Sa keq që Drenica e njohur në histori për trimëri e guxim e për fjalë të gojës, emrin e saj sot më shumë ia lakojnë kur flitet për dredhi e për mashtrim.
“Është nga Drenica!”, thonë dhe tash është drejtor. Të shkuarat, ato të vjetrat janë bartur të transformuara, “Është nga Drenica!” si të ishte ai djalli i fantazisë që të përpin.
Çfarë do të thoshte pleqnari Xhemal Obrija për këtë?
Dikur gjuha në nivelin e saj më të lartë ishte privilegj i të urtëve, i pleqnarëve dhe i njerëzve me përvojë.
Njerëzit e dijes, të mendjes e të fjalës, rrallë janë njerëzit që sot i përçojnë mesazhet e idetë.
Rrallë janë njerëzit që e krijojnë kulturën.
Rrallë janë njerëzit që krijojnë komunikimin.
Rrallë janë njerëzit nga të cilët mund të mësojmë.
Pse do të duhej të ishte e habitshme kur një regjisor, e quan shtetin e vet: shtet i kriminelëve.
Nuk ka asgjë fantastike, dhe asnjë mundësi për të pyetur nëse është realitet apo ëndërr, e vërtetë apo iluzion.

Pse do të duhej të ishte e habitshme kur institucioni më i lartë i kinematografisë në vend bëhet arenë ku gjuhen e përplasen akuzat?
Pse do të duhej të ishte e habitshme që në krye të një muzeu, jo më pak se kombëtar, të vihej një emër që as "Google" nuk e gjen? Asgjë fantastike s'ka këtu.
Por, ai është nga Drenica, zërat thonë. Përmasat e kësaj ndodhie tash nisin të marrin të tjera kuptime, pak përtej asaj që në “botën reale” është e kuptueshme.
Logjika e këtij kumtimi prodhon diçka të pabesueshme.
Por kjo zgjat shkurt, ose zgjat deri atëherë sa kufijtë e bërë pak lëmsh, të saktësohen dhe enigma të kuptohet.
Me kaq, fantastikja merr fund. Personazhi i ndodhisë paska pas një ‘atu’ të fortë në dorë.
Personazhi i paska marrë do vota në zgjedhjet e qershorit. E ndoshta para do vitesh edhe ka luftuar.
Plus, që ish një menaxher fort i zoti, me letra.
Po flitet se një publicist, nga më të njohurit që i kemi, e paskësh përqeshur Drenicën e Xhemal Obrisë, të Adem Jasharit e të Ahmet Delisë.
Pak si racist koncepti i përshkrimit, por që e paska bërë për shkak të "drenicakëve të rinj", që në këto 15 vjet e kanë bërë të pamundurën që ta instalojnë frazën "këta janë nga Drenica"!
Është për të ardhur keq se si një frazë tjetër "Drenica lind veç trima…" ka pësuar metamorfozë kaq të fortë sa që të kalojë edhe në racizëm.
Ka pasur një dikotomi shekullore në marrëdhënien art dhe politikë në gjithë kulturën dhe në trevat e pushteteve të përkohshme, siç është edhe ky i sotmi nga Drenica.
Si një bekim-mallkim dhe një dominante konstante në historinë që e ka ndërtuar artin e kulturën e shqiptarëve.
Dhe në këtë luftë të gjatë, duket se homo politicus e ka ngrënë homo poeticus-in.
Por në vend se të kishin herë penë e herë pushkë, herë pushkë e penë, ka ndodhur që në faza të caktuara të mos e kenë as shkronjën e parë nga pena dhe pushka!
Abuzimi që politika po i bën kulturës është bërë i shpifur. Rolet që kanë marrë luftëtarët e dikurshëm, mbledhësit e votave e besnikët e bajraktarit, vetëm se po e hanë atë grimë art e kulturë qe e kemi, kjo qoftë edhe përmes nëpërkëmbjes së dinjitetit intelektual që mund ta kenë shumë njerëz nga Drenica.
Plaku i Drenicës, që mori dhe rishkriu në substratin gojor një shumësi ligjërimesh, kishte pas thënë njëherë “nuk asht mykë toka, as livadhi e as zabeli, por asht mykë mashkulli i mirë”. Prandaj ky "myk" duhet të jetë i përkohshëm, siç do të jetë i përkohshëm edhe fraza raciste "këta janë nga Drenica”!
Sepse secili është nga diku, ku nuk myket toka, por burrat dhe gratë që i shpërfytyron pushteti i fuqisë për pak ditë, për pak muaj ose për vite! Kushedi çfarë do të thoshte Xhemal Obrija sot, një shekull më vonë.
Një i moçëm i dijes së përbotshme, shekuj para tij, pleqëronte se “Mashkulli për nga natyra është një kafshë politike”. Për njerëzit e pushtetit të sotëm sigurisht.