'Edi Luarasi mban lidhje me një armik', dokumentet që zbulojnë censurën e filmave në ’76-ën, shënimet e Ramiz Alisë e Hysni Kapos për aktoret: Këto vetë nuk kanë gjë, por burrat e tyre

'Edi Luarasi mban lidhje me një armik', dokumentet që zbulojnë censurën e filmave në ’76-ën, shënimet e Ramiz Alisë e Hysni Kapos për aktoret: Këto vetë nuk kanë gjë, por burrat e tyre

Edi Luarasi dhe faksimile

Të bëje kinema në diktaturë, do të thoshte të ishe në qendër të vëmendjes, jo aq për famën, se sa për një dënim të mundshëm. Ana tjetër e medaljes është ajo e filmit me porosi, censurës, autocensurës, propagandës. Botimi “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” i Institutit të Historisë, me autorë studiuesit Afrim Krasniqi, Beqir Meta e Hasan Bello, sjell në katër vëllimet e saj një panoramë të plotë të asaj që ka ndodhur deri në rrëzim të sistemit komunist. Dokumentet historike që sjellim më poshtë janë të shkëputura nga vëllimi i tretë dhe ndalen në vitin 1976, ndalimin e mbi 10-filmave dhe dënimin qëi bëhej artistes së njohur Edi Luarasit pasi “ruante mardhënie të ngushta me të shoqin në burg”. Shfaqjet e regjisorit Mihal Luarasi asokohe kishin zemëruar udhëheqësit, aq sa vetë diktatori Enver Hoxha e quajti “Njollat e murme” si armiqësore. Në Plenumin e Katërt të ’73-shit që pasoi Festivalin e 11-të ai ishte një nga të dënuarit. Kështu që Partia kish vendosur që në muajt e parë të vitit 1976 të hiqte filmat ku interpretonte Edi Luarasi. Në këtë censurë e presion që i bëhej artistes do të thoshin fjalën e tyre edhe udhëheqësit, Hysni Kapo e Ramiz Alia.  “Në qoftë se Edi Luarasi vazhdon të mbajë lidhje me një njeri që është i dënuar si armik, ahere çfarë qëndrimi do të mbajë më vonë?”, shprehet Kapo në mars të ’76-ës…

1647594038_1647534973fotoooooooo.jpg
Dokumentet e shkëputura nga “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”
Informacion i Sektorit të Shtypit në KQ të PPSH mbi korrigjimin ose heqjen nga qarkullimi të disa filmave artistikë për shkak të përmbajtjes së tyre dhe artistëve të dënuar që luanin në to 

Tiranë, më 5 shkurt 1976 
INFORMACION 
Sikurse jeni vënë në dijeni, një numër filmash janë hequr nga qarkullimi prej kohësh për arsye se lidhen me figurën politike morale të artistëve që luajnë në to, të skenaristëve të tyre, dhe të disa figurave të elementëve armiq që trajtohen në to. 
Drejtoria e Kinostudios, në mbështetje të udhëzimeve të dhëna, mori masa për të bërë brenda mundësive teknike korrigjimet e nevojshme. Sipas të dhënave të tyre rezulton: 
1. Filmi “Njësiti Gueril” u verifikua dhe rezultoi që pseudonimi “Çekani” që i referohet Beqir Ballukut përmendet në 6 (gjashtë) akte të filmit. U bënë korrigjimet në kopjen e parë dhe, në bazë të saj, po korrigjohen dhe 7 kopjet e tjera të filmit. 
2. Në filmin “Prita” u spastrua kopertina nga emri i skenaristit Xhevat Alibali në të gjitha kopjet. 
3. Në filmin “Shpërthimi”, ka pasur korrigjime në 6 akte të filmit, të cilat janë bërë në kopjen origjinale të negativit të filmit, nga e cila është stampuar një kopje pozitive e rregullt për qarkullim. Janë dhënë në laborator për t’u stampuar aktet e korrigjuara për kopjet e tjera të variantit të parë, të cilat do të plotësohen me këto akte në 11 kopjet dhe do të hidhen në qarkullim. 
4. Filmi “Tana” nuk ka kopjen origjinale të negativit, por ka kopje dubël negativ, nga e cila laboratori po punon për stampimin e kopjeve pozitive për qarkullim. 
5. Në filmin “Kur zbardhi një ditë” u bënë korrigjimet e aktit 12 në kopjen e negativit të filmit dhe është në laborator për të stampuar aktin e korrigjuar për 5 kopjet e tjera të variantit të parë, të cilat do të 
plotësohen me këtë akt dhe do të hidhen në qarkullim. 
6. Filmi “Burim i pashtershëm” është korrigjuar në kopjen e parë dhe, në bazë të saj, po korrigjohen edhe 5 kopjet e tjera. 
7. Në filmin “Malet me blerim mbuluar” emri i Ferial Alibalit jepet në të njëjtin plan të kopertinës me tre emra të aktorëve të tjerë, prandaj korrigjimi është bërë në kopjen e parë duke i hequr së bashku të 4 emrat. Tani po bëhen korrigjime për 10 kopje që ndodhen në Kinostudio, ndërsa 5 kopjet që ndodhen në qarkullim,nëpër rrethe do të korrigjohen pasi të kthehen. 
8. Filmi “Yjet e netëve të gjata”, ka në kopertinë fotografi të luftës të pa identifikuara akoma. 
Mendojmë se me ndihmën e Institutit të Studimeve Marksiste – Leniniste, kjo çështje mund të sqarohet. 
9. Në filmat “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Vitet e para”, “Gjurma” rolin kryesor e ka Edi Luarasi. Në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” ajo interpreton rolin e heroinës, prandaj dhe filmat janë hequr nga qarkullimi. Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, informon se organizata e Partisë e cilëson të mirë punën e Edi Luarasit në ndërmarrjen ku punon, por ajo njëkohësisht mban marrëdhënie të ngushta me të shoqin dhe merret me punë private (rrobaqepësi e qëndistari). 
10. Filmi “Oshëtimë në bregdet”, është hequr nga qarkullimi për shkak të Kujtim Spahivoglit i cili, sipas të dhënave të Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, është përjashtuar nga Partia më 1973 për qëndrime anarkiste e pikëpamje liberale, për mendjemadhësi e etje për lëvdatë, për shkelje të disiplinës shtetërore dhe mospërfillje të mendimit të shokëve. Ka pasur koncepte ideoartistike moderniste për teatrin që, në shumë drejtime, pajtoheshin me pikëpamjet e Fadil Paçramit dhe, si të tilla, kanë dëmtuar teatrin tonë dhe edukimin ideo-estetik dhe etiko – moral të studentëve. Ka pasur koncepte të gabuara ideologjike lidhur me luftën e klasave. 
Sipas të dhënave të Kinostudios filmit nuk mund t’i bëhen riparime. 
Filmat “Detyrë e posaçme”, ku ka një rol episodik Xhemal 
Broja, “Ku bie kjo daulle”, ku luan Lluk Kaçaj, “Skënderbeu”, ku luan Adivije Alibali dhe “4 këngë për Partinë”, ku figuron Ndue Marashi, janë të pariparueshëm teknikisht dhe si të tillë mbeten të bllokuar. 

Sektori i shtypit
Informacion i Sektorit të Shtypit në KQ të PPSH mbi korrigjimin ose heqjen nga qarkullimi të disa filmave artistikë për shkak të përmbajtjes së tyre dhe artistëve të dënuar që luanin në to 
Tiranë, më 2 mars 1976 
Informacion
Mbi heqjen nga qarkullimi të disa filmave
Sikurse jeni vënë në dijeni, një numër filmash janë hequr nga qarkullimi prej kohësh për arsye se lidhen me figurën politike e morale të disa artistëve që luajnë, të skenaristëve të tyre, dhe të disa figurave të elementëve armiq që trajtohen në to. 
Drejtoria e Kinostudios, në mbështetje të udhëzimeve të dhëna, mori masa dhe bëri brenda mundësive teknike, korrigjimet e nevojshme në disa filma artistikë e dokumentarë. 
Ka mbetur pa zgjidhur problemi i filmave të mëposhtme: 
Në filmat “Ngadhënjim mbi vdekje”, “Vitet e para”, “Gjurma”, rolin kryesor e ka Edi Luarasi. Në filmin “Ngadhënjim mbi vdekje”, ajo interpreton rolin e heroinës, prandaj edhe filmat janë hequr nga qarkullimi. 
Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, informon se organizata e Partisë e cilëson të mirë punën e Edi Luarasit në ndërmarrjen ku punon, por ajo njëkohësisht mban marrëdhënie të ngushta me të shoqin që është në burg, prandaj mendimi i Komitetit të Partisë është që filmat të mos qarkullojnë. 
Filmi “Oshtimë në bregdet”, është hequr nga qarkullimi për shkak të Kujtim Spahivoglit i cili, sipas të dhënave të komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, është përjashtuar nga Partia më 1973 për qëndrime anarkiste, pikëpamje liberale, mos zbatim të vijës së Partisë në luftën e klasave, për mendjemadhësi, etje për lavdi, për shkelje të disiplinës shtetërore dhe mospërfillje të mendimit të shokëve. 

Edi dhe Mihal Luarasi

Konceptet e tij ideoartistike moderne për teatrin në shumë drejtime pajtoheshin me pikëpamjet e Fadil Paçramit dhe, si tilla, kanë dëmtuar thesarin tonë dhe edukimin ideoestetik dhe etiko – moral të studentëve. Sot punon si punëtor krahu në kantierin e bonifikimit në Fier. Organizata e Partisë së këtij kantieri e vlerëson pozitivisht punën e tij, por Komiteti i Partisë i rrethit të Fierit mendon se, pavarësisht nga ky vlerësim, filmi të mos qarkullojë, sepse ky do të ishte një rehabilitim i shpejtë, po të merret parasysh shkalla e gabimeve të tij. Sipas të dhënave të Kinostudios, filmit nuk mund t’i bëhen riparime. 
Për filmat “Ku bie kjo daulle” ku luan Lluk Kaçaj, “Skënderbeu”, ku luan Adivije Alibali, Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës mendon të mos qarkullojnë. Po kështu dhe filmi “Këngë për Partinë” ku figuron Ndue Marashi. 
Këto filma teknikisht janë të pa riparueshëm. Për filmin “Detyrë e posaçme”, ku ka rol episodik Xhemal Broja, Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës mendon të qarkullojë, pasi emri i tij të hiqet nga kopertina. 
Sektori i Shtypit
Shënime rreth këtij dokumenti nga Marash Hajati: 
Situata për filmat në TV. 
Nuk jepen për transmetim në TV filmat: 
1. “Detyra e posaçme”. Luan Xh. Broja dhe është skenarist Halim Xhelo. Jan të dy në burg. 
2. “Vitet e para”, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Gjurma”. Luan Edi Luarasi 
3. “Malet me blerim mbuluar”. Luan Ferial Alibali 
4. “Yjet e netëve të gjata”, “Shpërthimi” dhe “Burime të pashterëshme”, janë në ripunim. 
Janë hequr fare nga qarkullimi: 
1. “Njësiti Gueril”. Bëhen aluzione për B. Ballukun Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit 541 

2. “Tana”. S’ka kopje 
3. “Kur zbardh një ditë”. Ka kritikë për gabime ideore. 
4. “Oshëtimë në bregdet“. Del Kujtim Spahivogli. 
5. “Skënderbeu“. Luan Adivije Alibali. 
28 gusht 1976 
Shënim mbi dokument nga Hysni Kapo
Çështja e këtyre personave që bëhet fjalë në film nuk është e thjeshtë. Varet cili do të jetë qëndrimi i tyre, do jenë të lidhur me armiqtë apo me Partinë. Në qoftë se Edi Luarasi vazhdon të mbajë lidhje me një njeri që është i dënuar si armik, ahere çfarë qëndrimi do të mbajë më vonë? Kështu është edhe për Lluk Kaçajn. Mos duhet bërë përpjekje për të bërë korrigjime të më tejshme në këto filma?

Shënim mbi dokument nga Ramiz Alia 
Shoku Hysni 
„ Haki 
„ Hekuran 
Më shqetëson veçanërisht filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” që flet për dy heroinat e Gjirokastrës, si dhe filmi “Skënderbeu”, i vetmi që kemi për heroin kombëtar. A duhet t’i hedhim në shportë pse në role të veçanta luajnë Edi Luarasi e Adivije Alibali? Këto vetë nuk kanë gjë, por burrat e tyre. Kurse për filmin “Detyrë e posaçme”, ku ka rol Xhemal Broja, Komiteti i Partisë së Tiranës thotë mund të qarkullojë. 
Të shkëmbejnë mendime. 
3 mars 1976 

Shënim mbi dokument nga Miti Tona
Porositë e sekreteve të KQ iu transmetuan për zbatim, 

Kinostudios, drejtorit të saj V. Zallëmi. 
Sektori i Shtypit
M. Tona

Foto nga filmi "Ngadhnjim mbi vdekjen"

B.K./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja