'Dritan Dajti', Gjonaj-Lleshaj: Skandal! KLGJ-ja të procedojë gjyqtarët, meritojnë burgun

TIRANE-Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ai i Brendshëm Sandër Lleshaj kanë reaguar ashpër 48 orë pas vendimit të gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, që shpëtoi nga burgu i përjetshëm, pasi i pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar duke e dënuar përfundimisht me 25 vite burg. Etilda Gjonaj e cilësoi vendimin si skandaloz, që rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare. Ajo njoftoi se do i drejtohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për procedimin e trupës së gjyqtarëve që dha vendimin. Për Gjonajn vendimi është një aferë e pastër korruptive nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu.

"Një rast shokues, i paprecedent. Vendimi për të pranuar gjykimin e shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vite për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e katër policëve, tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me kodin penal. Prej 48 orëve kemi punuar për të adresuar një skandal të papranueshëm, të përmasave të pa tolerueshme, që dhanë vendimin në kundërshtim me ligjin. Ky është një lajm i shëmtuar nga segmente të drejtësisë, ku ende nuk ka arritur vettingu. Nuk pajtohemi me rastin, gjyqtarët meritojnë vetëm përbuzje. Vendimi rrezikon që të krijojë një precedent të rrezikshëm.

Qeveria nuk synon vendosjen e kontrollit mbi drejtësinë, por në raste të tilla papërgjegjshmërie nuk mund të rrijë pa reaguar në të gjitha format ligjore. Kjo drejtësi në reformim e sipër, na vendos të gjithëve në një pozitë të vështirë. Vetëm përfundimi i zbatimit të reformës në drejtësi dhe pastrimi nga ata që ulën dënimin për vrasësin e katër policëve është rruga për të ndaluar këto vendime të paligjshme. Ministria e Drejtësisë do i drejtohet KLGJ-së për procedimin disiplinor të gjyqtarëve për këtë rast të paprecedent. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe ONM-ja jo vetëm te pasuria, por të fokusohen në elementë të tillë, ku cdo gjyqtar dhe prokuror me vendimet e tyre kanë mundësuar që grupet kriminale ti shpëtojë forcës së ligjit. Mbështes prokurorinë në ankimimin në gjykatën e Lartë që parregullsitë në apel të rivendosen në vend" tha Gjonaj.

Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj u shpreh se gjyqtarët që shpëtuan Dajtin nga burgu i përjetshëm meritojnë që të bashkohen me atë pas hekurave. Ai nuk ka detaje, por njoftoi se operacioni 'Forca e Ligjit' është vendosur në veprim të plotë për të adresuar, atë që ai e quajti atentat ndaj drejtësisë. "48 orët e fundit kanë qenë orë të përjetimeve të rënda për familjarët e oficerëve të rënë në krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009, për Policinë e Shtetit dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, si pasojë e një vendimi kriminal të disa gjyqtarëve që meritojnë plotësisht t’u bashkohen prapa hekurave klientëve të tyre.

Kam pritur këto 48 orë sa të sigurohesha që ky krim i njerëzve me imunitet ligjor dhe kushtetues të mos kishte si përgjigje vetëm një deklaratë publike, por edhe një reagim të fortë e të vendosur si dhe një proces të qartë ligjor. Edhe pse nuk mund të jap detaje, deklaroj se Operacioni "Forca e Ligjit" është vënë në veprim të plotë për të adresuar me të gjithë forcën e së drejtës atentatin e qartë, brutal dhe skandaloz që i është bërë drejtësisë në vendin tonë, sakrificave të panumërta dhe gjakut të derdhur nga qindra punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar përgjatë tri dekadave të fundit.

Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë. Personat me profil të lartë kriminal, në shumicën e tyre, janë sot prapa hekurave, si rezultat i vullnetit të kësaj shumice qeverisëse për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe i një policie të reformuar dhe të motivuar për të imponuar fuqinë e ligjit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj zbatuese".

