"Drejtësia", Meta: Palët t'i drejtohen
Euralius e Opdat për ndasitë që kanë

TIRANE - Ambasadori Amerikan dhe ajo e BE Romana Vlahutin zhvilluan rreth 60 minuta takim me kryeparlamentarin Meta në Kryesinë e Kuvendit me fokus ne Reformen ne Drejtesi.Të gjitha palët kanë rënë dakord dhe kanë shprehur pranimin e rekomandimeve të Venecias tha Meta, dhe tashmë puna voluminoze për reformën në drejtësi ka krijuar shtratin dhe është bazë solide për konsensus.

Gjatë takimit u diskutua dhe shkëmbyen mendime mbi hapat e mëtejshëm të procesit të reformës në drejtësi, si dhe kalendarin e agjendës parlamentare për përmbylljen me sukses të saj, pas mbërritjes së opinionit përfundimtar nga Komisioni i Venecias.

Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e tij maksimale dhe konkrete për përmbylljen me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, mbështetur mbi bazën solide dhe profesionale të rekomandimeve përfundimtare të Komisionit të Venecias.

Meta shprehu vlerësimin e tij për punën e madhe të kryer nga grupi i ekspertëve dhe veçanërisht asistencën dhe kontributin e çmuar të misioneve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, për t’u dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve dhe komenteve të palëve të përfshira në këtë proces.

Sakaq, Meta theksoi se kjo punë voluminoze ka krijuar shtratin dhe është tashmë një bazë solide për konsensus, sepse të gjitha palët kanë rënë dakord dhe kanë shprehur pranimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Kryetari i Kuvendit vuri gjithashtu në dukje se është e domosdoshme që të gjitha palët të kenë një lexim racional dhe objektiv ndaj opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ai theksoi se për të gjitha çështjet që palët ndajnë qëndrime të ndryshme, duhet t’i adresohen ekspertëve të EURALIS-it dhe OPDAT-it, opinioni i të cilëve duhet të shërbejë si bazë për konsensusin përfundimtar dhe miratimin sa më parë të kësaj reforme madhore për vendin dhe qytetarët shqiptarë.

Meta informoi Ambasadorët, Vlahutin dhe Lu edhe mbi fillimin nga puna të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe adresimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të kryhen në përputhje me standardet me të larta evropiane.    

Pasditen e kësaj të hëne partitë kryesore politike do të marrin në shqyrtim rekomandimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Në mbledhjen e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi të kryesuar nga deputeti socialist Fatrmir Xhafa pritet të vendoset nëse konsensusi për këtë reformë do të kërkohet nëpërmjet ekspertëve apo negociatave politike të nivelit të lartë.

Sidoqoftë ekspertët e PD, PS e ndërkombëtarë duhet për të përkthejnë në amendamente rekomandimet e Venecias.
 
Deri më tani pika më e nxehtë që mban të ndara palët është shumica e cilësuar që do të përdoret në Parlament për të zgjedhur rreth 30 anëtarë të institucioneve të reja në gjyqësor dhe në prokurori.

Nga këta do të dalin pothuajse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një strukturë kyçe me rol vendimmarrës për njerëzit që do të drejtojnë qeverisjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
 
Komisioni i Venecias, pavarësisht se ka nxjerrë draftin final pritet ta miratojë atë me votë në Strasburg në 11 mars.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë