Drejtësia juridike dhe ajo politike

Drejtësia juridike dhe ajo politike

Kreu i zgjedhur i SPAK Altin Dumani dhe ish-kreu Arben Kraja

Ekziston një pakënaqësi e madhe me SPAK-un edhe pse është nga të paktat institucione që përfaqësojnë një rreze dritë në errësirën e shtetit shqiptar. E majta është e pakënaqur sepse SPAK nuk ka futur ende në burg Berishën dhe Metën, ndërkohë që djathtas drejtësia nënkupton vetëm arrestimin, dhe mundësisht varjen në shesh, të Edi Ramës. Ndërkohë që shoqëria shqiptare duket e zhgënjyer pasi SPAK në dy vite punë ende nuk i ka dhënë fund korrupsionit të prodhuar në 30 vite tranzicion.

Është një zhgënjim që buron nga pritshmëria sa e lartë aq edhe jo-realiste që aktorët politik dhe shoqëria kanë për SPAK. Pas “zhgënjimit” të aktorëve politik në fakt qëndron dëshira e tyre që SPAK mos ta ngrejë kurrë kokën. Deklarata si ajo e Ilir Metajt se “nuk kemi parë rezultate nga SPAK” nuk janë thjesht cinike por profeci vetë-përmbushëse. Probabiliteti që SPAK të dështojë rritet proporcionalisht me klithmat “SPAK ka dështuar”. 

Meqenëse jemi ende nën efektin botërorit mund ta na lejohet një analogji me futbollin, pavarësisht injorancës së autorit në këtë fushë. Imagjinoni një lojtar me emrin SPAK që sapo del në fushë të gjithë tifozët i bërtasin “dështak”, “i paaftë” apo “i shitur”. Natyrisht që probabiliteti që ky lojtar do dështojë rritet dhe kështu britmat e tifozëve prodhojnë pikërisht rezultatin që kishin “identifikuar” paraprakisht. 

Në rastin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi zhgënjimi nuk është nga dëshira që SPAK të dështojë, por nga konfuzioni mes drejtësisë juridike dhe asaj politike. Është një konfuzion i natyrshëm, por që ushqehet dhe nxitet nga aktorët politik për të prodhuar zhgënjim tek shoqëria me SPAK-un dhe për pasojë dështimin e këtij institucioni. 

Drejtësia juridike bazohet në standarte që janë shumë më të ngurta e të kufizuar se standartet politike. Në ligj ekzistojnë limite kohore mbi dënimin dhe hetimin e një vepre penale. Një shkelje ligjore që prodhon një dënim maksimal prej 10 vitesh burg nuk mund të hetohet nëse kanë kaluar 20 vite nga kryerja e saj. Për pasojë shumë akte korruptive, shkelje apo dhunime të ligjit që janë bërë para 10, 15 apo 20 vitesh nuk mund te hetohen apo dënohen sot. 

Drejtësia politike nga ana tjetër nuk ka limite kohore dhe nuk bazohet tek prezumimi i pafajësisë. Në kuadrin e drejtësisë politike ne si shoqëri do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi pafund për Gërdecin edhe pas 20 vitesh, do vazhdojmë të kujtojmë vrasjet e 11 janarit të 2011 para kryeministrisë apo aferën e inceneratorëve të qeverisë Rama edhe pas 30 vitesh. 

Ama këto janë ngjarje politike që pas 20 apo 30 vitesh nuk mund të zgjidhen jurdikisht nga institucione si SPAK apo sistemi i drejtësisë në përgjithësi. Standartet e tyre janë shumë të ndryshme mga standartet politike. Përgjegjësia politike mund të ekzistojë edhe kur mungon tërësisht përgjegjësia juridike. Në këtë aspekt politikja dhe jurdikja janë dy fusha që ndonëse ndërthuren nuk janë identike. 

Ndaj të pretendosh që drejtësia jurdike e SPAK do prodhojë drejtësinë politike të munguar në sferën tonë publike do të thotë ti vendosësh SPAK-ut një objektiv të paarritshëm. Drejtësia politike ka të bëjë me disa standarte bazë shumë më të gjera se standartet e drejtësisë juridike. Ndryshe nga sa mendojnë shumica e qytetarve standarti politik duhet të jetë më lart dhe më kërkues se standarti juridik. 

Mjafton një shembull i thjeshtë për ta kuptuar këtë. Jurdikisht është e pamundur të dënosh dikë për krimet e familjarëve. Ama politikisht kjo është e mundur dhe e llogjikëshme. Në rastin e Gërdecit, për shembull, Berisha nuk mund të dënohet juridikisht për përfshirjen e djalit të tij në këtë skandal. Ama politikisht kjo përfshirje ka, kishte, dhe do vazhdojë të ketë, kosto politike për ish kryeministrin. Në këtë pikë standarti politik duhet të ishte më sipër, dhe jo më poshtë, standartit juridik. 

Natyrisht që shumë kritikë të Berishës me të drejtë argumentojnë se ky i fundit ka përgjegjësi juridike sepse ka fshehur përfshirjen e të birit në këtë krim duke manipuluar dhe kërcënuar drejtësinë. Ndaj SPAK duhet të veprojë dhe ta dënojë atë juridikisht. Në këtë mënyrë doktori del nga skena politike dhe vihet në vend drejtësia politike nëpërmjet drejtësisë juridike.

Por standarti juridik në këtë rast është shumë poshtë standartit politik. Berisha duhet të kish dalë nga skena politike që pas shpërthimit të Gërdecit, apo minimalisht duhet të ishte tërhequr nga posti i kryeministrit, pavarësisht ekzistencës apo jo të përgjegjësive juridike. 

Një kryeministër në qeverisjen e të cilit ndërtohet një bombë bërthamore mes Durrësit dhe Tiranës, në mes të ditës, me përfshirjen e familjarëve të tij, që vret dhjetëra qytetarë dhe plagos e dëmton me qindra të tjerë, nuk ka legjitimitet për të qeverisur në një demokraci. Ky standart politik, që duhet ta kish eleminuar Berishën politikisht, i paraprin përgjegjësisë juridike të tij dhe nuk mund të reduktohet tek kjo e fundit. 

Mungesa e standarteve politike minimale që lejojnë Berishën, Metën dhe për pasojë edhe Ramën, të riciklohen pafund në skenën politike është një problem që nuk mund dhe nuk duhet ta zgjidhë SPAK. Natyrisht është e thellë ironia e faktit që pikërisht ata aktorë politik, dhe mbështetësit e tyre mediatik, që kanë hedhur në erë standartet politike, e fajsojnë SPAK-un se nuk po pastron ujërat e ndenjura të politikës sonë. 

E vërteta është që SPAK dhe sistemi gjyqësor në përgjithësi nuk mundet dhe nuk duhet të rekuperojë standartet e munguara politike të skenës sonë publike, sepse në këtë mënyrë politizohen dhe deformohen. Njehsimi i llogjikës juridike me atë politike, nuk forcon standartin politik por dobëson dhe deformon standartin juridik.     

Një nga keqkuptimet themelore të fushatave të sukseshme anti-korrupsion është idea se ato udhëhiqen nga sistemi i drejtësisë. Në fakt sistemi i drejtësisë është instrumenti i fundit anti-korrupsion. Drejtësia futet në veprim gjithnjë me vonesë, atëherë kur korrupsioni ka ndodhur, pra kur është shumë vonë. Ndërkohë anti-korrupsioni i suksesshëm është parandalues dhe jo prapa-veprues. 

Një sistem politik, administrativ dhe ekonomik që prodhon korrupsion në cdo pore të tij nuk mund të pastrohet nga një grusht gjygjtarësh dhe prokurorësh sado heroik dhe heroike qofshin ata apo ato. Natyrisht kjo nuk do të thotë që sistemi i drejtësisë nuk është i rëndësishëm në luftën anti-korrupsion. Ama një shoqëri që pastrimin e pret thjesht nga gjygjësori e ka humbur betejën me korrupsionin.

Idea se aktivizmi gjygjësor apo juridik (judicial activism) mund të pastrojë të gjithë korrupsionin që prodhon shoqëria, ekonomia dhe politika është thjesht fantazi. Fushata e famshme juridike anti-korrupsion Duart e Pastra (Mani Pulite) në fillim të viteve 1990 në Itali e udhëhequr nga prokurori i famshëm anti-korrupsion Antonio Di Pietro e fshiu klasën politike të vjetër dhe të korruptuar italiane. Ama i hapi rrugën krijimit të një klase të re politike edhe më të korruptuar me në krye Berluskonin.   

E njëjta gjë ndodhi me fushatën gjygjësore anti-korrupsion Lavazhi i Makinave (Lava Jato)  në Brazil që burgosi ish-presidentin Lula pak vite më parë. Rezultati i saj ishte ardhja në pushtet e Jair Bolsonaro, një përfaqësues i të djathtës ekstreme braziliane sa i korruptuar aq edhe anti-demokratik. 

Në të dyja rastet fushata juridike ishte e sukseshme në burgosjen dhe dënimin e politikanëve të nivelit të lartë por e pasukseshme në forcimin e standarteve politike që kufizojnë korruptimin e politikës. Sistemi i drejtësisë nuk mund të prodhojë dhe forcojë standartet politike që burojnë nga sistemi politik, mediatik, social dhe ekonomik i një shoqërie.  Klientelizmi dhe autoritarizmi politik, kapja e shtetit, abuzimi me pushtetin, nga ku buron korrupsioni, nuk janë fenomene që eleminohen thjesht me sistemin e drejtësisë. 

E përsëris se me këtë nuk dua të them se sistemi i drejtësisë nuk është themelor në luftën anti-korrupsion. Ama ai është korrektues dhe jo reformues i sistemit politik. Nga ai nuk mund të presim mrekullira apo shëndoshjen e një sistemi politik, ekonomik dhe mediatik të degraduar. Kjo është një sfidë kryesisht politike dhe jo juridike. 

Rasti i Donald Trump në SHBA është një shembull i mirë i kësaj sfide. Presidenca e Trump me nivelet e larta të korrupsionit ishte dhe mbetet një goditje e fortë për standartin demokratik amerikan. Ama goditja më e madhe që ka marrë fenomeni Trump nuk ishte nga sistemi i drejtësisë, me gjithë përpjekjet e tij, por nga Kongresi i SHBA-ve. Më specifikisht nga komisioni hetimor për ngjarjet e 6 Janarit të 2022 ku mbështetësit e Trump u përpoqën të organizojnë një grusht shteti. 

Ky komisioni hetimor, që me siguri do ketë edhe pasoja juridike, e goditi politikisht dhe jo thjesht juridikisht, Trumpin dhe trumpizmin. Ai u tregoi dhe vërtetoi qytetarëve amerikan përfshirjen direkte të Presidetit Trump në grushtin e shtetit dhe rrezikun që ai përfaqëson për demokracinë dhe kushtetutën amerikane. 

Mediat luajtën një rol vital në këtë proces duke i kushtuar rëndësi komisionit dhe gjetjeve të tij. Pra standarti politik që vendosi ky komision u bë nëpërmjet politikës dhe medias dhe jo nëpërmjet sistemit gjygjësor. Ky i fundit fillon të veprojë dhe të ketë sukses vetëm pasi është vendosur një standart politik që e përcakton si të papranueshëm një president që nuk respekton normat politike demokratike. 

Dicka e ngjashme ndodhi edhe me skandalin e incerenatorëve në Shqipëri. Arrestimi i ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka nga SPAK ishte një hap i rëndësishëm në ndricimin e këtij skandali. Ama ishte komisioni hetimor parlamentar i opozitës, në bashkëpunim me mediat, që e popullarizoi skandalin, informoi popullatën, dhe nxorri në pah përgjegjësinë politike të ekzekutivit në përgjithësi dhe të kryeministrit Rama në vecanti. 

Në këtë aspekt komisioni hetimor vendosi një standart të ri transparence dhe llogaridhënie të paparë në politikën shqiptare.  E thënë ndryshe, goditja politike që mori ekzekutivi ishte shumë më e madhe nga komisioni hetimor sesa nga arrestimi i SPAK-ut. Fatkeqësisht ky fakt u injorua dhe e gjithë vëmendja u përqendrua tek mungesa e përgjegjësisë juridike të Ramës në këtë cështje dhe jo tek përgjegjësia e qartë politike që komisioni hetimor e nxori në pah.

Mund të jetë e pamundur për SPAK të vërtetojë juridikisht përgjegjësitë administrative apo penale të kryemnistrit Rama në cështjen e incerenatorve. Për këdo që e njeh sadopak ligjin kjo është e kuptueshme sepse vendimet kolegjiale si ato që merren nga Këshilli i Ministrave nuk prodhojnë përgjegjësi juridike individuale. Kjo është llogjika juridike dhe e tillë duhet të jetë, për arësye që nuk kemi hapësirë ti shtjellojmë këtu.  

Ama kjo nuk do të thotë se kryeministri Rama nuk ka përgjegjësi politike të mëdha për një skandal ku u kontraktuan firma fantazëm, ku shteti vazhdoi të pagojë firma me administrator në arrati. Natyrisht që kryemninistri mund të deklarojë me të drejtë që gjithcka u bë pa dijeninë e tij, por kjo nuk e cliron atë aspak nga përgjegjësia politike për ndërtimin e një qeverie dhe administrate publike që mundëson abuzime kaq skandaloze me paratë publike. 

Prandaj SPAK dhe drejtësia jurdike anti-korrupsion që ky institucion përfaqëson nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë drejtësinë politike e cila ndërtohet nga e gjithë shoqëria, duke përfshirë aktorët politik, social, ekonomik dhe mediatik. E thënë troc, nuk mund të presim nga SPAK që të bëjë rinovimin e munguar të klasës sonë politike apo reformën e munguar të institucioneve tona politike. 

Së pari, sepse se drejtësia juridike ofron një standart shumë më të ulët se drejtësia politike. Së dyti, sepse nuk mund të vendosësh drejtësi juridike pa një minimum standartesh politike. Pak efekt ka futja në burg e një politikani të korruptuar për sa kohë ai apo ajo ka mbështetjen e një pjese të mirë të elektoratit. Nuk është detyrë e SPAK të bindë votuesit që të mos votojnë politikanët e korruptuar, të clirojë mediat e kapura nga biznesi dhe pushteti, apo të shkatërrojë monopolet partiake që eleminojnë rinovimin e politikës. 

Ndaj është hipokrizi e madhe llogaria që i kërkojnë SPAK-ut politikanët që kanë abuzuar prej dekadash me pushtetin, mediat e përfshira në kapjen e shtetit, gazetarët që shpesh mbështesin dhe reabilitojnë politikanët e korruptuar, apo qytetarët që votojnë po të njëjtët politikanë që prej dekadash e rrjepin shtetin shqiptar. SPAK-u nuk duhet të kthehet në kurbanin politik që na çliron të gjithëve nga mëkatet tona. E trishtë do jetë dita kur Rama, Berisha dhe veçanërisht Ilir Meta të na thotë “na mbyti korrupsioni sepse SPAK dështoi!”.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë