është 150 mijë lekë dhe nëse në stacionin e plazhit mungon vrojtuesi gjoba është 200 mijë lekë.

Të gjitha këto ndryshime sipas Ministrisë së Turizmit pritet të rrisin të ardhurat me 10-15%, krahasuar me të ardhurat e këtij viti.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)