Rrëfimi i studiuesit të njohur nga Hasi: N’oborr të Sali Qarrit xhandarët e Zogut, detyruan të zotin e shtëpisë me i dhanë kafe për s’vdekmi Bajram Currit

Rrëfimi i studiuesit të njohur nga Hasi: N’oborr të Sali Qarrit xhandarët e Zogut, detyruan të zotin e shtëpisë me i dhanë kafe për s’vdekmi Bajram Currit

Ahmet Zogu

Dëshmitë e Daut Krajës, mbi jetën e nacionalistit Mehmet Ali Bajraktari-

Shkrimtari Daut Kraja, ka shkruar mbi jetën e nacionalistit hasjan, Mehmet Ali Bajraktari. Kraja u nda nga jeta në vitin 2014, ndërsa në një prej librave të tij, i cili priste të botohej, ai jep profilin e nacionalistit të njohur, duke u ndalur jo vetëm në kontributin e tij në fushë të nacionalizmit, por edhe në aspekte të tjera, si p.sh. marrëdhënia e tij me bashkëfshatarët apo njerëzit e katundit. Në shënimet e tij, Daut Kraja e cilëson Bajraktarin, si një njeri shumë paqësor dhe shumë nacionalist, që nuk toleroi dhe nuk bëri marrëveshje asnjëherë në dëm të vendit të tij. Informacionet që vijnë nga dëshmia e shkrimtarit hasjan, për luftëtarin Bajraktari janë të tilla: rezistencë e vazhdueshme e Mehmet Ali Bajraktari, ndaj synimeve serbe, rezistenca ndaj pushtuesit fashist e nazist, njëkohësisht rebelimi edhe ndaj sistemit komunist të pasluftës.

DËSHMITË E DAUT KRAJËS:

Për Mehmet Ali Bajraktarin, asht shkrue pak, ose ma mirë me shtue, vetëm sa asht cekë veprimtaria e tij, për trojet tona etnike. I kam pa shënimet nëpër libra të ndryshëm. Edhe çka asht shënue në kohë të Zogut për të, edhe ma vonë te shënimet e Hibertit, te libri “Fitorja e hidhur” dhe në librin e Neshat Bilalit. Vërejta me kënaqësi kohët e fundit edhe vlerësimet që jepen në librin “Rrëfimi i Hamit Perollit”. Dëshmi dhe përcaktime të sakta për Mehmet Ali Bajraktarin, pa e zbukurue at kohë, por me t’vërteta që i vlejnë historisë.

Ma para, Bajraktari i Vlahnës, qe Rexhë Bajraktari. Kur erdhi duke u dobësu fuqia ekonomike, kalon bajraktarllëku me mirëkuptim te Ali Sahit Myha. Por Alia asht helmue nga serbët, e kanë thirrë në Prizren, dhe aty e kanë helmue me kafe. Kështu, antiserbizmi kalon te i biri, Mehmet Ali Bajraktari. S’kish si me qenë ndryshe, se familja e Mehmet Ali Bajraktari qe mbrujtë me traditën: me e dashtë katundin, me e dashtë Hasin e Shqipninë, me e dashtë Kosovën si qe e ndame. Edhe Hasi qe i ndamë përgjysmas. Mehmet Ali Bajraktari, influencën e ushtroi në 31 katunde të Hasit. U shumuen katundet, por tek secili hasjan, ishte respekti për Mehmet Alinë.

Ai qe atdhetar, mikpritës dhe kishte nji thjeshtësi në vetveti.

Qe mbrojtës i krahinës dhe nuk lejoi me u shfrytëzue burimet minerare të Krahinës së Hasit, duke i shmangë interesat serbe. Kjo do t’thotë, se nuk u thye nga ana politike, as ekonomike. Qe nji atdhetar. Vatani qe i parë për at burrë dhe ai i ka dhanë nji krenari Hasit, i ka dhanë krenari vetit. Në çdo kohë asht cilësue nacionalist. Edhe në kohën e regjimit komunist, njerzit e cilësonin nacionalist. Mbas lufte, fati qe shum i randë për Mehmet Ali Bajraktarin e familjen e vet. Arratisja e tij me familje në verë të 1948-s, me 3 korrik, për shkak të persekutimit që filloi ndaj tij regjimi komunist, pati pasoja. Atë, bashkë me tre djemtë, e zhduku UDB-ja.

