DURRES-Një 25-vjeçar ka plagosur me thikë prindërit. Pas një debati në familje djali i ka qëlluar me thikë në pjesën e qafës dhe të trupit duke i lënë të plagosur rëndë nënën dhe babanë, ndërsa u prangos pas rreth një ore në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:45 minuta në banesën tre katëshe të familjes në hyrje të qytetit të Durrësit në lagjen Nr. 1, ndërsa e pranishme në momentin e sherrit ka qenë edhe bashkëjetuesja e të riut.  Sipas burimeve të Report Tv, familja ishte duke parë ndeshjen e drekës së Botërorit, kur djali Hajri Neziri 25 vjeç fillimisht ka debatuar me prindërit Destan dhe Hasie Neziri 75 dhe 64 –vjeç më pas është konfliktuar fizikisht dhe i ka qëlluar me thikë. Paraprakisht dyshohet se shkak i sherrit ka qenë e dashura e djalit e cila nuk pëlqehet nga prindërit e tij.

Report Tv sjell pamjet nga banesa e familjes Neziri ku ndodhi ngjarja dhe njollat e gjakut. Konfliktin dhe të bërtiturat e prindërve i kanë dëgjuar fqinjët, të cilët kanë lajmëruar policinë dhe ambulancën. Ndërkohë që djali, pasi plagosi prindërit është larguar nga banesa me shpejtësi së bashku me bashkëjetuesen duke u fshehur, por pas rreth një ore ai është arrestuar në Tiranë. Hajri Neziri u paraqit i lënduar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa është lajmëruar policia, e cila e ka arrestuar. 25-vjeçari, që ishte nën shoqërinë e bashkëjetueses në Spitalin e Traumës ka marrë mjekim, pasi ka një plagë në dorë nga konfrontimi fizik dhe më pas të dy janë dërguar në Durrës.

Ndërsa të moshuarit ndodhen në spitalin e Durrësit në kujdesin e mjekëve, por në gjendje shumë të rëndë për jetën. Sipas mjekëve, gruaja ka marrë 6 plagë në pjesë të ndryshme të trupit ndërsa burri 2 në pjesën e qafës. Policia po punon për sqarimin e rrethanave të konfliktit në familje që solli plagosjen e prindërve nga djali. E para që po merret në pyetje është bashkëjetuesja e autorit, që ka qenë prezentë në momentin e sherrit, ndërsa më pas do të merret 25-vjeçari. Në javët e fundit në vend kanë ndodhur disa krime në familje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:37
Flasin fqinjët: Janë familje e qetë, s’e dinim se kishin konflikte

Fqinjët e familjes Neziri në Durrës tregojnë për Report Tv se janë njerëz të qetë dhe nuk kanë pasur probleme më parë. Ata thonë se nuk ishin në dijeni të konflikteve, ndërsa Destan dhe Hasie Neziri kanë qenë mësues dhe tani janë në pension.

Janë familje e qetë, nuk e dinim që kishin konflikte

Fqinjët e familjes Neziri