Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, në kuadrin e projektit "Miku i Monumentit , ka përfshirë së fundmi edhe shkollën 12 vjeçare artistike të qytetit, Jan Kukuzeli, "duke i besuar  përkujdesjen dhe rijetëzimin e  monumentit të quajtur Hamami i qytetit të Durrësit.
DRKK Durrës ka sqaruar se projekti i nxënësve të shkollës 'Jan Kukuzeli' në ambientet e Hamamit ishte mjaft interesant, dhe puna për realizimin e këtij projekti u drejtua nga koordinatorja e projektit  "Miku i Monumentit" për shkollën Jan Kukuzeli, Ina Shani.
Në dhomën e vogël të errët u shfaq për vizitorët një video artistike dhe performancë e krijuar nga një bashkëpunim i nxënësve dhe mësuesve artistë të kësaj shkolle dhe në sallën më të madhe, një tjetër performancë e këtyre nxënësve, që lidhej me trashëgiminë jo materiale.
DRKK Durrës, ndërkohë është duke punuar për projektin e restaurimit dhe kthimit në identitet të Hamamit në një kohë sa më të shkurtër.
Hamami i qytetit të Durrësit është një monument i periudhës otomane, i shekullit XVIII, që ndodhet në zemër të zonës historike të qytetit, fare pranë Portit të Durrësit.
Megjithëse ky monument, për fat të mirë është ruajtur i plotë, për shumë vite ka qenë i mbyllur për vizitorët dhe turistët, megjithë atraksionin e lartë që ka dhe kërkesën e vazhdueshme të turistëve për ta vizituar.
Një ndër objektet më të rralla të qytetit antik të Durrësit është edhe Hamami mesjetar.
Edhe pse se ai ndodhet në zemër të qytetit, të pakët janë banuesit e qytetit që e njohin dhe i dinë vlerën e këtij objekti.
I ndërtuar në kohën e romakëve dhe i restauruar më pas në kohën e pushtimit turk, hamami mesjetar shërbente si banjo me avull.
/atsh/