Duket se Fatos Nano ia ka hedhur vdekjes. Njeriu që nuk e mori asnjëherë seriozisht pushtetin, mesa duket nuk është mësuar ta marrë seriozisht edhe vdekjen, pavarësisht këshillave të mjekëve. Me siguri, si në poezinë e famshme të Dritëro Agollit, për të disatën herë ka negociuar me të, i ka thënë të pinë një gotë bashkë dhe të kthehet një herë tjetër.
Në fakt të dy ata, Agolli dhe Nano, janë personazhet që një repart të ndryshkur të Enver Hoxhës e galvanizuan dhe e kthyen në forcën politike e cila nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti dhe rinovimin nuk e shikon më nga rotacioni i pushteteve por nga ai i elitave brenda saj.
Fatos Nano ka dritën dhe hijen në karierën e tij politike ku drita pamëdyshje mbizotëron. Merita e tij e madhe e pakontestueshme është modernizimi i partisë. I ndjekur dhe persekutuar nga jashtë dhe brenda partisë, ia doli që vetëm pas katër vitesh ta bëjë forcë të besueshme për të marrë pushtetin. Tridhjetë vite pas reformës së tij, kur në gjithë lindjen ish-sovjetike nuk ekzistojnë më pasardhëset e komunistëve, partia e socialistëve shqiptarë është në vitin e 18-të në pushtet dhe çdo forcë tjetër politike përballë saj duket anakronike.
Një meritë tjetër ishte afrimi i elementëve të rinj. Ca i dolën bukëshkalë, ca budallenj, ca gjarpërinj e të tjerët me vlerë. Por rezultati është që PS, falë tij, është në gjendje të gjenerojë elita të reja.
Një nga meritat që pak ia përmendin është ekonomia. Nano ishte një përfaqësues tipik i Keynes në ekonominë e shkalafitur shqiptare. Ja doli të disiplinonte sistemin e shpartalluar fiskal shqiptar dhe të shpërndante investimet në rrugë jo preferenciale. Shumë nga bizneset e suksesshme e kanë zanafillën në kohën e tij. Nano ishte një armik i sistemeve monopoliste që po i zënë frymën ekonomisë tonë.
Një meritë tjetër e tij është korpusi i ligjeve që shpesh binin në kundërshtim me etjen shqiptare për pushtet. “Po falim pushtet që të bëjmë shtet”, është fraza e tij që shumëpak e kujton sot. Ende ligjet e tij për administratën, tenderat, rekrutimin, mbeten më të mirat.
Pas kësaj vijnë dritëhijet e Nanos, dritëhije që do të diskutohen edhe për shumë dekada të tjera. Shumë thonë që instaloi korrupsionin. Broçkulla. E kishte instaluar Saliu i parë, i cili po tregon që e ka gjenetik dhe jo aksidental. Ama dobësia e Nanos është indulgjenca e tij ndaj individëve që i bjerrën qeverisjen dhe në përgjithësi ndaj kësaj flame si fenomen që është futur tashmë në psikozën tonë. Flamë që dogji edhe vetë atë në 2005-ën.
A ishin njerëzit aq të mllefosur nga korrupsioni sa të votonin Berishën? Jo, numrat thonë të kundërtën. Por Fatos Nano lëshoi pushtetin me vetëdije. Me vetëdije bëri ligjin elektoral që e penalizonte dhe me vetëdije nuk bëri presion mbi gjykatat që të merrte mandatet e diskutueshme. Natyrisht që ishte veprimi i një evropiani, por problemi është se kë kishte përballë. Cili është rezultati? Risolli një Berishë në pushtet që as kishte mësuar e as kishte harruar ndonjë nga veset, Berishë që e kemi peshqesh edhe sot.
A ishte ky një mësim në lëkurën e shqiptarëve për nevojën e rotacionit të pushtetit, kulturë e cila po ju vinte paketë me Berishën? Mbase po e mbase jo. Pushteti duhet të riciklohej, dhe Nano futi kulturën e ndërrimit paqësor të pushtetit, një revolucion ky kur merr parasysh që po ndryshonte psikologjinë e një partie që nën lëkurë i lexohej citati “Pushteti buron nga gryka e pushkës dhe mbrohet me grykën e topit”. Kurse Berisha, njeriu i kasaphanës së ‘97-ës nuk ishte e nevojshme, madje e tepërt. E tregoi në 21 janar që ishte i njëjti i ‘97-ës. I dha shpresë çdo llumi që çfarëdo të bëjë, dikur do vijë edhe dita e tij.
E panevojshme lufta në të gjitha frontet që i hapi Edi Ramës. Deklaratat kundër tij për ta poshtëruar, investimet në fushata zgjedhore politike që të humbiste, duke harruar se bashkë me Ramën po digjeshin edhe socialistët, i bënë jetën e vështirë jo vetëm Ramës por gjithë atyre që ishin jashtë dhomave të pushtetit të Berishës. Njeriu që nuk njihej për hakmarrje u shfaq inatçor me njeriun që e kishte promovuar vetë. E parë me syrin e të sotmes, duket se njeriu i vetëm të cilit Nano u përpoq t’i bënte keq ishte pikërisht Rama, ndërkohë që shumë emra kishin radhën para tij. Sot duket diçka e tejkaluar. Rama me sa duket ia ka falur dhe jo vetëm me deklarata, dhe mes tyre tashmë është paqja.
Në fund të ciklit historia të mban mend vetëm për një karakteristikë të pushtetit që përmblidhet në një fjali dhe për Nanon ka shumë të ngjarë që të jetë: Qytetar, me veset dhe virtytet që mbart kjo fjalë. Gjithsesi shpresojmë të jetë herët për të bërë një bilanc për të. Shqipëria ka ende nevojë për Fatos Nanon, qoftë edhe si ikonë e gjallë.
Shqipèria ka nevojè pèr Fatos Nanon? Nèse ka diçka qè ky vènd nuk ka nevojè fare, janè Fatos Nanot dhe Sali Berishat, Ilir Metat dhe nè fund edhe Edi Ramat e korruptuar deri nè palcè. Nèse SPAK do tè lejohej tè merrte pjesè nè zgjedhje si parti politike (qè natyrisht nuk èshtè e mundur),,shqiptarèt do i jepnin votèbesimin me mbi 90%, aq sa edhe partia e punès do ia kishte patur zili rezultatin. Deri kètu kemi mbèrritur. Kur pèrmendet emri i Nanos, unè ndjej po aq ndjenjèn e tè vjellès, saç ndjej pèr tè gjithè kèta tè tjerèt qè e vodhèn dhe e rropèn kètè popull tè degdisur rrugève tè botès. PS, njè fidanishte e demokracisè? PS dhe PD, ishin dhe janè kulla bajraktarèsh, qè tè kujtojnè Anadollin dhe aspak kontinentin qè i pèrkasim gjeografikisht. Faleminderit pèr asgjè Dritan Hila.
Përgjigju