Por me tregue se raportet e tij me regjimin komunist në Shqipni qenë shumë të acarueme, por sjell nji përcaktim si i bante Qarkori i Kukësit në vitin 1945: “Mehmet Alija. – Nga katundi Vlahën. Ish-oficer rezervë në kohën e Zogut dhe Bajraktar i Hasit. Bashkpuntor dhe i lidhun ngushtë me Gani Kryeziun. Zogist i flaktë. Mik i ngushtë i Muharrem Bajraktarit, strehues dhe përkrahës i tij. Dallaverexhi dhe shfrytëzues gjithmonë në kurriz të masave të vorfna të popullit. Dhe mbas çlirimit nuk ka mbajtë qëndrim të mirë; arratisë dhe mâ vonë burgosë. Tash ndodhet në shpi. Element që e urren me gjithë shpirt pushtetin popullor dhe nuk pajtohet me frymën e sotme dhe reformat e ligjet e reja. Nuk e marrin triskën e Frontit gjithashtu edhe reja e tij, motër e Muharrem Bajraktarit”.

Arratisja

Mbas lufte, pra pas vitit 1944, Rexhës, djalit të madh të Mehmet Alisë, qe njeri i shkolluem, i thanë me qëndrue me në punë Tiranë, në Ministrinë e Arsimit, po nuk ndejti. Erdhi në Kukës si shef i seksionit të arsimit. Para se me u kthye Rexha në Kukës, Mehmet Alinë e arrestuen dy here, me arsyetimin: “Ke qenë bajraktar”. Mehmet Alia, at’herë qe rreth 70 vjeç. Kur kthehet Rexha, dhe Mehmetin e thirrin në Degën e Brendshme për së treti herë, por Rexha i thotë: “Mos shko”! Mehmet Alia ia kthen: “Nuk kam rrugë tjetër”. E kshtu, Mehmet Alisë, iu mbush mendja mos me shkue në Degë të Punëve të Brendshme.

Nisin pregatitjet me u arratisë!

Mehmeti, dhe tre djemtë e vet: Rexha. Sadria, Shabani. Rexha qe i martuem, e kish marrë nusen prej Shalqini. Nuk kishin fëmij. Sadria qe martue me nji motër të Muharrem Bajraktarit. Me veti mori edhe dy fmijtë. Shabani qe i pamartuem. Kalojnë në Jugosllavi, tre javë pa u dorëzue, tue kalue nëpër miq e shokë. Kur janë dorzue, i futin në burg. I prenë në besë. I izoluen në nji burg afër Prizrenit. Gruen e Sadrisë, me dy fmijtë i internuen nëpër Kosovë, pa dijtë për fatin e t’afërmve tjerë. Ma vonë, në vitin 1959 kaluen në Itali e në vitin 1962 kanë kalue në Bruksel. Ndërsa Mehmet Alinë me tre djemtë, i zhduki UDB-ja. Vonë e kemi marrë vesh, vrasjen e Mehmet Alisë e të djemve të vet. Ka qenë nji i arratisun prej Vlahne, Ali Mic Sokoli. Ai e kish marrë vesh ngjarjen dhe ka gjetë mundsi me tregue. Ali Sokoli, ka vdekë në Kukës në vitin 1998.

Moskompromentimi

Krajli i Serbisë i çoi nji dhuratë aty kah viti 1917, nji shami me lira me qëllim si me e zhvendosë kufinin edhe në katunde tjera. Mehmet Alia e ka hapë shaminë, e ka pa, e ka lidhë prap në katër cepat dhe e ka ngritë zanin: “Nuk e shes vatanin me pare”. Detyrën e bajraktarit e kryente në mënyrë paqësore; qe shum paqësor.

Miqësija me Bajram Currin

Kish miqësi me Bajram Currin. Si atdhetari me atdhetarin.

E Bajram Curri, respektohej në Vlahën e në krejt krahinën e Hasit. Kur ndodhën ngjarjet e pranverës së 1924-s, Mehmet Ali Bajraktari, e strehonte Bajram Currin në nji shpi, ku s’i shkonte mendja kujt. Për do dit e ruejti, e strehoi. Bajram Curri, thuhet u vetvra, ndoshta kjo asht ma e sakta, se për shum kohë, janë endë fjalët kshtu. E prunë me kalë trupin e Bajram Currit, prej Dragobie në Qarr të Hasit. Njerzit tue udhtue, i zu nata. Xhandarët, n’oborr të Sali Qarrit, e detyruen të zotin e shpisë me i dhanë kafe për s’vdekmi Bajram Currit. Qëllimi: “Iku, mbaroi Bajram Curri.” Po menjiherë njani prej xhandarve ndërhyni: “Nuk ban kshtu!” Dhe e lanë at veprim të shëmtuem. U prapsue urdhni. Pllaka u ndërrue shpejt. Bajram Currin e varrosën me nderime, me urdhën të Qeverisë së Zogut.

Kundër Zogut dhe pajtimi me Mbretin

Në ngjarjet e Qershorit 1924, Mehmet Ali Bajraktari, qe kundër Zogut. Në dhjetor të ’24-ës, kur Zogu fitoi, Mehmet Ali Bajraktari, u arratis dhe ndejti i arratisun deri në prill të 1925-ës, kur Zogu i fali kundërshtarët politikë me një amnisti. Qe nji veprim i matun i Zogut. Megjithatë, i çoi fjalë Zogu Mehmet Alisë: – “Të kam çue fjalë, mos me u përfshi në këto punë”. Mehmet Alia, ia kthen: – “Kshtu e pashë ma t’udhës”. Zogu ia dha gradën major, oficer në rezerve, i lidhi rrogë dhe i dha të drejtën me mbajt tre xhandarë.

Te Kulla e Ngjeçit dhe vrasja e të vëllait

Në kohë të Zogut, mblidhen njerëz të Kulla e Ngjeçit. Aty qe dhe paria e Hasit. U rrethuen prej forcave serbe. Po hanin bukë. Mbas do kohe, sjellin tepsinë me pite. E heq shaminë e brezit dhe fut piten në të. Thotë: Kush asht burrë me më ndjekë mue! Del prej shpije, ia ve komandantit serb revolen në fyt. Po nuk e vrau dhe e liroi. Erdhën si erdhën punët, u shpërndanë. Para krijimit të çetës, asht organizue nji luftë kundra gjermanve nga Mehmet Ali Bajraktari, e nacionalista tjerë në Malsi të Gjakovës. Iu vra vllai Sahit Alia. E Mehmet Ali Bajraktari, kur erdhi në katund, ishte me shumë të tjerë. E kam pa kthimin e tyne. Se rruga qe afër shpijave tona. E pashë kur e prunë trupin e pajetë, të Sahit Alisë.

Prishja me Fadil Hoxhën

Fadil Hoxha, qe lidhë me çetën e Hasit dhe njikohsisht edhe me Mehmet Ali Bajraktarin. Rruga qi bante Fadili qe kshtu: Gjakovë – Demjan – Kushnin – Qafa e mullarëve dhe futej në territorin e Vlahnës, kalonte në Kishaj e takohej me drejtues të çetës. Në kthim shkonte te Mehmet Ali Bajraktari. Fadil Hoxha, mbas do kohe u shkëput; nuk u ndal ma te Mehmet Ali Bajraktari. Kjo gja e ka nji shpjegim, e ka nji arsye. Asht mësue ma vonë se Fadil Hoxhës, ia kishin rekomandue se Mehmet Ali Bajraktari, kishte tjera ide, ndryshe nga ato komuniste. Mehmet Ali Bajraktari, kish autoritet të madh dhe nuk i rrafshonte idenat e veta, për hatër të kërkujt, ai i bante shërbim vetëm idesë së vet dhe kjo ka lidhje me idenat e veta nacionaliste. I çon fjalë Fadil Hoxhës: “Ti u shmange, s’kemi ma lidhje bashkë”. E mbas kësaj, Mehmet Ali Bajraktari, ndejti indiferent, nuk u përzie ma në punë politike.

Vrasjet e Karakushve

Nji nip i Karakushve, kish ba nji vrasje për hasmni në Kushnin.
Vjen e strehohet te dajt e vet, n’Vlahën. Familjari i t’vramit, lidhet me Ram Malokun, kryetar komune asaj kohe n’Zym. I jep bakshish, me ia marrë gjakun e vllait. Thuhet se Ram Maloku, për përfitim, njofton menjiherë komandën gjermane në Gjakovë. Me 14 prill 1944, forcat gjermane, tue pasë prijës prej Gjakove, rrethojnë e msyjnë katundin e Vlahnës. Bëjnë tri rrethime sipas lagjeve: Karakush, Gradica, Kraja. Ram Maloku i nisi forcat gjermane, tue nxjerrë nji justifikim se në Vlahën, te Karakusht, kish nji bazë komuniste dhe ajo lagje qe fund e krye mbështetse e komunistave.

Tradita e Vlahës ka qenë, se i strehuemi nuk pritet në besë kurrqysh. Qe nji traditë e ngulitme prej kohnash. Aq ma tepër si i strehuemi, qe nip i Karakushve, çfardo të kish ba ai. Kanë qenë do rregulla të pashkrueme. Asht edhe proverba: “Daja qet pushkë për nipin, kurse nipi nuk qet për dajën”! Te Karakusht përforcohet rrethimi. Fillimisht u kujtu se erdhën me mbledhë taksat. Pa u ba mëngjesi, pa çelë drita. Nipi qe strehue te daja i vet, te Ramadan Avdi Karakushi. Ramadani u bani za njerve t’vet: “Çohuni shpejt, lëshoni bagëtinë në mal si të mos kuptoheni!”.

E kshtu vepruen. Edhe nipi i Ramadanit, tue lshue bagëtinë. Po ballaballas me gjermanët. E njohin nipin e Ramadanit. Prijsi i tyne prej Gjakove e kish njoftë. “Ky asht komunist”, – u kish thanë gjermanve. E vrasin. Vrasin edhe dy vllaznit e Ramës, Muharremin dhe Velinë. Shaqir Karakushi rezistoi. Plagosi dy gjermanë dhe vrau nji. U vra edhe Mehmeti. Rustemin, fmi, 13 vjeç, gjermanët e morën prej prehnit të nanës vet, dhe e vranë. Rustemi qe djali Ibrahimit, Ibrahimi vlla me Ramadan Karakushin. U vra kalimthi edhe Maxhun Halil Sokoli.

Vrasja e Ram Malokut, për hakmarrje

Gjermanët u tërhoqën. Informacionin mund ta kem të paplotë – mund t’ishin 30 a 40 gjermanë. Morën kuajt e katundit dhe disa prej Karakushve, i kanë marrë me veti e i kanë internue në Prishtinë. Kjo asht ngjarja e tregueme shum herë, edhe në kohën e përparshme, dhe kshtu kallzohet edhe sot. Në varrimin e t’vramve prej gjermanve, kam marrë pjesë edhe un, me nanën time. I kemi pasë kumari. Baba më pat vdekë në 1939-ën. Çeta e Hasit, mbasi ndodhi kjo, për hakmarrje se u damtue katundi, Karakusht, rrethoi komunën e Zymit. Ram Maloku, kish qenë në gjumë. Në komunë qe Ahmet Lamallari, prej Vasije t’Lumës. E pyetën se ku qe Ram Maloku. “Në kat të dytë”, – u kallzoi ai. E vranë Ram Malokun. Dogjën edhe komunën e Zymit. E kshtu, Ahmet Lamallari u bashkue me çetën. Ka qenë do kohë ma vonë, shef i Degës Ushtarake në Kukës.

Katundi i Vlahnës

Deri në vitin 1944, Hasi kishte 37 katunde, 19 në Shqipni dhe 18 në Kosovë. Kto, sipas edhe vështrimeve të studjuesit të njoftun Mark Krasniqi. Vlahna deri në vitin 1950 ka qenë 10 barqe: Kraja, Gradica, Karakushi, Pervana, Muhadri, Sokoli, Duraku
Kovaçi (tani, do e mbajnë mbiemnin Kovaçi, do Bajraktari), Ahmati, Goçaj. Në vitin 1957 katundi i Vlahnës ka arritë 58 shpi, ndërsa në vitet ’88-’89, në 200 e sa shpi. Prej Vlahne janë largu para kohës Zogut, por edhe në kohë të Zogut, shumë familje në Gjakovë, në Hasin e përtejm, si në Demjan, por edhe në Prizren.

Ndërsa sot në Vlahën kanë mbetë rreth 150 shpi. Edhe Halim Spahija, asht fis Kraje, edhe Xhafer Spahija, (ish-ministër, sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së dhe sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor), që ka ba shkollë në Internatin e Krumës. Halim Spahija, qe nji tregtar i njoftun, dhe u ekzekutue prej regjimit komunist pas lufte. Asht përmendë për shum kohë se Mehmet Ali Bajraktari, ka shprehë idhnim të haptë për pushkatimin e Halim Spahisë. Nderimi sot për Mehmet Ali Bajraktarin asht shenja e nji respekti çfarë ai bani për krahinën e për kombin në tanësi. Busti i Mehmet Ali Bajraktari, mu në qendër të Krumes, asht shenjë nderimi, se Hasi e ka ngulitë në vetëdijen e vet, respektin për njeriun atdhetar. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty