Çdo ditë e nis me dëshirën për t’u zhytur në botën e saj të ngjyrave dhe krijimtarisë. Fabjola Bramo nuk e kishte menduar kurrë që pasioni do të shndërrohej në të vetmin burim të ardhurash për të.
“Unë jam autodidakte. Nuk kam marrë asnjëherë në jetën time ndonjë kurs apo këshillë pikture. Gjithçka është frymëzim i imi dhe talenti që kam trashëguar nga mami. Ka qenë eksperienca ajo që më ka bërë të perfeksionoj dorën. Kur ngrihem për të vajtur në punë, jam shumë e lumtur sepse do bëj një gjë të re”.
Pikturon në telajo, por dashuria e saj e madhe janë muret. Spikat me përrallat dhe personazhet e filmave vizatimor që i risjell me shumë përkushtim në ambiente kopshtesh apo spitale.

“Kopshtin tim të parë e kam pikturuar kur kam qenë 19 vjeç. Pastaj iu riktheva muraleve për fëmijë me kohë të plotë në 2014-n. Dashuria ime e madhe janë muret. Sa më i madh muri, aq më i madh sadisfaksioni për të pikturuar. E kam sfiduar veten me piktura murale të vështirësive të ndryshme, më pëlqen të krijoj dhe në 3D”, shprehet Fabjola.
Asgjë nuk e pengon të realizojë artin e saj, as kushtet e vështira të motit e as lartësitë.“Kam qenë ndër të parat vajza, për të mos thënë e para që pikturoja në mure sepse është profesion pak i vështirë për femra. Një nga sfidat më të mëdha është pjesa e të punuarit në shkallë”.
Disa piktura kanë sjellë buzëqeshje tek fëmijët, ndaj mbeten të preferuarat e Fabjolës.
“Pikturat më të veçanta dhe më të ndjera janë në ‘Shtëpitë e Fëmijës’ dhe nëpër spitale, në pavionet e Pediatrisë dhe Gjinekologjisë.
Unë pikturoj çdo ditë, jo më pak se 7 orë. Mund të kem punuar dhe 14 orë kur kam pasur ndonjë afat për punimin e ndonjë muraleje që ka qenë ndonjë inagurim kopshti, shkolle apo dhuratë për ditëlindje për një fëmijë”, thotë ndër të tjera.
Beson se pavarësisht viteve, secili nga ne mbart shpirtin fëminor.
“Mendoj se tek secili nga ne, sado mund të ecin vitet, ekziston ai shpirti fëminor, ajo dëshira për të ecur zbathur, dëshira për të luajtur apo për t'u rikthyer në vitet e fëmijërisë. Mendoj që puna ime ma mundëson këtë gjë: ta ngre nga gjumi atë pjesën prej fëmije që mund të ketë qenë në gjumë prej vitesh”, tregon për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.
Emsionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.
S.G/I.M/Shqiptarja.comKomente

