Edhe LSI braktis Bashën, Meta
kritika PD: S'i shërben procesit

TIRANË- Ilir Meta ka ashpërsuar gjuhën sonte në mbrëmje me opozitën, pasi kjo e fundit refuzoi paketën e “pajtimit” të sjellë nga ndërkombëtarët, ndërsa nuk mori pjesë as në tryezën e partive të thirrur nga vetë ai si Kryetar i Kuvendit.

Meta tha se axhenda politike e opozitës nuk i shërben zgjidhjes së situatës dhe as vetë opozitës, teksa shtoi se për fat të keq, opozita po barazon dialogun me ultimatumet. Refuzimi i vazhdueshëm i opozitës duket se e ka bërë Meta, njeriu “i qetësisë dhe dashurisë”, të humbasë durimin. 

Ai iu përgjigj edhe sulmeve të opozitës se kjo tryezë ishte fasadë për të manipuluar Kodin Zgjedhor. 

"Opozita ka të drejtën e saj të quajë të kotë këtë tryezë timen. Si kryetar i Kuvendit kam bërë të gjitha përpjekjet për t'u vendosur dialogu që nga dita e parë e vendosjes së çadrës dhe protestës së opozitës për këtë çështje, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin. Ju e dini falë përpjekjeve të bëra nga ndërkombëtarët, nga unë dhe LSI, janë bërë disa hapa përpara nga ana e mazhorancës aktuale për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, por kuptohet që axhenda ka një axhendë që nuk po i shërben këtij procesi dhe besoj se nuk do t'i shërbejë edhe vetë opozitës", u shpreh Meta pas tryezës me partitë politike që organizoi këtë mbrëmje në Kryesinë e Kuvendit. 

Kreu i Kuvendit u shpreh edhe për domosdoshërinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa theksoi se Presidenti i ri i vendit do zgjidhet brenda kësaj legjislature parlamentare.

VIDEO-Fjala e plotë e e Metës para gazetarëve
 

Basha refuzon tryezën e Metës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka refuzuar thirrjen e Ilir Metës për mbledhjen e një tryeze me partitë politike, për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. 

Vendimi është marrë gjatë takimit që Basha zhvilloi me partitë aleate në selinë blu. Tryeza e Metës nisi mbledhjen rreth orës 19:10, por asnjë prej partive të opozitës nuk mori pjesë, ndërsa iu bashkuan përfaqësuesit e PS, Gramoz Ruiçi e Taulant Balla, Luan Rama i LSI, Mesila Doda e PDIU si dhe Ben Blushi i partisë LIBRA.

I vetmi që u paraqit në tryezë nga partitë opozitare ishte Agron Duka i PAA, por u largua pak minuta më pas, pasi vendimi i Bashës me partitë aleate ishte që të mos merrnin pjesë në takim. Gjatë një prononcimi për mediat, Duka tha se u largua nga mbledhja pasi i tillë ishte vendimi i marrë nga partitë e koalicionit të djathtë. 

Ndërkohë, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Opozita e cilësoi tryezën e Metës si fasadë për të manipuluar në mënyrë të njëanshme Kodin Zgjedhor, ndërsa njoftoi ngritjen e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor. Koalicioni opozitar paralajmëron gjithashtu se do përshkallëzojë protestat dhe do bllokojë procesin e votimit në Kavajë më 7 maj. 

Ftesa e Metës drejtuar partive politike erdhi pas takimit që Meta pati me ambasadorët Donald Lu, Romana Vlahutin e Bernd Borchardt. 

Zhvillimet për tryezën e thirrur nga Ilir Meta

Ora 21:47 Meta: Opozita axhendë politike që s'i shërben konsensusit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka akuzuar opozitën se nuk ka në axhendë arritjen e konsensusit dhe zgjidhjen e ngërçit politik. 

Meta foli për mediat pas tryezës që ai kryesoi me partitë parlamentare, ku i njohu me negociatat e djeshme në prani të ndërkombëtarëve dhe mundësinë e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. 

Meta iu përgjigj sulmeve të opozitës të cilët e quajtën tryezën e tij fasadë për të manipuluar Kodin, ndërsa theksoi se pakica parlamentare barazon dialogun me ultimatume.  

"Si kryetar i Kuvendit kam bërë të gjitha përpjekjet për t'u vendosur dialogu që nga dita e parë e vendosjes së çadrës dhe protestës së opozitës për këtë çështje, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin. Ju e dini falë përpjekjeve të bëra nga ndërkombëtarët, nga unë dhe LSI, janë bërë disa hapa përpara nga ana e mazhorancës aktuale për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi, por kuptohet që axhenda ka një axhendë që nuk po i shërben këtij procesi dhe besoj se nuk do t'i shërbejë edhe vetë opozitës", u shpreh Meta. 

Deklarata e plotë e Metës:
Nuk mund t’u lija pa ju përshëndetur për durimin, për vëmendjen tuaj dhe për shqetësimin tuaj për normalizimin e gjithë situatës lidhur me zgjedhjet.

Me këtë rast dua t’ju theksoj se ftova sot të gjithë partitë parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë për t’i informuar me situatën aktuale, por edhe me diskutimet apo negociatat e zhvilluara edhe dje me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, por edhe me Nënkryetarin e Partisë Popullore Evropiane.

Dhe në këtë drejtim besoj se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të mirinformuar për përpjekjet që janë bërë, pasi janë bërë përpjekje të rëndësishme, serioze nga partnerët ndërkombëtar, ndërkohë që shumë më tepër përpjekje duhen bërë nga ne këtu brenda vendit.

Dialogu ka munguar për një kohë të gjatë dhe është për të ardhur keq, që nuk po demonstrohet vullneti, përgjegjshmëria për t’u dhënë qytetarëve shqiptar një proces normal, një proces të qetë, një proces demokratik, siç e meriton çdo qytetar shqiptar, siç e meriton çdo familje shqiptare, siç e meriton vendi dhe shoqëria jonë.

A besoni akoma në gjetjen e një zgjidhje në momentin kur opozita e cilëson “fasadë” tryezën e thirrur nga ju?
Opozita ka të drejtën e saj të quaj të kotë çdo përpjekje tonën dhe timen personalisht. Është e drejtë e saj. Mos prisni asnjëherë që unë të them se ajo e bën këtë gjë për çdo lloj arsyeje. Është e drejta e saj.

Si Kryetar i Kuvendit kam bërë të gjitha përpjekjet për t’u vendosur dialogu që nga dita e parë e vendosjes së çadrës dhe protestës së opozitës për këtë çështje, por është për të ardhur keq që opozita barazon dialogun me ultimatumin.

Ju e dini se falë përpjekjeve të bëra edhe nga partnerët ndërkombëtar, por edhe falë përpjekjeve të bëra edhe nga unë, edhe si Kryetar Kuvendit edhe si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë bërë disa hapa të rëndësishëm përpara nga ana e mazhorancës aktuale, për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi. Por kuptohet që opozita ka një axhendë të sajën politike, që për fat jo të mirë nuk po i shërben këtij procesi dhe që nuk besoj se do t’i shërbejë edhe vetë opozitës.

Vetëm pjesëmarrja dhe garantimi i gjithëpërfshirjes, dhe i vetë opozitës dhe i gjithë partive opozitare, do të bënte të mundur që opozita jo vetëm të ndihmonte përmirësimin dhe garantimin e standardeve të zgjedhjeve, por njëkohësisht të ishte ajo opozitë për të cilën ka nevojë të gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm ata që janë në opozitë.

Z. Meta, a u diskutua në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Është e mundur kjo në këtë moment?
Lidhur me kodin, ky është një kod i mallkuar zgjedhor që në 2008-n, një kod i bërë në errësirë nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe përsëri ky kod dëshiron të mbajë në errësirë zgjedhjet në Shqipëri për fat të keq.

Sepse nëse ka një konsensus është ai i nëndheshëm për të penguar çdo përpjekje që rrit transparencën e procesit zgjedhor dhe që e kalon atë nga dy-tre duar në një proces të hapur, konkurrues dhe demokratik. Pasojat e krizave të këtyre viteve, të gati një dekade, janë pasojat e kodit të bërë në errësirë me ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh.

Megjithatë, duhet bërë çdo përpjekje që t’u jepen garanci maksimale qytetarëve shqiptarë se vota e tyre do të jetë e drejtë, se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe ky do të jetë një proces që do të forcojë legjitimitetin e institucioneve shqiptare.

Ne si LSI kemi bërë çdo përpjekje për t’i kontribuar një zgjidhjeje politike, do të donim që të gjithë të bënin përpjekje maksimale. Fakti që nuk kemi arritur një marrëveshje tregon që këto përpjekje nuk janë shteruar.

Nuk duhet të kontribuojmë në momentet kur kjo krizë apo parakrizë të na çojë drejt situatave të paparashikuara apo të pamenaxhueshme, sepse vendi meriton qetësi, meriton paqe sociale dhe qytetarët tanë meritojnë të votojnë në mënyrë të drejtë, në mënyrë të barabartë dhe të përfaqësohen nga njerëz dinjitozë në Kuvendin e ardhshëm dhe në të gjitha institucionet.

Po thoni që jeni dakord për Kodin Zgjedhor dhe nuk është dakord Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kur flisni për negociata të nëndheshme?
Më duket se isha shumë i qartë. Ky Kod Zgjedhor nuk ka provuar që t’i japë shqiptarëve demokracinë që meritojnë, demokracinë që funksionon dhe vazhdimisht e çon vendin nga një krizë në një krizë tjetër. Besoj se isha shumë i qartë.

Nesër Parlamenti është para raundit të tretë për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Cilat janë shanset për të pasur një kandidaturë nesër apo edhe ky raund do të digjet? Dhe pyetja e dytë, më datë 29 prill është afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Ky afat i përcaktuar a do të diktojë edhe në ndryshimet e Kodit Zgjedhor në ditët e mbetura?
Unë nuk dua të hyj në çështje teknike. Çdo gjë që i shërben transparencës, besimit të qytetarëve shqiptarë te zgjedhjet e lira, garancive të sa më shumë forcave politike, dhe jo thjesht burokratëve të OSBE-ODIHR-it apo kujtdo institucioni tjetër, patjetër që duhet bërë në mënyrë që shqiptarët të kenë mundësi që të shkojnë më në fund drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të barabarta.

Po për Presidentin z. Meta, a mund të kemi një kandidaturë nesër?
Për çështjen e Presidentit, ju e dini që qëndrimi ka qenë maksimalisht i hapur dhe konstruktiv. Unë kam qenë ndër nxitësit kryesorë, nuk është ndonjë sekret kjo, që maxhoranca të ketë këtë qëndrim. Pavarësisht se kemi një shumicë të padiskutueshme të cilësuar, Presidentin ta kemi sa më konsensual dhe në këtë proces të ecim së bashku me opozitën, të kërkojmë konsensusin e saj, por të kërkojmë edhe kandidatë prej saj, përse jo, në mënyrë që ne të jemi një vend sa më i bashkuar dhe normal. Për këtë po luftojnë gjithë shqiptarët për një vend normal.

Z. Meta, ndërkohë LSI a është dakord që ta ndryshojë Kodin Zgjedhor pa miratimin e opozitës?
Ne nuk duam të bëjmë asnjë veprim pa opozitën sepse po të ishte se do donim të bënim veprime të tilla, këto i kishim bërë me kohë. Presidentin e kishim zgjedhur me kohë, Kodin e kishim ndryshuar me kohë, edhe gjithçka tjetër. Ka një shqetësim nga opozita se mos bëhet ndonjë ndryshim që mund t’i krijojë afate të reja opozitës që të regjistrohet në zgjedhje dhe është shumë e shqetësuar për këtë opozita se mos kjo do të cilësohet si një problem edhe nga raporti i ardhshëm i burokratëve të ODIHR-it, por nuk e shqetëson në fakt opozitën që në këtë mënyrë do t’i mohohej mundësia opozitës që të regjistrohet në zgjedhje.

Presidenti do të zgjidhet në këtë legjislaturë?
Unë besoj se duhet të zgjidhet në këtë legjislaturë dhe nuk ka asnjë arsye se përse të mos zgjidhet dhe kemi ende kohë. Le të shpresojmë që dialogu mund të rivendoset edhe sot në mbrëmje, nesër në mëngjes...

I qëndroni mendimit se mund të ketë zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike edhe pas negociatave të djeshme, z. Meta?
Jemi duke pritur PD-në në këtë proces. Mendoj që i janë bërë mjaft oferta Partisë Demokratike për të cilat unë edhe informova përfaqësuesit e partive parlamentare që morën pjesë dhe që nuk kanë pasur informacion të plotë, por edhe Partia Demokratike duhet të tregojë vullnet që të përfshihet në këtë proces.

Deri kur do ta prisni sepse PD dhe z. Basha kërkon vetëm qeveri teknike, asgjë tjetër?
Qeveria teknike nuk është diçka që mund të përcaktohet në mënyrë të njëanshme dhe në rast se çdo përpjekje synon apo personalizohet thjesht tek një apo edhe disa individë, atëherë humbasim fokusin nga standardet që ka nevojë Shqipëria, që ka nevojë qytetarët shqiptarë dhe nuk ndihmojmë zgjidhjen dhe dialogun.

Ora 20:54 Balla: Si u largua Basha nga tryeza me negociatorin McAllister
I grupit parlamentar socialist, Taulant Balla informoi për mediat detaje nga tryeza e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta me përfaqësues të partive politike. 

Balla theksoi se në fokus ishte informimi i partive për negociatat e zhvilluara një ditë më parë në prani të McAllister dhe Fleckenstein.

Deputeti socialist iu referua momentit kur Basha braktisi tryezën me zv/presidentin e PPE, David McAllister, për shkak se siç tha ai, iu kërkua të votonte Vettingun në Kuvend. 

"Kur ne ramë dakord me dy çështjet e reja, me kushtin që PD të vijë të votojë Vettingun, në atë moment, Basha është larguar nga negociatat në mënyrë jo korrekte, sa është thënë shumë qartë që pa votuar Vettingun nuk mund të ketë çështje të tjera. Dhe ajo që informoi tjetër Kryetari i Kuvendit është që sipas dokumentit të ofruar nga miqtë europianë, edhe procedura e ndjekur deri tani për të zgjedhur presidentin ka qenë procedura e vullnetit të mirë për gjetjen e një figure konsensuale me përfshirjen e opozitës dhe partive të tjera në këtë proces", u shpreh Balla.



Deklarata e Ballës:
"Kryetari i Kuvendit informoi përfaqësuesit e partive politike paralamentare, për të ardhur keq mungesa e opozitës, për të gjitha përpjekjet që dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Rama dhe meta po bëjnë në mënyrë të vazhdueshme në shprehje të një vullneti shumë të mirë për të garantuar pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në zgjedhjet e 18 qershorit, për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike në 18 qershor.
 
Ne dje kemi pasur në Tiranë dy miq të shumë të mirë të Shqipërisë në PE, që në fakt shprehën edhe spektrin më të madh politik në PE, zv/presidentin e PPE, McAllister dhe zv/kreun e grupit të socialistëve në PE, Fleckenstein.
 
Në takimin e parë është prezantuar një dokument çështjes të rëndësishme për t'u adresuar nga të gjitha palët me qëllim garantimin e një procesi zgjedhor dhe fushate zgjedhore normale. Pas takimit të dy miqve me kryetarin e PD, është zhvilluar një raund tjetër bisedimesh.
 
Për fat të keq, në dy dhoma të ndara, do të kishim dashur të ishim në një dhomë, jemi njohur me dy çështje të reja, përveç dokumentit multidimensional sa i takon çështjeve të paraqitura, dy çështje të reja. Dy bashkëkryetarët e koalicionit, treguan gatishmërinë për të diskutuar edhe për çështje sensitive me liderin e opozitës, mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve që kanë të bëjnë me gjetjen e hapësirave ligjore e kushtetuese për shtyrjen e zgjedhjeve, vetëm në respekt të kushtetutës e ligjit dhe për disa ndryshime në kabinetin e qeverisë për të krijuar mundësi për rritje të besimit të opozitës për kundrejt rolit që ka qeveria në proces zgjedhor. Shqipëria bën pjesë në atë grup vendesh ku qeveria bën zero interferencë në proces zgjedhor, sepse ka një institucion të pavarur siç është KQZ.
 
Nuk di arsyet pse PD bojkoton një tryezë parlamentare dhe kjo është në vijim të bojkotit. Kur ne ramë dakord me dy çështjet e reja, me kushtin që PD të vijë të votojë Vettingun, në atë moment, Basha është larguar nga negociatat në mënyrë jo korrekte, sa është thënë shumë qartë që pa votuar Vettingun nuk mund të ketë çështje të tjera. Dhe ajo që informoi tjetër Kryetari i Kuvendit është që sipas dokumentit të ofruar nga miqtë europianë, edhe procedura e ndjekur deri tani për të zgjedhur p
residentin ka qenë procedura e vullnetit të mirë për gjetjen e një figure konsensuale me përfshirjen e opozitës dhe partive të tjera në këtë proces".
 
Z.Balla, do pranoni ndryshimin e Kodit pa opozitën?
Ne gjithmonë kemi qenë partizanë të respektit të një tradite të kahershme në ndryshimet e Kodit Zgjedhor që përfshijnë qoftë konsensusin e gjerë, qoftë certifikimin e çdo ndryshimi të Kodit.
 
Është kërkuar konsensun i gjerë nga partitë politike dhe certifikim nga OSBE/ODIHR. 

Ora 21: 40 Doda: Ndryshimi i Kodit emergjencë
Kryetarja e grupit parlamentar të PDIU, Mesila Doda deklaroi pas mbledhjes së tryezës së thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, se do të ishte e udhës që në këtë mbledhje të ishte opozita dhe se përmirësimi i Kodit Zgjedhor është diçka urgjente.
 
Sipas saj, palët duhet të kenë minimumin e garancive të nevojshme.
 
"Besoj se do të ketë edhe një tryezë tjetër dhe votat janë. Sigurisht nuk është një situatë normale kur opozita nuk është në zgjedhje.

Ne jemi të gatshëm të votojmë gjithçka që përmirëson sistemin, dhe mendoj që përmirësimi i Kodit Zgjedhor është diçka urgjente. Palët të paktën  duhet të kenë minimumin e garancisë që siç e thamë nuk jemi në nivelin e normalitetit"
, u shpreh Mesila Doda.

Ora 20:30 Blushi: Tryeza e pavlerë pa Ramën dhe Bashën
Kryetari i partisë LIBRA, Ben Blushi, ka zbardhur detaje nga tryeza e thirrur nga Ilir Meta me partitë politike për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. 

Sipas tij, ky takim është i pavlefshëm përsa kohë nuk morën pjesë kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha. 

“Fakti që Partia Demokratike dhe disa parti të tjera nuk morën pjesë, fakti që kryeministri nuk ishte i pranishëm, e bën të padobishme këtë tryezë. Kështu që njerëzit të mos presin të zgjidhet kriza edhe pas kësaj tryeze.

Më shumë u informuam se çfarë ka ndodhur dje gjatë negocimit me ndërkombëtarët dhe çfarë oferte është paraqitur atje për palët që ju e dini se nuk është pranuar. Ky ishte thelbi i tryezë.

Pra nuk ishte PD që refuzon të hyjë në zgjedhje, dhe kryeministri të cilit i kërkohet dorëheqja, tryeza u përqendrua në aspekte teknike për përmirësimin e standardeve zgjedhore edhe në kushtet kur mungon një marrëveshje politike siç duket do të mungojë edhe disa kohë
”, tha Blushi.



Ora 20:20 Opozita: S'do lejojmë zgjedhjet në Kavajë. Tryeza fasadë
Koalicioni Opozitar ka vendosur sot përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, opozita thekson se gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë e PD, "u konfirmua vendosmëria për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja".
 
Gjithashtu, Opozita e cilëson tryezën e Metës si fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor. 

"Në funksion të këtij vendimi, të gjitha partitë politike anëtare të Koalicionit Opozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile.
 
Në kuadër të organizimit të mosbindjes civile dhe moslejimit të një procesi fasade elektoral, u miratua ngritja e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor.
 
Po ashtu, Koalicioni i bashkuar Opozitar, dënoi dhe hodhi poshtë përpjekjet për tryeza fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narkoqeverisjes.
 
E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krijimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme.
 
Koalicioni opozitar shpreh mirënjohjen për qëndresën e qindra-mijë qytetarëve në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës themelore të votës së lirë dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë për bashkimin më të madh popullor kundër krimit dhe drogës në pushtet. Fitorja i takon popullit të bashkuar për një Republikë të Re të Demokracisë, Lirisë dhe Drejtësisë së vërtetë",
thuhet në deklaratën e koalicionit opozitar.​

aleatet e bashes ne pd
Aleatët e PD-së duke dalë nga selia e PD-së pas takimit me Bashën 

Ora 19:15 Zyrtare/Basha refuzon tryezën e Ilir Metës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka refuzuar thirrjen e Ilir Metës për mbledhjen e një tryeze me partitë politike, për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. 

Vendimi është marrë gjatë takimit që Basha zhvilloi me partitë aleate në selinë blu rreth orës 18:00 të kësaj të mërkure.

Ora 19:10 Nis mbledhja e tryezës së thirrur nga Meta
Tryeza e thirrur nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nisi mbledhjen rreth orës 19:10.

Asnjë prej partive të opozitës nuk është e pranishme në këtë takim, ndërsa tryezës iu bashkuan përfaqësuesit e PS, Gramoz Ruçi e Taulant Balla, Luan Rama i LSI, Mesila Doda e PDIU si dhe Ben Blushi i partisë LIBRA. 

Ora 19:08 Duka në Kryesinë e Kuvendit: S'marr pjesë në tryezën Metës
"Unë ika pa filluar ende tryeza. Mora pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar dhe pasi partitë e tjetra vendosën të mos marrin pjesë, edhe unë vendosa të mos marrë pjesë. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi". 



Ora 19:05 Agron Duka del nga mbledhja e Bashës, shkon te Kryesia e Kuvendit

Ora 18:55 Ben Blushi i bashkohet tryezës
Kreu i LIBRA-s, Ben Blushi, kritik me maxhorancën, ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet t'i bashkohet tryezës së thirrur nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta me partitë politike. 

Ora 18:50 Rama do mungojë në tryezën e Metës
Kryeministri Edi Rama nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta. Kreu i qeverisë ndodhet në një takim me mbështetës të PS në Korçë. 

Ora 18: 48 Luan Rama i LSI mbërrin në Kryesinë e Kuvendit

Ora 18:45 Në tryezë edhe Mesila Doda e PDIU
Mesila Doda, Sekretarja e Përgjithshme e PDIU, do të marrë pjesën në tryezën parlamentare të Ilir Metës. 

Ora 18: 40 Mbërrijnë në kryesinë e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla 
Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla nga radhët e Parisë Socialiste janë të parët që kanë mbërritur në kryesinë e Kuvendit. Ata do të marrin pjesë e

Ora 18: 27 Oerd Bylykbashi takon Metën
Pak orë pas ftesës publike që Ilir Meta u drejtoi partive parlamentare për të diskutuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kanë nisur lëvizjet e para edhe nga opozita. 

Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se bashkëkryetari i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka zhvilluar një takim pak minuta më parë me kreun e Kuvendit, Ilir Meta në ambientet e Hotel Rogner. 

Në fokus të takimit mësohet se është pikërisht informimi për axhendën e tryezës së partive të thirrur nga Meta.

Takimi vjen në prag të nisjes së një mbledhje urgjente të Lulzim Bashës me aleatët e djathtë në selinë e PD. 

Opozita ka insistuar për votim elektronik, kërkesë e cila është hedhur poshtë nga shumica për mungesë të afateve kohore për futjen e teknologjisë në zgjedhje. 

Ora 18:00 Tryeza e partive parlamentare pritet të nisë në orën 19:00
Tryeza e partive politike e thirrur nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta pritet të nisë në orën 19:00. 

Basha i përgjigjet pasdite ftesës së Metës
Opozita do të vendosë gjatë pasditës nëse do ta pranojë apo jo ftesën e Ilir Metës, për mbledhjen në një tryezë të partive parlamentare.
 
Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se kreu i PD, Lulzim Basha, ka thirrur një takim në orën 18:00, partitë e koalicionit të djathtë.

Mbledhja me aleatët ishte parashikuar më herët por në këtë takim do të diskutohet edhe për ftesën e kryetarit të Kuvendit.

Në takimin me aleatët ishte parashikuar që kryetari i PD të informonte aleatët mbi takimet dhe negociatat e një dite më parë me zyrtarët gjermanë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, për zgjidhjen e ngërçit politik. 

Ngërçi politik, Lu, Vlahutin e Borchard 1 orë e gjysmë te Meta
Zhvillimit  e fundit politike në vend kanë vënë në lëvizje ambasadorët e huaj të akredituar në vendin tonë. Takime intensive kanë nisur që paraditen e sotme.

Ndërsa ambasadorët e vendeve të BE të akredituar në Tiranë u mblodhën në zyrën e Vlahutin në një mbledhje jashtë radhe, amerikani Donald Lu zhvilloi një takim në kryeministri. Më pas ai iu bashkua Vlahutin e Borchard duke shkuar në Kryesinë e Kuvendit për të takuar Metën. Takimi mes tyre zgjati rreth 1 ore e 25 minuta.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis