Meqenëse kosovarët nuk e zgjedhin dot, Europa dhe Bota po duan me ia dhuru Kosovës një President.

Duket po del e vërtetë çka serbët, dhe në përgjithësi sllavët, e kanë thënë, e kanë shkruar në qindra libra dhe e kanë bërtitur në mijëra fjalime, se sa kohë kosovarët dhe në përgjithësi shqiptarët nuk janë njerëz, por majmuna, nuk munden, nuk dinë, nuk duan, s’ju del hesapi, me bo Shtet. Prandaj Perëndimi ka nis me mendu se Kopështit Zoologjik të Europës duhet me ia dhuru një President të gatshëm. Jo shimpanze, jo gorilla, jo orangutang. Njeri të vërtetë, të veshur e të mbathur, të ngrënë e të pirë, të larë e të krehur, mundësisht edhe të bërë synet.

Ngjarje më makabre, çudi më tmerruese, tallje më skandaloze, zhgjëndërr më vdekjeprurëse se kjo për shqiptarët nuk ka ndodhur kurrë. Aq befasuese dhe tronditëse, sikur trualli i Dardanisë sa hap e mbyll sytë u kthye në peizazh prehistorik. U mbush me dinosaurë që lëvizin lirshëm nëpër pyje, moçale, kope me ujq. Sikur Toka befas ndali rrotullimin, nisi me u sill mbrapsht.

Nga fillimi i shekullit të kaluar Europa ia dhuroi Shqipërisë një Princ. Ishte pa lidhje, pa ngjashmëri me këtë që po ndodh tani. Sapo kishim dalë nga Mesjeta. Mbathnim opinga. Vetëqeveriseshim me Kanun. Shqiptarët e shkolluar ishin me kokrra. Megjithatë, pavarësisht se në ç’mënyrë dhe në cilat rrethana, Mbretin e dhuruar e refuzuam.

Kur, për fije të perit, Zani Çaushi nuk u zgjodh Kryeministër i Shqipërisë, ishte pak a shumë e njëjta tablo: në Shqipëri e kishin marrë pushtetin bandat, si sot në Kosovë hajnat.

Shqiptarët nuk janë majmuna, Shqipëria nuk është Nigeria. Shqiptarët nuk duhet as nuk meritojnë President të importuar, aq më pak të dhuruar.

Ka kandidatura të mrekullueshme për Kosovën. Aq fantastike sa, në rast krize, Kosova mundet me i dhuru President Gjermanisë, Francës, Anglisë, po deshe edhe Kinës dhe Indisë.

Shqiptar i sërës së parë, patriot, atdhetar, serioz, i ditur, i shkolluar, i qytetëruar, politolog, shkencëtar, matematicien, polemist, komunikator, autor librash, historian, dhe jo-hajdut, jo-xhambaz, jo-mafioz, jo-dallaverexhi, President i mrekullueshëm i Kosovës, me e nderu Kosovën dhe shqiptarët në mbarë botën dhe përgjithmonë, mundet me qenë Nexhmedin Spahiu.

Koka ime mbi trungun e kasapit nëse Nexhmedin Spahiu nuk e bën punën e Presidentit të Kosovës në mënyrë shembullore, ekselente, pakrahasimisht më mirë, më bukur, me më tepër efikasitet se krejt presidentët e derisotëm të Kosovës dhe Shqipërisë.

Nëse jo Nexhmedin Spahiu, i bie me bo President të Kosovës një nga mijëra adhuruesit e burrit të Nexhmies, njërin nga ata që zbatojnë përpikmërisht Luftën e Klasave, udhëhiqen nga marksizëm-leninizmi, i merr malli për Koçi Xoxen, për stalinizmin, burgjet, pushkatimet, varjet, internimet, kooperativat, Sigurimin, Zërin e Popullit.

Many tears ago, kur unë haja pasul në Prishtinë dhe Nexhmedini fasule në Tiranë, perfeksionisti Nexhmedin Spahiu, me shkrimin e radhës shkruar me laps dhe palosur në xhepin e pasëm, më tregonte se si ai dhe një mik i tij mblodhën mbi 200 mijë firma për referendum me ia ndërru emrin Kosovës, me ia bo “Shqipëria Lindore”. Pra, dy Shqipëri si dy Gjermani: Shqipëria Lindore pas pak të bashkohej natyrshëm me Shqipërinë Perëndimore për të formuar një Shqipëri të vetme dhe të madhe.

20 vjet që organizon referendum për Shqipëri të Madhe. Merre me mend kush ishte dhe është Nexhmedin Spahiu.

S’ka problem nëse s’ju pëlqen Nexhmedin Spahiu. Kam dy kandidatura të tjera.

Bëjeni, ju lutem, President të Kosovës një prishtinali të urtë i cili, fill pas bombardimeve të NATO-s, në 2 të natës te Kodra e Diellit, ia kishte ndal Policia kerrin që po e grahte si i marrë në Kosovën e lirë.

Ani’, tha prishtinaliu, s’ka problem edhe mos me ma dhan kerrin kurrë, djemtë tanë janë.

I treti kandidat, se i pari është Nexhmedin Spahiu dhe i dyti ky i kerrit që kam për President të Kosovës, është një lavazhjer në Shtime. Ma bëri dritë kerrin. I dhashë paret. Jo, tha shtimjeliu, kam la badihava kerrat e gjermanit, zviceranit, belgut, këtë herë e ke gratis prej meje.

Dihet kush e refuzon Nexhmedin Spahiun President: llumi, budallenjtë, llapaqenat, analfabetët, parazitët, horrat, halabakët, krejt ata që Kosovës ia kanë me hile, komunistët, tradhtarët, spiunët, haxhiqamilët. Ata që zgjedhjen e Presidentit nuk munden me e përfytyru ndryshe veçse sipas serpentinës burokratike: të ketë origjinë fshatare, të parët e tij të kenë qenë bujq pa tokë, të vijë nga radhët e klasës punëtore, ta ketë kryer Shkollën e Partisë, t’i pëlqejë shoqes Nexhmie, të pyetet shoku Ramiz, ta aprovojë shoku Simon, ta kqyri shoku Pali, ta firmosë shoqja Vito, ta vulosë shoqja Lenka.

Qani, qeshni, bërtisni, ulërini, po deshët veten vriteni: kurrë s’keni pas dhe kurrë s’keni me pas President më të mirë se Nexhmedin Spahiu.

Nexhmedin Spahiu nuk është meskin, zevzek, qaraman. Nexhmedin Spahiu është zotni shpirtmadh, zemërgjerë. Nexhmedin Spahiut nuk i mbetet hatri po nuk e bëtë President. Nexhmedin Spahiu vazhdon me e dashë Kosovën, edhe nëse Kosova e vret.

Po të tregoheni vizionarë dhe Nexhmedin Spahiun do e zgjidhni President, do jetë një fat i madh për Kosovën, Shqipërinë, ardhmërinë.

Nëse do tregoheni ziliqarë, inatçinj, materialistë, refuzimi për ta bërë Nexhmedin Spahiun President do jetë një gabim historik.