Ministri i Brendshëm kishte një përgjigje edhe për opozitën pas akuzave në dy ditët e fundit kundër qeverisë. "Ata që krijuan kushte dhe lejuan rritjen kriminelëve me profil të rrezikshëm, dhe që jo rrallë u bënë njësh me ta, sot lajnë duart, madje përpiqen të krijojnë dhe kapital politik. Por qytetarët shqiptarë i njohin mirë, si arkitektët e djeshëm të një sistemi pa drejtësi, ashtu dhe perspektivën e pashmangshme të një reforme historike në drejtësi, e cila po thellohet falë vullnetit tonë të palëkundur, por që nuk mund të quhet e kryer, përderisa raste si ky i fundit, na dëshmojnë se ende njerëz të çartur, pa fe e atdhe, të veshur me petkun e së drejtës çmenden përpara parave të krimit.

Po aq të çmendura janë edhe reagimet e monstrave politike që përpiqen të keqpërdorin dhe të kthejnë në armë kundër qeverisë vendimet e disa gjyqtarëve, që ata vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre në simbiozë me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete e grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre. Unë siguroj qytetarët shqiptarë dhe familjarët e dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë, ligjore, në përpjesëtim të drejtë dhe në respekt të plotë me thirrjen që buron nga amaneti i atyre burrave të Policisë së Shtetit shqiptar që dhanë jetën për një Shqipëri më të sigurt dhe më drejtë" deklaroi Sandër Lleshaj.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit "Iliria" në Durrës. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim në Apel për shkelje procedurale. Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin në vitin 2014 me 4 dënime përjetë pas 276 seancave. Por me vendimin e Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg (lexo ketu).

Emrat e pesë gjyqtarëve që vendosën të dënojnë me 25 vite burgim Dritan Dajtin, duke prishur kështu vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë janë; Kryetar i trupit gjykues Fuat Vjerdha, që është edhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër, dy anëtarët janë Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pesëshja e gjyqtarëve u plotësua dhe me dy gjyqtarët e tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë (Lexo të plotë). Vendimi për Dritan Dajtin solli reagime të shumta, sidomos nga politika, ndërsa prokuroria ka njoftuar se do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lapi: 10/02/2019 20:41

    Po sdo mend as kalem kjo pune se vjen era pisllek dhe korrupsion. Edhe Aleks Nikolli e nxori koken prej skuthi. Jane me qindra rastet kur Aleksi ka marre para per te dhe drejtesi nepermjet vjehrrit te tij qe e perdor si sekser. Ai palo gjyqtar ne burg e ka vendin. Kur ka perfunduar cdo lloj gjykimi e shqyrtimi i provave ngrihet ky fshatunari pas dhjete vitesh e thote gjykim i shkurtuar. Ky duhet derguar ti beje shoqeri atij Dajtit atje ne burg se hiqet dhe si trim.

    Përgjigju
  • life: 10/02/2019 20:13

    ku esht ndryshimi midis d.dajtit dhe djalit rrugac te luiza xhuvanit.edhe ai nuk u denua perjet.ndryshimi esht vetem se djali i luiza xhuvanit theu Rekord se i vrau 4 vet per 4 sekonda.drejtesia ose per te gjith ose per asnje.

    Përgjigju
  • Janig: 10/02/2019 17:12

    Petrit Aliaj ka bere kerdine ne prona ne Sarande Jari e coje ne Apel ne Vlore? Me karvan punonte ne Delvine Mbaroi plepat me Alltun Celen e Sr dhe ben vjedhjr te papara Burgu eshte pak Duhet tu sekustrohen pasurite dhe ato qe jane ne emer te shoqeve te tyre "Nafije"

    Përgjigju
  • Arbër: 10/02/2019 15:16

    Ju lumtë z. Ministër

    Përgjigju
  • Fredi: 10/02/2019 14:59

    Ashtu duhet, vetëm dhe vetëm ligjet e fortë dhe zbatimi i tyre do ta zhvendosë Shqipërinë nga hauret e bajgërisë, drejt dritës. Demokraci pa “diktaturë” nuk ka! Dhe SHBA që është vendi më demokratik në botë, për raste të tillë zbaton Ligjin e Ligjeve!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë