Duka dhe Idrizi, nëse nuk ekzistojnë, duhet t’i shpikë opozita

Duka dhe Idrizi, nëse nuk ekzistojnë, duhet t’i shpikë opozita

Shpetim Idrizi

Idrizi nuk mund të shpëtojë Bashën, por Shpëtim Idrizi është një lajm i mirë për opozitën e Lulzim Bashës. Sipas zakonit dhe zanatit, largimi i PDIU-së nga koalicioni qeverisës e ka ndarë me thikë në dy pjesë opinionin publik. E duartrokasin ose e mallkojnë. E vlerësojnë ose e injorojnë. Varësisht interesit. Varësisht afërsisë me pozitën dhe opozitën. Kjo gjë u bë edhe më e fortë edhe për shkak të situatës atipike të kësaj partie, me kryetarin dhe njerëzit më të rëndësishëm të saj jashtë parlamentit. Edhe sepse deputetët e saj do të vazhdojnë të japin votën për qeverinë, edhe sepse disa qindra vetë të punësuar me rekomandim partiak, me shumë gjasë do të vazhdojnë të bëjnë “amin” për qeverinë dhe skizmë me partinë. Pavarësisht këtyre rrethanave dhe pavarësisht lëvizjes së përsëritur, çfarë ndodhi nuk është mëkat. Dhe as shitje e tregti siç thonë kritikët. Kalimi nga pushteti në opozitë dhe jo anasjelltas, prodhon gjithmonë moral. Atë për të cilën sot ka nevojë më shumë se kurrë opozita.

“Çfarë i hoqi Ramës dhe çfarë i shtoi Bashës”, është pyetja cinike që bëjnë kundërshtarët. Eshtë llogaria e parë dhe e cekët që vjen nga padija dhe që e sheh politikën si aritmetikë të thjeshtë numrash. Aftësia jonë kombëtare për të bërë parashikime për të nesërmen e tabelës së mbledhjezbritjes së numrave, si rregull, nuk shkon kurrë përtej 24 orëshit.

“Hoqi zero nga shumica dhe shtoi zero në opozitë”, është përgjigja gjithashtu cinike që kundërshtohet nga matematika e vërtetë politike. E cila afron një hesap krejt tjetër. Një hesap që duhet ta lexojë me shqetësim kryeministri dhe ta llogarisë me mençuri, nëse mundet, edhe kryetari i opozitës.

Në matematikën politike dy edhe dy nuk bëjnë gjithmonë katër. Mund të bëjnë tre, mund të bëjnë edhe pesë. Sepse rezultati nuk është thjesht çështje numrash, por debat morali dhe detaj  fryme. Fryma është çfarë mungon tek opozita e cila vazhdon të presë me frymë të mbajtur ditën që mund të bjerë Rama. Pa mundur ta afrojë asnjë çast më shumë këtë ditë.

Parë me këtë sy, opozitarizmi i këtyre orëve të fundit të Idrizit është një lëvizje që nuk duhet parë me indiferencë, por me shumë kujdes, qoftë nga aleatët e rinj, qoftë nga ish-aleatët. Basha ka mundësi ta numërojë këtë lëvizje si fitore të tij, kurse Rama i vetëm në qeverisje, në kërkim të dëshpëruar të një opozite më të fortë, mund të gjejë një shans për ta parë opozitën më të fortë e si rrjedhojë, edhe qeverisjen e tij më të përgjegjshme. Deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. E konsideruar si art i të pamundurës, politika vazhdon të jetë një art i pamundur në Shqipëri.

Duke përjashtuar LSI-në, e vetmja forcë politikë në opozitë që është e strukturuar si një parti e vërtetë, spektri opozitar I PD-së paraqitet i varfër, prozaik e gati monoton. Jo nga numrat, por nga fryma. Me dy përjashtime të vetme. Me Dashamir Shehin që është njeriu parti; me karizmë dhe emër të perveçëm, por pa parti nga pas dhe me Hirushen e pavlerësuar të opozitës. Partia agrare e Agron Dukës është realiteti tjetër që, nëse Basha do të ishte racional, do të duhej ta kishte shfrytëzuar shumë herë më fort për opozitarizmin e tij. Me një popullsi që jeton gjysma në fshat, me halle të përqëndruara më shumë se kurrë në fshat, me shpresën e parë për ndryshim që vjen nga fshati dhe me një hambar votash që ndikohet thelbësisht nga paraja e paguar në minutën e fundit, Duka do të mund të bënte diferencën në betejat e nesërme elektorale. Nëse edhe Basha do të dinte të orientohej bashkë me këtë aleat në fshat, shpresat e opozitës do të gjallëroheshin shumë.

Për opozitën e sotme, nëse nuk do të ekzistonin, Duka dhe Idrizi do të duhej të shpikeshin. I pari për mesazhin më të drejtëpërdrejtë që ka mundësi të japë tek gjysma e popullsisë që banon në fshat; I dyti jo si një parti e çamëve, siç quhet lehtësisht me dozën e mjaftueshme të injorancës dhe racizmit primitiv të “shqiptarit” të zakonshëm, por si një parti nacionaliste e djathtë që plotëson spektrin pikërisht në mungesën dramatike të tij.

Tetë – nëntë muaj përpara ndeshjes elektorale të rradhës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duhet të llogarisin numrin e siglave që janë me ta dhe mbi të gjitha, frymën që duhet krijuar. Disfatizmi I Sali Berishës se Edi Rama është thjesht i pamposhtur, është real dhe i qëndrueshëm sa kohë që opozitarizmi do të vazhdojë të meret me histori banale përgjimesh që në rastin më të mirë kanë fatin e gjurmës së lagur të pulave në rërë. Mjafton të shohësh kush zapton foltoren e opozitës apo të lexosh lebetitë në facebook për të dalluar sa injorantë, të pagdhendur dhe banalë e barbarë janë shumë nga ata që ka zgjedhur Lulzim Basha në ekipin e tij. Çfarë niveli dukshëm nën mesataren e popullsisë afrojnë ata që paguhen për deputetë. Një mace nuk mund të mësojë kurrë të lehë ndërsa një qen nuk mund të njerëzohet edhe nëse i vesh breçka qytetërimi.

Edhe eksperimentet me thirrjen nën armë të profesorëve në politikë, ka rezultuar i dështuar pothuaj në mënyrë të plotë. Të nderuar në punën e tyre të dikurshme, ata ende nuk kanë kuptuar se pse janë në politikë dhe as dinë se çfarë do të duhej të bënin me politikën. Njëlloj si një marangoz i talentuar në punën me dru, që megjithëse i japin një diplomë mjekësie, e ka të pamundur të përdorë bisturinë dhe i rikthehet sharrës. Qoftë dhe për këtë arsye, Idrizi nuk mund ta shpëtojë Bashën, por Monika Kryemadhi, Shpëtim Idrizi, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule, mund të bëhen “manita” e opozitës. Ndryshe vetë partia e Bashës do të mbetet aq gjatë në opozitë sa nuk do t’i bëjë as asaj vetë përshtypje. Do t’i duket gjendje normale.(Javanews)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje

Kosovë/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhje