Edhe për sa vite do të qeverisë, nëse nuk zbulojnë se çfarë lloj fituesi është Edi Rama

Edhe për sa vite do të qeverisë, nëse nuk zbulojnë se çfarë lloj fituesi është Edi Rama

Kryeministri Edi Rama

Përballë faktit që Edi Rama është një fitues i përhershëm zgjedhjesh, opozitës në pamundësi për të analizuar humbjet e saj që të nxjerrë përgjegjësitë e duhura, i mbetet të sqarojë para publikut cilësinë e fitoreve të tij. Pra, çfarë lloj fituesi është Edi Rama?

Vetëm disa ditë më parë, Arben Ristani u shpreh i penduar që e kishte ndihmuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që të bëhej kryetar bashkie në Tiranë. Që Basha të bëhej kryetar bashkie, Ristanit iu desh të rihapte kutitë, për të përmbysur rezultatin e fitores së ngushtë të Ramës.

Sesi e kishte ndihmuar ai Bashën, mbi metodat specifike që përdori dhe në çfarë rrethanash, kjo mbetet e paqartë. Përpos akuzave të kthyera në traditë tashmë, pas çdo fitoreje të Ramës, në fakt, akuza më e rëndë për një fitore të dyshimtë është ajo që vjen nga vetë “arbitri”, i cili pranon rezultatin e 25 prillit dhe thotë sot, se “dhashë një penallti të paqenë me dashje” për të vetmen fitore individuale të kryetarit të opozitës.

Në vend të pretendimeve të opozitës që shkojnë deri aty saqë akuzon Edi Ramën se ka blerë jo vetëm zgjedhjet në Shqipëri sa herë që ai ka fituar, por edhe faktorin ndërkombëtar, duke sulmuar sistematikisht gjatë viteve të fundit çdo ambasador të SHBA-ve dhe të BE-së, kundërshtarët e tij, në fakt, me iluzionin që ushqejnë se kanë fituar ata pas çdo humbjeje, po i bëjnë shërbimin më të madh kryeministrit aktual për t’a mbajtur atë në pushtet për aq kohë sa ai do të ketë dëshirë.

Lidershipi që ai përfaqëson, partia më e madhe të cilën drejton, apo edhe faktori ndërkombëtar që e mbështet, janë arsye të forta që opozita aktuale duhet t’i pranojë si shkaqe të mundshme dështimi në mjedisin politik ku ajo operon, për t’u korrigjuar në kohë sa të mundet dhe sado e vështirë që të jetë misioni i saj, para se të pretendojë të rikthehet në pushtet, përndryshe, me gjasa Ramësi mbetet që kur të mërzitet me fitoret pavarësisht cilësive të tyre, t’ia pasojë qeverinë një pasardhësi brenda PS-së, sikurse veproi me bashkinë e Tiranës.

Fakt i padiskutueshëm është që Edi Rama ka fituar thuajse në të gjitha rastet përballë çdo kundërshtari që i ka dalë para nga radhët e opozitës, si në zgjedhjet lokale, ashtu edhe në ato të përgjithshme, me përjashtim të humbjes që Ristani vuri në dyshim, kohët e fundit. Për një rezultat thuajse të barabartë në 2009, humbjen me devijimin e LSI-së nga e majta, Rama mundi ta kompensojë me atë të pushtetit që kishte ende nën kontroll, në bashkinë më të madhe në vend.

Ish-lideri historik i PS-së Fatos Nano kur e solli 23 vjet më parë me “thonj të paprerë” nga Parisi, siç ia kujtojnë shpesh këtë thënie kundërshtarët politikë, Edi Rama ka qëndruar vetëm dy vjet në opozitë, për t’u rikthyer nga drejtimi i bashkisë së Tiranës, në krye të qeverisë. Dhe ky është një fakt që kërkon një analizë nga opozita, pas çdo beteje të humbur. Çfarë e bën Ramën një fitues të përhershëm, sa cilësi kanë fitoret e tij, a kanë qenë ato të thella apo të ngushta, sa të ndershme dhe të pandershme kenë qenë krahasuar me fitoret e saj?

Në tre palë zgjedhje radhazi për kryetar të bashkisë së Tiranës, Rama fitoi bindshëm karshi Besnik Mustafaj, Spartak Ngjelës dhe të ndjerit, Sokol Olldashi. Në krye të qeverisë, Rama ka fituar po aq bindshëm tri palë zgjedhje radhazi, duke rrëzuar nga pushteti ish-kryeministrin Sali Berisha dhe duke lënë në opozitë të përjetshme, Lulzim Bashën.

Nuk ka asnjë dyshim që Edi Rama, individualisht, është fitimtari më i madh në politikën shqiptare pas rënies së komunizmit. Rama u përfshi direkt në qeveri, me një mentalitet fituesi. Ai erdhi nga thuajse i papunë që ishte dhe prej vitit 1998 shërbeu si ministër (dy vjet), kryetar i bashkisë më të madhe në vend (11 vjet), aktualisht kryetar i PS-së (16 vjet +), kryeministër ( 8 vjet +).

Rama vetëm në dy vite ke qenë i emëruar, në 20 vite më i votuari nga elektorati i Tiranës dhe i Shqipërisë. Nëse opozita nuk i njeh në këto 20 vite këto të dhëna, kryeministrit aktual ka të ngjarë të mos i bëjë më përshtypje cilësia e fitoreve edhe në 20 vitet e ardhshme.

A mund t’i ketë vjedhur zgjedhjet Edi Rama sa herë që ka fituar, siç akuzohet sa herë që fiton, për të mos njohur asnjë meritë mbi suksesin e tij, në aspektin individual, apo ka diçka tjetër më serioze që nuk shkon tek opozita, si një alternativë e mundshme serioze dhe konkurruese?

Rama ka provuar se ka cilësi liderishipi, duke drejtuar me sukses partinë më të madhe në vend. Nëse do të kishte një tjetër në vend të tij, do të ishte sot një tjetër që nuk e kemi. Kur mori drejtimin e PS-së ai foli për largimin e “xhaketave të vjetra” përtej të majtës dhe të djathtës. Ka pasur shumë të larguar nga PS-ja, por mjeshtërisht prej udhëheqjes së tij ka pasur shumë më pak rrjedhje prej saj, ndryshe nga PD-ja dhe LSI-ja. Sot problemi më i madh që ka opozita është pikërisht mentaliteti i vjetër i mbetur dhe varësia e saj nga “xhaketat e vjetra”.

Rama është vënë në krye të një partie, më e votuara në 30 vite (votat në total, zgjedhjet lokale dhe ato kombëtare, nga të dhënat në KQZ), me një elektorat të sigurt, sidomos në jugun e vendit ku është përqendruar shumica e popullsisë, duke i ruajtur, në disa zona duke i shtuar kuotat e saj. Fillimisht ai konsolidoi elektoratin e Tiranës, të cilën PS e ka drejtuar në 22 vite nga 30 të fundit, si dhe duke pasur gati të njëjtat rezultate në dy qarqet e tjera të Shqipërisë së Mesme, Durrësin dhe Elbasanin, Rama e ka pasur më të lehtë të bëjë diferencën edhe në zgjedhjet e përgjithshme.

Rama është i vetmi politikan që e fitoi gjatë rrugës individualisht betejën për të marrë drejtimin e një prej dy partive më të mëdha të vendit tonë. Si shembull, Ilir Meta e humbi të njëjtën betejë me Nanon në PS dhe u detyrua të themelonte një parti të re, të cilën aktualisht e drejton bashkëshortja e tij. Pas rritjes surprizë dhe reduktimit në po aq deputetë sa ka edhe partia e Tom Doshit sot, kjo parti nuk po analizon as humbjen, as “fitoren” e pretenduar, as tkurrjen. Nuk po diskuton as për struktura të reja drejtuese, qoftë edhe formalisht siç veprojnë partitë e tjera kudo pas zgjedhjeve. Kjo, sepse, ashtu siç elektorati i gjerë beson, LSI është thjesht “një parti familjare”, ku zyrtarisht nuk ka as demokraci dhe as mbretëri.

Me PD-në përballë si partia kryesore rivale, Rama e ka pasur po aq të lehtë fitoren karshi Lulzim Bashës, për faktin se edhe kjo parti është perceptuar gjerësisht nga publiku dhe faktori ndërkombëtar, si “një parti familjare” e Sali Berishës. Pretendimet dhe akuzat e forta se Lulzim Basha është i emëruar nga Berisha, dhe jo i zgjedhur nga anëtarësia, po shtohen kohët e fundit nga shumë ish-funksionarë të lartë të PD-së. Me Berishën që është shpallur pas zgjedhjeve të fundit familjarisht “non grata” nga DASH dhe me Metën, i cili pret zyrtarisht shkarkimin si President dhe ndoshta do të ketë të njëjtin fat, opozita në vend të ndonjë reflektimi nga ana e saj, vazhdon të akuzojë Ramën se po luan një lojë të pistë, por pa ia cilësuar kurrë fitoren.

Duke mos qenë në gjendje të nxjerrë asnjë defekt tek vetvetja, Rama veç epërsive të tjera, përmes akuzave të kundërshtarit duket sikur thjesht po luan me dobësitë e vetë opozitës, për të arritur fitoren që synon dhe rezultatin që ai dëshiron. Njësoj si skuadra e tij e zemrës Juventus në Seria A, që edhe pse akuzohet nga rivalët se fiton me hile çdo kampionat, të gjithë e admirojnë, i numërojnë trofetë, e konsiderojnë “Zonja e Vjetër”. Përmes akuzave, Rama është hiperbolizuar nga opozita aq sa në disa raste ngjan sikur është edhe më i aftë se heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përderisa ka qenë në gjendje të fitojë (ose të “korruptojë”) besimin e SHBA-ve dhe BE-së, që ia kanë njohur zgjedhjet e kontestuara prej tyre pa u çertifikuar ende, apo edhe për të ndikuar në shpalljen e Berishës “non grata”. Që prej vitit 2000 Rama është akuzuar për 20 vite me radhë si krye-trafikant, i korruptuar, i lidhur me krimin, me bandat, agresiv, i pamoralshëm, autokrat, familjar i keq. Sa më shumë akuza të rënda që i ngrihen, jo vetëm që nuk i është drejtuar asnjëherë gjyqit, por po aq më i sigurt dhe i fortë është kthyer për të qeverisur.

Edhe në politikën ndërkombëtare Rama ia ka dalë të bëhet i njohur gjerësisht. Në drejtimin e Ramës takimet me udhëheqësit e rajonit, duke vecuar atë me homologun serb, janë bërë kohët e fundit rutinë. Duke zbutur si asnjëherë më parë tensionet mes fqinjëve, në rajon, ai ka fituar pikë në arenën ndërkombëtare. Përpos faktit që ka qenë në gjendje të ndjekë linjën dhe politikat e SHBA-së dhe Gjermanisë duke pasur vazhdimisht përkrahjen e tyre, çuditërisht ka impresionuar edhe Erdoganin, madje kohët e fundit habiti edhe liderin historik të së majtës në Athinë, Papandreun, i cili e pyeti në një samit ekonomik sesi ia doli të fitonte për herë të tretë, pra çfarë lloj fituesi ishte ai, pavarësisht cilësisë!

Opozita, kësisoj, para se të pretendojë që të rikthehet tek fitorja duhet të njohë edhe më mirë kundërshtarin, sidomos liderin e saj, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Çfarë lloj fituesi është Edi Rama?

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër