Brenda vitit 2028 do të përmbyllen plotësisht të gjitha dosjet në proces legalizimi, deklaroi Drejtoresha e Kadastrës Lorena Goxhobelli në seancë dëgjimore në “Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik”. Procesi i legalizimit ka nisur zyrtarisht në vitin 2006, dhe referuar raportit vjetor të Kadastrës janë edhe rreth 130 mijë vetëdeklarim, ende në proces.

“Viti 2025 me 26101 legalizime, ka qenë viti më i miri sa i takon legalizimeve që kur është krijuar ASHK, në 2019. Për 6-mujorin e parë të 2026-ës kemi miratuar 17.396 vendime legalizimi, është një numër më i lartë në 2023-2024, dhe do të jetë vit edhe më i mirë se viti 2025. Patjetër, që kemi një numër shumë të madh dosjesh për këtë proces. Afati ligjor në ligj për të mbyllur legalizimet është 2028-ta”, tha Goxhobelli.

Vështirësi tha Goxhobelli ka në regjistrimin e titujve të pronësisë për tokat bujqësore.

“Ka vështirësi me regjistrimin e titujve të pronësisë sidomos me tokën bujqësore, pasi 90% e titujve të pronësisë për tokën bujqësore AMTP, janë tituj pa një hartë dhe paraqet vështirësi në regjistrim. Në momentin që ne bëjmë vendosjen, mund të ketë problematike me mbivendosjen, mund të ketë më shumë sipërfaqe në titull sesa në terren”, shprehet drejtuesja e Kadastrës.

Sfidë gjithashtu për Kadastrën është përditësimi i hartave kadastrale pasi rezulton se 80% e vendit ka probleme.

“Në dhjetor të 2025-ës përfunduam të gjithë digjitalizimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, 54 milionë fletë. Kemi mbaruar digjitalizimin e 4.3 milionë kartelave, dhe po punojmë me UNOPS për digjitalizimin e hartave deri në dhjetor të 2026-ës. Në çdo ‘Progres Raport’ e ke të cilësuar që 80% e territorit të Shqipërisë ka problematika me hartat. Është një nga sfidat më të rëndësishme që kemi, por do të adresohet brenda afateve, pas digjitalizimit të hartave”, tha Goxhobelli.

Sa i takon regjistrimit fillestar të pronës, edhe ky proces duhet të mbyllet brenda 2028-ës.

“Sot 95.3% e territorit është e mbuluar me regjistrim fillestar, kemi vënë si afat maksimal të përmbushjes së këtij detyrimi 100% vitin 2028, megjithatë regjistrimi fillestar për Shqipërinë do mbyllet në 2027-ën”, tha Goxhobelli.

Drejtuesja e Kadastrës hodhi poshtë edhe pretendimet e kryetarit të KLSH-së Arben Shehu i cili më herët kishte deklaruar se ASHK nuk përmbush rekomandimet që i lihen nga auditimet dhe se nuk i është dhënë akses i plotë në sistem dhe në informacionin e kërkuar.

“Përgjatë 2019-2026 janë zhvilluar 34 auditime, 2 auditime janë në proces, janë kryer në periudha të ndryshme. Ka drejtori që nuk janë kontrolluar asnjëherë që është drejtoria Gjirokastër, ashtu siç ka edhe drejtori si Rurale 2 Tiranë e kontrolluar 5 herë. KLSH ka pasur akses në informacionet që ka kërkuar”, tha Goxhobelli.