Dëshmia e fortë në duart e hetuesve! Gjithçka dihet deri më tani për sulmin e dhunshëm ndaj avokatit Mëngjesi!

Dëshmia e fortë në duart e hetuesve! Gjithçka dihet deri më tani për sulmin e dhunshëm ndaj avokatit Mëngjesi!

Dritan Nano dhe Sokol Mëngjesi

32-vjeçari i vetëdorëzuar Dorian Alia, i vetmi mes 4 të rinjve në rrahjen brutale ndaj Sokol Mëngjesit, të cilin policia e ka në dorë dhe po e merr në pyetje, ka pohuar para hetuesve se personi që i urdhëroi të sulmonin avokatin është Dritan Nano. Një dëshmi e rëndësishme kjo, përballë qëndrimit mohues që po mban në polici 58-vjeçari i arrestuar si organizator, personi që shihni në foto.

“Të gjithën e kemi bërë prej miqësisë me Dritan Nanon dhe na e ka kërkuar ai. Kanë pasur konflikt për shkak të një pagese që Dritani nuk i shlyente avokatit për një pronë sipas kontratës që kishin. Pasi e kishim planifikuar rrahjen, e kemi ndjekur Mëngjesin dhe vazhdimisht kemi komunikuar me të tjerët e grupit për vendet ku ai lëvizte”, mësohet të jetë shprehur Dorian Alia në polici.

Gjendja e rëndë në të cilën e lanë avokatin pas dhunës me grushte, leva e doreza metalike, që shtyu policinë të ngre akuzë për vrasje e funksionarëve publikë, mbetur në tentativë, sipas dëshmisë së autorit të arrestuar, i doli jashtë kontrollit.

“Donim t’i bënin presion Mëngjesit të hiqte dorë nga gjyqi që kishte hapur. Ishim përgatitur për t'i dhënë mesazh që të tërhiqej nga padia që kishte bërë, pa menduar se situata do të rëndohej dhe do të merrte dëme të rënda, aq më pak për ta vrarë. Unë e godita vetëm me grusht”, mësohet të ketë dëshmuar 32-vjeçari Doaian Alia

Në dallim nga 32-vjeçari, Dritan Nano për të cilin drejtuesi i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj u shpreh publikisht se ka dyshime të forta të jetë organizator i kësaj ngjarje kriminale, ka mohuar të jetë porositës dhe në asnjë moment nuk ka bashkëpunuar me grupin hetimor.

Një ditë pas ngjarjes, teksa avokat Mëngjesi ndodhet në spitalin e Traumës, 3 personat e tjerë të përfshirë në dhunën barbare, janë ende në arrati dhe për këdo që jep informacione policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro. Drivald Alia, 21 vjeç, Elton Kasaj, 33 vjeç, dyshohet të jenë dhunuesit, bashkë me të arrestuarin, ndërsa i treti në kërkim, Romario Tabaku 26 vjeç, i ndihmoi të iknin nga vendi i ngjarjes me një automjet Audi. Policia akoma nuk i ka lokalizuar, pavarësisht disa kontrolleve në banesat e tyre dhe bisedimeve me familjarët për t’i bindur të vetëdorëzohen. Fotot e tyre janë dërguar në të gjitha pikat kufitare.

Autorët i dinin lëvizjet e avokatit dhe e sulmuan rreth orës 08:50 pasi la djalin e vogël në kopshtin nr.31 në zonën e ish bllokut, një itinerar i përditshëm i tij. Nga pamjet e kamerave të sigurisë agresorët e qëllojnë fillimisht në fytyrë në hyrje të portës së kopshtit. Avokati bie menjëherë përtokë, ndërsa më pas e qëllojnë pa mëshirë në kokë dhe largohen.

Dritan Nano dyshohet të ketë organizuar sulmin ndaj Mëngjesit, për shkak të detyrës. Ai ishte avokat i tij, si pjesë e një familje me 8 trashëgimtarë, në një proces civil që e kishte mbyllur me fitore edhe në shkallë të parë edhe në Apel. Si trashëgimtar i pronës së fituar në gjyq, në një pjesë të së cilës janë ndërtuar kullat e biznesmenit Bashkim Ulaj pranë Digës së Liqenit, Dritan Nano nuk ka pranuar të shlyejë avokatin sipas kushteve të kontratës nënshkruar me studion e tij ligjore “Akterum sh.p.k”.

Nuk dihet ende se çfarë parashikonte kontrata e familjes me avokatin, nëse do i jepnin para, apo përqindje në pronën e fituar, që përkthehet në apartamente, zyra apo garazhe në një nga kullat te Liqeni. Fakt është, se 7 trashëgimtarë, respektuan kontratën. Ndërsa përballë refuzimit të Dritan Nanos avokati Mëngjesi u detyrua t’i drejtohet gjykatës me padi për mospërmbushje të kontratës, në vijim të së cilës përmbarimi bllokoi pronën e Dritan Nanos te kullat te Diga, të cilën 58-vjeçari nuk e shet dot më. Pikërisht për këtë proces, duket se vjen edhe plani i dhunshëm i Nanos për t’i kërkuar autorëve me të cilët ka lidhje krushqie e shoqërore, të sulmojnë avokatin, si një paralajmërim për të hequr dorë nga padia kundër tij.

Një muaj para rrahjes brutale, palët kanë pasur takim me njëri-tjetrin por pa i dhënë zgjidhje situatës.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë