TIRANË- Pasi 2 pacientë të infektuar me COVID u vetëvranë në spitalin "Shefqet Ndroqi", Prokuroria është vënë në lëvizje. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se grupi hetimor ka nisur hetimet ku në fokus janë kushtet që po trajtohen të sëmurët, kartelat e tyre, deklarimet e mjekëve përgjegjës dhe të familjarëve të tyre. Mësohet se Prokuroria ka caktuar dy prokurorë për këto dy vetëvrasje, të cilat kanë tronditur opinionin publik. Nëse ka vepër penale, përgjegjësit do të vihen para ligjit.

Ishte data 13 gusht, ora 04:30, ku u shënua ngjarja e rëndë e parë që shokoi të gjithë! Mes lajmeve të pandemisë, jetëve të marra nga koronavirusi, një i ri, në gjendje të rënduar psikologjike u vetëhodh nga kati i tretë i Sanatoriumit. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Xhino Koça, djali i vogël i një familje durrsake, ndërsa nëna e tij është stiliste e njohur, i cili pas 4 ditësh i shtruar në spital, zgjodhi t'i jepte fund jetës në mënyrë tragjike.

Ndërkohë, pa kaluar një muaj, një tjetër pacient u vetëra, në të njëjtën mënyrë, duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit. Hasan Mira 65 vjeç, vjehrri i ish deputetit të LSI-së, Gjetan Gjetani, i dha fund jetës ditën e djeshme. Ai ishte i shtruar në spital prej dy ditësh, ku sipas spitalit ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:32
U hodh nga kati i 4-t i Sanatoriumit/ Mesazhi i 65-vjeçarit për fqinjin: Ta kisha ditur se ishte kështu në spital, s'do kisha ardhur

"Jam shëndosh e mirë, por po ta dija se në spital ishte kjo gjendje s'do kisha ardhur, do kisha dashur të vdisja në shtëpi", kjo është biseda e fundit që Hasan Mira 65 vjeç kishte bërë me fqinjin e tij para se të vetëhidhej nga kati i katërt i "Sanatoriumit". Report Tv mëson se 65-vjeçari, vjehrri i ish deputetit të LSI-së, Gjetan Gjetani, vuante nga depresioni dhe kishte nevojë për trajtim anti- depresion.