Edhe Fullani bën “rotacion”, kërkon
të rilidhë marrëdhëniet me FMN

Edhe Fullani bën “rotacion”, kërkon<br />të rilidhë marrëdhëniet me FMN
TIRANE - Rotacioni i pushtetit duhet të shërbejë si rast për të vendosur një rregull të ri fiskal dhe për të rikthyer bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i bëri apel qeverisë aktuale dhe sidomos asaj që pritet të vijë në shtator, ta vendosë konsoldimin fiskal në krye të objektivave të saj.

Guvernatori tha se projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë ngelen të përafërta me vlerat e vitit 2012, megjithë një rënie të lehtë të rreziqeve. Sipas tij, përcaktuese në rritje do të jetë rimëkëmbja e kërkesës së brendshme.

Ndonëse kishte paralajmëruar për një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, me ekonominë në rritje të ngadaltë dhe kërkesën e dobët që nuk krijonte presione të forta inflacioniste, Banka e  Shqipërisë e ka mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivele minimale historike prej 3.75%.

Një qendrim i ri, që guvernatori nuk kishte guxuar ta shprehte më parë, mbasi qeveria Berisha ishte e prerë për marrëdhënie të ftohta me FMN-në, ishte ai që të ftonte qeverinë e re për marrëdhëniet e mëparshme me këtë institucion financiar ndërkombëtar.

Fullani tha se në fillim të korrikut do të vijë në Tiranë një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që do të vlerësojë ecurinë ekonomike të deritanishme të vendit dhe masat që duhen marrë, ku parashikohet edhe një vendosje e tavanit të borxhit për të pasur një disiplinë fiskale dhe për të qenë më transparentë, në mënyrë që aktorët e tregut të veprojnë në mënyrë konkurrente.

Në bashkëpunim me misionin, tha Fullani, do të hidhen hapat e një reforme të gjerë ekonomike, që do të jetë në bazë të ekonomisë për 20-30 vitet e ardhshme.

Guvernatori ka përmendur edhe rritjen e lartë të shpenzimeve publike, prej 13 përqindësh, në pjesën e parë të këtij viti, duke thënë se këto shpenzime mund të ndikojnë pozitivisht në ekonomi, por paralajmëroi se qeveria e re nuk ka mundësi të mbajë këtë ritëm shpenzimesh, ndërkohë që sektori privat është ai që pritet të orientojë rritjen.

Guvernatori uroi koalicionin e majtë për fitoren dhe theksoi se “ka rëndësi që politikat tona me të qeverisë të jenë të koordinuara”.

Burime nga kampi i aleancës së majtë, ndërkohë, kanë pohuar se janë të angazhuar për të lidhur një marrëveshje me FMN, çka është thënë shprehimisht edhe nga kreu i PS Edi Rama.

Qeveria e deritanishme i ishte shmangur marrëveshjeve me FMN-në, sidomos pas vitit 2008, teksa këto marrëveshje imponojnë ndërmarrjen e  masave të rrepta, si rritjen e taksave apo mosarritjen e pagave, masa që në të gjitha vendet e Europës kanë rezultuar jopopullore.

Po kështu, Berisha e largoi kontrollin e FMN-së edhe për të patur duar të lira në marrjen e huave tregtare, që rezultuan me kosto të lartë për vendin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Pas 331 ditëve në 'arrest shtëpiak', Sali Berisha rikthehet sot tek selia e Partisë Demokratike

Pas 331 ditëve në 'arrest shtëpiak', Sali Berisha rikthehet sot tek selia e Partisë Demokratike