"Edhe pse u vra nga italianët më 6 prill të ’42-it, nuk u shpall ‘Dëshmor i Atdheut’ dhe…"/ Historia e panjohur e kapitenit të Zogut, besnikut të Abaz Kupit

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mark Trokthi nga Laçi i Kurbinit, pasardhës i një prej familjeve më të njohura të asaj zone për tradita patriotike dhe fetare, ku i pari i tyre, Imzot Pashko Trokthi, arriti shkallët më të larta të hierarkisë kishtare,  duke shërbyer për shumë vite si Arqipeshkvi i Shkupit dhe ai figuron i dyti në listën e personaliteteve fetare, të cilët më 29 qershor të vitit 1895, në kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës, firmosën Koncilin e Tretë Shqiptar, nën kryesinë e Imzot Pashko Guerinit. Karriera e gjatë ushtarake e Mark Trokthit nga viti 1918, kur ai u mobilizua ushtar në Gardën Kombëtare në Tiranë, e deri tek ajo periudhës së Monarkisë së Zogut, ku ai, pasi shërbeu në disa detyra të ndryshme, kryesisht në repartet e Rojës së Kufirit në Shkodër, Kukës, Sarandë, etj., duke arritur të marrë edhe gradën e kapitenit dhe të dekorohej nga Mbreti Zog me “Medaljen e Trimërisë”, në prillin e vitit 1939, u largua nga Shqipëria dhe u vendos si azilant politik në Jugosllavi, pasi kishte kundërshtuar hapur pushtimin italian të vendit. Refuzimi i ofertës së bërë nga ana e kryeministrit Mustafa Kruja, që kapiten Trokthi të kthehej në Shqipëri dhe të shërbente në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare me gradën e kolonelit, gjë e cila u bë shkak që qeveria e asaj kohe të jepte urdhrin për internimin e familjes së tij dhe djegien e shtëpive të familjes Trokthi. Kthimi i Markut në Shqipëri me Abaz Kupin dhe majorin britanik Cripps, në korrikun e vitit 1941 dhe vrasja e tij nga ana e forcave italianë në fshatin Moll-Kuç të Ishmit, ku ai ishte në përbërje të forcave të Abaz Kupit, si dhe peripecitë për shpalljen e tij ‘Dëshmor i Atdheut’, gjatë regjimit komunist, edhe pse ai ishte dëshmori i parë.

Origjina e hershme e familjes Trokthi është nga fshati Mërqinë i zonës së Ishmit që ndodhet në anën perëndimore të Fushë-Krujës, ku edhe sot banon fisi Troksi, nga trungu i së cilës janë shkëputur Trokthi-t, që janë vendosur në Laç të Kurbinit aty rreth vitit 1859. Pas familjes së Llesh Pjetër Vathit, fisi Trokthi njihet si një nga shtëpitë e para e më të vjetra të Kurbinit, krahinë e cila shtrihet ndërmjet dy lumenjve, Mat dhe Drojë. Trokthi-t njihen më tepër si familje që janë marrë me bujqësi dhe blegtori, por edhe si e lidhur ngushtë me fenë, duke filluar nga Pashko Trokthi, që arriti shkallët më të larta të hierarkisë fetare, deri në Argjipeshkvi i Shkupit, i cili së bashku me vëllanë e tij Hilën, përbëjnë dhe brezin e parë të familjes Trokthi. Sipas disa dokumenteve arkivore që i disponon edhe familja Trokthi në Laç të Kurbinit, veprimtarinë dhe aktivitetin më të madh si patriot e hierark fetar, Imzot Pashku e ka pasur në qytetin e Shkupit, duke e shtrirë atë deri në Prizren e Gjakovë, ku së bashku me mësuesin e atdhetarin e njohur, Mati Logoreci, hapën dhe mbrojtën shkollën e parë shqipe të Prizrenit. Sipas studiuesit nga Shkodra, Gjush Sheldia (“Histori Kishtare”), Imzot Pashko Trokthi figuron i dyti në listën e personaliteteve fetare, të cilët më 29.VI.1895 në kishën Katedrale Metropolitane të Shkodrës, firmosën Konçilin e Tretë shqiptar nën kryesinë e Imzot Pashko Guerinit. Sipas disa dëshmive të tjera, bëhet e ditur se aty rreth vitit 1898, Arqipeshkvi Trokthi, u thirr në Vatikan dhe aty është diskutuar shumë nga Papati i asaj kohe, që t`i jepej titulli Kardinal, por ajo gjë nuk u arrit të bëhej për arsye se ai vdiq i helmuar në rrethana të paqarta dhe më pas u varros në varrezat fetare të Vatikanit (Kisha e Shën Pjetrit), ku edhe sot prehen eshtrat e tija.

Kush ishte Mark Trokthi?

Pas Imzot Pashkos, një nga emrat më të njohur të familjes Trokthi, të Laçit të Kurbinit, është nipi i tij Mark Jak Trokthi, që njihet ndryshe dhe si kapiten Marka Jaku. Marku u lind në fshatin Laç më 2 prill të vitit 1899 dhe mësimet e para ai i mori në fshatin e tij të lindjes, nën kujdestarinë e famullitarit të Kishës së “Shën Mëhillit” Padër Klement Miraj dhe më pas ai u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit. Pas mbarimit të asaj shkolle, ai u kthye në vendlindjen e tij në Laç, ku qëndroi deri në vitin 1918, kur u mobilizua ushtar në Gardën Kombëtare në Tiranë. Gjatë shërbimit në Gardën Kombëtare, për aftësitë dhe prirjet që tregoi, atij i’u akordua grada e rreshterit. Pas lirimit nga ushtria, Marku u kthye pranë familjes në vendlindjen e tij, por dhe aty nuk qëndroi shumë, pasi ai u thirr përsëri, që të shërbente në Ushtri, si oficer i karrierës. Në vitin 1921 Marku, kreu kursin e oficerëve në Tiranë, i cili zhvillohej nën kujdestarinë e Ministrisë së Luftës së asaj kohe, nga ku mori dhe gradën e Aspirantit. Pas kësaj, ai kreu edhe disa kurse specializimi të shkurtra për oficer, si në Tiranë, ashtu dhe në Itali. Pas përfundimit të këtyre kurseve, ai u emërua komandant i Kompanisë së Mitralierëve në Regjimentin e Gardës Kombëtare në Tiranë, ku u dallua si ushtarak me përgatitje të lartë, gjë e cila bëri që shumë shpejt t`i jepet dhe grada e togerit. Në këtë njësi të specializuar, Marku, shërbeu deri në vitin 1929, kur Ministria e Luftës, vendosi transferimin e tij në kufijtë veriorë të Shqipërisë.

Komandant i Kufirit në Veri dhe dekorohet nga Mbreti Zog

Duke parë përgatitjen e lartë të Markut si ushtarak, në shtatorin e vitit 1929, Ministria e Luftës e caktoi atë që të shkonte me detyrën e komandantit të postës kufitare në Rapsh, të Hanit të Hotit, në Malësinë e Madhe. Pasi shërbeu për një vit në atë postë kufitare, në vitin 1930 Markun e transferuan përsëri, duke e dërguar në kufirin Jugor të Shqipërisë, në Konispol të Sarandës, ku ai qëndroi deri në vitin 1933. Arsyet e këtij transferimi, ishte kontrabanda e cigareve që kryej në atë zonë kufitare dhe Marku u dërgua aty, si një ushtarak me figurë të pastër morale dhe i pa korruptuar. Pasi shërbeu për disa muaj aty duke e ndaluar kontrabandën, po në atë vit, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, gjeneral Xhemal Aranitasit dhe firmën e Mbretit Zog, Toger Marka Jaku u transferua përsëri për në Vermosh, në Qafën e Bordolecit, ku shërbeu po si komandant poste, deri në vitin 1934, ku u transferua përsëri për në Morinë të Kukësit dhe më pas për në Borje të Shishtavecit. Pas gjithë këtyre transferime, ku ai dërgohej nga ana e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë, për të stabilizuar situatat e paqëndrueshme në kufijtë veriorë të Shqipërisë, në vitin 1937, Marku u transferua përsëri në Vermosh të Malësisë së Madhe. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kryerjen me përgjegjësi të detyrave të ngarkuara në mbrojtje të kufijve shtetërorë, me propozimin e gjeneral Xhemal Aranitasit, Mbreti Zog e dekoroi toger Mark Trokthin, me ‘Urdhrin e Lartë të Trimërisë’ dhe menjëherë pas kësaj, i’u dha dhe grada e kapitenit, duke marrë përgëzime personalisht nga Mbreti Zog, i cili e emëroi si komandant të Kavalerisë, pranë Gardës Mbretërore në Tiranë. Gjatë periudhës që Marku shërbeu si ushtarak i Monarkisë, ai gëzonte një autoritet të madh në të gjithë zonën e Kurbinit, pasi falë gjendjes së kënaqshme ekonomike që kishte, ai bënte herë pas here bamirësi të ndryshme, në shtëpitë e varfra të asaj zone.

Më 7 prill ‘39, bën thirrje për rezistencë

Në pranverën e vitit 1939, duke parë situatën e vështirë që po i afrohej vendit, kapiten Trokthi u transferua përsëri nga Tirana, për në kufirin verior në Bajzë të Kastratit të Malësisë së Madhe, ku e gjeti dhe 7 prilli i ’39-ës, ku Italia fashiste e Benito Musolinit ndërmorri agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë. Në këtë kohë, kapiten Trokthi i’u bëri thirrje të gjithë popullsisë së zonës kufitare të cilën ai e mbulonte ushtarakisht, që të organizoheshin për t’iu bërë rezistencë të armatosur forcave italiane. Në këtë thirrje, Marku gjeti dhe mbështetjen e përkrahjen e oficerit reservist, (kreshnik) Prek Calit, si dhe të oficerit madhor, major Llesh Marashit. Mbas 7 prillit të vitit 1939, duke e ditur se fashistët italianë do të merrnin masa karshi tij për ta burgosur, ai u largua për në Jugosllavi, së bashku me shumë nga ushtarakët e lartë të Mbretërisë Shqiptare dhe personalitetet e tjerë që udhëhoqën kundërshtuan hapur pushtimin e vendit apo organizuan rezistencën ndaj trupave italiane, si: major Abaz Kupi, major Spiro Mojsiu, Padër Lek Luli etj. Në qytetin Valjevo të Jugosllavisë ku u vendosën shumë nga ushtarakët e lartë të Mbretërisë Shqiptare, edhe kapiten Mark Trokthi u trajtua si emigrant politik nga ana e qeverisë mbretërore të asaj kohe. Por gjatë asaj periudhe të qëndrimit në Jugosllavi, Marku më shumë u strehua në shtëpitë e miqve të xhaxhait tij, Dom Pashko Trokthit, në Prizren dhe Malësinë e Gjakovës. Gjatë viteve 1939 – 1941 që Marku ishte në Jugosllavi, ai pati oferta të ndryshme deri nga kryeministri Mustafa Merlika Kruja, i cili i bëri thirrje disa herë për të ardhur në Shqipëri dhe për të marrë detyra të larta ushtarake në shërbim të asaj qeverie. Asaj thirrje i’u përgjigjën shumë nga ushtarakët e Monarkisë, të cilët u kthyen në atdhe për të marrë detyrat që iu ngarkuan, ndërsa Marku e refuzoi në mënyrë kategorike atë gjë. Për herë të fundit, kryeministri Merlika i dërgoi Markut vjehrrin e tij, Lazër Gjokën nga Miloti, (i cili në 1912-ën, ishte bashkë me Gjin Pjetër Previzin kur ngritën flamurin në Milot), duke i premtuar atij se: po të kthehej në Shqipëri, do t’i jepte gradën e kolonelit dhe poste të larta drejtuese në Ushtrinë Kombëtare. Pas kësaj oferte Marku, i’u përgjigj kryeministrit Merlika me anë të një letre, ku ndër të tjera i shkruante: “Për kërkesën që më keni dërguar ju falenderoj. Në Shqipëri do të kthehem po të jem gjallë, bashkë me shokët e mi, kur Shqipëria të jetë e gjitha shqiptare dhe pa pushtues e shërbëtorë të tyre. Këtë gjë do ta bëj jo për ofiqet dhe detyrat e larta që më premtoni ju në qeverinë tuaj, por për një Shqipëri të shqiptarëve”. Pas kësaj përgjigje, qeveria e Mustafa Krujës vendosi që t’i digjte shtëpinë Markut në fshatin Laç të Kurbinit dhe t’i internonte të gjithë familjen. Pasi e gjithë familja e madhe Trokthi qëndruan për tre ditë jashtë shtëpisë, djegia e saj nuk u bë e mundur, në saj të ndërhyrjes së Padër Klement Miraj, i cili shkoi vetë personalisht pranë ministrit të Punëve të Brendshme, Kol Bibë Mirakaj, duke i bëri atij të ditur, aktivitetin e madh patriotik të Imzot Pashko Trokthit. Pas kësaj, ministri Miraka pezulloi dhe vendimin e internimit të familjes Trokthi.

Kthimi i Markut në Shqipëri në 1941-in me major Abaz Kupin

Pas afro dy vjetësh qëndrimi në Jugosllavi, si emigrant politik, në korrikun e vitit 1941, kapiten Mark Trokthi u kthye ilegalisht në Shqipëri, duke përshkruar itinerarin: Dibër, Mat, Daul, Vinjoll, Luga-Paq dhe u vendos në Larushk të Fushë-Krujës, i strehuar nga familja Vathi. Kthimi i tij në Shqipëri konfirmohet edhe nga një dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, e cila atë gjë ja bën të ditur kryeministrit shqiptar, ku midis të tjerash thuhet: “Ju njoftojmë se major Abaz Kupi, Isuf Selmani dhe kapiten Mark Trokthi, të shoqëruar nga koloneli anglez Cripps, janë kthyer në Shqipëri”. (AQSH f.552/2 D.171. Viti 1941). Pas disa muajsh nga kthimi i tij në Shqipëri, kapiten Trokthi u vendos pranë mikut tij të vjetër major Kupit, i cili asokohe kishte nën komandë afër 800 forca të armatosura, të përqendruara në fshatrat e Krujës dhe Tiranës. Marku u inkuadrua përnjëherë në formacionet ushtarake të Abaz Kupit dhe si rezultat i kësaj, qeveria e Mustafa Merlikës e shpalli atë person në kërkim, për aktivitetin e tij antifashist, gjë e cila e kishte zanafillën që nga 7 prilli i vitit 1939, kur ai kundërshtoi hapur pushtimin duke bërë thirrje për rezistencë të armatosur ndaj trupave pushtuese italiane.

Vrasja e Markut dhe shokëve të tij nga italianët në Ishëm

Në këtë kuadër dhe në bazë të vendimit të qeverisë e cila i’u ngarkua Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 6 prill të vitit 1942, forcat italiane pasi kishin diktuar më parë shtëpitë dhe fshatrat ku strehohej ai, organizuan një operacion, nga ku u bë e mundur rrethimi i tij, në fshatin Moll-Kuç të Ishmit. Pasi u njoftuan se ishin të rrethuar nga vrojtuesi që kishin lënë jashtë shtëpisë, kapiten Mark Trokthi që ishte dhe i pari i atij grupi të vogël në përbërje të forcave të Abaz Kupit, i’u bëri thirrje njerëzve që kishte nën komandë, që të largoheshin menjëherë prej andej, në mënyrë që i zoti i shtëpisë të mos kishte konsekuenca nga autoritetet italiane. Marku doli i pari nga shtëpia ku ishin strehuar dhe në momentin kur ishin duke kaluar në urën e telit (pasarelën) mbi lumin Ishëm, ata u gjendën përnjëherë nën breshërinë e zjarrit të forcave italiane, që kishin bërë rrethimin e plotë. Në këtë përpjekje fare të shkurtër, Marku mbeti i vrarë i pari dhe më pas plumbat kapën dhe dy shokët e tij Xhemal Dervishin, e Hajdar Metën. Më pas, forcat italianët kapën të gjallë dhe katër shokë të tjerë të Markut, të cilët më pas i nxorën para gjyqit ushtarak dhe pasi i dënuan me vdekje, i varën në mes të Krujës. Pas vrasjes së tyre, sipas urdhërit nga Tirana, të tre kufomat i ngarkuan në një qerre dhe i ekspozuan për tre ditë në Kalanë e Krujës. Të katërtin që u kap i gjallë, Xhemal Danin (nga Picrraka e Krujës), italianët e dërguan në Itali, ku e ekzekutuan me varje në litar. Nga disa dëshmi të ndryshme, thuhet se kur major Abaz Kupit i vajti lajmi i vrasjes së kapiten Mark Trokthit dhe dy shokëve të tij, ai u shpreh: “Më mirë të më ishte vrarë njeri nga djemtë e mi, se sa Mark Trokthi”.

Konsekuencat e familjes Trokthi, pas vrasjes së Markut

Sipas dëshmive të nipit të tij, majorit në pension, Preng Trokthi, (ish-ushtarak i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme me shërbim në Gardën e Republikës), edhe pse kapiten Mark Trokthi, u vra nga forcat italiane për aktivitetin e tij antifashist, pas mbarimit të Luftës, në vitet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ai nuk u shpall ‘Dëshmor i atdheut’, sepse konsiderohej bashkpuntor i Abaz Kupit dhe emri i tij nuk përmendej asnjëherë as në shtyp dhe as në aktivitete të ndryshme përkujtimore. Përkundër kësaj, familja e tij në Laç, shikohej me sy tjetër dhe ajo pati konsekuenca herë pas here, deri aty sa pushteti vendor, kërkonte që t’i shpallte ata si kulakë, për shkak dhe pronave e tokave të shumta që zotëronte fisi Trokthi, një pjesë e të cilave ishin blerë nga Marku, gjatë viteve kur ai shërbente në Gardën Mbretërore. Me gjithë insistimin e vazhdueshëm të Moll Bajramit nga Zheja, njërit prej eksponentëve komunistë më në zë të pushtetit vendor të zonës së Kurbinit (të cilin Marku në vitet e fundit të Monarkisë e kishte mbajtur pranë si adjutant të tij), nuk u bë e mundur shpallja e Mark Trokthit, si ‘Dëshmor i Atdheut’, pasi autoritetet partiake të Krujës, përmendnin thënien e Abaz Kupit, “Më mirë të më ishte vrarë njeri nga djemtë se Mark Trokthi”. Shumë vonë, aty nga fundi i viteve ’60-të, nisur edhe nga fakti se Laçi i Kurbinit dhe e gjithë ajo zonë (ku përfshihej Laçi, Shullazi, Selita, Gjormi, Mamurrasi, Gorreja, Gurëzi, Fush-Kuqja etj.), nuk kishin asnjë ‘Dëshmor të Atdheut’ dhe asnjë lapidar ku organet partiake e shtetërore të bënin homazhe dhe të vendosnin kurora me lule me rastin e 5 Majit, u bë e mundur që Mark Trokthit, një nga të parët që kishte luftuar dhe ishte vrarë nga italianët t’i jepej titulli “Dëshmor i Atdheut”. Po në atë kohë, me emrin e tij u pagëzua shkolla 8-vjeçare e qytetit të Laçit dhe disa vjet më vonë u ngrit dhe një lapidar me emrin e tij. Në këtë kuadër, biografia e fisit Trokthi u rregullua disi dhe rrugën e kapiten Mark Trokthit si ushtarak, e ndoqën edhe dy nipat e tij, Preng Trokthi, (pas viteve ’90-të ishte me gradën e majorit) dhe Leonard Trokthi, që shërbeu në radhët e reparteve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke arritur deri gradën e nënkolonelit /Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)

Militantë të Berishës protestojnë kundër Ramës në Londër (VIDEO)